Konfliktet në këtë planetin tonë këto 3 – 4 vjetët e fundit po ndjekin njëri – tjetrin. Situata sot madje duket më shqetësuese edhe se në kohën e Luftës së Ftohtë. Kjo situatë filloi me agresionin rus kundër Ukrainës! Vazhdoi me sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelit. Të dy këto konflikte vazhdojë që atëhere deri më sot. Njëkohësisht ka përplasje ndërmjet Pakistanit dhe regjimit të talibanëve në Afganistan si dhe ndërmjet Tajlandës me Kamboxhian.
Por këto të fundit nuk janë gjë fare po ta krahasosh me konfliktin më të fundit, që nisi saktësisht më 28 shkurt. Atë ditë forcat e bashkuara amerikano/ izraelite sulmuan Iranin. Regjimi i mollahëve u përgjigj me forcë dhe tërbim. Aq sa konflikti nuk ngeli vetëm midis këtyre 3 shteteve, por u shtri afërsisht në gjithë rajonin.
Sepse Irani nuk u mjaftua t’i përgjigjej sulmeve të Izraelit dhe Amerikës, por e shtriu reagimin e tij edhe ndaj shteteve fqinje ku gjenden sot bazat amerikane.
Sipas Teheranit nga këto vende nisen sulmet e avionëve dhe raketave amerikane kundër Iranit. Por këtu ka diçka shumë të çuditshme. Irani ka hyrë në luftë me dy nga ushtritë më të forta të botës. Por ai duket se nuk ia “ndjen” për këtë, ndryshe nuk i bëhet vonë shumë. Dhe ka filluar të godasë me raketat dhe dronët e tij majtas dhe djathtas. Omani, Bahrenji, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Jordania dhe deri Qipro janë shndërruar në shënjestra të tij.
Po ta mendosh me gjakftohtësi Irani nuk duhej ta hapte frontin kaq shumë. Aq më tepër që tani ai po ndeshet me dy ushtri të armatosura deri në dhëmbë ! Atëhere si spjegohet ky guxim apo çmenduri e udhëheqësve të mbetur gjallë, pas eleminimit të 41 udhëheqësve të lartë ushtarakë, politikanë dhe fetarë të këtij vendi. Duke përfshirë këtu edhe udhëheqësin e deritashëm, Khamenein ?!
A kemi të bëjmë këtu me një operacion ushtarak vetëvrasës apo diçka tjetër fshihet pas kësaj çmendurie. Madje ka zëra alarmantë që flasin se Irani mund të sulmojë me raketa edhe bazën e muxhahidinëve në Manzë. Teknikisht diçka e tillë është e mundshme, por nuk dihet ende nëse marrëzia e Teheranit do të derdhet edhe kundër Shqipërisë.
Sa për informacion muxhahidinët që Amerika i vendosi në Shqipëri janë kundërshtarë të vjetër dhe të betuar të regjimit fanatik fetar të mollahëve në Iran. Para pak kohësh po në këtë blog kemi krahasuar sundimin e mollahëve në Iran me sundimin e komunistëve në Shqipëri.
Këto regjime mbijetojnë me anë të dhunës dhe frikës. Para pak më pak se 2 muajsh regjimi iranian vrau disa mijëra kundërshtarë të tij, që guxuan të ngrihen për më shumë liri dhe begati në vend.
Po le të kthehemi te pyetja kryesore : si spjegohet që Irani po godet majtas dhe djathtas dhe jo vetëm Izraelin dhe forcat amerikane, por siç thamë afro edhe 10 vendet fqinje me të ?!
A ka ai kaq shumë rezerva ushtarake sa ta ruajë këtë ritëm goditjesh përgjatë një ose disa muajsh sa mund të zgjasë ky konflikt ?!
Po sikur të fshihet diçka tjetër pas këtij guximi të çmendur, në rast se nuk kemi të bëjmë me goditjet e fundit të bishës së plagosur : – «Unë do jap shpirt, por edhe ju nuk do shpëtoni kaq lehtë”!
Atëhere le ta hedhim vështrimin pak më larg. Dy nga aleatët më të ngushtë të Iranit, përkatësisht Rusia dhe Kina po i ndjekin zhvillimet atje me një vëmëndje të jashtëzakonshme.
Dhe pa asnjë dyshim ato do të jenë shumë të lumtura që Amerika të ngërthehet në këtë konflikt. Me një fjalë që Irani të kthehet në një lloj Vietnami apo Ukraine për Perëndimin.
Siç dihet Ukraina deri më sot i ka rezistuar agresionit rus falë ndihmës së gjithanshme materiale, ushtarake dhe financiare që i është ofruar asaj nga vendet perëndimore. Por sikur tani të përsëritet i njëjti skenar, por në kahe të kundërt ?! Pra që Rusia dhe sidomos Kina, që ka nevojë të madhe për naftën e Iranit, të ndihmojnë fshehurazi Iranin me armë, aeroplanë dhe raketa ?!
Vetëm kështu mund të spjegohet ky « dorëlëshim » i Iranit ndaj dronëve dhe raketave që ai po hedh edhe kundër vendeve fqinje.
Atëhere a kemi të bëjmë këtu me një luftë tjetër që mund të zgjasë jo vetëm me javë dhe muaj, por edhe me vite, si konflikti Rusi – Ukrainë. A do bjerë Amerika në kurthin ruso/kinez njëlloj si para 50 vitesh në Vietnam?!
Ndërkohë që ekziston edhe rreziku i trazirave në rritje edhe në botën arabe. Vetëm në Pakistan dhe Kashmir janë vrarë disa veta gjatë përplasjeve të policisë me disa përkrahës të Iranit që donin të merrnin me sulm konsullatat amerikane atje.
Në rast se elitat arabe janë me Amerikën dhe Izraelin, e ndryshme është situata në mesin e popullsisë, që mbështesin pa rezerva luftën e popullit palestinez ndaj Izraelit dhe Amerikës. Dhe ndofta “rruga” mund të ngrihet një ditë edhe kundër udhëheqêsve të tyre. Dhe atëhere situata ndërlikohet edhe më shumë.
Duket se pak nga pak rrezikojmë të hyjmë prapë në luftën midis blloqeve. Nga njëra anë Perëndimi me Izraelin, Australinë, Argjentinën etj dhe nga ana tjetër bota arabe dhe Brics, (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut etj).
Pa asnjë diskutim që Irani do të përfundojë si Gaza, shkrumb e hi. Por rreziku është që ky konflikt të shndërrohet edhe në një përplasje ndërmjet Perëndimit nga njëra anë dhe Rusisë dhe Kinës nga ana tjetër. Gjithçka mund të ngjasë. Jemi në një terren të rrëshqitshëm.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment