Afati po i afrohet pikës kritike. Nuk ka ngelur dhe shumë kohë për të zgjedhur presidentin ose presidenten e re të vendit. Deri më tani kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar dy takime protokollare me kryetarët e partive opozitare, PDK dhe LDK. Por pa arritur asnjë përfundim.
Me shumë gjasa partitë opozitare nuk do paraqesin kandidatïn e tyre për postin e presidentit të republikës. Sepse ato janë ende tejet të tronditura nga rezultatet e dobëta të arritura në zgjedhjet e fundit legjislative. Pra kjo barrë i mbetet tani kryetarit të Lëvizjes VetëVendosje dhe njëkohësisht të parit të qeverisë.
Por fakti që deri më tani pozita nuk ka rënë në marrëveshje me opozitën flet shumë. Kjo tregon se Kurti e ka një plan në mëndjen e tij, prandaj as nuk nxitohet dhe as nuk shqetësohet. Por askush nuk e di se çfarë ai bluan në kokë. Kurti e ka treguar veten si politikan i zoti që ka kaluar deri më sot me sukses shumë sfida të rrezikshme dhe çuditërisht përgjatë tyre veçse është fuqizuar.
Pikëpyetje e madhe ngelet tani veçanërisht roli i presidentes së deritanishme Vjosa Osmani. Ajo është shprehur haptazi se e dëshiron edhe një mandat të dytë në këtë post. Por asnjë përgjigje ndaj kësaj dëshire nga ekipi qeveritar. Heshtje varri. Sikur ajo të mos ekzistonte!
Ndjehet se Albin Kurti nuk është shumë i lumtur nga prania dhe pesha e presidentes së Kosovës sa brenda, aq edhe jashtë vendit. Ajo gëzon një reputacion të mirë dhe ka marrë pjesë edhe në takimet më të rëndësishme ndërkombëtare që janë mbajtur sa në Tiranë, aq edhe në Uashington. Ndërkohë që Kurti është mbajtur larg, pothuajse në izolim. Dhe nuk është sekret se osmani ka marrëdhënie të ngrohta edhe me presidentin Donald Trump.
Dhe kjo nuk është pak për një vend të vogël dhe ende i pa njohur plotësisht nga Bashkimi Europian dhe OKB-ja. Në një rast tjetër ky qëndrim dhe këto marrëdhënie do të ishin një “as nën mëngë” për poitikën kosovare.
Po atëhere si spjegohet kjo heshtje?! Pse Kurti nuk ka deklaruar deri më sot se ai e mbështet një mandat të dytë për Vjosa Osmanin në postin e presidentes së vendit?!
E vërteta është se presidentja e tashme gëzon, siç thamë, një përshtypje pozitive edhe midis zgjedhësve në Kosovë. Sepse ajo nuk i ka tejkaluar asnjëherë kompetencat e saj dhe është kujdesur për t’i ruajtur ballancat e pushteteve. Duke i dhënë herë pas herë edhe pak mbështetje Albin Kurtit.
Por mos vallë ajo po i bën si shumë hije atij?! Mos vallë ajo nuk është aq e bindur dhe e “urtë” sa do kishte dëshiruar i pari i qeverisë në Prishtinë?!
Një gjë është e qartë: Zgjedhja apo rizgjedhja e Osmanit si presidente e Kosovës veçse do t’i bënte mirë vendit. Do të ishte tragjedi që Kurti të propozonte për këtë post dikë tjetër, jo shumë të njohur, por shumë të bindur ndaj tij.
Se kështu ka vepruar edhe Edi Rama në Tiranë. Me fuqinë që i ka dhënë vota e popullit, ai zgjodhi për president një figurë fare pak të njohur në rrethet politike dhe intelektuale të vendit. Jo se Bajrram Begaj ka bërë ndonjë gabim deri më sot. Përkundrazi ai është treguar i qetë dhe kompetent. Por shembulli merret për të treguar se të “fuqishmit” kanë nevojë për yesmena, për njerëz të bindur dhe që nuk u bëjnë hije.
A do veprojë edhe Albin Kurti kështu?! Askush nuk e di. Ka shumë mundësi që në raundin e tretë ai ta propozojë Vjosa Osmanin në këtë post. Dhe ndofta kështu shpjegohet edhe heshtja e tij. Në rast të kundërt Albin Kurti do të dëshmojë se mendon më shumë për veten dhe pushtetin e tij, sesa për Kosovën.
Pasi siç thamë Vjosa Osmani është një “atu”, një e mirë e madhe për stabilitetin e vendit. Ndryshe vajtja në zgjedhje të parakohshme është e padëshiruar sa nga populli i Kosovës, por po aq edhe nga mbarë klasa politike e vendit. Zgjedhjet e fundit legjislative kanë vetëm pak muaj që janë mbajtur, prandaj askush nuk ka nevojë për zgjedhje shtesë. Kosova nuk e ka më këtë lluks.
Si do të veprojë Albin Kurti?! Për kë do mendojë ai më shumë?! Për të mirën e tij, apo për atë të Kosovës?! Kjo do merret vesh shpejt se edhe vetëm pak orë kanë mbetur nga zgjedhja e madhe!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment