Pa NATO-n Kosova dhe Shqipëria janë të humbura

      Para pak ditësh, saktësisht më 16 mars,  në këtë blog është botuar shkrimi : « NATO në orët e saj të fundit ?! ». Shumëkush u çudit me këtë titull : Si është e mundur që organizata politiko/ushtarake më e fuqishme e botës qënka duke dhënë shpirt ?!

       Por ja pikërisht dje presidenti I Shteteve të Bashkuara të Amerikës pohoi se ai është duke e shqyrtuar seriozisht largimin nga kjo Aleancë ! Shkak u bë konflikti i Gjirit të Hormuzit. Dhe pavarësisht mburrjeve të presidentit Trump, se ata po e fitonin luftën, e kishin fituar etj ai u kërkoi ndihmë edhe vendeve anëtare të Organizatës Atlantike, për të hapur këtë ngushticë deri më tani nën kontrollin e Iranit.

       Por asnjë nga vendet e Aleancës nuk iu përgjigj pozitivisht kësaj kërkese të presidentit amerikan. «Kjo nuk është lufta jonë » – ishte përgjigja më e përdorur nga kancelaritë europiane.

     – Kur e filloi luftën ai u konsultua dhe i bashkërendoi veprimet veçse me Izraelin, ndërsa neve nuk na informoi fare ! Çfarë kërkon tani ai ? » – ngrinin supet të çuditur analistët dhe strategët europianë.

      « Kur kanë pasur nevojë (gjatë Luftës së Ftohtë), ne i kemi ndihmuar, duke shpenzuar për ta qindra miliarda dollarë. Dhe njëherë që po u kërkojmë ndihmë, europianët nuk po na përgjigjen ! » u ankua nga ana e tij presidenti Donald Trump. 

      Po çfarë do të thotë një shprehje e tillë. Ndryshe çfarë pasojash mund të ketë sidomos për Europën largimi i Amerikës nga Aleanca Atlantike?! Dhe pavarësisht se në Uashington ka zëra që janë kundër largimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga NATO – një gjë është e sigurt : komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura amerikane është presidenti i vendit, në rastin e tashëm Donald Trump. Vetëm ai ka tagrin tu japë urdhër trupave të tij që të hyjnë në luftë. Dhe në rast se ai nuk e jep këtë urdhër si do i vejë filli NATO-s?!

         « Gjithmonë e kam ditur se NATO është thjesht një tigër prej letre. Edhe Putini e di këtë » – u shpreh po dje presidenti amerikan. Madje ai la të kuptohet që tani e tutje Amerika as që do të merret me konfliktin Ukrainë – Rusi, duke ia lënë këtë barrë vetëm europianëve!

       Dhe ka shumë gjasa që ai të sillet po kështu edhe për hapjen e ngushticës së Hormuzit, nga e cila kalon shumica e naftës që konsumohet sot në Europë dhe 20 për qind e asaj që konsumohet në mbarë botën. Vendet e Europës, por edhe Japonia, Kina, Koreja e Jugut etj varen pothuajse tërësisht nga nafta që qarkullon në gjirin e Hormuzit!

        Dhe jo vetëm nafta dhe gazi. Por edhe pesticidet, edhe alumini etj prodhohen po në këtë rajon ! Pra kjo ngushticë ka rëndësi strategjike për mbarë botën, saqë disa komentatorë tani po e cilësojnë si « arma atomike » e Iranit !  

      “Hormuzi i hapur apo i mbyllur nuk është më puna jonë” – la të kuptohet Trump. « Europianët po të duan le të ndërhyjnë që ta hapin këtë ngushticë, ndryshe mund ta blejnë naftën dhe gazin e lëngshëm te ne, me çmimin tonë ”! Kjo ishte përgjigja e Trump. Që do të thotë që Ukraina dhe Hormuzi u ngelen tani në kurriz europianëve.

     Atëhere si I bëhet nëse Amerika tërhiqet ose praktikisht ose juridikisht nga gjiri I Aleancën Atlantike?!  Për Francën, Anglinë, Gjermaninë etj kjo ndofta nuk iu prish shumë punë. Deri më tani ato e kanë përdorur Aleancën si tregues force se askush nuk i del dot përballë Perëndimit. Po tani që Trump po thotë që do ta braktisë NATO-n, si i bëhet hallit?!

       Dhe mbi të gjitha cilat do të jenë pasojat e këtij veprimi për Shqipërinë (vend anëtar i Aleancës) dhe për Kosovën dhe bazën amerikane të Bondstillit atje?!

        Të dyja vendet tona e kanë nevojë jetike NATO-n dhe mbrojtjen nga Amerika. Si do i bëhet psh në rast se Serbia krijon ndonjë incident në veri të Kosovës dhe fut trupat e saj ushtarake atje?!

        Sot një mundësi e tillë nuk përbën më ndonjë çudi të madhe. Në mbarë botën kanë plasur konfliktet rajonale. Ndêrsa Amerika e Trump shikon sot që të mbrojë vetëm interesat e saj. Dhe siç po e tregojnë edhe ngjarjet e fundit, edhe ato të Izraelit. A do ta lëvizë gishtin Trump në rast të një konflikti Serbi – Kosovë?

        Vjosa Osmani u tregua jashtëzakonisht e zgjuar kur vajti para një muaji në Uashington dhe i forcoi lidhjet me Trump-in. Dhe Albin Kurti – krejt gomar që nuk e rizgjodhi përsëri Osmanin si presidente!

         Sepse duket se po vjen koha e marrëdhënieve dypalëshe. Pra është domosdoshmëri për Shqipërinë dhe Kosovën sot të kenë marrëdhënie personale dhe shtetërore sa më të afërta me Shtëpinë e Bardhë.

       Dhe për tu kthyer përsëri te ky blog, para pak ditësh kemi shkruar se Shqipërisë  ndofta do i duhet të zgjedhë së shpejti ndërmjet Amerikës dhe Europës. Ndërsa Kosova duket se e ka bërë tashmë zgjedhjen e saj strategjike.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment