Siç dihet në Manzë gjendet një kontigjent i muxhahedinëve iranianë, armiq të betuar të sistemit që sundon sot në Teheran. Prandaj edhe Irani i ka ata halë në sy. Edhe sepse ky kontigjent ka ide të majta, pothuajse marksiste – leniniste, që bien ndesh hapur me doktrinën islamiste të mollahëve në Teheran.
Prandaj në Tiranë janë shqetësuar me të drejtë se mos regjimi obskurantist dhe terrorist iranian vë në shënjestrën e raketave të tij edhe Shqipërinë. Aq më shumë që deri tani ai nuk ka ngurruar të sulmojë nja 10 vende fqinje ku gjenden të stacionuara bazat amerikane.
Po teknikisht a është i mundur një sulm iranian mbi Tiranën?! Dhe kur mund të ngjasë ai?! Deri më tani duket se regjimi iranian po i mban në rezervë raketat e tij balistike, raketa që janë shumë më shkatërruese dhe më të vështira për t’u kapur sesa dronët dhe raketat kruiz të lëshuara masivisht kundër aleatëve të SHBA-së në rajon. Dhe thuhet se me armë të tilla, një sulm ndaj kryeqyteteve europiane nuk është edhe aq i pamundur, siç pohojnë shumë ekspertë. Dhe normalisht duhet të ruhesh nga bisha e plagosur.
Kështu psh një raketë balistike “Qadr H” transporton 750 deri në 850 kg eksploziv me një rreze veprimi prej 1.700 ose edhe 2.000 km. Domethënë praktikisht deri në Bukuresht të Rumanisë. Por thuhet se këto nuk janë raketat më të sofistikuara që disponon Irani.
Deri më tani hakmarrja e Teheranit ka goditur të gjitha shtetet e Gjirit, aleate të SHBA-së, por po ashtu dhe Irakun dhe Qipron. Dhe pavarësisht dëmtimit të municioneve gjatë “luftës 12-ditore” të qershorit të kaluar dhe këtij të tanishmit, Irani ende duket se zotëron dronë dhe raketa të mjaftueshme.
Për më shumë mendohet se këto raketa janë të afta të godasin shumë larg, duke ngritur shqetësime deri në Evropën Jugore. Sistemet e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi të Iranit konsiderohen përgjithësisht raketat Khorramshahr, Sejjil, Ghadr dhe Emad të cilat thuhet se mbahen ende të fshehura në tunelet e nëntokës.
Dhe kur përmendim raketat balistike nënkuptojmë se këto armë janë në thelb të afta të ngjiten deri në stratosferë përpara se të godasin objektivin e tyre në tokë me shpejtësi shumë të lartë.
Ndryshe këto raketa janë shumë të vështira për t’u rrëzuar dhe mbajnë edhe mbushje luftarake të fuqishme shpërthyese. Kështu psh modelet Emad, Ghadr dhe Sejjil, sipas specialistëve perëndimorë të mbrojtjes, thuhet se mbajnë mbushje luftarake që peshojnë midis 750 dhe 850 kg, me një rreze veprimi prej 1.700 deri në 2.000 km, duke arritur deri në Athinë ose Bukuresht. Po në Tiranë?!
Ndërsa khorramshahr thuhet se është i aftë të mbajë një mbushje luftarake prej 1.800 kg me një rreze veprimi të ngjashme, por që mund të arrijë objektiva më të largëta, por me një ngarkesë më të vogël shpërthyese. Deri në 3.000 km, sipas ‘Defense Express’, dmth përtej Berlinit ose Firences. Dmth që ai mund të godasë edhe Tiranën ose kampin e muxhahedinëve në Manzë!
Stoku i raketave balistike të Iranit mbetet megjithatë ende i panjohur, por pa asnjë dyshim ai është i kufizuar. Izraeli e vlerëson atë në 2.000 deri në 2.500 syresh. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se regjimi i ka mjetet për t’i lëshuar të gjitha ato njëkohësisht, por që nga 28 shkurti kur filloi lufta, këto raketa duket se po ruhen me kujdes të veçantë.
Përgjigja ndaj sulmeve izraelite dhe amerikane deri më tani ka konsistuar kryesisht në raketa kryqëzorësh, të cilat veprojnë në lartësi të ulët ose me dronë shpërthyes si i shumënjohuri “Shahed”. Të gjitha këto armë kanë rreze veprimi të ndryshme nga 1.000 deri në 2.500 km në varësi të modelit dhe janë relativisht të lehta për t’u rrëzuar.
Megjithatë dhe duke supozuar një çast se regjimi iranian e drejton zjarrin e tij edhe drejt Europës, kontinenti europian në fakt nuk ka pse trëmbet pasi ai zotëron një ombrellë mbrojtëse nga raketat me origjinë amerikane, siç është psh Aegis Ashore në Deveselu, Rumani, i pajisur edhe me interceptorë SM-3. Anijet e vendosura në Mesdhe po ashtu mund t’i rrisin aftësitë e tyre të interceptimit. Vendet evropiane kanë gjithashtu edhe mbrojtjet e tyre speciale, siç është psh sistemi gjerman Arrow 3. Franca po shtu ka sisteme mbrojtëse nga raketat.
Përveç kësaj, shumë vende evropiane zotërojnë edhe sistemet amerikane Patriot ose avionë luftarakë të aftë për të interceptuar një raketë lundrimi dhe akoma edhe më shumë një dron siç janë avionët F-16.
Por duke supozuar se Europa është në shënjestër, lufta në Lindjen e Mesme dëshmon se rreziku nuk vjen kryesisht nga raketat më të fuqishme, por nga përdorimi i armëve me kosto të ulët. Ndërsa shumica e këtyre predhave po interceptohen, kjo ngjan se kemi të bëjmë këtu me interceptorë tejet të shtrenjtë siç është psh “Patriot”.
Thuhet se prodhimi global i raketave “Patriot” arrin në rreth 620 njësi në vit, por me një kosto mbi tre milionë dollarë secila. Nga ana tjetër Teherani mburret se zotëron mijëra dronë dhe raketa, të ruajtura në tunele të gjata të gërmuara thellë nën male!
Por këtu lind pyetja: Nëse kjo është e vërtetë, pse Irani nuk e përdor më shumë arsenalin e tij ushtarak për vetëmbrojtje? Dhe në fakt cilat janë aftësitë e tij sulmuese?!
Në letër, ushtria iraniane ngjan me një gjigand ushtarak. Me një forcë operative prej mbi 600.000 ushtarësh? Por kjo nuk është gjëja më e rëndësishme në këtë luftë. Siç dihet të kesh dhjetëra mijëra ushtarë dhe tanke është e dobishme për të zhvilluar një luftë tokësore kundër një vendi fqinj. Por, në këtë rast, këto trupa mund ta mbrojnë në rastin më të mirë regjimin, nëse popullsia do të revoltohej. Çfarë vlere kanë ato tani kundër raketave “Patriot”?. Asnjë vlerë.
Por fuqia e vërtetë goditëse e Iranit duket se mbështetet në raketat e tij balistike dhe në rezervat e tij të mëdha të dronëve. Ja dhe një shembull tjetër: Për katër vjet me rradhë Rusia ka luftuar kundër Ukrainës duke përdorur pikërisht dronët iranianë. Droni “Shahed” psh ka një rreze veprimi prej 1.000 kilometrash, gjë që i lejon të arrijë të gjitha vendet e Gjirit. Ai madje mund të arrijë edhe Qipron, gjë që tregon se përbën edhe një kërcënim për atë vend.
Ndryshe pohohet se para fillimit të luftës 12-ditore në qershor 2025, Irani zotëronte një nga arsenalet më të mëdha të raketave balistike dhe dronëve në Lindjen e Mesme. Vendi kishte veçanërisht raketa lundrimi (kryqëzorësh dhe fregatash) si dhe 3.000 raketa balistike. Përafërsisht 2.000 prej tyre janë ende sot në gjendje luftimi me një rreze veprimi deri në 2.000 kilometra.
Irani zotëron gjithashtu, sipas specialistëve perëndimorë, 7.000 deri në 8.000 dronë me rreze të gjatë veprimi. Por duket se aktualisht, vendi po përdor kryesisht rezervat e tij të vjetra dhe më pak të sofistikuara për t’iu përgjigjur sulmeve izraelito-amerikane.
Dhe kjo zgjedhje duket se është e qëllimshme. Kështu psh Teherani po i detyron Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të përdorin sistemet e tyre të shtrenjta të mbrojtjes ajrore kundër raketave me cilësi më të ulët dhe shumë më të lira iraniane. Armët më të përparuara vazhdojnë të mbeten rezervë tash për tash. Dhe kjo është e rrezikshme. Se ato duket se janë të destinuara për përdorim në rast të një kërcënimi të vërtetë të rënies së regjimit.
Prandaj Irani nuk po ndërmerr ende asnjë sulm masiv kundër Izraelit. Sepse nëse Teherani do të përdorë të gjithë dronët e tij njëherësh, shumë shpejt ai do të gjendej pa asnjë mundësi sulmi apo kundërsulmi.
Verën e kaluar, objektet bërthamore dhe mbrojtja ajrore e Iranit u shënjestruan rëndshëm nga sulmet izraelito-amerikane. Por burime të mirinformuara në Izrael pohojnë se Irani është ende i aftë t’u shkaktojë dëme kundërshtarëve të tij. Ata, iranianët, kanë goditur tashmë më shumë se 2.000 objektiva ushtarake në Izrael, Jordani, Irak, Kuvajt, Bahrein, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Dhe ky numër vazhdon të rritet dita ditës.
Me këtë rast mund të supozohet se iranianët po e moderojnë përgjigjen e tyre tani për tani. Ata po qëllojnë me kursim dhe nuk po synojnë objektiva ‘me vlerë të lartë’, siç janë psh objektet e gazit dhe naftës.
Dhe nëse iranianët e bllokojnë plotësisht psh Ngushticën e Hormuzit, ata mund të paralizojnë edhe një pjesë të madhe të eksporteve të naftës dhe për këtë arsye të ndikojnë fuqishëm edhe në tregtinë botërore. Është një armë që ata nuk e kanë përdorur ende plotësisht.
Forca e tyre duket se qëndron pikërisht në thjeshtësinë e luftës që ata bëjnë. Ata praktikisht nuk kanë forcë ajrore operative, por përdorin milicitë si Hezbollahu ose Huthët për t’ua vështirësuar jetën armiqve të tyre. Huthët psh kanë luftuar në Jemen për vite me radhë. Vitin e kaluar, amerikanët humbën atje edhe një avion luftarak.
Ndryshe dihet se një raketë amerikane “Patriot” kushton një milion dollarë. Prandaj Irani po përpiqet ta shterojë këtë rezervë me dronë që kushtojnë 150.000 dollarë!
Sipas specialistëve ushtarakë perëndimorë, Irani ka zgjedhur një strategji afatgjatë. Në këtë fazë, Teherani nuk është në gjendje të konkurrojë me superioritetin izraelito-amerikan, por po shpreson se kundërshtarët e tij do të lodhen më shpejt se ai. Por duket se e ka gabim. Pikërisht dje zëdhênësja e Shtëpisê së Bardhë pohoi se forcat amerikane janë në gjendje të mbajnë ritmin e tanishëm të goditjeve edhe për 5 apo 6 javë të tjera.
Dihet mirë se Amerika ka shpenzuar shumë armatim gjatë epokës së Xho Biden duke ndihmuar Ukrainën. Prandaj amerikanët druajnë se nuk do të jenë në gjendje të mbajnë një forcë kaq të madhe goditëse në rajon për muaj të tërë.
Megjithatë Irani mbetet i vetmuar. Nuk ka aleatë të vërtetë. Të paktën zyrtarisht. Ndryshe Izraeli ka pas vetes Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj Irani po pret momentin kur rezervat amerikane të raketave në Lindjen e Mesme të shterohen. Dhe këto nuk mund të zëvendësohen lehtë. Sepse siç thamë një raketë “Patriot” kushton një milion dollarë.
Me 90 milionë banorët e tij, Irani zotëron po ashtu një potencial të madh mobilizimi. Kjo e bën atë një aktor që, pavarësisht prapambetjes teknologjike, mund ta bëjë këtë luftë shumë të rrezikshme!
Edhe Shqipëria dashur pa dashur është e përfshirë në këtë betejë. Edhe si vend anëtar i NATO-s, por më shumë edhe për shkak të muxhahedinëve të Manzës. Të shohim tani si do shkojnë ngjarjet. Po dje presidenti amerikan u shpreh se nuk do të ketê më negociata me Iranin deri në njê kapitullim të plotë pa kushte të tij.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment