Në vështrim të parë ky titull duket si bombastik. Por nuk është saktësisht ashtu. Pasi orët e fundit ngjarjet po marrin kthesa të papritura dhe të paparashikuara. Po flasim për ngjarjet në konfliktin amerikano/izraelit me Iranin.
Lufta aty po vazhdon pa ndërprerje. Deri më tani në formën e bombardimeve të ndërsjellta. Dhe duket se presidenti amerikan Donald Trump i është përkushtuar me mish e me shpirt këtij misioni. Arsyet janë jo shumë të qarta. Ka zëra që pohojnë se ai po ndjek symbyllazi interesat izraelite në atë rajon. Sidomos ato të lobit të fuqishëm izraelit në Amerikë.
Deri më tani ai ka deklaruar nja 10 herë se Irani ka marrë fund. Por çuditërisht ai ka 48 orë që ai po bën thirrje thirrje për ndihmë! Në fillim i kërkoi “pjesëmarrje” Australisë, Japonisë, Francës, Anglisë etj që ato të dërgojnë trupat e tyre për të “çliruar” ngushticën e Ormuzit.
Siç dihet kjo ngushticë, nëpër të cilën kalon 20 për qind e naftës dhe gazit në botë është e bllokuar nga regjimi iranian. Edhe sepse është një ngushticë, siç e thotë edhe vetë fjala, – e ngushtë. + – 30 km.
Pra raketat dhe dronët iranianë, dhe ngandonjëherë edhe predhat, mund të kalojnë kollaj nga një breg në tjetrin. Gje që vë në rrezik tani kalimin e të gjitha anijeve naftëmbajtëse që furnizojnë një pjesë të vendeve të botës me “arin e zi”! Boll të përmendim që Japonia plotëson deri në 90 për qind të nevojave të saj me naftë pikërisht nga ky rajon.Tani as Katari, as Emiratet e Bashkuara Arabe, as Omani dhe madje as edhe Arabia Saudite nuk mund ta eksportojnë më naftën e tyre.
Prandaj edhe çmimi i naftës në pothuajse gjitha vendet e botës po njeh vetëm rritje. Duke shtuar frikërat për një krizë të re botërore. Ndërkohë si Japonia, ashtu edhe Australia e kanë hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes së tyre në këtë konflikt.
I gjendur para këtij refuzimi, Trump dje i drejtoi një thirrje pothuajse në formë urdhëri vetë NATO-s, Aleancës së Atlantikut Verior, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Madje ai kërcënoi se në rast refuzimi kjo do të ketë pasoja në të ardhmen e kësaj organizate!
Siç dihet Trump nuk ka qënë kurrë ndonjë përkrahës i madh i kësaj aleance. Që sipas tij i ka shërbyer vetëm interesave të aleatëve europianë. Ai i ka akuzuar po ashtu vendet europiane se nuk paguajnë aq sa duhet për mbarëvajtjen e Aleancës Atlantike. Por duket se europianët po hezitojnë të përfshihen në këtë “kryqëzatë” kundër Iranit.
I pari që reagoi hapur ishte zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius: “NATO nuk ka fare të bëjë fare me këtë konflikt. Aleanca është krijuar thjesht për të mbrojtur territorin e vendeve të saj anëtare” – iu përgjigj thatë ai kërkesës së presidentit amerikan. Të njëjtin qëndrim duket se ka shprehur edhe Greqia dhe disa vende të tjera anëtare të NATO-s.
Por ka edhe disa vende të tjera, si Anglia, Hollanda etj që duket se po përdridhen shumë për të gjetur një përgjigje që të mos bjerë ndesh me dëshirat e Trump-it. Gjithë çështja është se si të bësh që “edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”!
Aq më shumë që ekziston frika e mbështetur në fakte që Trump të dërgojë edhe trupat e tij tokësore në Iran! Dhe kjo do ishte një tragjedi jo vetëm për Amerikën, por edhe për vendet europiane që mund të hidhen në këtë aventurë. Afganistani, Vietnami etj kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e historisë së botës.
Edhe sepse udhëheqësit e vendeve europiane e dinë mirë se popujt e tyre janë tërësisht kundër përfshirjes së vendeve të tyre në luftën ndaj Iranit. Ata kanë vërejtur me kujdes edhe pjesëmarrjen masive të shumë qytetarëve të vendeve të tyre në mbrojtje të Gazës dhe të kauzës palestineze. Prandaj nuk duan t’i shtojnë kokëçarje vetes. Veçse në rast se detyrohen!
Pasi në Europë, si dhe në Amerikë, ekziston ideja se kjo luftë po ngjan thjesht dhe vetëm për interesat e Izraelit. Që ai të mbetet shteti më i fuqishëm i rajonit. Sidomos tani kur aleatët historikë të Palestinës si Iraku, Libia, Siria etj janë shkatërruar me të tëra. Irani mbetet kështu kundërshtari i vetëm i fuqishëm në rajon kundër interesave strategjike të Izraelit.
Por edhe në Amerikën e Trump po shtohen zërat që janë kundër këtij konflikti. Dhe jo vetëm në rradhët e demokratëve, por edhe në ato të republikanëve dhe ish mbështetësve të Trump. Një nga këta është edhe gazetari dhe opinionisti i shumënjohur i “Fox News”, Tucker Karlson, por edhe shumë ish mbështetës të njohur tëTrump-it.
Shumë domethënës është edhe rasti i një veterani të njohur amerikan i luftës në Vietnam gjatë një incidenti që ngjau gjatë një seance dëgjimore të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit Amerikan në Kapitol. Personeli ushtarak po prezantonte aty përgatitjen e ushtrisë amerikane përballë konfliktit në rritje në Lindjen e Mesme, i cili ka shpërthyer që nga sulmi izraelito-amerikan i 28 shkurtit. Midis të pranishmëve ishte edhe Brian McGinnis, një veteran i marinës.
McGinnis e ndërpreu papritur seancën dhe foli me forcë kundër kësaj lufte të re: “Amerika nuk dëshiron t’i dërgojë bijtë dhe bijat e saj në luftë për Izraelin.” – uluriti ai. Pak më vonë, oficerët ndërhynë dhe u përpoqën ta largonin nga dhoma. Por ish-ushtari nuk u dorëzua lehtë. McGinnis u shty dhe u tërhoq deri te dera, ku ai u kap fort. «Askush nuk do të luftojë për Izraelin», vazhdoi të bërtiste McGinnis, ndërsa tre persona u përpoqën ta nxirrnin jashtë.
«Dora e tij, dora e tij!» thirrën papritur dëshmitarët. Dora e tij ishte bllokuar midis derës dhe kornizës, ndërsa veterani po shtyhej ende jashtë. Presioni dhe forca e kombinuar përdredhëse përfundimisht ia theu krahun. Ish-marinsi u shoqërua kështu, i shtyrë nga të gjitha anët, jashtë ndërtesës së Kapitolit.
Por ish-Marins e kishte filmuar veten përpara Kapitolit, edhe gjatë një demonstrate ku u mblodhën shumë veteranë, vetëm pak para veprimit të tij. Në një video të postuar në faqen e tij në Instagram, ai e kontekstualizoi dhe e qartësoi edhe më shumë veprimin e tij: “Jam këtu në Uashington, duke u përpjekur të përballem me Senatin dhe t’i pyes pse duhet t’i dërgojnë burrat dhe gratë tona në luftë, kur përfaqësuesit tanë të zgjedhur thanë se nuk do të kishte luftë të re. Për këdo që ndihet i zhgënjyer ose i tradhtuar nga qeveria jonë: nuk jeni vetëm. Bashkohuni me ne në kërkimin e llogaridhënies për këtë tradhti. Palestina e lirë, Amerika e lirë! Let’s go!”- shprehet ai.
Por nga Trump mund të presësh gjithçka. Kêshtu psh nëqoftëse vendet e NATO-s refuzojnë kërkesën e tij, nuk është çudi që ai ta largojë Amerikën nga gjiri i Aleancës Atlantike. Ky është rreziku.
Deri më tani nuk njihet ende reagimi i Shqipërisë ndaj kësaj thirrjeje të Trump. Por nga Edi Rama mund të presësh gjithçka. Ai mund të shprehet psh i gatshëm të dërgojë ushtarët shqiptarë të luftojnë në Gjirin e Ormuzit. Megjithëse Shqipëria nuk ka asnjë luftanije që të shkojë deri atje! Veçse nëse i merr hopa ndonjë vend tjetër anëtar i NATO-s. Por kjo është thjesht fantazi. Të presim dhe të shohim më mirë me durim se si do shkojnë ngjarjet. Por bathët nuk duken të mbara. Një ndërkombëtarizim i këtij konflikti ku të përfshihen edhe Arabia Saudite dhe vendet e NATO-s mund të na afrojë edhe më shumë me rrezikun e një Lufte të Tretë Botërore. Situata po nxehet dhe rreziku po shtrihet.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment