Trump e ka inatin tani edhe me Papën e Romës!

    E kanë thënë shumë veta : miq dhe armiq. Trump-it i duket vetja tani sikur të jetë mbreti i botës. Prandaj nuk lë vend pa i futur hundët, me përjashtim të atyre vendeve ku nuk e lejojnë, si psh Kina. Tani ai duket se po kërkon të zëvendësojë, apo më mirë të themi ta ketë edhe Papën nën urdhrat e tij. Sepse ky i tanishmi, për më shumë qytetar amerikan, i lindur në Çikago dhe i pagëzuar me emrin papnor Leoni i 14-të, duket se nuk po i pëlqen më.

         Sidomos që kur ky i fundit nuk ka ngurruar të kritikojë politikat e brendshme dhe të jashtme të Shtëpisë së Bardhë. Siç ka qënë psh rasti me policinë e tij antiemigracion apo tani së fundmi në rastin e sulmeve ndaj Iranit.

        Deri më tani kritikat e apostullit të Krishtit në Tokë kanë qënë të mbështjella me një gjuhë diplomatike. Por kësaj rradhe Papa Leoni i hoqi dorashkat dhe foli hapur gjatë këtyre pashkëve të fundit katolike. Dhe kjo duket se e ka zëmëruar pa masë Uashingtonin. Dihet se Trump nuk i duron dot fare kritikat ndaj tij, por vdes veçse për lëvdata.

         Të dielën që shkoi Leo XIV u bëri thirrje “atyre që kanë fuqinë për të filluar luftëra” të “zgjedhin paqen”! Ky ishte edhe mesazhi i tij i parë i Pashkëve, festa më e rëndësishme në kalendarin e krishterë, që u eklipsua këtë vit nga konflikti në Lindjen e Mesme.

        Këto deklarata ai i bëri në Vatikan, në Sheshin e Shën Pjetrit të stolisur me mijëra lule dhe nën një diell të shndritshëm, Leo XIV kremtoi Meshën e Pashkëve atje për herë të parë që nga zgjedhja e tij në maj të 2025, në një atmosferë festive, të shoqëruar me bori dhe këngë liturgjike.

         Gjatë bekimit të tij tradicional “Urbi et Orbi” (drejt qytetit dhe botës), Papa denoncoi “indiferencën” ndaj luftës dhe pasojave të saj. “Mësohemi me dhunën, i dorëzohemi asaj dhe bëhemi indiferentë. Indiferentë ndaj vdekjes së mijëra njerëzve. Indiferentë ndaj pasojave të urrejtjes dhe përçarjes që mbjellin konfliktet” dhe ndaj “pasojave të tyre ekonomike dhe sociale”, tha ai.

            Duke thyer traditën e ndjekur prej vitesh nga ish papa Françesku, paraardhësi i tij, Leo XIV, megjithatë nuk përmendi me emër asnjë vend apo rajon krize në botë. Ai veçse njoftoi një vigjilje lutjeje për paqen që do të mbahet pikërisht sot më 11 prill në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

          Sipas një njoftimi nga “The Free Press”, përfaqësuesi i Papës në Shtetet e Bashkuara u thirr në një takim dramatik në Pentagon, në të cilin zyrtarë të lartë të mbrojtjes amerikane thuhet se i bënë presion Kishës Katolike që ajo të mbështeste Donald Trump. Madje « Papati i Avignonit » thuhet se u paraqit si kërcënim. Sa për histori papati i Avinjonit në Francë dhe ai Romës në Itali kanë bashkëjetuar njëkohësisht në një rivalitet të ashpër se kush i përfaqësonte në të vërtetë katolikët e mbarë botës !

         Si Uashingtoni dhe Vatikani i kanë mohuar akuzat, por dyshimet vazhdojnë midis shumë besimtarëve: A dëshiron Trump ta ketë Papën më afër tij? Apo edhe një papë i dytë në Shtetet e Bashkuara, një rival me atë në Romë, nuk do të ishte keq për Shtëpinë e Bardhë ?!

       Ndërsa papa i mëparshëm, Françesku, njihej për shprehjen e mendimit të tij, edhe papa aktual, Leo XIV, nuk i kurseu fjalët të dielën e kaluar.  Ai u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të ulnin armët dhe të zgjidhnin paqen, të hiqnin dorë nga “dëshira e tyre për të dominuar të tjerët”. Disa ditë më parë, ai kishte pohuar se “Zoti nuk i dëgjon ose nuk i pranon lutjet e atyre që bëjnë luftë”!

    Një kritikë e dyfishtë dhe e pamëshirshme kjo ndaj Donald Trump, i cili pak ditë më parë ishte shfaqur duke u lutur në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë. Pra ndryshe : lutu sa të duash, por parajsën harroje !

       Po sipas zbulimeve nga media e pavarur « The Free Press », tensionet midis Qytetit të Vatikanit dhe Uashingtonit janë shumë më të forta edhe se sa duken publikisht. Janarin e këtij viti psh, zyrtarë të lartë të mbrojtjes amerikane thuhet se thirrën nuncin apostolik në Uashington, (afërsisht i barabartë ky me postin e një ambasadori të Selisë së Shenjtë), për t’i tërhequr vëmëndjen.

       Në atë kohë ky post mbahej nga kardinali francez Christophe Pierre, dhe sipas gazetarit Mattia Ferraresi, takimi informal ishte jashtëzakonisht i ashpër. Sipas rrëfimeve nga zyrtarët e Vatikanit dhe SHBA-së të informuar për takimin në Pentagon, ai u kryesua për palën amerikane nga nënsekretari i Mbrojtjes, Elbridge Colby.

       Colby dhe ndihmësit e tij thuhet se analizuan, rresht pas rreshti, fjalimin e Papës për gjendjen e botës, të mbajtur në janar, duke e paraqitur atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj politikave të Donald Trump.

      Deklarata e Leo XIV se “një diplomaci që favorizon dialogun dhe kërkon konsensus midis të gjitha palëve po zëvendësohet nga një diplomaci e bazuar në forcë” u perceptua kështu si një sfidë e hapur. Të përballur me një të dërguar papnor i cili qëndroi i heshtur, amerikanët thuhet se u bënë edhe më të ashpër, sipas « The Free Press ».

         “Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë ushtarake për të bërë çfarë të duan”, thuhet se ka deklaruar Colby, duke shtuar se “Kisha do të bënte mirë të mbante anën e tyre”.

        Sipas një burimi brenda Pentagonit, dikush në këtë takim thuhet se ia përmendi Papatin e Avinjonit nuncit apostolik. Kjo i referohet, siç thamë, periudhës nga viti 1309 deri në vitin 1378 gjatë së cilës papa “i dytë” banoi në këtë qytet francez, gjoja nën ndikimin politik të mbretërve francezë. Nga viti 1378 deri në vitin 1418, kjo zhvendosje shkaktoi krizë pas krize deri pas Ndarjes së Madhe gjatë së cilës, siç thamë edhe më lart, dy papët rivalë, njëri në Romë dhe tjetri në Avinjon, garuan për autoritet mbi Krishterimin Perëndimor.

       Megjithatë si Vatikani ashtu edhe Shtëpia e Bardhë i kanë mohuar këto lajme të shpërndara nga “The Free Press”, lajm i cili ndërkohë ishte kopjuar edhe nga faqja e internetit « American Catholic ».

     Kjo përplasje Uashington – Vatikan ka shkaktuar tashmë zemërim të fortë edhe midis gjithë katolikëve në mbarë botën dhe veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ku peshkopët atje po përfaqësojnë gjithnjë e më shumë një rrymë rezistence kundër administratës Trump dhe lëvizjes MAGA.

       Dhe pasojat e kësaj përplasjeje duket se nuk vonuan! Disa po heqin tashmë paralele midis kësaj zënke dhe mungesës së Papës në festimet e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara, të parashikuara nga Trump me një paradë të madhe ushtarake!

        Referenca ndaj Papatit të Avinjonit, nëse vërtet është bërë, ka dhënë shkas këto ditët e fundit edhe për shumë interpretime të tjera. Christopher Hale, autori i librit “Letrat nga Leo”, beson se “Në Vatikan, shumë e perceptuan referencën e Pentagonit ndaj një Papati të Avinjonit si një kërcënim për të përdorur forcën ushtarake kundër Selisë së Shenjtë”. (Me sigurim ekzagjerim !).  Por edhe interpretime të tjera janë të mundshme, duke pasur parasysh kompleksitetin e historisë mesjetare të Kishës. Historia e apatit të dyfishtë gjithashtu, në mendjen e Donald Trump, mund të nxisë dëshirën tani për një papë të dytë, konkretisht një “antipapë” nën ndikimin e tij personal në tokën amerikane.

         Presidenti amerikan, i cili nuk është katolik por protestant, duket se ka një marrëdhënie të çuditshme me Selinë e Shenjtë. Gjatë konklavës papale, ai psh publikoi imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale të vetes së tij në fronin e Shën Pjetrit! Megjithatë, disa nga këshilltarët e tij të ngushtë janë katolikë: ky është rasti me JD Vance dhe Pete Hegseth, (ministri i tij i luftës) dhe të dy duket se po e marrin shumë keq mosbesimin papnor dhe kritikat e Papës Leoni XIV ndaj qeverisë së tyre.

        Askush nuk e di sot se si do vazhdojnë këto përplasje të reja të presidentit amerikan tani edhe me Papën e Romës, pas atyre me gjysmën e botës?! Mos do kemi së shpejti 2 Papë?! E pamundur.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment