PS dhe PD si dy partitë amerikane. Pa bosht ideologjik, por thjesht klienteliste!

            Situata politike në Shqipëri nuk njeh qetësi. Përplasje në parlament. Përplasje në rrugë. Mollotov, fishekzjarre. Gjithçka që tensioni politik të jetë i lartë.

            Ky tërbim e ka emrin Sali Berisha. I bindur se shqiptarët e kanë bërë “dalje” një herë e përgjithmonë, ai kërkon hakmarrje. “Ju nuk më doni. Më keni rrëzuar 2 herë nga kali. Por do ta shihni BE-në me dylbi. Do bëj gjithçka për t’ju penguar që të hyni atje”. Kjo është përgjigja e tij ndaj humbjeve të njëpasnjëshme, që nga viti 2013.

        Prandaj me përjashtim të disa të marrëve askush nuk e ndjek pas. As edhe ata që kanë interes që Partia Demokratike të rikthehet në pushtet. Se i kanë humbur shpresat. Kjo e tërbon edhe më shumë. Ai që ka qënë komunist 25 vjet me rradhë. Ai që ka qënë sekretar organizate në fakultetin e mjekësisë. Ai që njihej personalisht me Enver Hoxhën. Ai që shëtiste me varkë me fëmijët e Enver Hoxhës,ai, ai … që ka 35 vjet në krye të Partisë Demokratike. Dhe në zverkun e popullit.

       Dhe PD-ja kërkon rotacion! Kur ka 35 vjet që laj e thaj me Sali Berishën. Ai kryetar partie, ai kryeministër, ai president, ai…

     Të gjithë tani janë të bindur se Berisha nuk vjen më në pushtet.  Për arsyen e thjeshtë se ai nuk ka çfarë të ofrojë. Misioni i tij thjesht ka mbaruar. Dhe më thjesht akoma ai për më shumë po mban në pushtet edhe Edi Ramën, që ka humbur shumë nga popullariteti i tij i dikurshëm! Saqë të gjithë tani janë të bindur se për sa kohë që Sali Berisha  do të jetë që krye të Partisë Demokratike,  për aq kohë shqiptarët do votojnë Edi Ramën.

       Me mollotovë dhe djegie kazanë plehras nuk vihet në pushtet. Këto veprime veçse dëshmojë për frustrimin dhe tërbimin e dikujt që mendonte se tani pushteti i përkiste atij dhe vetëm atij. Njëlloj si Enver Hoxha dikur. Sepse ai kishte “për-mbysur” komunizmin!

         Përrallë me mbret. Po të ishte për të, komunizmi do kishte zgjatur edhe 100 vite të tjera, njëlloj si në Kubë apo në Korenë e Veriut. Ramiz Alia me përdredhjet dhe akrobatlliqet e tij ka 100 herë më shumë merita se Sali Berisha në demokratizimin e vendit. Ky i fundit veçse i hoqi patkojt kalit që po ngordhte.

        Paradoksi më i madh është që Sali Berisha nuk mund tu ofrojë asgjë më shumë shqiptarëve, sesa po u ofron sot Edi Rama. Se që të dy janë pak si kau balash. Gjysëm komunistë dhe gjysëm demokratë. Berisha nga formimi i tij, ndërsa Rama nga prejardhja  familjare.

       E gjithë lufta e tyre për pushtet është thjesht  luftë klanore dhe personale. Asnjëra prej këtyre dy partive nuk ka një bosht të qartë ideologjik. As edhe një program të përpunuar ekonomik. Të dy janë në mbrojtje të oligarkëve, të privatizimit dhe shitjes së burimeve dhe pasurive kombëtare, duke filluar nga nafta, kromi, bakri dhe deri te Sazani!

        Asgjë nuk i ndan dhe gjithçka i bashkon.  Megjithëse luftojnë njëri – tjetrin, të dy bëjnë kujdes që të mos u dalin parti të vërteta kundërshtare. Të djathtë të vërtetë ose të majtë popullorë.

     Në fakt si PD-ja, ashtu edhe PS_ja, janë thjesht parti klienteliste. “Ik ti që të vë unë njerëzit e mi. Boll u pasurove ti, tani e kam rradhën unë”! Ky është rotacioni i tyre. Rotacion klanik.

     Sepse as në ekonomi, as në ideologji nuk ka gjë që i ndan. Gjendemi kështu te drama e Bertolt Brehtit, shfaqur me aq sukses përgjatë disa viteve në Teatrin Popullor si dhe në emisionin radiofonik “Teatri në mikrofon” – “Ngjitja e rezistueshme e Arturo Ui-së”

    A ju kujtohet drama ku “trusti i lulelakrës” që përplasej egërsisht me atë të “spinaqit”! Ishte thjesht luftë klienteliste.Kush të shiste dhe të fitonte më shumë. Njëlloj si sot dhe dje në Amerikë. Ku ekzistojnë veçse dy parti: ajo e gomarit dhe ajo e elefantit. Këto dy kafshë janë simbolet e Partisë Demokratike dhe asaj Republikane amerikane.

      Por vështirë se gjen ndonjë ndryshim kapital në programet e tyre. Zgjedhjet ngjajnë si me një ndeshje futbolli ndërmjet Realit me Barcelonën. Tifozët ulurijnë, sa nuk vrasin njëri tjetrin! Por ata që fitojnë janë pronarët e klubeve dhe lojtarët multimilionerë.

    Por ndryshe nga tifozët e futbollit, tifozët partiakë kanë edhe interes në zgjedhjen e tyre.Se në rast se fiton psh PD-ja të gjithë ata që ka emëruar PS-ja, (shumë pak në të vërtetë) flaken në rrugë të madhe.

     Doganat, tatimet dhe administrata mbushen me militantë kokëzbrazur, por me dy gishtat lart. Çuditërisht Rama,nuk ka bërë shumë përmbysje kur mori pushtetin për herë të parë në vitin 2013. Ai madje deklaroi atëhere se nuk ka ndermend të heqë njeri nga puna për arsye partiake! Prandaj  sot edhe SPAK-u,edhe gjykatat e niveleve të ndryshme gëlojnë nga ithtarët e Berishës, që vetëm kanë ndërruar teserën dhe xhaketën. Siç ngjau edhe në fillim të viteve 1990.

      Me një fjalë në skenën politike shqiptare kemi dy parti “motra”, që kujdesen shumë që të mos u dalë ndonjë rival. Prandaj edhe legjislacionin e sistemit zgjedhor e kanë përshtatur për të shmangur një mundësi të tillë. Zihen e grihen veçse për interesa personale dhe klanore. Por kurrsesi për të mirën e vendit.

     Dhe në rast se një ditë do të dalin në skenën politike parti vërtet të majta dhe të djathta, nuk është fare çudi që PS-ja dhe PD-ja të bëhen bashkë për të luftuar partitë e reja. Se siç thuhet: Jo më kot të dyja kanë lindur nga mitra e përgjakur e ish Partisë së Punës. Asgjë nuk i ndan. Përveç interesit. Atij vetjak!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment