Para pak ditësh ju njohëm me multimiliarderët më të pasur të globit. Që zotëronin një pasuri nga vetëm disa miliardë dollarë të shkreta për disa në mbi 800 miliardë dollarë për ndonjë tjetër! (Elon Musk). 800 miliardë duket si një fjalë goje po fillo një herë të numërosh nga njëshi te 800 miliardëshi! Gjatë një minuti mund të numërosh deri te +- 60. Gjatë një ore mund të arrish te numri 3600. 3 600 x 24 = 86.400 gjatë një dite dhe nate. Për të arritur te numri 860 miliardë, aq sa është psh pasuria e Elon Musk, duhet të numërosh pa ndërprerje përgjatë 7 netëve dhe ditëve! Dhe e gjithë kjo për t’ju treguar se çfarë do të thotë të zotërosh disa miliarda! Nuk janë gurë lumi.
Sidoqoftë të gjithë këtë pasuri shumica prej tyre e kanë vënë afërsisht përgjatë këtyre 40 viteve të fundit falë gjenisë dhe guximit personal. Ata nuk i kanë futur askujt dorën në xhep. Kështu për pronarin e “Tesla”-s, për krijuesit e “Window”, “Amazon”, “Google”, Pay Pal etj etj.
Por ka edhe pasuri që janë vënë brez pas brezi. Dikush ka nisur psh një aktivitet fitimprurës diku. Të cilin e kanë trashëguar më pas bijtë e tij dhe bijtë e bijve e kështu me rradhë (X & sons)!
Aq shumë janë rritur, shtrirë dhe dhe fuqizuar disa nga këtë ndërmarrje, që e kanë nisur aktivitetin e tyre së paku në fillim të shekullit të kaluar, saqë ato drejtohen sot, jo më nga trashëgimtarët e ligjshëm, por nga drejtora të përgjithshëm të emëruar nga asambleja e përgjithshme e aksionerëve.
Sepse disa syresh janë kthyer sot në shumëkombëshe ndërkombëtare dhe veprojnë dhe prodhojnë në shumë vende të botës njëkohësisht.
Vetëm konglomerati i makinave “Ford” thuhet se drejtohet edhe sot e kësaj dite nga trashëgimtarët e Henry Ford, krijuesit të kësaj firme, para më shumë se 100 vitesh. Prandaj nuk duhet të çuditemi edhe nga rrogat me të cilën paguhen sot drejtuesit e këtyre kompanive shumëkombëshe.
Kështu psh drejtori i përgjithshëm i birrave të famshme “Stella Artois” dhe “Jupiler” me seli në Belgjikë, fitoi vitin e kaluar një bonus (shpërblim) prej 85.8 milionë eurosh vetëm në aksione. Se jo më kot birrat dhe çokollatat belge mbahen si më të mirat në botë.
Por dikush mund të shtrëmbërojë buzët kur të mësojë se Michel Doukeris (53 vjeç), CEO ( Cheaf Executive Officer) i AB InBev, krijuesja e fabrikave të birrës, fitoi gati 1.800 herë më shumë vitin e kaluar sesa punonjësi me pagë më të ulët në fabrikën e birrës Jupiler dhe Stella Artois. Kjo sipas raportit të ri vjetor të gjigantit ndërkombëtar të birrës. Vini re: 1 800 herë më shumë!
Ndryshe Enver Hoxha në vitet ’80 kishte një rrogë prej 17 000 lekësh të vjetra në muaj. Ndërsa rroga më e ulët e një punëtori në fabrikë apo uzinë ishte 4 400 lekë të vjetra. Pra një ndryshim prej 1 me 4 !
Konkretisht vetëm në vitin 2025, Doukeris mori, përveç pagës së tij fikse, edhe 85.8 milionë euro në aksione dhe opsione. Një rekord në Belgjikë ky. “Ky është një lloj kompensimi tipik alla amerikan”, shpjegon Xavier Baeten, një profesor i specializuar në çështjet e pagave.
Pasi si një kompani e regjistruar në Bursë, AB InBev është e detyruar ligjërisht të bëjë të ditur paketën e plotë të pagave dhe shpërblimeve që merr drejtori i saj i përgjithshëm. Kjo do të thotë që paga e tij fikse, si dhe bonuset, opsionet e aksioneve dhe përfitimet e tjera, publikohen në raportin vjetor të kësaj kompanie.
Sidoqoftë nuk duhet harruar se këtu kemi të bëjmë me një ndërmarrje private, e cila mund t’i pagujë punonjësit e saj sa dhe si të dojë. Boll që t’i ketë paguar taksat në rregull shtetit ku gjendet.
Për kompanitë më të mëdha në Belgjikë si dhe në vendet e tjera të Europës, raporti normal ndëmjet pagës më të lartë dhe më të ulët është përgjithësisht midis 100 dhe 150 me 1. Me fjalë të tjera, një CEO fiton 100 deri në 150 herë më shumë në një vit sesa punonjësi me pagë më të ulët në kompaninë e tij.
Ndryshe është puna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vetëm një pjesë e vogël e shpërblimit përbëhet nga një pagë fikse. Zakonisht pjesa tjetër përbëhet nga bonuse afatgjata dhe opsione në aksione.
Ky është edhe rasti i braziliano/amerikanit, Michel Doukeris. Deri në vitin 2025, vetëm 2% e kompensimit të tij total ishte me pagë bazë. 98% e mbetur bazohej në performancë (arritjet), e paguara përmes bonuseve dhe opsioneve të aksioneve. Që do të thotë: sa më mirë shkon kompania, sa më shumë shtrihet dhe përhapet, sa më shumë që fiton, aq më shumë paguhet edhe drejtori i saj i përgjithshëm.
Doukeris, i cili pasoi Carlos Brito si Drejtor Ekzekutiv i AB InBev në korrik 2021, kishte një pagë bazë prej “vetëm” 1.36 milionë eurosh vitin e kaluar. Kjo pagë u plotësua nga një bonus vjetor prej 3.48 milionë eurosh, pasi ai arriti me sukses një pjesë të konsiderueshme të objektivave të kompanisë. Duke përfshirë afërsisht edhe 231.000 euro në përfitime pensionesh dhe sigurimesh, kompensimi i tij i drejtpërdrejtë në vitin 2025 arriti në 5.07 milionë euro.
“Deri më tani, kjo është një shumë standarde për drejtorët ekzekutivë të kompanive më të mëdha, por krahasimi mbaron këtu. Edhe në të gjithë Evropën, ka pak kompani që aktualisht janë në gjendje të ofrojnë paketa aksionesh kaq të konsiderueshme sa AB InBev.”- shprehet ekonomisti Xavier Baeten.
Ideja e bonuseve të bazuara në aksione ka si synim harmonizimin më të mirë të interesave të drejtorit ekzekutiv apo pronarit dhe aksionarëve. “Nëse çmimi i aksioneve rritet, të gjithë përfitojnë. Por efektiviteti aktual i këtij sistemi është i diskutueshëm. Paketat e mëdha të aksioneve, për shembull, mund t’i bëjnë menaxherët të përqendrohen shumë në projektet afat-shkurtëra ose anasjelltas, të bëhen tepër të kujdesshëm, sepse pasuria e tyre personale është e lidhur me to.”
Prandaj drejtuesit e lartë të firmave të fuqishme inkurajohen fuqimisht të riinvestojnë bonuset e tyre në kompani. Michel Doukeris psh bëri pikërisht këtë. Në mars të vitit 2025, ai investoi të gjithë bonusin e tij të vitit 2024 në aksione. Ai bleu 49.208 aksione. Si një nxitje shtesë, kompania i dha atij edhe 134.480 aksione të tjera, të cilat do të bëhen të tijat pas një periudhe trevjeçare, me kushtin që ai të mbetet në pozicionin e tij të sotëm.
Vitin e kaluar, ai mori gjithashtu edhe disa qindra mijë aksione shtesë të cilat, nëse kompania performon mirë, do të bëhen të tijat brenda pak vitesh.
Prandaj, Michel Doukeris arkëtoi 1.423.122 opsione aksionesh që datojnë nga viti 2020, me një çmim fiks blerjeje prej 40.40 € për aksion. Meqenëse çmimi i aksionit ishte asokohe rreth 57 € ai realizoi kështu një fitim prej 16.60 € për aksion, që do të thotë një fitim kapitali prej mbi 23.6 milionë €.
Në total, aksionet dhe opsionet e vitit 2025 përfaqësojnë një vlerë prej gati 85.8 milionë eurosh. Për të qenë më të saktë, 90.834.015 euro së bashku me rrogën e tij vjetore. Një shumë kjo e konfirmuar nga vetë AB InBev.
Edhe në anketat e fundit të personave me të ardhurat më të larta në BEL 20 (indeksi i bursës i njëzet kompanive më të mëdha), pagat më të larta në përgjithësi variojnë midis 7 dhe 15 milionë euro në vit, duke arritur ndonjëherë kulmin mbi 20 milionë pas një largimi ose ndarjes së një kompanie. Për shembull, CEO Ilham Kadri mori një bonus të vetëm prej 12 milionë eurosh kur grupi kimik Solvay dhe Syensqo u ndanë në fund të vitit 2023, duke e çuar pagën e tij për vitin 2023 në 22 milionë euro.
Siç shihet kapitalizmi krijon edhe pasuri edhe të pasur, ndërsa socializmi duket se e shpërndan pasurinë tek të gjithë. Kjo është ajo që është cilësuar edhe si ekonomia sociale e tregut! Ndofta edhe Shqipëria duhet të marrë shembull.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment