Tërbaçi shokë, Tërbaçi

    Për Tërbaçin kam dëgjuar që kur kam qënë i vogël. Jo për ndonjë trimëri të tij. Jo. Veç se  disa përdornin në atë kohë si në formë sharjeje shprehjen « ma ke kokën sa një qen Tërbaçi » ! Pikërisht atëhere mësova edhe për ekzistencën e tij. Mësova pra po ashtu se aty kishte qen me kokë të madhe. Madje disa historianë dhe antropologë pohonin se qeni i Tërbaçit me kokë të madhe,  bënte pjesë në racën e qenve të njohur botërisht si mollosë. Këta qen u përdorën edhe nga Pirro i Epirit, bashkë me elefantët e tij të famshëm, si armë të frikshme kur ai sulmoi Romën antike.

     Nga vitet ’70 pata rastin të shoh një qen të tillë pikërisht në majë të Llogorasë, ku në atë kohë gjendej një bujtinë pranë pemës « flamur » ! I thonin pema flamur se nga rrahja e vazhdueshme e erës në qafën e Llogorasë, degët e pemës ishin shtyrë të gjitha nga prapa sa të jepnin përshtypjen e një flamuri në valëvim. 

      Qeni i Llogorasë që pashë atje, tani më duket se është zhdukur si racë, kishte vërtet një trup baloje me një qafë të fuqishme dhe një kokë të madhe. Me siguri banorët e atyre anëve e kanë përdorur si qen bagëtie.  Ndryshe në këtë fshat, pra në Tërbaç, si dhe në shumë të tjerë, nuk kam qënë asnjëherë. E dija që ishte një fshat i Labërisë, andej nga lumi i Vlorës dhe  kaq.

        Por ky fshat u bë i famshëm përsëri këto ditë pas zgjedhjeve të fundit në Himarë. Mbi 99 për qind e fshatit votoi për kandidatin e Partisë Socialiste. Vetëm 7 vetë votuan për kandidatin e përkrahur nga opozita shqiptare dhe Athina. Nga këta të shtatë, 3 ishin komisionerët e opozitës që kontrollonin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Katër të tjerët kush ishin ?! Enigmë ?!

     Gjithë fshati pyet edhe sot dhe i kërkon këta « tradhtarë » ! Dhe hamëndjet dhe supozimet nuk mungojnë. Sidoqoftë ky fshat edhe një herë tjetër votoi si një trup i vetëm për Partinë … Socialiste.

      Në situatën e krijuar këto 30 vitet e fundit në jugun bregdetar të Shqipërisë, pa asnjë dyshim i duhet hequr kapelja në shenjë nderimi dhe duhet shpallur hero ai që krijoi zonën zgjedhore të Himarës. Ku fshatrave ortodoksë dhe aty këtu edhe greqisht – folës, iu bashkëngjitën edhe plot fshatra nga Labëria. Ndryshe sot do të kishim një zonë bregdetare nën ndikimin e Greqisë dhe do ishte e sigurt që së shpejti Athina do kërkonte edhe ajo asosacionin, apo Zajednicën e saj, duke filluar nga fshati në rrëzë të Llogorasë i quajtur Palasë dhe duke vazhduar në Dhërmi, Iljas,Vuno, Jalë, Himarë e deri në Sarandë dhe Dropull. Kjo “Zajednicë” që e kërkon sot Serbia për 10 komunat serbisht-folëse në Kosovë, Greqia ka më se dy shekuj që e kërkon nga jugu i Shqipërisë deri në Shkumbin! Veçse ata e thërrasin Vorio Epir!

     Nejse le të kthehemi te Tërbaçi ynë i dashur, patriot dhe i lidhur si mishi me thuan me Partinë! Aq shumë ra në sy rezultati i votimeve në atë fshat të Labërisë saqë analistë dhe komentatorë të shumtë nuk lanë gjë pa shkruajtur dhe thënë ndaj tij. Disa përdorën ironinë, talljen dhe shpotinë, ndërsa disa të tjerë të ekzaltuar nga votimi i tërbaçiotëve gati sa nuk e shpallën Tërbaçin si kërthizën patriotike të vendit !

     Që zgjedhjet në Himarë u ndoqën me aq interesim dhe kërshëri në mbarë Shqipërinë,  por po ashtu edhe nga qeveria greke, e spjeguam arsyen pak pak më lart. Pyetja është se si spjegohet që himariotët  dhe dhërmiotët e Petro Markos së famshëm, nga shqiptarë u kthyen në fillim në greqisht-folës dhe tani e konsiderojnë veten si grekë dhe Greqinë si atdheun e tyre ?!

     Për mua kjo situatë spjegohet nga tri arsye të veçanta. E para : nga relievi gjeografik.  Llogoraja dhe malet që shtrihen nga ajo pikë dhe drejt jugut e kanë izoluar Himarën dhe bregdetin nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Komunikimi psh me Vlorën ka qënë gati i pamundur, sidomos gjatë stinës së dimrit. Të niseshe psh me kalë apo karrocë në mes të dimrit nga Dhërmiu për në Orikum apo Vlorë kësaj i thonin : « thuaji varrit hapu » ! Lartësia dhe dëbora e shpeshtë dhe e dëndur në ato vite e bënte atë kalim pothuajse të pamundur. Edhe po të shpëtonje nga klima dhe lartësia do kishe punë me ujqërit e zonës.

     Të gjendur para një rrethimi të tillë, i gjithë  Bregu  i mbante sytë nga ishulli i Korfuzit që gjendej përballë tij. Aty banorët e bregut blinin çfarë kishin nevojë për të jetuar, duke filluar nga armët, ushqimet, ilaçet etj etj. Dhe u shisnin grekërve të ishullit qitrot e tyre të famshme që grekërit i konsumonin gjatë festës se Pashkëve. Prandaj atyre u duhej ta mësonin gjuhën greke. Ndërkohë Athina tregohej e pakursyer në këtë drejtim duke hapur në fshatrat e Bregut shkolla falas për mësimin e gjuhës greke dhe duke dërguar njëkohësisht aty priftërinj si dhe agjentë të saj !

     Siç thashë kam qënë në ato zona në fillim të viteve ’70. Një herë u gjenda rastësisht në një dyqan ushqimor. Dhe siç ishte bërë zakon ato vite në Shqipëri, një numër i madh blerësish po mbanin rradhën. Shumica ishin gra që nuk pushonin së foluri. Gjithë kohën në greqisht. Vetëm një çast më kapi veshi fjalën « qumësht » dhe u çudita. Siç duket ndonjërës nuk i kishte vajtur në mendje atë çast fjala në greqisht dhe e përmendi fjalën në shqip ! Dua të them që greqishtja ka pasë hedhur rrënjë të thella në ato zona dhe përdorej gjërësisht edhe në kohën e diktaturës.

     Arsyeja e fundit ka të bëjë me sjelljen e banorëve të Labërisë nga zona e Vranishtit, Lumit të Vlorës, Pilurit etj etj ndaj bregasve.  Dihet se lebërit si zeje të parë kanë pasur gjithmonë blegtorinë. Pra rritjen e deleve dhe dhive. Por edhe grabitjen dhe banditizmin. « Kokë lashë dhe kokë solla » ! Pikërisht në ato zona nuk të jepnin nuse nëse nuk dinje të vidhnje. Ishte koha kur këto treva sundoheshin nga ndonjë kajmekan apo pasha turk. Që aq ai i bënte se lebërit sulmonin karvanet apo pjesën ortodokse të Bregut !

      Madje lebërit e asaj zonte tregojnë vetë edhe një gazmore për ato kohë. Siç thashë ata e kishin bërë zakon, sidomos gjatë stinës së verës, të sulmonin fshatrat e Bregut. Grabisnin, vrisnin, përdhunonin dhe me mallin e rrëmbyer ktheheshin pastaj në fshatrat e tyre. Lënin pushkën mënjanë dhe merrnin krrabën e çobanit.

    Kështu rrodhën ngjarjet ndër vite. Dhe një herë e një kohë, kur lebërit u sulën si gjithmonë për të grabitur ç’të mundnin në fshatrat e Bregut, e panë veten keq dhe punën pisk.  Se ndryshe nga si ishin mësuar,  kësaj rradhe i pritën me pushkë !  Bam këtej e bam andej. Lebërit po kruanin kokën dhe nuk po kuptonin gjë. Ata ishin mësuar të hynin në këto fshatra si thika në gjalp, pa ndeshur pothuajse asnjë lloj rezistence. Ndërsa kësaj rradhe po kërciste pushka e bregdetasve si në harados!

      Një plak i çetës së lebërve ndërkohë po dridhte mustaqet dhe po qeshte nën zë. “Çfarë  ke o Xha Jaho, që po qesh?! Nuk e shikon se çfarë halli na ka zënë” – iu drejtuan lebërit atij.  “Hajde kthehemi në shtëpi më mirë se vajti edhe kjo punë” –  u përgjigj xha Jahoja dhe hodhi gunën mbi supe dhe mori rrugën drejt shtëpisë “Si, pse ?!”- e pyetën të tjerët me habi.  « Na janë rritur djemtë o të keqen » u përgjigj me shpoti plaku nga Labëria.

     Sigurisht që me këtë gazmore apo histori lebërit mburrnin veten e tyre si  trima. Një arsye më shumë për t’i rënë gjoksit dhe për ta bërë edhe më shumë gropë se ç’e kishin. Por ka edhe diçka të vërtetë në këtë histori. Dihet psh se Ali Pasha i masakroi suliotët ortodoksë andej nga çukat e maleve të Janinës. Aq sa ata për të shpëtuar një herë e mirë nga zgjedha e bejlerëve myslimanë  u bënë copë duke luftuar për pavarësinë e Greqisë. Njihen mirë edhe emrat e atyre trimave, që grekët i mbajnë sot për heronj të tyre, si Xhavella, Boçari etj.

     Siç shihet sa për arsye gjeografike, aq edhe  për arsye fetare dhe historike, lebërit dhe bregasit janë parë gjithmonë shtrembër me njëri tjetrin. Ndryshe Tërbaçi dhe gjithë Labëria u bë e njohur në mënyrë të veçantë që nga koha e Selam Musait,  kur i hodhën italianët në det dhe sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.

      Këtu dhe kështu përfundon edhe historia e këtij fshati të vogël,  por me nam të madh që rilindi nga harresa në sajë dhe falë zgjedhjeve të fundit në Himarë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment