Nesër është dita e parë e pranverës dhe sot ekuinoksi i saj. Që do të thotë që dita dhe nata duke filluar nga sot janë barabar : nga 12 orë secila. Dita arrin kulmin e zgjatjes së saj gjatë të ashtuquajturit solstis, që bie zakonisht rreth 21 qershorit. Dhe kjo është edhe dita më e gjatë e vitit. Më 21 shtator dita dhe nata barazohen përsëri. Ndërsa më 21 dhjetor kemi natën më të gjatë të dimrit. Fatmirësisht që ato ditë nisin edhe festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të ri që e largojnë disi zymtësinë dhe errësirën e dimrit.
Këto janë disa të dhëna astronomike që i di sot edhe çdo nxënës i shkollës. Ndryshe dita e sotme, 20 marsi, për bektashinjtë shqiptarë përkon me festën e Novruzit, dmth me fillimin e vitit të ri, sipas kalendarit persian. Ndërsa nesër, 21 marsi, për hemisferin verior të globit, shënon fillimin e pranverës.
Njëkohësisht po sot myslimanët sunitë në mbarë botën festojnë përfundimin e festës së agjërimit dhe sakrificave, Ramazanit, që njihet ndryshe edhe si Fiter Bajrram ose Bajrrami i Madh.
Ndërsa më 5 dhe 12 prill bien pashkët katolike dhe ortodokse. Pra afërsisht brenda 20 ditëve kemi 5 të kremte, ose ndryshe ditë të shënuara. Nga këto 4 janë festa fetare.
Ne shqiptarët i festojnë të gjitha këto ditë të shënuara, meqë i përkasim njëkohësisht si fesë së krishterë, por po ashtu edhe asaj mohamedane. Dy fe, por 4 bashkësi fetare: synitë, bektashinj, katolikë dhe ortodoksë.
Megjithatë, pavarësisht prejardhjes dhe respektit për fenë, shumica e shqiptarëve deklarohen laikë apo ateistë. Të parët, laikët, besojnë në diçka hyjnore që i tejkalon kufijtë e dijes dhe arsyes njerëzore, ndërsa të dytët, ateistët, janë të bindur se duke nisur nga Universi, gjithçka është materiale dhe e rastësishme.
Dhe pavarësisht ndarjeve tona, shqiptarët mbeten një nga popujt më tolerantë në botë, përsa i takon çështjeve fetare. Rilindasit tanë e kishin kuptuar me kohë se dallimet në çështjet e fesë mund të përbënin një rrezik të madh për unitetin dhe deri mbijetesën e kombit shqiptar.
Se këto ndarje mund të shfrytëzoheshin edhe nga fqinjët tanë për të ndezur një luftë civile dhe fetare ndërmjet popullit tonë. Prandaj ata gjithmonë kanë bërë thirrje që feja të mbetet si diçka personale, sepse para kishave dhe xhamive qëndron Shqiptaria.
Këtë traditë e ndoqi, për arsyet e veta, edhe Enver Hoxha. Dhe ai, siç e kishte zakon, e çoi këtë praktikë deri në ekstrem. Ai i mbylli të gjitha kultet fetare dhe i detyroi po ashtu të gjithë klerikët të punonin si gjithë njerëzit e tjerë.
25 vjet ateizëm i detyruar. Por ky ateizëm u shoqërua edhe me një punë propagandistike të paparë. Darvinizmi zuri vendin e fesë dhe vetë Enver Hoxha atë të zotit të shqiptarëve. Fjala e tij nuk bëhej dysh, njëlloj si ajo e profetëve!
Megjithatë nuk mungojnë edhe forcat kontraverse që përpiqen me çdo kusht të rrisin ndikimin fetar ndër shqiptarët. Kështë psh vepron jo vetëm Greqia, por edhe Turqia dhe vendet arabe. Dhe dihet se forcimi i identitetit fetar te çdo shqiptar, shkakton dobësimin e identitetit kombëtar. Aq sa ndonjëherë në rrjetet sociale mund të gjesh edhe tipa që deklarojnë : « para se me qënë shqiptar, unë jam katolik apo mysliman » !
Por ndryshe nga shumica prej nesh, që nuk duan t’ia dinë shumë për fe, në botë kemi një ringjallje të ekstremizmit fetar. Rasti më i fundit ai i faljes së presidentit Trump mu në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë ! I rrethuar nga shumë evangjelistë të ekzaltuar, (përkrahës të Ungjillit) Trump dukej se po kalonte në ekstazë. Saqë ai u bë objet talljeje edhe në rrjetet sociale.
Madje ka disa që thonë se lufta kundër Iranit ka sa prapavija politike dhe nacionaliste, por po aq edhe fetare. Kjo, sipas tyre, është një luftë edhe për epërsinë e popullit ebre në rajon ndaj popullsive myslimane atje ! Një lloj kryqëzate ebreo/evangjeliste kundër mylimanëve në përgjithësi dhe shitëve iranianë në veçanti këto ditët e sotme.
Si gjithmonë vërehet se feja nuk ka veçse një ndikim shpirtëror te njerëzit, por ajo shpesh përdoret edhe si pretekst për shtypje dhe agresione. Siç ka ngjatë në kohën e kryqëzatave apo kolonializmit.
Prandaj është jashtëzakonisht mirë që shqiptarët nuk duan t’ia dinë aq shumë për fe. Dhe do të ishte edhe më mirë akoma që ritet dhe festat fetare të festoheshin në shtëpi ose në objektet e kultit, sesa në sheshet e qyteteve. Sepse ato tingëllojnë kështu edhe si demonstrim force.
Sa mirë u bë në Vlorë, në Qytetin e Flamurit, ku praktikantët fetarë e festuan Bajrramin e Madh në një stadium. Pa i shqetësuar fare qytetarët e tjerë. Mendoni një çast sikur edhe Novruzi, Pashkët, Krishtlindjet etj të festoheshin në mënyra demonstrative në mes të qytetit!
Feja është dhe duhet të mbetet diçka personale. Sidomos ndër ne shqiptarët që kemi 4 besime të ndryshme ! Megjithë respektin për besimtarët e të gjitha feve, për shqiptarët gjuha dhe flamuri duhet të renditen para tyre. Para se të jemi synitë, katolikë, ortodoksë apo bektashinj, jemi shqiptarë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment