A e ka gabim Trump ?!

        Me taksat e reja doganore që shpalli dje, Trump duket se i shpalli  “luftë“ gjithë botës. Aq sa tani ngado dëgjon vetëm sharje, shkulje flokësh, mallkime etj etj. Por a ka vepruar gabim presidenti amerikan?!

         Përgjigja nuk është aq e thjeshtë. Në fakt Trump ka vepruar si nacionalist dhe njëkohësisht si ekonomist. Si biznesmen i suksesshëm që ka qënë dikur, ai i njeh mirë rregullat e ekonomisë. Dhe prej kohësh kishte kuptuar se një pjesë e madhe e vendeve të botës po e shfrytëzonin Amerikën për interesat e tyre.  Sidomos „aleatët“ e saj të afërt si Europa, Japonia e të tjerë. Dhe këtu bëhej fjalë për qindra miliarda dollarë, që këto vende përfitonin padrejtësisht çdo vit nga tregtia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

        Faktet flasin vetë. Amerika u kishte vënë vendeve europiane një taksë prej afro 10 për qindësh ndaj mallrave që këto vende eksportonin atje. Nga ana e saj europianët apo japonezët, si dhe shumica e vendeve të botës, i kishin vendosur Amerikës taksa 2 deri 3 herë më të larta.

        Dhe Trump kërkoi veçse reciprocitet. Pra barazi në vendosjen e këtyre taksave. Dhe vendeve që prej vitesh u kishin vënë taksa të larta prodhimeve amerikane, ai ua “shpërbleu” dje në të njëjtën mënyrë!

       Po le të lejmë të flasin faktet më mirë. Kështu p sh  Kina u kishte vënë prodhimeve amerikane, që hynin në territorin e saj, një taksë të përgjithshme prej 67 përqindësh. Që do të thotë se nëse një mall amerikan hynte në Kinë me një vlerë prej 100 dollarësh, ai tani do të duhej të kushtonte 167 dollarë. Që do të thotë ndryshe se ai do e kishte  shumë vështirë të “çante” në vendin ku sundon Partia Komuniste Kineze.

       Por tani edhe Kina duhet të paguajë 54 përqind tarifa doganore për mallrat e saj që hyjnë në Amerikë. Nga ky mospeshim i padrejtë Amerika humbte çdo vit qindra miliarda dollarë nga tregtia me Kinën.

         Po ashtu Europa u kishte vënë prodhimeve amerikane një taksë prej 39 përqindësh, ndërsa vetë Amerika i taksonte mallrat europiane me vetëm 10 për qind! Prandaj  Amerika u vuri tani mallrave europiane një taksë prej 20 përqindësh. Pa llogaritur këtu taksat speciale për automjetet europiane, sidomos ato gjermane si Mercedes, Volkwagen, Porche, etj. Vietnami nga ana e tij u kishte vënë një taksë prej 90 për qind mallrave amerikane ! Tajvani 64 përqind, Japonia 46 përqind, India 52 për qind, Koreja e jugut 50 për qind, Tajlanda 72 për qind, Zvicra 61 përqind, Indonezia 64 për qind, Kamboxhia 97 për qind, Maqedonia e Veriut 64 për qind dhe kështu me rradhë…

      Le tu kthehemi tani fitimeve që disa nga këto vende kishin siguruar nga tregtia e pabarabartë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu psh vetëm Republika Popullore e Kinës fitonte çdo vit afro 300 miliardë dollarë nga tregtia e pabarabartë me Amerikën! Dhe tani kinezët nuk kanë turp kur kërcënojnë Uashingtonin për kundërveprime dhe reciprocitet. Se duket se ishin mësuar keq deri më tani.

        Pas Kinës përfituesja më e madhe më e madhe në tregtinë me Amerikën vinte Europa me  235 miliardë dollarë vetëm për vitin e kaluar. Dhe këto miliarda dilnin nga xhepat e takspaguesve amerikanë dhe hynin në xhepat e kinezëve dhe europianëve.

        Irlandezët psh fitonin çdo vit 87 miliardë dollarë nga Amerika. Gjermanët 85 miliardë. Italia 44 miliardë. Vietnami , që i kishte vënë një taksë prej 90 për qind mallrave amerikane, fitonte çdo vit 123.5 miliardë dollarë ! Prandaj edhe Trump ia çoi taksat këtij vendi në 46 përqind, sidoqoftë shumë më pak se përqindja e taksave vietnameze ndaj prodhimeve amerikane!

        Meksika nga ana e saj përfitonte 172 miliardë dollarë çdo vit. Ndryshe Tajvani fitonte 74 miliardë dollarë, ndërsa Japonia 68.5 miliardë, Koreja e Jugut 66 miliardë dhe kështu me rradhë, pothuajse shumica e vendeve të botës. Dhe të gjitha këto miliarda që bëjnë triliona, saktësisht 3 0 0 0 miliardê dollarë, u iknin çdo vit nga xhepi taksapaguesve dhe qeverisë amerikane!

      Dhe Trump e kuptoi i pari se politika e ndjekur gjatë këtyre 60 viteve të fundit kishte dobësuar në rradhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kishte forcuar shtete që nuk ia donin të mirën këtij vendi.     

          Dhe dje ai i dha fund kësaj politike që njihej si mondializëm, tregti pa dogana, ku kushdo mund të prodhonte ku të donte dhe të shiste ku t’i pëlqente.

      Kjo ishte një politikë në favor të trusteve dhe shumëkombësheve të mëdha dhe njëkohësisht kundër popujve të vendeve të zhvilluara. Të cilët po shihnin se si çdo ditë fabrikat dhe uzinat që kishin mbajtur me bukë familjet e tyre, po transferoheshin në Kinë, Indi, Bangladesh, Meksikë e kudo tjetër.

       Si zgjidhje për të mos ulur nivelin e jetesës së këtyre popullsive, elitat botërore kishin zgjedhur futjen e këtyre vendeve në borxhe të pafundme. Që në fund të fundit do të jenë gjithmonë popujt që do i paguajnë, siç ngjau psh në Greqi.

       Por Trump tha “mjaft”! Mjaf keni përfituar nga Amerika dhe amerikanët. Tani ka ardhur koha që mirëqënia juaj të mos mbështetet më te eksporti dhe çdo vend të prodhojë aq sa ka nevojë.

      Si pasojë në mbarë botën tani kanë filluar të qajnë. Madje disa pohojnë se do të jetë Amerika vetë që do vuajë më shumë nga këto masa. E vërteta është se në fillim për amerikanët do të jetë disi e vështirë. Por jo për shumë kohë. Se të gjitha ndërmarrjet shumëkombëshe do të detyrohen tani të hapin fabrika dhe uzina në Amerikë ku ato nuk do të paguajnë më taksa.

      Kështu psh shoqëria tajvaneze e prodhimit të mikroçipave elektronikë ka premtuar se ajo do të investojë në Amerikë rreth 100 miliardë dollarë për hapjen atje të uzinave të saj të prodhimit të mikroçipave. Edhe „Apple“, prodhuesja e famshme e smartphonëve, I-Phone, që deri më tani nuk kishte prodhuar asnjë smartphon në Amerikë, por të gjitha në Kinë, ka lajmëruar se do transferojë teknologjinë e saj drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të hapë edhe disa uzina! Po kështu do të veprojnë edhe shumë prodhues të makinave, të pjesëve të këmbimit etj etj.

     Shihet pra se në Amerikë gjatë këtyre viteve do të hapen vende pune si kurrë më parë. Ndryshe sot po ndeshemi me një antimondializëm. Që do të thotë se uzinat dhe fabrikat do të shpërngulen sot nga Kina dhe India drejt Amerikës. Si pasojë  Amerika do të provojë një punësim të plotë dhe me rritje pagash të papara. Por duhet pak durim deri atëhere. Si fillim amerikanët do të duhet të përballojnë rritjen e çmimeve të prodhimeve  që vijnë psh nga Kina. Të taksuara ato do të kushtojnë më shtrenjtë se deri më sot!

        Por këto vuajtje dhe këto sakrifica do të jenë të përkohshme, pasi pak nga pak Amerika do të kthehet me të vërtetë në Eldoradon e fabrikantëve të botës. Ndryshe Amerika do t‘i ngjajë pak a shumë Zvicrës: një vend i pasur me çmime dhe rroga të larta. Dhe me një monedhë, dollarin, tejet i fuqishëshëm  dhe i kërkuar në botë.

         Kjo është në realitet „America first”!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment