Chat GPT –  një rrezik për njerëzimin ?! Vërtet ?!

    Ka disa muaj që një fjalë e re ka hyrë në modë: ChatGPT. Të gjithë flasin për të, megjithëse pak veta janë në gjendje ta kuptojnë sesi ai funksionon. Në fakt kemi të bëjmë me një arritje të re shumë të rëndësishme dhe të veçantë të shkencës në fushën e teknologjisë dhe të Inteligjencës Artificiale.

    Nuk është hera e parë që njerëzit mbeten me gojë hapur nga arritjet e shkencës që në fakt janë thjesht arritje dhe suksese të disa njerëzve super të talentuar. Kështu para më shumë se 30 vjetësh njerëzimi u habit nga krijimi i një makine të veçantë, që ishte në gjendje të shumëzonte, pjesëtonte, mblidhte dhe zbriste shifra të ndryshme me një shpejtësi që e kalonte disa qindra herë atë të Njeriut. Makina që u quajt Kompjuter luante edhe shah dhe pothuajse fitonte gjithmonë. Kjo makinë ishte e pajisur edhe me një program shtypshkrimi që i nxorri pothuajse menjëherë jashtë përdorimit makinat mekanike të shkrimit, si psh Olivettin etj etj. Ajo « dinte » edhe të vizatonte.  Shpejtësia e saj e llogaritjeve deri pothuajse në pafundësi la me gojë hapur në atë kohë shumëkënd aq sa ajo u « pagëzua » me termin  « tru elektronik ».  

       « Truri elektronik » fitoi një popullaritet të veçantë dhe u bë i famshëm kur më 10 shkurt të vitit 1996 kampioni i botës në shah, Gary Kasparov, humbi përballë kompjuterit « Deep Blue ». Me vetëm 37 lëvizje makina e detyroi kampionin e botës të dorëzohej. Ishte hera e parë që një makinë elektronike mundi një kampion bote në shah.

      Që nga ajo kohë shkenca ka bërë hapa gjigande përpara. GPS-at, smartphonat etj etj janë në përdorimin e çdokujt. Sot flitet dhe diskutohet për gjëra të mëdha, si psh rreth mundësive dhe zhvillimit të Inteligjencës Artificiale. E cila, thuhet, se do të mund të zëvëndësojë një ditë inteligjencën njerëzore !

       E pra pikërisht këtu rreh edhe çekani. Pyetja që shkencëtarë dhe fillozofë të ndryshëm shtrojnë është :- A do ta mundë në të ardhmen Inteligjenca Artificiale (I.A.)  inteligjencën njerëzore ?! Këtu pikëpamjet dhe këndvështrimet janë të ndryshme dhe madje tejet kundërshtuese.  Kjo frikë, pra që një ditë Inteligjenca Artificiale do të zëvëndësojë Njeriun, është mbështetur edhe nga astrofizikanti i njohur britanik, i ndjeri Stefen Hauking, nga pronari i Microsoftit, Bill Gejt, dhe drejtori i përgjithshëm i SpaceX, Elon Musk etj etj. Ata mbështeten në këtë parashikim nga zhvillimet e papara vitet e fundit të Inteligjencës Artificiale. Kështu psh më 16 shkurt 2011, Uatson, një superkomjuter i prodhuar nga firma e njohur IBM, fitoi një konkurs tejet të ndjekur në Amerikë, « Jeopardy » duke eleminuar të gjithë konkurrentët njerëz në pyetjet që kishin të bënin me kulturën e përgjithshme. Në maj të 2013, pra 10 vjet më parë, Google ngriti një laborator special në godinën e NASA-s, ku krijoi një kompjuter kuantik 11 000 herë më i fuqishëm se kompjuterat normalë ! 

        Gjithë « lufta » tani është përqëndruar në fuqizimin e Inteligjencës Artificiale që ajo të punojë në mënyrë të pavarur. Që do të thotë që ajo të ketë aftësinë të kuptojë dhe të përvetësojë dije dhe të dhëna në mënyrë të pavarur dhe automatike.

        Tri vjet më parë, në shkurt 2019, instituti kërkimor OpenAI njoftoi se kishte arritur të krijonte një program informatik të Inteligjencës Artificiale i cili ishte i aftë të shkruante tekste që nuk dalloheshin fare nga ato të shkruara psh nga një shkencëtar apo shkrimtar ! Ky ishte hapi i parë në krijimin e ChatGPT ose i quajtur ndryshe “Generative Pre-trained Transformer”. Në fakt ChatGPT përbëhet nga fjala “chat” që do të thotë bisedë, bisedim dhe GPT  që mund të kuptohet si “krijues i parapërgatitur”.

      ChatGPT është i aftë tu japë pëgjigje pyetjeve që i drejtohen, të plotësojë fraza dhe fjalime të lëna përgjysëm, të përkthejë libra, të shkruajë artikuj të gjithfarëdoshëm dhe madje edhe të bisedojë me qëniet njerëzore! Në janar të këtij viti numri i përdoruesve të këtij programi e kishte tejkaluar shifrën e 100 milionë abonentëve.

        Ndryshe nga sa ngjan me programet e internetit, ChatGPT i mundëson çdo përdoruesi të « bisedojë » jo me një internaut si ai, por me ChatGPT-në. Është afërsisht e njëjta gjë kur internauti los shah jo me një internaut tjetër që ndodhet kush e di se ku, por me programin shahistik që gjendet i instaluar te kompjuteri.

    Por sa më shumë përparon shkenca dhe sidomos Inteligjenca Artificiale aq më shumë rritet edhe frika dhe shqetësimi se ndofta një ditë kjo Inteligjencë që edhe tani e tejkalon në disa drejtime atë njerëzore, një ditë do të bëhet sunduese, duke e vënë poshtë njerëzimin dhe ndofta duke e zhdukur krejt atë. Rol të madh në këtë shqetësim mbarëbotëror kanë luajtur edhe filmat e Hollivudit apo librat fantastiko-shkencorë. Ideja është krijimi i mijëra robotëve të pajisur me Inteligjencën Artificiale të Chat GPT-së.

      Dhe si për t’i hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit këto ditë një grup i njohur dhe i rëndësishëm shkencëtarësh bëri thirrje për ndërprerjen për 6 muaj të të gjitha kërkimeve që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe përparimin e algoritmeve që bëjnë të funksionojë I.A.

      Ky grup i përbërë prej më shumë se 1000 studiuesish përfshirë miliarderin Elon Musk nënshkruan një letër të hapur duke u bërë thirrje laboratorëve të inteligjencës artificiale të ndalojnë menjëherë zhvillimin e sistemeve më të fuqishme se GPT-4 i sapolançuar i OpenAI.

         Nënshkruesit paralajmërojnë se këto modele të reja të avancuara të AI mund të paraqesin “rreziqe serioze për shoqërinë” nëse lejohen të zhvillohen pa masa mbrojtëse. Nëse kompanitë refuzojnë të ndalojnë zhvillimin, letra thotë se qeveritë do të duhet të vendosin një moratorium të detyrueshëm. Dhe qeveritë po i ndjekin këto rekomandime. Italia, psh ishte vëndi i parë që ndaloi evoluimin e ChatGPT-së. Vendim që duket se do ndiqet së shpejti edhe nga Gjermania, Britania e Madhe etj etj. Po si spjegohet kjo frikë e qeverive?! Mos vallë ato dinë diçka më shumë se ne njerëzit e thjeshtë?!

       Pronari i “Twitter”, Elon Musk është mes atyre që kërkon që zhvillimi i inteligjencës artificiale përtej një kapaciteti të caktuar të ndërpritet. Bashkëthemeluesi i “Apple”, Steve Wozniak dhe disa studiues të kompanisë “Deep Mind” nënshkruan gjithashtu peticionin. Kjo frikë u rrit veçanërisht kur instituti “Open AI”, që zotëron shërbimin “ChatGPT”, publikoi së fundmi opsionin teknologjik GPT-4, që ka habitur vëzhguesit me aftësinë për t’iu përgjigjur pyetjeve edhe mbi disa objekte që gjendeshin në një fotografi!

        Letra, publikuar nga Instituti e Ardhmja e Jetës, kërkon që zhvillimet e inteligjencës artificiale të ndalen përkohësisht në nivelin aktual, duke paralajmëruar për rreziqet që sistemet më të avancuara mund të përbëjnë. “Sistemet e inteligjencës artificiale në gjendje të konkurrojnë inteligjencën njerëzore mund të përbëjnë rreziqe të mëdha ndaj shoqërisë dhe njerëzimit”, shkruhet në letër.

       Aty nënvizohet po ashtu se “muajt e fundit laboratorët e IA kanë hyrë në një garë që ka dalë jashtë kontrollit për të zhvilluar dhe mendje digjitale gjithnjë e më të fuqishme që askush – madje as krijuesit e tyre – nuk mund t’i kuptojë, parashikojë ose kontrollojë në mënyrë të besueshme.”

          Letra paralajmëron për rreziqe të mundshme për shoqërinë dhe njerëzimin ndërkohë që gjigantët e teknologjisë si Google dhe Microsoft janë në garë për të ndërtuar programe të inteligjencës artificiale që mund të mësojnë në mënyrë të pavarur.

       “Ne u bëjmë thirrje të gjithë laboratorëve të AI që të ndalojnë menjëherë për të paktën 6 muaj trajnimin e sistemeve të AI më të fuqishme se GPT-4- nënvizojnë nënshkruesit e kësaj letre të hapur.

        Këto paralajmërime, siç thamë, nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Përkundrazi. Qeveria britanike psh publikoi së fundmi një dokument që jepte një ide për qasjen e saj, por tha se do të “shmangte legjislacionin e ashpër që mund të mbysë inovacionin”. Ligjvënësit e BE-së kanë zhvilluat gjithashtu  bisedime në lidhje me nevojën për të vendosur rregulla për AI. BE-ja ka frikë se inteligjenca artificiale mund të përdoret për të përhapur dezinformata të dëmshme dhe për t’i bërë profesione të tëra të panevojshme.

       Sistemet e fuqishme të AI duhet të zhvillohen vetëm pasi të kemi besim se efektet e tyre do të jenë pozitive dhe rreziqet e tyre do të jenë të menaxhueshme”, thuhet në letër. “Inteligjenca artificiale e avancuar mund të jetë një ndryshim i thellë në historinë e jetës në Tokë dhe duhet të projektohet dhe menaxhohet me kujdes”, paralajmërojnë hartuesit e peticionit.

      Por a është me të vërtetë kaq tragjike situata?! Jo të gjithë janë të një mendimi të tillë. Në fund të fundit kemi të bëjmë me makina qe punojnë mbështetur në sistemin binar 0:1 – nënvizojnë ata. Hiqi prizën këtyre pajisjeve dhe programeve dhe ata kthehen thjesht në një grumbull telash dhe silici. Këtyre makinave, sado të sofistikuara që të jenë, u mungojnë dy kritere bazë të domosdoshme. Llogjika dhe ndërgjegja – nënvizojnë ata. Pa llogjikë dhe pa ndërgjegje makinat kurrë nuk do të arrijnë të barazohen me Njeriun. Sado të shpejta të jenë në përpunimin e të dhënave dhe kryerjen e veprimeve. Këto makina thjesht përurojnë të dhënat që Njeriu u ka vënë në dispozicion. Janë një Vikipedia e ngritur në fuqi të 1000, por asgjë më tepër- nënvizojnë kundërshtarët e Inteligjencës Artificiale. Madje ata janë edhe kundër termit Inteligjencë Artificiale. Janë thjesht makina që i përpunojnë të dhënat 1 000 herë më shpejt se njerëzit. Dhe asgjë tjetër.

Në fakt ChatGPT është njëkohësisht një bibliotekë e pafund të dhënash, në të gjitha fushat e krijimtarisë njerëzore, por njëkohësisht edhe një motor i fuqishëm kërkimi. Me një fjalë për ta thënë shkurt dhe qartë ai është një Vikipedia plus një Google. Në qoftëse do të kërkosh te Google njohuri rreth psh Leonardo Da Vinçi-t do të dalin me qindra artikuj që flasin për këtë gjeni të mesjetës së vonshme, që do të duhen ndofta muaj që t’i lexosh të gjitha. Por, një student psh, që e ka si tezë provimi Leonardo da Vinçi-n, po ta kërkojë në ChatGPT do t’i dalë një dokument ndofta prej 60 faqesh brenda 3 sekondave. Dhe këtu qëndron ndryshimi. Inteligjenca Artificiale e ChatGPT-së është në gjendje, në shumicën dërrmuese të rasteve, të kryejë një qëmtim dhe sintezë në të dhënat e saj, që Google nuk është i aftë ta kryejë. Të paktën tani për tani.

Por ndryshe nga sa pretendojnë “profetët” e fundit të Njerëzimit edhe ChatGPT ka kufizimet e veta. Pra ai nuk mund të bëjë si të dojë. Kështu psh në rast se ti kërkon atje artikuj që lartësojnë Adolf Hitlerin do të marrësh një përgjigje negative. Edhe po të kërkosh artikuj antisemitë, pra kundër çifutëve, përgjigja do të jetë po ashtu mohuese.Dhe kështu me rradhë. Këto janë barriera që ChatGPT-së ia kanë vendosur krijuesit e tij. Por a do të jetê në gjendje një ditë ChatGPT-ja t’i shpërthejë këto barriera?! Kjo është edhe frika e shkencëtarëve.

     Siç shihet ChatGPT ka aftësira qê deri më tani kanë qënë privilegj vetëm i qënies njerëzore. Chat-i duket se mund ta kalojë Googlin dhe Vikipedian të marrë së bashku, por megjithatë nuk mund të tejkalojë dot Njeriun. Që është një qënie e jashtëzakonshme, e pajisur me diçka që u mungon jo vetëm makinave, por edhe kafshëve dhe bimëve, pra me Ndërgjegje. Ai mund të fantazojë dhe imagjinojë, të kuptojë dhe të dallojë të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara, të projektohet drejt së ardhmes etj etj, Veti këto që makinës i mungojnë. Prandaj ai nuk mund të barazohet kurrë dhe as të tejkalohet nga asnjë makinë sado e perfeksionuar që të jetë.  Njeriu është “makina” më e kompletuar dhe e perfeksionuar e botës tonë. Është krejtësisht e sigurt se askush nuk mund ta rivalizojë këtë krijesë sa të veçantë aq edhe pothuajse hyjnore.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment