Brukseli dje, e dielë 12 prill, ishte sy dhe veshë nga Budapesti, kryeqyteti i Hungarisë. Dhe fitorja e kundërshtarit të Orbanit, deles së zezë të Bashkimit Europian, ishte si një ballsam në zëmër për të. Prandaj tani po shkruhet, po flitet dhe po komentohet shumë se kush janë arsyet e humbjes së Orbanit ? Çfarë ndryshimesh mund të sjellë kjo humbje e tij në politikën e Europës dhe luftën Rusi – Ukrainë? Si spjegohet që megjithë mbështetjen e Moskës dhe Uashingtonit, Orban humbi si kurrë më parë ?! Dhe kundërshtari i tij fitoi mbi 2/3 e votave !
Arsyet janë të shumta. E para se njerëzit ishin të lodhur me të, me retorikën e tij. Dhe kjo nuk përbën çudi. Çurçilli, një nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore, humbi direkt zgjedhjet pavarësisht imazhit të tij. Po ashtu presidentin francez Charles de Gaule e lanë vetëm 11 vjet në pushtet, pavarësisht famës dhe aureolës së tij.
Shembujt e tillë duhet të bëjnë të mendohet edhe kryeministrin e Shqipërisë. Dhe ai duhet ta kuptojë se njerëzit kanë filluar të lodhen dhe të mërziten me të. Nuk është se do të vijë në pushtet Berisha, siç thonë disa nga mbështetësit e tij, që kujtojnë se do fitojnë përsëri duke tundur gogolin Berishë ! Ky dhe partia e tij tani janë shkërmoqur.
Por ndofta kundërshtarët e Ramës brenda dhe jashtë partisë, si Braçe, Spiropali, Qori etj mund ta ndërpresin marshimin e tij të pandalshëm. Deri më 2029 ka ende 3 vite. Që janë shumë, si për të ndryshuar gjërat, por po aq edhe që njerëzve tu vijë në majë të hundës sundimi 16 vjeçar i Ramës.
Por duhet kuptuar diçka me shumë rëndësi : Magyar që fitoi të dielën ndaj Orbanit, deri para 2 vitesh bënte pjesë në partinë e tij, derisa u shkëput nga ai dhe krijoi partinë e vet ! Kjo tregon se edhe ndokush tjetër që mund të shkëputet tani nga Berisha apo Rama ka mjaft gjasa që të fitojë pas 3 vitesh. Berisha e ka ngrënë « çairin ». Rama nuk ka se çfarë të japë më. E ka mbyllur ciklin. Rruga duket e hapur për kundërshtarët.
Opinioni publik pret me të drejtë figura të reja. Berisha dhe Rama, kush më shumë dhe kush më pak, kanë që nga viti 1990 në politikë! Për më shumë Berisha ka mbi kurriz shkatërrimin e vendit, firmat piramidale, 1997-tën, vrasjet në bulevard, Gërdecin etj etj. Rama korrupsionin dhe zgjedhjen e vartësve të afërt të tij të akuzuar të gjithë për korrupsion !
Shqipëria ka nevojë për fytyra të reja. Që nuk kanë të bëjnë më me 1990-tën, me komunizmin dhe « rrëzimin » e tij dhe që janë të rinj (sidomos në ide).
Para pak kohësh në këtë blog është shtruar pyetja : « Një ditë Shqipërisë i duhet të zgjedhë midis Europës dhe Amerikës » ! Tani zgjedhja duket të jetë më e thjeshtë. Atë e tregoi edhe populli hungarez : – me Europën.
Por kjo mundësi zgjedhjeje mund të përdoret nga qeveria shqiptare edhe ndaj Brukselit dhe lojërave të tij me derën hapur dhe derën mbyllur. « Nëqoftëse do vazhdoni kështu, fatmirësisht tani e kemi një alternativë : dhe ajo quhet Uashington » ! Kjo duhet të jetë sot sjellja e qeverisë shqiptare në raportet me Brukselin !
Se deri më tani Shqipëria nuk kishte zgjedhje tjetër. Ndryshe nga Serbia. As Moska dhe as Pekini nuk ishin zgjidhje për Shqipërinë. Ishte dhe mbetej vetëm Perëndimi. Pa plane “B” dhe “C” rezervë. Tani kemi edhe një opcion tjetër, aq sa për t’i bërë presion Bashkimit Europian dhe disa vendeve në të, që i bëjnë ende naze anëtarësimit të Shqipërisë aty ku e ka vendin nga gjeografia, historia dhe raca.
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” – kërkuan njerëzit 35 vjet më parë! Tani i mbetet europianëve të rinj shqiptarë që ta realizojnë këtë aspiratë të prindërve, gjyshërve, stërgjyshërve dhe rilindasve tyre të nderuar!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment