Qeveritë e vendeve europiane u gjetën krejtësisht të papërgatitura nga revolta e fermerëve të tyre. Bujqit nga Franca, Belgjika, Gjermania etj kanë një javë që po bllokojnë rrugët e vendeve të tyre. Dje një pjesë prej sysh u vendosën edhe para Parlamentit Europian në Bruksel duke bllokuar për disa orë hyrjet dhe daljet në të.
Zëmërimi i bujqëve europianë është i shumëfishtë dhe ka shumë shkaqe dhe arsye. E para dhe kryesorja shkaktohet nga të ardhurat e pakta që ata fitojnë nga puna e tyre. Sipas të dhënave zyrtare një pjesë e fermerëve europianë nuk fitojnë më shumë se 1 500 euro në muaj. Kjo shumë mund të duket e lartë, por kur mendon se një pjesë e mirë e atyre që jetojnë me ndihma sociale marrin afërsisht mbi 1 000 euro për familje, duke përfshirë këtu edhe subvencionet zëmërgjera për familjet që kanë shumë fëmijë, e kupton edhe zëmërimin e tyre. Dhe këtu nuk flitet për rrogat e administratës, që me një punë shumë më të lehtë paguhen shumë më mirë se punonjësit e fushës.
Po ashtu fermerët ankohen edhe nga konkurrenca e pandershme e prodhimeve që hyjnë në vendet e tyre nga Australia, Kanadaja, Argjentina etj. Në këto vende kemi të bëjmë me ferma dhe fermerë që zotërojnë me dhjetra mijëra kokë dhënsh apo lopësh dhe njëkohësisht me mijëra hektarë tokë të punueshme. Prandaj ata prodhojnë me kosto dhe çmime edhe më të ulta se fermerët e Europës.
Por tregtia e lirë dhe pa dogana, me një fjalë globalizmi ekonomik, përbën një dogmë sa të shenjtë dhe aq të paprekshme për elitat e botës perëndimore. Kjo është edhe një nga shtyllat kryesore ku është mbështetur politika e tyre ekonomike gjatë këtyre 30 viteve të fundit. Të prekësh apo të vësh në pikëpyetje këtë dogmë përbën një sakrilegj të papërballueshëm për ekonominë liberale europiane. Me ankesat dhe zëmërimin e tyre bujqit europianë po e vënë, për herë të parë, në pikëpyetje këtë strategji që përbën shtyllën kurrizore të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë.
Dhe bujqit francezë psh po tregojnë me gisht elitat politike kombëtare si dhe ato të Bashkimit Europian për këto vështirësi. « Pasi e latë Francën pa industri, tani po përpiqeni ta lini edhe pa bujqësi ?! » – kishin shkruar ata në pankartat e tyre.
Njëkohësisht fermerët ankohen edhe ndaj përfaqësuesve të industrisë përpunuese dhe shumëkombësheve shpërndarëse të mallit, siç janë supermarketet e famshme paneuropiane si « Carrefour », « Migros », « Aldi, « Lidl » etj etj.
Sipas të dhënave të bëra publike këto ditët e fundit « pjesën e luanit » në këtë shpërndarje të fitimit e marrin bosët e industrisë përpunuese. Psh një litër qumësht ata e blejnë nga blegtori francez afërsisht 45 qindarka, por ky qumësht shitet në treg me diçka më shumë se një euro. Blegtorët vetë nga këto 45 qindarka fitojnë rreth 25 cent për litër. (Pasi kanë zbritur shpenzimet e kostos). Ndërsa industritë përpunuese fitojnë afërsisht 35 cent për litër. Disi më pak fitojnë supermarketet shumëkombëshe dhe në fund fare kemi të bëjmë edhe me taksën mbi vlerën e shtuar, TVSH ! Aq sa ndonjëherë blegtorët europianë detyrohen ta shesin qumështin e tyre nën kosto, që do të thotë me humbje !
Dhe shpesh herë shumëkombëshet që zotërojnë edhe tregun e mbledhjes, përpunimit, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të mallit i kërcënojnë blegtorët që nuk duan tu nënshtrohen çmimeve të tyre, duke i kërcënuar se : – « Ndryshe e blejmë qumështin apo mishin jashtë, edhe më lirë » !
Dhe duhet kuptuar se këtu nuk « luhet » vetëm për disa qindarka më shumë apo më pak. Pasi blegtorët, si ata francezë, hollandezë apo gjermanë, mbarështojnë me qindra lopë, të cilave duhet tu shërbesh çdo ditë, qoftë e dielë apo ditë festash. Pra flitet për mijëra litra qumësht që blegtorët u dorëzojnë grumbulluesve çdo ditë. Pra 10 qindarka më shumë bëjnë mbi 100 euro në ditë dhe në fund të vitit këto qindarka « përkthehen » në afro 20 000 deri 30 000 euro më shumë apo më pak në vit !
Bujqit dhe blegtorët europianë shprehen se me politikën e dyerve të hapura të ndjekura nga qeveritë mondialiste dhe liberale të vendeve të tyre ata e kanë litarin në grykë. Dhe kërkojnë që kjo politikë ekonomike, si edhe ajo ekologjike, që po i mbyt me dokumente dhe norma që duhen respektuar, plotësuar dhe regjistruar çdo ditë, po ua bën jetën çdo përherë e më të vështirë.
Dhe duket se ata po dëgjohen. Presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së, të mbledhur që nga dje në Bruksel, megjithëse nuk e kishin në rendin e ditës, u morën gjatë me revoltën e fermerëve dhe premtuan gjithfarëlloj masash ndihmëse. Të cilat sidoqoftë nuk dihet se sa do të realizohen dhe kur. Siç nuk dihet nëse fermerët do të binden dhe do ta ndërpresin revoltën e tyre apo jo.
Ndërkohë edhe bujqit shqiptarë duket se nuk i kanë punët mirë. Një farë kohe ata e zëvëndësuan prodhimin e domateve, grurit apo shalqinit me kultivimin e kanabisit! Por tani kohët kanë ndryshuar. Dhe ata, fermerët shqiptarë, që kanë mbetur ende në vend, po ankohen se prodhimet e tyre mbeten pa u shitur nga konkurrenca e prodhimeve që hyjnë në vend pa dogana nga Serbia, Maqedonia etj. etj.
Në këtë “luftë” ata kanë gjetur edhe mbështetjen e ish – kryeministrit, Erion Braçe. Por duket se askush nuk është duke i marrë seriozisht ankesat e tyre. Kryeministri Rama, një mbështetës i vendosur i ekonomisë me dyer të shpartalluara, nuk dëgjon nga ai vesh. Megjithëse flitet dhe kërkohet prej vitesh që prodhimi vendas të mbrohet nga ai i jashtëm, shpesh herë i subvencionuar nga shtetet përkatëse në formë dumpingu, ai nuk do të ia dijë! “Ballkani i Hapur” a nuk është një provë e qartë se Rama ose nuk kupton nga ekonomia, ose vë ideologjinë para interesit të shqiptarëve?!
Dhe prandaj shqiptarët vazhdojnë të konsumojnë miell serb jashtë cilësie, hanë mollë të prodhuara në Maqedoni, domate të prodhuara kushedi se ku, ndërsa prodhimi vendas mbetet stok në vend!
A nuk duhet që edhe bujqit shqiptarë, njëlloj si ata europianë, të ngrihen për të mbrojtur interesat e tyre? Koha ka treguar se vetëm kur njerëzit ngrejnë kokën dhe revoltohen, siç ngjau psh me mbetjet radioaktive që do vinin nga jashtë, vetëm atëhere qeveria tërhiqet. Por duket se sot, kur ajo nuk ka përballë as edhe një opozitë për të qënë, ajo është kthyer në një qeveri arrogante dhe mospërfillëse si kurrë më parë.
Ndryshe a do të vazhdojnë bujqit shqiptarë të prodhojnë mall, që ata e dinë se nuk do tu shitet, apo do të marrin edhe ata “arratinë” si fqinjët dhe bashkëvendasit e tyre, apo do të ngrihen dhe do ta detyrojnë Ramën t’i vëjë gishtin kokës?!
Dhe pastaj pyetet se përse shqiptarët e braktisin vendin. Kur në vendin tënd nuk mund të jetosh as me punë të ndershme, çfarë mbetet akoma ?!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment