Loja e shahut dhe Inteligjenca Artificiale

     Të gjithë ata që e lozin e dinë se sa e bukur është loja e shahut.  Sa kombinacione të pafundme ka, sa ta zhvillon trurin dhe llogjikën. Dhe jo më kot ata që janë të dhënë pas matematikës janë edhe lojtarë të mirë shahu. Por shahu përveç inteligjencës kërkon edhe imagjinatë, edhe memorie dhe plot dhunti të tjera.

    Kjo lojë e bukur lindi para rreth 1 500 vjetësh, dmth rreth viteve 550 të erës sonë, së pari në Indi. Pastaj, një shekull më pas kaloi në Persi (Irani i sotëm) ku edhe u strukturua më mirë. Që andej madje na ka ardhur edhe shprehja”Shah Mat – Mbreti vdiq!” Dhe rreth shekullit të 10 ajo u përhap edhe në vendet arabe si dhe në Andaluzi të Spanjës (asokohe nën pushtimin arab) si dhe në Itali. Në Europë ajo u bë e njohur,me rregullat që ka sot, andej nga vitit 1475. Siç shihet, afërsisht gjatë epokës së Skënderbeut.

      Dhe a e dini ju se sa janë mundësitë, kombinacionet e mundshme të shahut? Nuk do ta besoni kurrë. Ka qënë matematikani Klod Shanon, që i pari është përpjekur të llogariste kombinacionet e mundshme të kësaj loje me 64 kuti dhe 32 ushtarë dhe figura. Dhe shifra është:  10 në fuqi të 120! Llogariteni ju tani numrin e kombinacioneve të mundshme të kësaj loje. Se kalkulatriçja ime nuk kishte vend për një numër aq të gjatë!

      Të gjithë ne e njohim pafundësinë e Universit, Gjithësisë. Bëhet fjalë për afro 200 miliardë galaksi, brenda së cilave gjenden mbi 100 miliardë sisteme diellore si i yni. Tani copëtojeni këtë Gjithësi në atome! Dhe del se numri i atomeve të përftuara do të jetë më i vogël se numri i kombinacioneve të mundshme në lojën e shahut! Konkretisht dhe afërsisht 10 në fuqi të 80! Pra ka më shumë kombinacione në shah se sa ka atome në Univers! E pabesueshme apo jo ?!

     Dhe kjo pafundësi, kjo çmenduri, u zbulua para afro 70 vitesh. Por që në kohët e lashta ka pasur njerëz që i kanë kuptuar pafundësitë e kombinacioneve të lojës së shahut. Dhe ka një legjendë të bukur për këtë.

      Dikur në Persinë e lashtë një njeri i zakonshëm shpëtoi nga vdekja e sigurtë Shahun (perandorin) e atij vendi. Dhe Shahu i gëzuar nga ky fat i premtoi shpëtimtarit të tij t’i plotësonte një dëshirë të vetme  që ai do shprehte. Çfarëdo të ishte kjo dëshirë.  Dhe njeriu i “zakonshëm” i kërkoi Shahut t’ia lante të mirën me grurë, Dua i tha një kokërr grurë në kutinë e parë të lojës që mban emrim tënd. 2 kokrra gruri në kutinë dytë, 4 kokrra në kutinë e tretë dhe kështu me rradhë. Në matematikë dyfishimi i shifrave quhet progresion gjeometrik.

      Shahu i Persisë u vërenjt nga kjo kërkesë pak o gjë e shpëtimtarit të tij. Kaq pak vlente jeta e tij?!  “Jepini 100 thasë me grurë këtij të ngratit” – iu drejtua ai me zëmërim oborrtarëve të tij.  Por “i ngrati” u hodh përpjetë: Jo Lartmadhëria juaj. Unë nuk dua as një kokërr grurë më shumë apo më pak se sa kërkova! Prandaj vini dorën në zemër dhe ma plotësoni pikë për pikë dëshirën që shpreha.

     Dakord, tha Shahu para se të ngrihej nga vendi. Llogaritni sa kokrra grurë i takojnë dhe jepjani! – urdhëroi ai përsëri oborrtarët e tij. Dhe oborrtarët filluan nga llogaritjet. Por pas pak kuptuan se nuk ishte punë për ta. Dhe thërritën matematikanët më të mirë të vendit të vazhdonin llogaritjet. Kaluan disa orë dhe oborrtarët u kthyen vetullngrysur te Shahu.”Hë, e mbaruat porosinë?” i pyeti ai. Jo Lartmadhëria juaj. Nuk e plotësuam dot këtë porosi! Pse?! – pyeti i çuditur Shahu.”Se ti nuk ke aq grurë në hambaret e tua”! Shahu nuk po u besonte veshëve, derisa oborrtarët i treguan shifrën e tmerrshme!

       Sot është llogaritur që shpëtimtari kërkonte as më shumë dhe as më pak por: 18 446 744 073 709 551 615 kokrra gruri! Që është baraz me mbarë prodhimin botëror të grurit përgjatë… 20 vjetëve! Shahu thjesht nuk ishte në gjendje t’ia plotësonte kërkesën shpëtimtarit të tij! Dhe kështu përfundon rrëfenja…që dëshmon për mundësitë e pafundme të një loje shahu.

       Por para se të shkojmë te lidhja e lojës së shahut me Inteligjencën Artificiale le të ndalemi pak te historia e shahistit të madh ruso/ gjeorgjian Kasparov me kompjuterin “Deep Blue”. Histori e njohur botërisht.

      Ka qënë viti 1997, kur ndërmarrja më e madhe e prodhimit të kompjuterve në botë, IBM krijoi superkompjuterin “Deep Blue” me synimin e vetëm që ky të mundëte kampionin e botës në shah Gary Kasparov. Deep Blue ishte i aftë të analizonte dhe të zgjidhte ndërmjet miliona lëvizjeve në sekondë dhe të qëmtonte lëvizjen më të dobishme dhe më të duhur. Aty nisi edhe Inteligjenca Artificiale. Të dish të zgjedhësh ndërmjet miliona mundësive dhe të dhënave!

        Me miliona lojëra shahu ishin stokuar, vendosur, që më përpara në memorien e”Deep Blue”. Atij i duhej të zgjidhte ndërmjet këtyre miliona lëvizjeve, atë më të goditurën. Kjo është edhe Inteligjenca Artificiale sot. Ndërmjet miliarda të dhënave që qarkullojnë në internet, Inteligjenca Artificiale duhet të zgjedhë dhe të përpilojë përgjigjen më të drejtë dhe më të mundshme.

     Dhe siç pritej “Deep Blue” e mundi Kasparovin. Një film i jashtëzakonshëm është prodhuar për këtë ngjarje, që vuri për herë të parë publikisht dhe botërisht, ballë për ballë Makinën kundër Njeriut. Filmi titullohet “Rematch”, (Riloja apo revannshi). Dhe ky është filmi i dytë i suksesshëm pas atij të “Netflix”:”The Queen’s Gambit”

      Në fakt lojërat e para të shahut të Njeriut me Kompjuterin kanë filluar që nga vitet 1950 kur edhe u prodhuan kompjuterat e parë. Rreth viteve 1970 edhe ne në Shqipëri i quanim këto kompjutera “tru elektronik”.

      Siç thamë fillimet e IA-së në shah datojnë që nga vitet 1950 – 1960, me programe të tilla si programi i shahut i Claude Shannon dhe puna e Turingut mbi “Turbochamp”. Këto përpjekje të hershme ishin të kufizuara atëhere nga fuqia llogaritëse e disponueshme në atë kohë dhe aftësitë algoritmike rudimentare. Megjithatë, ato hodhën themelet për zhvillimin e mëvonshëm të IA-së në këtë fushë.

      Tani ka ardhur koha të pyesim veten se çfarë na ka mësuar disfata e Kasparovit në veçanti dhe e njerëzve në përgjithësi kundër makinave/kompjuter dhe a mund të hedhin dritë këto mësime rreth ardhjes masive në të ardhmen e shpejtë të inteligjencës artificiale në jetën tonë? Kjo është edhe pyetja kryesore e këtij shkrimi.

        Dihet se progresi i fundit dhe i madh në fushën e Inteligjencës Artificiale ngjau 4 vite më parë me dalje e ChatGPT-së në vitin 2022. (Rreth përhapjes dhe rolit të ChatGPT-së dhe Inteligjecës Artificiale mund të mësoni më shumë duke lexuar edhe artikujt e mëparshëm publikuar në këtë blog).

        Por zhvillimi i I.A.-së po ngre njëkohësht shumë pikëpyetje sot, si dhe shpresë dhe frikë. Në pranverën e vitit 2023 vetë Kongresi Amerikan organizoi një seancë dëgjimore me drejtuesit e Open A.I., firma që prodhoi ChatGPT-në për tu njohur me rreziqet që mund të paraqesë për Njerëzimin Inteligjenca Artificiale.

      Edhe në parlamentet e shumë vendeve të botës si dhe në mediat sociale, përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po nxit shumë diskutime. Çfarë ndikimesh mund të presim në shoqërinë tonë në të ardhmen?

       Pikërisht për t’i përgjigjur kësaj pyetjeje kemi marrë shembullin e kësj loje inteligjente që quhet shah. Sepse, siç edhe është kuptuar duke lexuar këto rradhë, që nga fillimet e shkencës së kompjuterave dhe deri më sot, shahu është përdorur si një tregues i progresit të softuerëve dhe pajisjeve të tjera. Edhe sepse shahu është një lojë interesante në nivele të shumëfishta për të studiuar edhe ndikimet e Inteligjencës Artificiale në jetën tonë.

       Ndër të tjera  shahu; njësoj si I.A.-ja, kërkon aftësi të ndryshme dhe të shumëllojshme si vizualizim hapësinor, kujtesë, llogaritje mendore, imagjinatë, përshtatshmëri etj., aftësi në të cilat IA konkurron me mendjen njerëzore.

       Së dyti: kjo lojë nuk ka ndryshuar për shekuj me radhë. Rregullat janë të përcaktuara mirë, duke ofruar një bazë të qëndrueshme për të studiuar evolucionin e lojtarëve dhe kompjuterve. Prandaj është e mundur që të matet në mënyrë objektive forca e makinave dhe të krahasohet ky nivel me atë të njerëzve edhe me vlerësimin Elo.

       Aq më shumë që shtrirja  e studimit është e kufizuar: është e qartë se shahu është vetëm një aspekt i vogël i jetës, por pikërisht kjo është çështja. Ky fokus i ngushtë na lejon të synojmë më mirë ndikimet e inteligjencës artificiale në jetën e përditshme. Tashmë ka 20 vjet që IA.-ja e ka tejkaluar nivelin e lojtarëve më të mirë njerëzorë. Prandaj, është e mundur të shihen dhe kuptohen edhe ndikimet konkrete që I.A. ka pasur në lojën e shahut dhe në jetën e komunitetit të saj, i cili mund të shihet si një mikrokozmos i shoqërisë.

       Për të kuptuar më mirë thelbin e problemit tani po shqyrtohen edhe ndryshimet në botën e shahut që kur Gary Kasparov, atëherë kampioni botëror në fuqi, humbi ndeshjen kundër “Deep Blue” në vitin 1996, (prandaj u organizua edhe revanshi, ndeshja e kthimit në vitin 1997).

        Kështu psh ligji i Moor-it thotë se tani fuqia llogaritëse e kompjuterëve dyfishohet çdo tetëmbëdhjetë muaj, pandaj të lozësh dhe të fitosh sot në shah kundër kompjuterve duket si “mision i pamundur”.

       Megjithatë, Ken Thompson, një shkencëtar amerikan kompjuterash që krijoi në Belle që në vitet 1980 – programin më të mirë të shahut – vëzhgoi eksperimentalisht se një rritje eksponenciale e fuqisë llogaritëse çon njëkohësisht në një rritje lineare të fuqisë së softuerve, (programeve), siç është vërejtur gjatë këtyre dhjetvjaçarëve të fundit.

      Atëhere pse duhet të vazhdojnë njerëzit të luajnë shah me kompjuterin kur e dinë mirë që do humbin?! Kjo pyetje filloi të shtrohet menjëherë pas humbjes së Kasparovit, kur e ardhmja e shahut amator dhe profesional dukej e zymtë.

      Megjithatë shihet ende edhe sot se njerëzit preferojnë të luajnë kundër njerëzve të tjerë dhe janë ende të interesuar të shikojnë mjeshtra të mëdhenj të fortë që luajnë kundër njëri-tjetrit edhe pse makinat mund t’i mundin ata.  

       Prestigji i lojtarëve më të mirë të shahut nuk është zvogëluar aspak nga fakti që makinat janë të afta t’i mposhtin. Kjo është njëlloj sikur të mos organizohen më olimpiada vrapi, pasi vetura “Ferrari” ia kalon gjithmonë Usen Boltit!

       Megjithatë shahu mbetet një lojë që jo vetëm ndihmon trurin e njeriut, por njëkohësisht kjo lojë përbën edhe një shembull konkret që na nevojitet edhe për të kuptuar rreziqet e vërteta që lidhen sot me përhapjen e Inteligjencës Artificiale dhe rolin e robotëve në një të ardhme të afërt në shoqërinë njerëzore.

      A do ta kapi ndonjë ditë Njerëzimin “Shah Mat” Inteligjenca Artificiale?! Kjo është pyetja.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment