Shqipëria po e tepron shumë me…

         këtë servilizëm të paparë. Në fakt desha të shkruanja b…lëpirje të pështirë, por në respekt të lexuesve të mi, në këtë blog nuk duhet të ketë fjalë jashtë etikës qytetare.

      Kur them që po e tepron shumë e kam fjalën për kryeministrin e vendit, që nuk po tregon asnjë lloj vetëpërmbajtjeje. Dakord. Jemi shtet i vogël, pa peshë, të dobët dhe të pafuqishëm, por kjo nuk do të thotë të thyhemi në mes duke u bërë reveranca të fuqishmëve të kësaj bote.

        Para pak kohësh kryeministri ynë zulmëmadh i ra në gjunjë Melonit, kryeministres së Italisë. Pastaj u shtri barkas para Izraelit dhe më pas vrapoi për në Uashington të nënshkruante Bordin e Paqes apo të Luftës, si  dreqin quhet !

      Dhe sot nxitoi ta shpallte shtetin e Iranit si ndihmës të terrorizmit ndërkombëtar ?! Siç kam shkruajtur po në këtë blog para pak javësh, regjimi 47 vjeçar i mollahëve në Iran për nga forca e shtypjes që përdor ndaj popullit të tij mund të krahasohet vetëm me sundimin komunist 45 vjeçar në Shqipëri ! Të dy e kishin marrë peng vendin. Ata kishin në dorë gjithçka dhe vendosnin për çdo gjë.

       Shkruaj në kohën e shkuar se me sa duken bathët edhe regjimi iranian, tani pas vrasjes së Larijanit, i ka ditët e numëruara.

      Po le të kthehemi në Shqipëri dhe t’i bëjmë pyetjen vetes : përse gjithë ky nxitim i Edi Ramës ?!   A fiton gjë Shqipëria nga kjo sjellje e tij, apo gjithçka ai e bën për të ruajtur pushtetin e tij personal ?!

       Se duket se edhe ky, njëlloj si dikur Sali Berisha, është bërë njësh me pushtetin. Vetëm pak ditë më parë ai deklaroi se opozita po e përdor SPAK-un për ta rrëzuar atë nga pushteti ! Sikur pushtetin t’ia ketë falur Kristaqi !

     Ndryshe historia ka treguar dhe koha ka dëshmuar se mbetia gjatë në pushtet të largon nga realiteti.  Pak nga pak vetja fillon të të ngjajë si shumë i zgjuar. Edhe sepse rrethohesh nga të gjitha anët nga lajkatarë profesionistë.

        Çuditërisht dhe ndryshe nga çfarë pritej me këto lëvizje të çartura, Edi Rama me veprimet e pamenduara që po ndërmerr po i largohet edhe projektit të tij të futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 ?!

       Sepse edhe BE-ja po i mban mëri tani Ramës. Sidomos pas vajtjes së tij rrëmbyeshëm në Uashington. Ndërkohë që Berlini, Londra dhe Parisi e bojkotuan takimin  themelues të Bordit të Paqes. Kur nuk vajtën ata ç’punë ka ky gallofi ngaShqipëria që niset turravrap atje- pyesin njerëzit të habitur ?! Dhe për më shumë edhe pa u konsultuar më parë me shtetet e mëdha të Europës. Prandaj edhe Bashkimi Europian e shtyu para dy ditësh çeljen e kapitujve të rinjë me Shqipërinë, në një kohë që i filloi me Malin e Zi !

       Duket se Rama ishte i shqetësuar vërtet nga ngacmimet e opozitës se FBI-ja do ia bënte atij siç ia bëri Maduros së Venezuelës. Pra do ta arrestonte mu në Surrel !

      Dhe e vërteta është se në atë kohë Rama i kishte vërtet keq punët me Uashingtonin. Që kur ai u tall me Trump-in, në praninë edhe të Macronit, presidentit të Francës, me lajthitjet e njëpasnjëshme të presidentit amerikan që ngatërroi disa herë Armeninë me Albaninë ! Dhe Trump kur e mori vesh këtë tallje u shpreh se nuk do të donte t’ia shihte më sytë kryeministrit të Shqipërisë.

      Kjo deklaratë i ra si gur në stomak Ramës. Por erdhi koha që Uashingtoni të kishte nevojë për sa më shumë firmëtarë të deklaratës së shpalljes së Bordit të Paqes. Dhe ai ftoi në këtë ceremoni edhe kryeministrin e Shqipërisë dhe presidenten e Kosovës.

      Nuk kuptohet mirë se pse nuk ftoi presidentin Bajrram Begaj sesa ftoi Ramën ! Ndofta punë këshilltarësh.

      Sidoqoftë Rama e kapi në fluturim këtë rst dhe ia mbathi për në Uashington pa e kthyer kokën as majtas dhe as djathtas. Dhe fitoi ? Tani ai është i qetë për pushtetin e tij. Me Trump-in u pajtua që kur i dhanë dorën njeri – tjetrit dhe njëkohësisht e bëri opozitën të fliste me vete.

      Pra Rama edhe një herë tjetër i ka punët mirë për vete. Po Shqipëria ?! Pa dyshim shumë më mirë sesa në kohën kur vendi sundohej nga mynxyra më e madhe që ka parë vendi ynë : pra nga maloku me valixhe druri që zbriti në Tiranë nga guvat e Viçidolit ! Dhe përsa kohë që ky i fundit të valëvitet midis këmbëve të shalëgjatit, për aq kohë Rama e ka të siguruar pushtetin e adhuruar.

      Por pyetja është : a nuk po e teprojmë pak si shumë me këto lëpirje ndaj të mëdhenjve dhe të fuqishmëve të kësaj bote ?! A nuk po bëhemi pak si gazi i botës duke kërcyer vend e pa vend përpjetë ?! Dhe siç shkruajta edhe dje, nuk është çudi që Rama me këtë yryshin që ka marrë t’i premtojë Trump-it edhe dërgimin e nja 2 000 ushtarëve në luftën  e Ngushticës së Hormuzit.

       Ndryshe Kosova duhet të dërgojë patjetër ushtarë atje, në rast se ia kërkon Trump. Se i ka borxh Amerikës dhe NATO-s çlirimin nga thundra serbe dhe duhet të ia lajë këtë borxh.

       Por për Shqipërinë është pak më ndryshe. Dihet se i kemi një borxh presidentit Wilson që u shpreh në fillim të shekullit të kaluar, kundër copëtimit të vendit tonë ndërmjet vendeve fqinje. Pra Amerika është dhe mbetet aleati ynë strategjik dhe historik.

      Por kjo nuk do të thotë se duhet të çojmë asqerë dhe jeniçerë në një luftë në fund të dynjasë që as nuk na takon. Një herë një kohë një perandori tjetër na i merrte me zor të rinjtë tanë dhe i degdiste si nizamë deri në Jemen, Liban, Siri etj.

       Por tani sikur të rrimë pak të tërhequr dhe mos të biem shumë në sy nuk do ishte keq. Boll me show personal, për tu dukur dhe për të rënë në sy. Pikërisht se jemi të vegjël, të dobët dhe të pafuqishëm duhet të ruajmë të vetmen gjë që na ka ngelur : dinjitetin.

  Nga Viron Gjymshana

Lini një koment