I.A.-ja – një rrezik për mbarë Njerëzimin?!

       Ndërsa bota rrezikon të shuhet nga ambiciet për dominim të Fuqive të Mëdha, shkenca vazhdon megjithatë të përparojë pa ndërprerje. Shpikja e fundit, ajo që u vë vulën të gjithave, është Inteligjenca Artificiale. Ajo që pothuajse po zëvendëson trurin e Njeriut. Ajo që jep përgjigje për gjithçka brenda disa microsekondave. Ajo që po u futet në « kokë » robotëve duke i bërë ata pothuajse të ngjashëm me Njerëzit. Madje në disa fusha edhe shumë përpara tyre.

       Robotët kanë ekzistuar prej dhjetra vjetësh, por kanë qënë robotë elektronikë. Të udhëzuar të kryenin gjithmonë një lëvizje apo një veprim me saktësi të habitshme. Ndërsa robotët e sotëm janë në gjendje të kryejnë lëvizje shumë më të koklavitura. Madje, madje ata janë të gatshëm të ndërmarrin edhe veprime në mënyrë pothuajse autonome !

       Prej kohësh, në shumë fusha, makinat e kanë zëvendësuar Njeriun. Qoftë në tezgjah (si dikur), qoftë në ndërtimin e veturave dhe deri në fluturimet kozmike prania e tyre ka qënë e domosdoshme. Dhe ky përparim e ka bërë jetën tonë thjesht më të lehtë dhe më të bukur.

      Por tani gjendemi  para një revolucioni teknologjik të paparë deri më sot. Shkatërrimi i makinave nga punëtorët e Uellsit dhe Anglisë në mesjetën e vonshme, nga frika se mos ato, makinat, u zinin vendin e punës, nuk është asgjë krahasur me këtë që e pret Njerëzimin gjatë këtij shekulli. Sidomos brezin e ri.

     Me shumë gjasa kësaj rradhe me të vërtetë robotët do të zëvendësojnë njerëzit në shumë punë dhe detyra. Dhe kjo do të krijojë një shoqëri të re të paparë deri më sot. Ku njerëzit nuk do të jenë më të nevojshëm !

    Që tani po flitet për pushime masive nga puna, sa të intelektualëve aq edhe të punëtorëve. Sepse « vala » e re mund t’i përfshijë dhe t’i flakë tej të gjithë.  Shoqëria futuriste e parashikuar që para 100 vitesh nga romancierët e fanta-shkencës duket se sot po na troket  në derë.

      E veçanta e kësaj është se ekonomia, industria, prodhimi nuk do të kenë më nevojë, të paktën jo si më parë, për krahë pune. Mbaruan grevat për rritje pagash dhe kushte më të mira pune. Robotët do të punojnë 24 orë në 24, 365 ditë në 365, pa kërkuar bukë, veçse një mirëmbajtje, deri sa të vijë koha që ata të mësojnë edhe të vetëriparohen!

      Lajmet e fundit janë shqetësuese. Kështu psh firma e njohur e prodhimit të kompjuterave IBM ka kumtuar se ajo do të shkurtojë së shpejti 600 inxhinjerë në degët e saj në Gjermani. Pikërisht në Hanovër dhe Bavierë.

       Dhe kjo ngjan në një kohë kur IBM del me fitim. Por struktura drejtuese e kësaj shumëkombësheje pohon se këto shkurtime po ngjajnë në kuadër të një strategjie të pakësimit të shpenzimeve dhe orientimit të projekteve të prodhimit drejt Inteligjencës Artificiale!

       Siç thamë edhe më parë,  robotët nuk kanë nevojë as për rroga dhe as për pushim. Atëhere kush ka nevojë më për fuqi punëtore?! Apo për inxhinjerë etj etj?! Sindikatat nga ana e tyre janë tmerruar dhe kanë paralajmëruar greva të fuqishme në këtë sektor, por kush i dëgjon ato?! Madje, madje pronarët do i heqin qafe me këtë rast edhe këto sindikatat e mërzitshme.

       Bota duket se do ndahet përsëri më dysh apo më tresh. Dhe nuk është çudi që një luftë e re klasash të fillojë. Që tani kemi vërejtur një transferim dhe përqëndrim të pasurisë në disa duar. Ka pasur edhe dikur Rokfellerë, Morganë, Rothschildë etj, por ata nuk u vijnë as te gishti i këmbës miliarderëve të sotëm. Sidomos atyre të Inteligjencës Artificiale, të Google, Facebook, Antropic, Open AI etj etj.

       Dhe nuk është fare çudi që një ditë prej ditësh këta miliarderë të Silicon Valley të sundojnë mbarë botën. A nuk kemi parë plot filma me një botë të drejtuar nga një qëndër e vetme, ose nga një njeri i vetëm?!  Kështu psh “Metropolis” – një film i prodhuar dhe shfaqur më … 1927!  Ku ngjarjet zhvillohen një shekull më pas. Pikërisht në vitin 2 0 2 6!  Pra sot!

       Filmi flet për një qytet të ndarë më dysh: Mendimtarët dhe shpikësit në njërën anë, lart dhe të mbrojtur; punëtorët e makinave në anën tjetër, në bodrume! Apo filmi i prodhuar para 10 vitesh: “Blade Runner1982 & Blade Runner 2049” me temë: Çfarë e dallon Njeriun në një shoqëri të sunduar nga megakorporatat dhe qëniet artificiale?!

     Po le të kthehemi me këmbë në tokë. Kështu psh vetëm pak ditë më parë kokat dhe pronarët e industrisë së inteligjencës artificiale, të mbledhur  në një simpozium në San Françisko, sapo përpiluan edhe « paketën e mbijetesës »  për punëtorët sot, në epokën e agjentëve të inteligjencës artificiale, por pa e ditur ende mirë se sa vende pune do të zhdukë ky revolucion.

       Pyetja që shtrohet sot para tyre është : A duhet të vazhdojmë të punësojmë njerëz ?!  Sepse edhe Silicon Valley përballet sot me revolucionin e nxitur nga vetë ata – të inteligjencës artificiale në vendin e punës.

     « Zotëroni kodin, zhvilloni të menduarit kritik dhe kultivoni cilësitë tuaja njerëzore » – ky ishte rekomandimi i dalë nga ky takim i « guru »-ve  të Inteligjencës Artificiale.

       “Ndalo punësimin e njerëzve”, shkruhej në një reklamë të ekspozuesit  të HumanX, gjatë kësaj konferencë katër-ditore që bëri bashkë afërsisht 6.500 investitorë, sipërmarrës dhe drejtues të teknologjisë nga e gjithë bota.

     Në skenën kryesore, May Habib, drejtuese e platformës AI Writer, pohoi se menaxhmenti (drejtimi, administrimi) i kompanive më të mëdha amerikane “gjendet në mes të një krize kolektive paniku” mbi këtë temë, punësimin.

      Megjithatë, prirja e inteligjencës artificiale për të justifikuar shkurtimet e fundit të punonjësve të profilit të lartë shihet nga shumica e palëve të interesuara si një pretekst i rremë.

        Nga një panel në tjetrin, investitorët, drejtuesit e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të I.A. dhe themeluesit e startup-eve bien dakord: I.A.  do të transformojë “çdo biznes, çdo punë, çdo mënyrë pune”, përmblodhi Matt Garman, CEO i gjigantit të informatikës online Amazon Web Services (AWS).

       Në tryeza të rrumbullakëta megjithatë diskutimet shmangnin përmendjen e humbjeve të vendeve të punës. I.A. është “vetëm një mjet” dhe « përshtatja » ishte fjala kyçe. Dy vjet më parë, Jensen Huang, kreu i Nvidia, shkaktoi trazira kur pat deklaruar se “askush nuk duhet të programojë më”, pasi I.A. do ta bënte atë shumë më shpejt dhe më mirë.

      «E shoh këtë si një nga këshillat më të këqija për karrierën», iu kundërpërgjigj me këtë rast atij Andrew Ng, themelues i platformës së trajnimit “DeepLearning”. Sipas tij, kodimi nuk është një aftësi e vjetëruar dhe I.A. thjesht veçse e ka demokratizuar atë.

    “Mos hartoni më kod me dorë, kërkojini Inteligjencës Artificiale ta bëjë për ju dhe atëhere do të jeni edhe më të fuqishëm”, këmbëngul megjithatë Huang! Ai pohon se tashmë edhe inxhinjerët e tij janë më të paktë në numër: aty ku më parë ai ua besonte projektet e tij pesëmbëdhjetë inxhinierëve, tani i mjaftojnë vetëm dy!

      Një temë tjetër e “rrahur” në Silicon Valley kishte të bënte me “aftësitë e buta”, me fjalë të tjera, cilësitë njerëzore dhe aftësitë ndërpersonale që do të jenë tani më të vlefshme se kurrë më parë !

       “Megjithatë më shumë ndërgjegje mund të gjesh në një mizë, sesa në çdo I.A.” – u shpreh me këtë rast një nga shkencëtarët më të njohur të studimit të trurit dhe ndërgjegjes njerëzore. Një shprehje kjo që dëshiron të tregojë se makina kurrë nuk mund t’i zëvendësojë 100 për qind aftësitë njerëzore!

     “Ajo që do ta dallojë dhe veçojë tani një punonjës janë aftësitë e tij njerëzore: të menduarit kritik, komunikimi, puna në grup”, shtoi Greg Hart, CEO i platformës së trajnimit Coursera, e cila ka parë audiencën për kurset e saj të të menduarit kritik të trefishohet brenda një viti.

      Ndërsa Daniela Amodei, bashkëthemeluese e Anthropic, e tha troç: “Ajo që na bën njerëz do të bëhet shumë më e rëndësishme. Në Anthropic, ne rekrutojmë njerëz që komunikojnë mirë, që kanë empati, që janë kuriozë.” – nënvizoi ajo.

     Florian Douetteau, CEO i Dataiku, një kompani franceze e specializuar në inteligjencën artificiale për kompani të mëdha, pajtohet: vlera e vërtetë e shtuar e njerëzve, i thotë ai AFP-së, është “kjo aftësi për të pasur gjykim: të ulesh me një laps dhe të sintetizosh, të thuash ‘Unë mendoj se…’”.

       Ai përshkruan një botë ku agjenti i inteligjencës artificiale punon natën, pastaj sheh homologun e tij njerëzor të shqyrtojë rezultatet në mëngjes, përpara se të rifillojë punën në mënyrë të pavarur gjatë pushimit të drekës.    

        Por sipërmarrësi është megjithatë i shqetësuar: “Do të kemi një brez njerëzish që nuk do të kenë shkruar kurrë asgjë, që nga fillimi deri në fund të jetës së tyre. Kjo është mjaft e frikshme.” – pohon ai.

        Asnjë brez nuk është imun dhe “ne duhet të përgatitemi për humbje vendesh pune në shumë sektorë”, paralajmëroi nga ana e tij ish-zv/presidenti i SHBA-së, Al Gore. I vetmi zë vërtet kundërshtues në këtë takim.  Ai mbështeti një plan veprimi për të listuar vendet e punës të kërcënuara dhe për t’u përgatitur për rikualifikim. Kjo është thelbësore për të shmangur përsëritjen e gabimeve të deindustrializimit gjatë globalizimit të viteve 2000” – pohoi Gore.

        Dhe kështu, me shumë gjasa, duket se do të gjendemi shumë shpejt para një bote të re dhe si rrjedhojë ndofta edhe para një lufte të re klasash! Por kësaj rradhe jo vetëm më midis të pasurve dhe të varfërve, megjithëse edhe kjo betejë do të vazhdojë, por edhe midis atyre që kanë “tru”, që projektojnë dhe shpikin, dhe atyre që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të pinë birra, të marrin drogë, të bëjnë fëmijë e t’i lëshojnë rrugëve të botës etj etj.

      Shumë domethënës në këtë kuptim është rasti i Afrikës. Nga 285 milionë banorë në vitin 1960, sot ky kontinent mban më shumë se 1.5 miliardë banorë ! E thënë ndryshe popullsia e këtij kontinenti është 5-fishuar përgjatë 66 vjetëve. Në një kohë që popullsia e Europës ka njohur veçse një rritje të papërfillshme! 

      Rreziku është që shtresa e mesme, që ka mbajtur deri më sot çdo shoqëri njerëzore, do të zhduket. Do të kemi të bëjmë tani veçse me një shoqëri të përbërë nga të pasur dhe shumë të pasur nga njëra anë si dhe nëpunës të nënshtruar dhe të kontrolluar në çdo hap nga ana tjetër !  « Viti’84 » – ku je ti »?!

       Dhe atëhere ekziston rreziku i madh se ndofta ndonjë mëndje e zezë apo e sëmurë do të pyesë : « Për çfarë na duhen gjithë këto qindra miliarda dollarë në qoftë se nuk e vëjmë dot botën nën këmbët e tona » ! Për të ngrënë kanë të gjithë sot. Stomaku një grusht është! Por pushteti, pushteti, sundimi… ai është gjithçka.

        Dhe në rast se ky pushtet përfundon në këto duar të këqija, si do i atëhere vejë halli Njerëzimit?!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment