Gërvalla, Albini, Rama dhe rrënimi i marrëdhënieve

      Para 2 ditësh ministrja e jashtme e Kosovës, Donnika Gërvalla, kritikoi ashpër kryeministrin e Shqipërisë, sepse ai bashkarisht me presidentin e Serbisë, Vuçiç, kishin publikuar një thirrje në një të përditshme të njohur gjermane, për pranimin e të gjitha vendeve ballkanike, kandidate për në BE, njëkohësisht në Bashkimin Europian.

    “Sa herë që Vuçiçi i ka punët keq me Europën, del Rama ta mbrojë ». Kjo ishte me pak fjalë esenca e kritikës së kryediplomates kosovare. Por ajo i kujtoi po ashtu Ramës se Shqipëria nuk është më vend fqinj me Serbinë që nga koha e prishjes së ish-Jugosllavisë.  As fqinj gjeografik dhe as historik- nënvizoi ajo.

    Dhe këtu ajo ka të drejtë. Vuçiç, që do të ulet njëkohësisht në tre karrige,  i ka fare keq punët me Bashkimin Europian. Sepse ai nuk u bashkua me Europën në sanksionet e saj ndaj Rusisë kur kjo sulmoi Ukrainën. Po ashtu ai materialet luftarake i blen ose në Rusi ose në Kinë. Ndërsa Bashkimin Europian e do veçse për të përfituar sa më shumë. Por zemrën e ka në Lindje: në Rusi dhe Kinë!

    Por Europës nuk i shpëtojnë këto veprime, prandaj edhe politika e afrimit të Serbisë në BE-në ka ngecur në vend-numëro. Ndryshe kryeministri i Shqipërisë është mik për kokë me ish-komandantin e UÇK-së dhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që gjendet tash e 3 vjet në burgun e Hagës. Ende pa u dhënë dënimi për fajësinë apo pafajësinë e tij.

     Qënia mik me Hashim Thaçin megjithatë nuk duhet ta pengojë Ramën që të mbajë marrëdhënie të paktën korrekte me kryeministrin Kurti. Sepse Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë shumë më lart se grindjet dhe micmicet personale midis dy kryeministrave të dy shteteve shqiptare.

     Por duket se mëria e fshehur e kryeministrit shqiptar ndaj kolegut të tij nga Kosova e ka zanafillën te nisma e Albin Kurtit për ta shtrirë lëvizjen e tij “Vetvendosje” edhe në Shqipëri. Siç ngjau gjatë zgjedhjeve të kaluara legjislative.

    Dhe duhet thënë se kjo nismë nuk u prit fare mirë nga Rama. Ai e konsideroi atë si një ndërhyrje të Albin Kurtit në punët e brendshme të Shqipërisë. Dhe në fakt nisma e Albin Kurtit gjeti shumë pak përkrahje në këtë anë të Drinit.

    Megjithatë këtu duhet theksuar diçka me shumë rëndësi. Përhapja dhe ngulimi i Vetvendosjes në Shqipëri është në përputhje të plotë me idenë e hershme të kryeministrit të Kosovës për bashkimin një ditë të të dy vendeve tona.

    Por çfarë të keqe ka nëqoftëse edhe Partia Socialiste e Ramës dhe ajo demokratike e Berishës hapin edhe ato qëndrat e tyre në qytetet kryesore të Kosovë?! Dhe çfarë të keqe do të kishte sikur të kishim edhe një kampionat të përbashkët futbolli apo edhenjë libër historie të përbashkët? Aq më shumë që deri më tani mezi ia kemi dalë të kemi një abetare të përbashkët!

    Dhe kështu ne ngelim 2 vende të vogla në Ballkan që për më shumë e shohin vëngër njëra – tjetrën! Tragjedi. Hasan Prishtina, Bajrram Curri, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Ismail Qemali dhe shumë e shumë rilindas të tjerë kanë punuar dhe luftuar për një Shqipëri natyrale. Dhe jo për 2 shtete shqiptare që i mbajnë kokën mënjanë njëri – tjetrit. Si dy kokat e shqiponjës në flamurin tonë kombëtar!

     Kjo gjendje duhet të përmirësohet sa më shpejt. Dhe këtu një rol të madh luajnë edhe intelektualët tanë të njohur. Por një fatkeqësi tjetër ka qënë edhe grindja midis 2 korifejve tanë më të shquar, Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses. Për mustaqet e Çelos.  Debati u përqëndrua në temën : Nëse shqiptarët i takonin 100 për qind Europës (Kadare) apo edhe Europës edhe Lindjes myslimane( Qosja)!     

       Të dy mbanin qëndrime ekstremiste. Ne nuk jemi 100 përqind europianë për shkak të fesë dhe kulturës myslimane. “Feja është kulturë” – ka pohuar Volteri. Por feja nuk është gjithçka. Në identitetin tonë europian duhet të llogaritet edhe raca si dhe vendndodhja gjeografike. Por edhe historia e luftrave të popullit shqiptar për liri etj etj.

      Ndryshe politika e Kosovës ka të drejtë të zëmërohet me politikën zyrtare të Tiranës. Rama duket se është shumë i lidhur shpirtërisht me Vuçiçin. Megjithatë ai, pavarësisht të gjithave, nuk duhet t’i dalë atij në mbrojtje, pa u konsultuar më parë edhe me Prishtinën.

     Nuk duhet harruar nga askush se Kosova është pjesë e shkëputur padrejtësisht nga trungu amë. Dhe tani që ajo u çlirua, falë Amerikës dhe NATO-s, është absurditet që të 2 vendet tona të rrinë larg njëri tjetrit.

Nga Viron Gjymshana

P.S. Në 2-3 ditët e ardhshme në këtë blog mund të lexoni edhe një analizë shtesë edhe mbi gabimet e kryeministrit të Kosovës.

Lini një koment