Korrupsion nuk ka vetëm në Shqipëri. Ai është një problem botëror

     Qytetarët shqiptarë ankohen me të drejtë ndaj përhapjes së korrupsionit në vend. Sipas tyre nuk ka institucion apo organizëm ku mund të mbarosh punë pa e shtënë dorën në xhep. Sistemi i drejtësisë dhe ai i mjekësisë duket se janë më të prekurat nga kjo dukuri. Aq thellë ka hyrë ky zakon në jetën sociale të shqiptarëve saqë një mjek, rreth 1 vit më parë, pohoi me plot gojën se nëse pacientët nuk paguajnë bakshish, atëhere ai do ta linte fare këtë profesion. Dhe më e çuditshmja është se këtij mjeku nuk i hyri gjemb në këmbë! Ku më e pakta atij duhej t’i ishte hequr e drejta e ushtrimit të profesionit dhe ndofta duhej të kishte kaluar për ndjekje penale. Sepse korrupsioni dënohet me ligj.

      Por duket se shqiptarët janë një popull i urtë dhe i butë. Në një vend tjetër, normal, shoqëria civile do të ishte ngritur në protesta e manifestime ndaj këtij mjeku të pacipë! Por jo. Shqiptarët ngrihen vetëm kur u bën thirrje i pari i tyre, me një fjalë bajrraktari politik. Si spjegohet kjo përunjësi dhe mungesë dinjiteti?! Mos i ka rrënjët vallë që në kohën kur fiset shqiptare ngriheshin për luftë a plaçkitje pas një thirrjeje “kush asht trim” = kushtrim?! Apo periudha e gjatë 45 vjeçare e sundimit komunist i shtypi dhe frikësoi aq shumë njerëzit saqë u kanë mbetur akoma në shpirt reminishencat e së kaluarës?! 

       Fakti është se Shqipëria renditet në vendet me korrupsion mesatar deri në të lartë në rankimin e organizatave ndërkombëtare. Dhe edhe më shumë në perceptimin e këtij fenomeni nga vetë qytetarët shqiptarë. E vërteta është se kohët e fundit qeveria ka marrë disa masa me rëndësi për eliminimin ose së paku të pengimin e kësaj dukurie kaq të dëmshme në gjirin e shoqërisë. Krijimi i një organizmi qeveritar i njohur si E-Albania psh eliminon takimin e drejtpërdrejtë të hallexhiut me nëpunësin që ka në dorë zgjidhjen e problemit. Shumë sportele të shërbimit të popullatës tashmë janë mbyllur. Komunikimi bëhet on-line. Megjithatë është mirë që ankesat dhe kërkesat e qytetarëve të kenë një afat zgjidhjeje ose përgjigjeje të detyruar prej më së shumti 40 ditësh. Në të kundërtën problemi konsiderohet i zgjidhur në favor të ankuesit. Përgjegjësia i mbetet organizmit që nuk është përgjigjur në kohën e duhur. Madje në vendet perëndimore institucioni apo organizmi përkatës është i detyruar ta njohë personin të cilit nuk i është pranuar kërkesa, me rrugët, mundësitë dhe entin ku ai mund të ankohet ndaj institucionit që ia ka refuzuar kërkesën!

       Njëkohësisht shtete dhe organizma ndërkombëtare, sidomos në vendet perëndimore, kërkojnë me të drejtë nga autoritetet shqiptare një luftë më të madhe dhe pa kompromis ndaj kësaj plage shoqërore.

      Por a thua vallë se korrupsioni ka prekur vetëm Shqipërinë dhe disa vende të prapambetura të botës së tretë?! Faktet flasin ndryshe. Edhe instancat më të larta të botës perëndimore, që gëzojnë një reputacion të lartë ndërmjet njerëzve të thjeshtë an e mban globit  nuk janë të paprekura nga kjo dukuri. Përkundrazi. Rasti më i fundit dhe më i pastër është ai i Parlamentit Europian. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për privilegjet e papara që gëzojnë nëpunësit e këtij institucioni, privilegje që vetë eurodeputetët i kanë aprovuar dhe ligjësuar në të mirë të interesave të tyre personale. Jo. Këtu bëhet fjalë për bakshishe dhe mit-marrje që kapin vlerën e qindra mijëra eurove.

       Kështu psh një ish-lobiste në Parlamentin Europian, Viviane de Beaufort, tashmë profesoreshë në Essec Business School në Paris, pohon hapur se gjatë veprimtarisë së saj si lobiste kishin “blerë” shumë eurodeputetë, me qëllim që këta të fundit të influenconin te kolegët e tyre për të aprovuar ligje në favor të shumëkombësheve ose trusteve të caktuar!

        Jo më larg se dhjetori i kaluar bota u njoh me skandalin e quajtur “Katargejt”, ku ishte përfshirë nënkryetarja e Parlamentit Europian, eurodeputetja greke Eva Kaili si dhe disa eurodeputetë italianë! Kjo ngjarje tronditi botën politike europianoperëndimore. Disa madje u përpoqën ta mbysnin që në vezë këtë problem, me shkas gjoja për të ruajtur reputacionin e këtij organizmi të lartë europian! Por pa sukses. Afera shpërtheu si një vullkan. Policia belge gjeti në shtëpinë e eurodeputetes greke në Bruksel mbi 600 000 euro. Sipas hetuesve këto para ajo i kishte marrë nga Katari me qëllim të promovimit dhe dhe lartësimit të këtij vendi në gjirin e Parlamentit Europian. Ndërsat te disa eurodeputetë italianë shumat e sekuestruara i afroheshin milionit !

         Për Daniel Eriksson, drejtor i përgjithshëm i Transparency International, këtu kemi të bëjmë veçse me majën e ajsbergut. Sipas tij arrestohen ata që janë treguar budallenj apo të sigurt se asgjë nuk mund t’i gjejë. Janë ata që kapen. Por shumica nuk bien në këtë kurth. Ata i kanë investuar dhe transferuar paratë e korrupsionit në bankat off-shore, të cilat nuk i nënshtrohen asnjë ligji. Sipas Transparency International 18 milionë qytetarë të Bashkimit Europian kanë qënë të detyruar të paguajnë bakshishe gjatë vitit 2020 ndaj enteve publike, për të përfituar atë që kishin nevojë. Për më shumë dy të tretat e banorëve të Bashkimit Europian mendojnë se qeveria e tyre është e korruptuar.

         Sipas Erik Alt, magjistrat dhe nënpresident i organizatës antikorrupsion “Antikor” , fenomeni i korrupsionit u shkakton vendeve të Bashkimit Europian një humbje të përvitshme prej 990 miliardë eurosh! Por, sipas tij, humbja më e madhe për këto vende nuk janë paratë, por rrënimi i besimit të qytetarëve europianë ndaj drejtuesve të tyre politikë. Kështu psh “gjysma e qytetarëve europianë janë të pakënaqur nga niveli i demokracisë në vendet e tyre”, – pohon eurodeputeti gjerman i grupit të të Gjelbërve, Daniel Freund.

         Sipas të dhënave më të fundit 68 përqind e qytetarëve europianë besojnë se korrupsioni është tejet i përhapur në vendin e tyre. Kjo ndjesi arrin në 98 për qind në Greqi, në Portugali 90 përqind, në Qipro 94 për qind. Në të kundërtën vetëm 16 për qind e danezëve dhe 17 për qind e finlandezëve mendojnë se korrupsioni është i përhapur në vendin e tyre!

      Senatori italian Alberto Scarpinato, ish prokuror i përgjithshëm në Palermo, mendon se nevojitet një luftë e hapur dhe efektive e sistemit të drejtësisë ndaj korrupsionit. Ai pohon se në vitet ’90 të shekullit të kaluar popullsia nuk kishte opinion të mirë për politikanët. Por kur gjykatësit filluan të arrestojnë apo të hapin procese ndaj politikanëve të fuqishëm dhe që dukej se ishin të “paprekshëm”, besimi i popullit ndaj shtetit u rrit dukshëm. Por reagimi i politikanëve ndaj sistemit të drejtësisë ishte i egër dhe frikësues. Ish prokurori Italian që luftoi kundër korrupsionit në majat e larta të pushtetit, pohon se atij iu desh të përballohej me 57 procese që politikanët e fuqishën ndërmorrën ndaj tij për t’i mbyllur gojën.

      Sipas Scarpinato-s 60 miliardë euro hyjnë çdo vit në xhepat e pushtetarëve ose nëpunësve të korruptuar. Problemi është se janë oligarkët që drejtojnë sot politikën dhe shtetin. Kur kjo balancë të përmbyset edhe korrupioni atëhere do të pakësohet, – pohon bashkëpunëtori i gjykatësit “me duar të pastra”, Paolo Falkones vrarë nga mafia.

      Dhe dashur pa dashur kthehemi kështu në rastin shqiptar. Problemi te ne, ndryshe nga ai në Itali, është se edhe sistemi i drejtësisë që duhet të luftojë korrupsionin, është i “kapur” nga politikanët dhe oligarkët. Prandaj deri më sot, megjithë ndërhyrjet e ambasadës amerikane, asnjë “peshk i madh” nuk ka rënë në rrjetë. Në  Shqipëri prej vitesh media, politikanët, drejtësia dhe oligarkët janë të lidhur ngushtë me njëri tjetrin, saqë askush nuk mund t’i prekë. Kjo e bën gjendjen në Shqipëri edhe më dramatike dhe të pashpresë, ndryshe nga shumë vende të tjera, ku drejtësia e kryen si duhet detyrën e saj.

Nga Viron Gjymshana.

Lini një koment