Pak veta e dinë që në botë ekziston edhe një rennditje e vendeve më të lumtura të botës. Është agjencia e Kombeve të Bashkuara mbi lumturinë e njerëzve në botë që çdo vit shqyrton, heton,hulumton dhe anketon njerëz të vendeve të ndryshme për t’i pyetur nëse ata janë të palumtur, disi të lumtur, mesatarisht të lumtur apo tërësisht të lumtur.
Për këtë qëllim përdoret edhe një shkallëzim nga 1 në 10. Njëshi janë më të palumturit, 5 mesatarisht të lumtur dhe 10 tërësisht të lumtur.
Dhe për të 9 vit me rradhë këtë renditje e fitoi përsëri Finlanda, vendi i i drerëve, pyjeve, liqeneve, i qetësisë, mirësjelljes dhe respektit.
Janë 147 vendet që u hulumtuan për renditjen botërore 2026, me të dhënat e vitit 2025. Dhe në këtë anketim marrin pjesë edhe institucione me reputacion si Forbes apo Gallup, por po ashtu edhe shumë organizata joqeveritare si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Dhe ja Kosova renditet e 16-ta në këtë klasifikim botëror. Duket se shqiptarët e anës tjetër të Drinit janë duke e shijuar si duhet lirinë e fituar me aq sakrifica dhe gjak. Dhe po ashtu duket se ata janë të bindur se vendi i tyre po ecën në rrugën e duhur. Ndryshe Shqipëria renditet jo më pak se e … 86-ta !
Shqiptarët ngjajnë si pesimistë nga rezultatet e këtij raporti. Ndofta edhe nga korrupsioni i përhapur, nga shitja dhe privatizimi i pasurive kombëtare, nga sundimi i lacave të lagjes, nga mungesa e perspektivës për të rinjtë etj etj.
Ja dhe renditja e 20 vendeve më të lumtura të botës: E para Finlanda dhe me rradhë pastaj Islanda, Danimarka, Kosta Rika, Suedia, Norvegjia, Hollanda, Izraeli, Luksemburgu, Zvicra, Zelanda e Re, Meksika, Irlanda, Belgjika, Australia, Kosova, Gjermania, Sllovania, Austria, Çekia etj etj.
Shtetet e Bashkuara renditen të 23-tat, Kanadaja e 25-ta, Italia e 38-ta, e 82 Maqedonia e Veriut dhe e 86-ta Shqipëria. Vendi më i palumtur në botë, i 147-ti renditet Afganistani
Ky raport, i publikuar çdo vit rreth Ditës Ndërkombëtare të Lumturisë të Kombeve të Bashkuara, rendit më shumë se 140 vende duke u bazuar në mënyrën se si njerëzit vlerësojnë jetën e tyre, për të përcaktuar vendet më të lumtura në botë. Të dhënat vijnë kryesisht nga Gallup World Poll, me studiues që analizojnë gjithashtu faktorë si mbështetja sociale, shëndetësia, jetëgjatësia, siguria dhe rendi, liria dhe perceptimi mbi korrupsionin etj etj !
Duke përmbushur pyetjet e këtij anketimi finlandezët dolën të parët me 7.764 pikë nga 10 000 pikë të mundshme. Tejet përpara shumicës së vendeve të tjera.
Frank Martela— profesor, filozof dhe studiues finlandez që merret me shkencën e lumturisë — thotë se renditja e vendit nuk është e rastësishme. “Lumturia merret seriozisht në Finlandë, ku mirëqenia është një fokus kryesor i politikave dhe jetës së përditshme”, pohoi Martela në një deklaratë.
Kjo mendësi e finlandezëve shfaqet sa në zakonet e përditshme por aq sa edhe në zakonet kombëtare, që nga tradita e saunës (banjo me avull dhe akull) deri te një theks kulturor mbi ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë. Miika Mäkitalo, drejtore te kompania që organizon këtë rajting, thotë se formula e lumturisë në Finlandë vazhdon të lulëzojë.
“E ashtuquajtura Sisu, një përzierje e qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe forcës së brendshme, na ndihmon të përballojmë sfidat e jetës, nga dimrat e gjatë e të errët deri te rëniet ekonomike”, theksoi Mäkitalo në një deklaratë. “Kjo vjen nga bindja se mbështetja është aty kur është e nevojshme, qoftë përmes politikave tona të forta sociale si leja bujare e përbashkët prindërore dhe arsimi universitar pa pagesë, apo e drejta e çdo personi për të bredhur në pyje dhe për t’u rigjeneruar në natyrë.”
Ky theksim në ngadalësimin e ritmit të jetës dhe rilidhjen me natyrën, është bërë madje pjesë e mesazhit turistik të Finlandës. Këtë verë, vendi po fton falas një numër të vogël udhëtarësh, që të përjetojnë drejtpërdrejt stilin e jetës finlaneze buzë liqenit. Pjesëmarrësit kanë mundësinë të fitojnë një udhëtim falas shtatëditor veror në Lakeland-in finlandez për një përvojë detoksifikimi dixhital. “I qetë si një finlandez” – kjo është parulla turistike e këtij vendi.
Siç shkruam edhe më lart Finlanda pasohet nga një grup i njohur vendesh nordike: Islanda (Nr. 2) dhe Danimarka (Nr. 3). Suedia (Nr. 5) dhe Norvegjia (Nr. 6) që vazhdojnë performancën e tyre të fortë.
Dominimi i vazhdueshëm i vendeve nordike nuk është i ri: Lista e 10 vendeve më të mira të këtij viti është e ngjashme me renditjet e mëparshme.
Por raporti i vitit 2026 sugjeron se suksesi i tyre shkon përtej shpjegimeve të zakonshme të pasurisë ose sistemeve të mirëqenies. Besimi shoqëror, institucionet e forta dhe ndjenja e komunitetit luajnë të gjitha një rol vendimtar në mënyrën se si njerëzit vlerësojnë jetën e tyre.
“Kur bëhet fjalë për lumturinë, ndërtimi i asaj që është e mirë në jetë, është më i rëndësishëm sesa gjetja dhe rregullimi i asaj që është e keqe”, thotë në një deklaratë John F. Helliwell, një redaktor themelues i raportit.
Një çudi tjetër e këtij raporti përbën vendi i 4-t që zë për herë të parë Kosta Rika! Ky është një nga vendet e Amerikës Latine me performancën më të mirë këtë vit dhe një moment dhe shembull i rëndësishëm për Amerikën Latine. Vendi ka qenë në një ngjitje të vazhdueshme. Ishte vendi i 23-të në vitin 2022, i 12-ti në vitin 2024 dhe i 6-ti në vitin 2025.
Ndërkohë, Zvicra rihyn në 10 vendet e para duke zënë pikërisht vendin e 10-të. Diku tjetër, përmirësimet e vazhdueshme nga vende të tilla si Kosova (Nr. 16), Sllovenia (Nr. 18) dhe Çekia (Nr. 20) tregojnë një konvergjencë më të gjerë në nivelet e lumturisë midis Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Evropës Perëndimore – vërejnë ekspertët.
Në të njëjtën kohë, renditjet nxjerrin në pah një mungesë të dukshme: Për të dytin vit radhazi, asnjë nga vendet anglishtfolëse nuk shfaqet në 10 vendet e para, me vetëm gjysmën e tyre që renditen në 20 vendet e para. Zelanda e Re renditet në vendin e 11-të, e ndjekur nga Irlanda (Nr. 13), Australia (Nr. 15), Shtetet e Bashkuara (Nr. 23), Kanadaja (Nr. 25) dhe Mbretëria e Bashkuar (Nr. 29).
Për vitin 2026, Afganistani është përsëri vendi më i pakënaqur në botë, duke u renditur i fundit (Nr. 147). Sierra Leone është vendi i dytë më i pakënaqur në Nr. 146. Malavi (Nr. 145), Zimbabve (Nr. 144) dhe Botsvana (Nr. 143) plotësojnë listën e pesë vendeve më të pakënaqura.
Nëse ka diçka që duhet të nxjerrim nga raporti i këtij viti, është se nuk ka një shpjegim të vetëm për lumturinë ose për rënien e saj. Faktorë të tillë si lidhja shoqërore, familjare dhe ndjenja e përkatësisë duket se kanë një ndikim edhe më të fortë në mënyrën se si njerëzit ndihen për jetën e tyre.
Në të njëjtën kohë, studiuesit paralajmërojnë se edhe marrëdhënia midis teknologjisë dhe mirëqenies varet nga mënyra se si përdoret, kush e përdor atë dhe konteksti më i gjerë shoqëror.
Me një fjalë që të jesh i lumtur nuk mjafton vetëm pasuria, megjithëse edhe ajo lot një rol tejet të rënndësishëm, por mbi të gjitha marrëdhëniet njerëzore. Qënia në paqe me veten, marrëdhënie të ngushta në familje, shoqëri e ngrohtë e të tjera të bêjnë të ndjehesh i lumtur. Po ashtu bindja se shteti mendon si për ty, por po ashtu edhe për të mirën e përgjithshme etj etj.
Ndofta edhe Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë të mësojnë nga këto zakone, praktika dhe parime.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment