Nuk u mbushën ende 24 orë që kur Kuvendi i Republikës së Shqipërisë mori vendimin për të mos i hequr imunitetin deputetes dhe ish zv/kryeministres Belinda Balluku dhe në rrjet vërshuan komentet e ambasadorëve të Bashkimit Europian, madje edhe të vetë zëdhënësit të Komisionit Europian në Bruksel.
Dhe po t’i çveshim këto deklarata nga llustra e zakonshme diplomatike, ato duken qartë si kritika të rrepta ndaj qeverisë shqiptare. Thelbi i tyre ishte i njëjtë: si vend që pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, Tirana duhet të ndjekë politikën zyrtare të BE-së!
Shihet qartë se BE-ja është e zëmëruar me politikën e qeverisë shqiptare. Sidomos dhe kryesisht pas vizitës dhe pjesëmarrjes së Shqipërisë dhe Kosovës në takimin përurues të bordit të paqes në Uashington.
Dihet se marrëdhëniet ndërmjet Europës dhe Amerikës janë përkeqësuar ndjeshëm, që kur presidenti amerikan Donald Trump vendosi sanksione ekonomike ndaj vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Por ky përkeqësim njohu një majë të re kur Trump pretendoi të aneksonte edhe ishullin e Groenlandës. Një ishull autonom ky, por që prej 200 vjetësh bën pjesë në mbretërinë e Danimarkës, vend anëtar ky i Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Siç kemi shkruar edhe më parë, Rama e priti me një gëzim të paparë ftesën e Trumpit për të marrë pjesë në këtë takim. Këtu rol të madh kishin luajtur edhe pritja e Ivanka Trumpit, vajzës së presidentit amerikan, në selinë e Këshillit të Ministrave në Tiranë, me të gjitha nderimet që i takojnë normalisht një kryetari shteti. Por njëkohësisht edhe vizita e tij e aq keqpërfolur në Izrael!
Ndërsa Rama dhe Osmani nuk ngurruan asnjë çast të merrin pjesë në këtë ceremoni, vendet e mëdha të Europës u ngrysën: “Kur nuk po shkojmë ne në këtë ceremoni, çfarë pune ke ti o pallosh, të dalësh para nesh” – ky dukej se ishte edhe reagimi i Francës, Gjermanisë, Anglisë etj ndaj kësaj vizite.
Dhe këtu ka diçka që duket si e paqartë. Shqipëria mëton me të vërtetë të hyjë në familjen e 27-shes të BE-së. Por nga ana tjetër ajo vrapon pas Trump-it. Dhe pyetja që shtrohet është: “Me kë është Shqipëria, cila është strategjia e saj gjeopolitike?!”.
Sepse Rama duket sikur do ta mbajë mirë me të gjithë. Edhe me Erdoganin, edhe me Izraelin; edhe me Europën edhe me Amerikën! Por ndofta si atij, si dhe shtetit shqiptar i ka ardhur koha të zgjedhin.
Më përpara ishte e thjeshtë: “Ne jemi me Oksidentin se nuk kemi ku të shkojmë tjetër” – pohonte Rama me zë të fortë dhe kënaqësi të pafshehur.
Por sot Perëndimi është i ndarë më dysh. Dhe shumë më shumë sesa duket në sipërfaqe. Europa veçanërisht është tejet e zëmëruar me Trump-in që kur ky i fundit e ka cilësuar BE-në si rival. Europianët ishin mësuar përgjatë 80 viteve të mbroheshin nga ombrella amerikane. Ideja e tyre atëhere dhe tani ishte një dhe e pandryshuar: ”Hajde t’i zgjidhim hallet e globit së bashku. Dhe po së bashku të mbrojmë interesat tona”. Por Trump-i me arrogancën që e karakterizon u tha: ”Ik mbushuni se nuk kam nevojë për ju!”.
Kjo ishte si një goditje në stomak për shtetet e mëdha të BE-së. Dhe megjithëse ato ende vazhdojnë ta miklojnë dhe t’i buzëqeshin Trump-it, inatin e mbajnë të fshehur brenda. Ose në rastin më të keq ia shfryjnë Shqipërisë së vogël dhe të pafuqishme.
Prandaj edhe ambasadorët e Gjermanisë, Hollandës dhe Anglisë nuk ngurruan sot ti tregojnë kufirin Ramës. I cili u detyrua tu kundërpërgjigjet duke u thënë se Balluku nuk është akuzuar për korrupsion, prandaj edhe vendimi i Kuvendit ka qënë i drejtë. Një përplasje e hapur kjo.
Reagim që me siguri është mbajtur shënim edhe nga nëpunësit e kancelarive perëndimore në Tiranë, si dhe nga Brukseli.
Tani Rama do të jetë i detyruar të bëjë shumë akrobacira për tu pajtuar përsëri me BE-në. Siç po vepron ditët e fundit me Turqinë. Sepse edhe marrëdhëniet me këtë aleat strategjik morën një të krisur të thellë pas qëndrimit të përulur dhe ultraservil të Ramës në Jeruzalem.
Atëhere si do vazhdojnë marrëdhëniet e Ramës me BE-në?! A do ia falin të mëdhenjtë e Bashkimit Europian kuturisjen e tij në Uashington pa u marrë leje më parë atyre?! Koha do ta tregojë. Por diçka duket tejet qartë që sot: – se afrimi i Shqipërisë me BE-në është vështirësuar.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment