Rumunët votuan dje. Shqiptarët votojnë të dielën. Europa në shënjestër

     Ja pra 5 muaj pas anulimit të raundit të parë të zgjedhjeve në Rumani, përfaqësuesi i rrymës nacionaliste, George Simion e dyfishoi dje rezultatin!

     Me shumë interes dhe drithërima zemre u ndoq dje edhe në Bruksel dhe disa kryeqytete të tjera europiane, raundi i përsëritur i zgjedhjeve presidenciale në Rumani.  Sepse ishte vetë Europa që i kishte mëshuar me gjithë forcën e saj ndryshimit apo anullimit të turit të parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën në Rumani nëntorin e kaluar.     

       Shkaku i këtij qëndrimi ishte se në këto zgjedhje doli i pari një kandidat nacionalist, pro Moskës dhe kundër Brukselit! Kaq mjaftoi që BE-ja të ndërhynte fuqimisht në anullimin tërësor të këtij raundi. Dhe shkaku u gjet: Ndërhyrja e propagandës ruse nëpërmjet rrjetit social Tik – Tok!

      Aq u ndërsye dhe u zëmërua Komisioni Europian me rezultatin e paparashikuar të këtyre zgjedhjeve, saqë ish komisioneri i Bashkimit Europian, francezi Thierry Breton, haptazi deklaroi se këto zgjedhje ishin anulluar nga BE-ja dhe e njëjta gjë do të ngjante edhe në Gjermani nëse partia e ekstremit të djathtë AfD, do të dilte edhe ajo në krye të zgjedhjeve që u mbajtën në 23 shkurtin e kaluar. Por për fat të mirë gjermanët votuan atë ditë për partinë kristiandemokrate CDU dhe një rrezik i tillë u shmang.

      Refuzimi dhe anullimi i rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit të shkuar në Rumani ngjalli një ndjenjë pakënaqësie dhe frustrimi sidomos ndërmjet përkrahësve të demokracisë anë e mbanë Europës. Se ishte hera e parë që Bashkimi Europian po hidhte poshtë hapur vullnetin e zgjedhësve në një vend anëtar të tijin.

     Në fakt dhe për saktësi kjo nuk ishte hera e parë. Edhe kur u votua për “kushtetutën” europiane më 2005 francezët dhe hollandezët  votuan kundër. Por Brukseli i mbylli sytë dhe veshët. Dhe me një votim në parlamentet përkatëse votat e qytetarëve francezë dhe hollandezë u hodhën në koshin e plehrave.

      Por kësaj rradhe në Rumani nuk është aq e kollajtë që të anullohet edhe ky tur zgjedhor. Aq më shumë që kandidati i tanishëm, sepse kandidati i shkuar me vendim gjykate, u ndalua të riparaqitej në zgjedhje, fitoi dyfishin e votave që kishte fituar kolegu i tij në nëntor. Ky rezultat dëshmon qartë dhe prerë se votat e nëntorit nuk ishin të manipuluara dhe se ato shprehnin qartë vullnetin e popullit rumun.

       Këtë të dielë edhe në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet legjislative të rradhës. Pritet që Partia Socialiste e udhëhequr nga Edi Rama të dalë përsëri fituese. Siç ka ngjarë më 2013, 2017 dhe 2021. Kryeministri shqiptar e ka mbështetur fushatën e tij kësaj rradhe pikërisht te anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

       Në fakt të gjithë udhëheqësit shqiptarë që nga viti 1990 dhe deri më sot nuk kanë pasur gjë tjetër në gojë veçse Europa, Europa! Aq sa i kanë lodhur njerëzit. Dhe kjo veçse për të fshehur paaftësinë e tyre në qeverisje apo vjedhjet dhe shkatërrimin e vendit. Por shqiptarët i janë bashkuar individualisht Europës me kohë, prandaj fushata e Ramës për “pashaportën europiane” nuk duket se ka zënë shumë vend.

      Shqiptarët sot janë zgjuar dhe nuk e presin më begatinë dhe lumturinë nga Brukseli. Por e dinë dhe e kanë kuptuar që vetëm me punën e tyre, Shqipëria mund të bëhet me të vërtetë një vend i përparuar europian.

      Ndryshe edhe shembulli nga Rumania është shumë domethënës në këtë drejtim. Kështu psh rumunët e diasporës, megjithëse jetojnë prej dekadash në Perëndim, kanë votuar masivisht për kandidatin nacionalist dhe antieuropian!

     Shihet dhe kuptohet qartë se Europa sot nuk e ka më atë vezullim dhe nuk ushtron më atë tërheqje si para 30 vitesh. Prandaj edhe Rama nëse fiton, dhe do fitojë me siguri, nuk do fitojë se e ka bazuar propagandën e tij te hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të cilën shqiptarët nuk janë të sigurt, por te mungesa e alternativave.

       PD-ja e udhëhequr sot e 30 vjet nga një gërdallë 80 vjeçare nuk frymëzon më veçse militantët e saj trurrjedhur si dhe llumin e shoqërisë, që ëndërron për kthimin e kohëve të republikës së pavarur të Lazaratit. Ilir Meta është në burg për korrupsion. Berisha me gjithë 6 milionët që ka paguar mban ende në kurriz damkën e “non gratës” amerikane dhe britanike! Atëhere çfarë të bëjnë shqiptarët?! Kujt t’ia japin votën?! Mbetet përsëri veçse Rama!

       Gjithë pikëpyetja dhe misteri i këtyre zgjedhjeve të së dielës mbetet te përqindja e votuesve që do hedhin votat e tyre në kutitë e votimit si dhe arritja dhe kalimi apo jo i 50 përqindëshit nga Partia Socialiste. Priten po ashtu me interesim edhe rezultatet e partive të reja që marrin pjesë për herë të parë në këto zgjedhje.

       Po a do të veprojnë edhe shqiptarët këtë të dielë si rumunët dje, që ia dhanë votat e tyre një partie dhe një kandidati pothuajse të panjohur nëntorin e kaluar?! Të presim deri më 11 maj.

                                                                                          Nga Viron Gjymshana

Lini një koment