A besojnë shkencëtarët në Zot?!

        Me që jemi në stinën e festave fetare: –  pashkët katolike, protestante, Ramadani dhe Bajrrami, Pessa’h ebraike (meqë ra fjala kjo festë e popullit çifut që zgjat një javë të tërë përfundoi dje, ndërsa pashkët ortodokse fillojnë këtë të dielë, 12prill) është mirë të hedhim vështrimin pak më larg, rreth shpirtërores, të padukshmes dhe misteriozes dhe të pyesim veten për kuptimin e jetës sonë mbi Tokë si dhe mbi ekzistencën e Universit. Por le të hedhim më parë një vështrim mbi ata shkencëtarë të famshëm që kanë besuar në Zot.

      Të fillojmë me Anshtajnin, që njihet si shkencëtari më i madh i të gjitha kohëve, dhe mbi qëndrimin e tij tejet të dyzuar ndaj kësaj çështjeje.  Dihet se shumë nga parashikimet,  hipotezat dhe profecitë e tij janë vërtetuar dhe provuar gjatë këtyre 50 viteve të fundit. Ndryshe edhe ky shkrim mund të ndihmojë edhe të gjithë ata që janë të bindur 100 për qind në egzistencën e Zotit si dhe agnostikët, darvinistët apo ateistët.

     Anshtajni është shprehur shpesh herë rreth çështjes së ekzistencës apo jo të Zotit, megjithatë debatet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite nëse shkencëtari me prejardhje çifute, njëlloj si Isaac Newton, Karl Marks etj ishte besimtar apo ateist.

      ” Provat » rreth besimit apo mosbesimit të Anshtajnit gjenden në shumë nga letrat që ai u ka dërguar të njohurve të tij, të cilat janë shitur këto vite me çmime astronomike.

      Kështu psh në letrën e tij vitit 1954 të shkruar në gjermanisht për filozofin Eric Gutkind, Ajnshtajni, fizikani më i madh i shekullit XX, hedh poshtë të gjitha besimet fetare. “Fjala Zot nuk është për mua asgjë më shumë se shprehja dhe produkti i dobësive njerëzore, dhe Bibla një koleksion legjendash të nderuara, por megjithatë mjaft primitive”, shkruante studiuesi nga Universiteti Princeton i New Jersey, një vit para vdekjes së tij në prill 1955.

         Asnjë interpretim, sado delikat, nuk do të ndryshojë asgjë (për mua),” shton ai në këtë mesazh një faqe e gjysmë për filozofin gjerman. Në letrën e tij, autori i teorisë së relativitetit, i cili ka vdekur në moshën 76-vjeçare, nuk e kursen as fenë e vet: judaizmin.

         “Për mua feja hebraike është, si të gjitha fetë e tjera, mishërimi i një bestytnie primitive,” shkruan ai. “Dhe populli hebre të cilit i përkas me krenari dhe në mentalitetin e të cilit ndihem thellësisht i ankoruar, nuk ka një formë dinjiteti të ndryshme nga popujt e tjerë.”
         “Në përvojën time, ata (çifutët) nuk janë më të mirë se grupet e tjera njerëzore, edhe nëse mbrohen nga teprimet më të këqija nga mungesa e tyre e pushtetit. Përndryshe, unë nuk perceptoj asgjë të ‘zgjedhur’ në to.”

          Ajnshtajni besonte vërtet se madhështia e ekzistencës nuk kishte nevojë të shpjegohej me imazhine i një plaku me mjekër mbi re. Për të, besimi i vërtetë qëndronte në habinë e pafundme ndaj logjikës së universit, në një kërkim të përjetshëm për njohuri dhe përulësi përballë të panjohurës.

        Sepse me të vërtetë, askush sot nuk zotëron prova të pamohueshme se Zoti ekziston?! Se ai i ka sytë dhe zëmrën drejt nesh. Se neve na pret parajsa apo ferri për veprimet e kryera mbi Tokë etj etj.

        Fetarët dhe ata që besojnë në Zot sjellin si provë të pamohueshme pikërisht ekzistencën e Universit apo edhe vetë jetën dhe gjallimin tonë mbi Tokë ! “A besoni vërtet se jeni produkt i rastësisë të dalë nga hiçi, apo ekzistoni, së bashku me Tokën dhe Universin mbarë, si pasojë e një projekti të mirëmenduar ?!” – pyesin ata.

        Siç thamë, edhe vetë një nga kokat më të mëdhe të Njerëzimit, Enstein-i vetë, në dyshimin e tij të pafund ka pohuar se « edhe çdo sahat ka sahatbërësin e tij »!

           Një tjetër citat i famshëm nga Ajnshtajni është ai i”Zotit që nuk luan me zare.” Me këtë fjali, ai nënvizon besimin e tij në një botë të strukturuar dhe të qeverisur nga ligje, ku rastësia nuk ka vend!. Për Ajnshtajnin, nuk ka rastësi në natyrë – gjithçka ndodh sipas ligjeve të rrepta matematikore.

      Megjithatë askush nuk di ndonjë gjë të saktë. As papa i Romës, as Rabini i Madh i Jeruzalemit, as Myftiu I Stambollit. Të gjithë besojnë atë që duan të besojnë: në ekzistencën e Zotit dhe të jetës së përtejme.

       Por mënyra e vetme për të arritur në një përfundim llogjik dhe racional të prejardhjes së jetës në Tokë dhe krijimit të Universit mbetet shkenca. Po, po – shkenca.

      Sepse vetë shkenca ka filluar të tronditet. Jo të gjithë shkencëtarët janë të bindur sot se baza e jetës në Tokë vjen nga një organizëm njëqelizor i quajtur Ameba!  

       Ata nuk janë në gjendje të spiegojnë po ashtu se përse bebja e syrit, shenjat e gishtërinjve dhe ADN-ja janë të veçanta dhe të papërsëritshme te çdo njeri?!  Se si spjegohen 20 konstantet e Universit që e mbajnë atë në këmbë“. Aq sa sikur të ndërrosh një numër të këtyre koefiçientëve pas shifrës së nëntë dhjetore, Universi nuk do të ekzistonte fare! Ata nuk po dinë po ashtu si të spjegojnë vegimet e NDE-së (Near Death Eksperience) për të cilat flasin dhe dëshmojnë sot me mijëra pacientë që i kanë shpëtuar për një qime vdekjes klinike?!

        Dhe mbi të gjitha pyetjes vrastare: “Përse ka diçka (Universi) në vend që të mos kishte asgjë?!“. Ndryshe pse ekzistojmë ne, pse ekzistojnë galaksitë e pafundme kur do ishte më e thjeshtë që asgjë të mos ekzistonte?!

           Ai (Anshtajni)  pretendonte se njerëzit, bimët dhe madje edhe yjet, gjithçka në univers ndjekin një trajektore të përcaktuar nga forcat e padukshme. Rrjedhimisht, njeriu nuk mund të jetë plotësisht i lirë nga veprimet e tij: këto janë të paracaktuara, ashtu si lëvizja e trupave qiellorë.

        Pavarësisht refuzimit të fesë, Ajnshtajni i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme moralit. Ai besonte se nocionet e së mirës dhe së keqes ekzistonin objektivisht, pavarësisht nga ndërhyrja hyjnore.

       Kur u pyet “Pse Zoti lejon luftërat, vuajtjet dhe fatkeqësitë?” ai u përgjigj: “Zoti na ka dhënë lirinë e zgjedhjes dhe na ka treguar rrugën e së mirës dhe së keqes. Por njeriu është përgjegjës për gabimet e veta. » Për Ajnshtajnin, morali nuk ishte i nevojshëm për Zotin, por për vetë njerëzimin.

Ja edhe disa citate të tjera të shkencëtarit gjenial :

Unë pohoj se ndjenja fetare kozmike është motivi më i fortë dhe më fisnik për kërkimet shkencore.                                                     

“Perëndia nuk luan bixhoz me universin”.
“Shkenca pa fe është e çalë, feja pa shkencë është e verbër”.

“Qeniet njerëzore, perimet, ose pluhuri kozmik, ne të gjithë kërcejmë sipas një ritmi misterioz, i vendosur në distancë nga një lojtar i padukshëm”.

“Unë dua të di mendimet e Perëndisë … pjesa tjetër janë detaje”.

“Është e çuditshme situata jonë këtu në këtë Tokë. Secili prej nesh vjen për një vizitë të shkurtër, duke mos ditur përsenë, e prapëseprapë, ndonjëherë duket sikur ka një qëllim hyjnor”.
“Vetëm dy gjëra janë të pafundme, gjithësia dhe marrëzia njerëzore, dhe unë nuk jam i sigurt për të parën.”“Dallimi midis marrëzisë dhe gjenialitetit është se gjenialiteti ka kufijtë e vet.”

    Ja dhe një listë e shkurtër e shkencëtarëve të njohur që kanë besuar apo besojnë në Zot;

Dekarti, matematikan, shpikës i arsyetimit hipotetiko-deduktiv. Karl Lineus, babai i sistematikës dhe hartës së specieve të gjalla mbi Dhé. Kepleri, shpikësi i astrofizikës. Al-Tusi, i cili dha një version të hershëm të evolucionit të specieve. Ai ishte mysliman. Al-Kuarizmi, i cili klasifikoi algoritme të ndryshme për zgjidhjen e problemeve dhe shpiku algjebrën. Maimonidi, i cili shpiku Betimin e Hipokratit; ai ishte hebre. Darvini, i cili nuk ka nevojë për prezantim, një teolog anglikan. Njutoni, i cili formuloi ligjin universal të gravitetit, ishte një i krishterë unitarian. Mendeli, murg katolik dhe zbuluesi i gjenetikës

Srinivasa Ramanujan, një hindu. Shpikës i një mori formulash matematikore, të botuara pa prova; i cili pretendoi se një Zot ia pëshpëriti ato. Pas vdekjes së tij, u bënë përpjekje për të rindërtuar provat. Të gjitha kanë rezultuar të sakta, e fundit në vitin 2019.

G.N. Ramachandran, një hindu, shpiku diagramin Ramachandran, i cili përdoret për të vizualizuar dhe analizuar strukturën 3D të proteinave.

Breuil dhe Teilhard de Chardin, S.J., shpikësit e paleoantropologjisë; ata ishin priftërinj katolikë.

Lise Meitner, bashkë-shpikësja e bombës atomike ishte hebreje.

Esther Duflo, fituese e Çmimit Nobel në ekonomi, protestante. Përveç tyre dhe po si ata  edhe Pascal, Planck, Tesla, Lemaitre, Leibniz, Reeves, Koperniku, Eisenberg, Trinh Xuan Thuan, Gödel, d’Espagnat, Edison, Davies, Pasteur kanë besuar apo besojnë në Zot.

       Prej këndej ka lindur edhe shprehja e njohur; “Pak shkencë të largon nga Zoti, por shumë shkencë të kthen tek Ai”.
Thuhet se astrofizikani George Smoot ka pohuar që rrezatimi kozmik i sfondit të mikrovalëve, një nga provat që mbështesin teorinë e “Shpërthimit të Madh”, është “firma e Zotit”.

         Çmimi Nobel në Fizikë Charles Townes, bashkë-shpikësi i lazerit, lutet çdo ditë. Shumë i njohuri  Francis Collins i universitetit amerikan “Johns Hopkins”, bashkëzbulues i gjenit të fibrozës cistike, e përcakton veten si një të krishterë të devotshëm.  Ai nuk sheh asnjë kontradiktë midis teorisë së evolucionit të Darvinit dhe fesë: “Pse Zoti nuk do ta kishte përdorur mekanizmin e evolucionit për të krijuar?”- pyet ai.

       Edhe belgu Christian de Duve, fitues i Çmimit Nobel në biologji në vitin 1974, pohon: “Shumë nga miqtë e mi shkencëtarë janë ateistë të flaktë, por ateizmi nuk mbështetet dhe nuk bazohet në shkencë.”

         Një tjetër fitues i Çmimit Nobel, evolucionisti Joshua Lederberg ka thënë:: “Asgjë nuk mund ta zhvlerësojë hyjnoren. Është e pamohueshme që kërkimi shkencor drejtohet nga një impuls fetar.” Fizikani John Polkinghorne që u shugurua prift anglikan mendos se “Zoti mund të veprojë edhe përmes mjeteve delikate, të paarritshme për fizikën”.

        Megjithatë, statistikat tregojnë se mosbesimi është më i përhapur midis shkencëtarëve sesa në pjesën tjetër të popullsisë. Në vitin 1997 sipas “La Recherche”, vetëm  20% prej shkencëtarëve ishin besimtarë, 20% ishin agnostikë dhe pjesa tjetër mund të klasifikohej si ateistë. Kjo edhe sipas revistës Natyra.

        Po ashtu në popullatën e përgjithshme amerikane 76.5% e banorëve identifikohen si besimtarë dhe 7.1% si ateistë ose agnostikë.

        Ndryshe thuhet se të kërkosh nga shkenca prova për ekzistencën e Zotit do të thotë të mos kuptosh asgjë rreth asaj që është shkenca, as rreth asaj se çfarë do të ishte një “natyrë hyjnore”.

  Nga Viron Gjymshana

Lini një koment