Atëhere kur askush nuk e priste, atëhere kur Rama kishte deklaruar se Belinda Balluku, zëvendësja e tij, i kishte paraqitur 3 herë dorëheqjen nga posti dhe ai e kishte refuzuar, pikërisht atëhere ai e shkarkoi atë nga detyra.
Dhe që të mos dukej sikur u zbyth nga opozita apo nga SPAK-u, ai ndryshoi me këtë rast edhe gjysmën e qeverisë. Hoqi disa që nuk kuptohej pse i kishte vënë në ato poste dhe i zëvendësoi me disa të tjerë që nuk dihet përsëri se përse i ka emëruar në ato ofiqe!
Sepse presioni kishte filluar të rritej. Jo aq nga opozita e zgërlaqur dhe e padenjë, se sa nga njerëzit e thjeshtë. Që po vërenin dhe po bindeshin çdo ditë e më shumë se punët nuk po shkonin më mirë me këtë qeveri. Se rrugët psh, të cilat pothuajse ishin paguar me flori, po shembeshin njëra pas tjetrës. Nga cilësia e dobët, nga mungesa e kontrollit, nga korrupsioni që gëlonte pengonte pothuajse gjithçka.
Dhe pavarësisht vajtjes në Uashington, si goma e shpëtimit para mbytjes, Rama e kishte humbur qetësinë. Bashkë me të edhe arrogancën dhe fodullëkun që e karakterizonte. Kishte qënë i bindur se ishte më i miri, më i zoti, se do rrinte në pushtet aq sa ia kishte qejfi dhe do largohej veçse kur të velej nga të mirat e tij. Por ngjarrjet rrodhën ndryshe. Dhe ai po e ndjente pakënaqësinë në rritje.
SPAK-u kishte marrë revan dhe nuk po ndalonte së godituri anëtarët e qeverisë dhe të zgjedhurit e PS-së në nivele të ndryshme. Dhe çuditërisht nuk po i prekte një qime floku atij që kishte shkatërruar tërësisht vendin, që kishte vrarë njerëz në boulevard për të garantuar pushtetin e tij etj etj.
Qartë. SPAK-u ishte kthyer në një kobure në duart e Berishës për të ekzekutuar qeverinë. Dhe veçse disa muaj pasi ajo kishte korrur një fitore spektakolare në zgjedhjet legjislative të 11 majit të vitit të kaluar.
Por, fatkeqësisht për të, pas SPAK-ut qëndronin ambasadat e huaja që e mbështesnin veprimtarinë e tij. I fundit në rradhë, ishte një eurodeputet i njohur gjerman, që jo më larg se dje, u shpreh se: Rama është i këndshëm në bisedë, por pudingu provohet kur hahet! Ndryshe “ai nuk na gënjen dot më”.
Rama po paguante kështu edhe për vizitën e tij në Uashington pa lejen e padronëve europianë. Kur aty nuk kishte vajtur as Franca, as Gjermania dhe as Britania e Madhe, si guxonte të shkonte aty ky spurdhjaku nga Shqipëria?!
Por a do ndryshojë gjë me ndryshimin e qeverisë?! Kjo ka shumë pak gjasa të ngjasë. Por zyrtarët e lartë, të vjetër apo të sapoemëruar, do të bëjnë tani më kujdes kur të jetë puna për para nën dorë, për tendera dhe PPP-të e famshme.
Rama tani nuk i ka punët mirë as me aleatin tjetër historik, Erdoganin Që kur vizitoi Izraelin para pak ditësh. Ishte kjo vizitë haraçi që ai duhej të paguante për të shkelur përsëri në Uashington. Se Trump ishte betuar që nuk do ia shihte më sytë që kur ai guxoi të tallej me të, së bashku me presidentin e Francës, Macron, kur presidenti amerikan ngatërronte Armeninë me Albaninë.
Prandaj ai priti pothuajse me nderime shtetërore edhe vajzën dhe dhëndërrin çifut të Trump-it, Jared Kushner. Për të cilët thuhet se do u fali Sazanin, apo se do t’ua japë për 100 vjet me qira!
Aq keq i kishte punët saqë u detyrua të shkonte edhe në Prishtinë dhe të puthej me Kurtin, të cilin e kishte luftuar me të gjitha mënyrat gjatë gjithë këtyre kohëve! Dhe kështu tundu majtas dhe tundu djathtas, një herë me Erdoganin dhe një herë me izraelitët, një herë me Bashkimin Europian dhe një herë me Shtetet e Bashkuara, njeriu e humbet ekuilibrin dhe rrëzohet. Rama ende nuk është rrëzuar, por shihet qartë se është në të tatëpjetë.
Dhe për këtë e ka fajin ai vetë. Mospërfillja e tij për partinë, mospërgjegjësia e tij për ata që ngrinte dhe ulte në poste, mungesa e autoritetit si burrë shteti, vetëbesimi i tepruar te aftësitë e veta e sollën këtu ku është sot: në prag të humnerës.
Sepse çdo ditë e më shumë po i prishet edhe imazhi i tij si brenda edhe jashtë vendit. Donte të luante liderin e madh, njeriun e jashtëzakonshëm, hokatarin e pashoq dhe ja ku përfundoi. I zhgënjeu të gjithë duke filluar nga zgjedhësit e tij. Tani edhe për të ka filluar the Countdown, numërimi për së mbrapshti. Kështu ngjan me të gjithë ata që humbasin lidhjet me njerëzit, që mendojnë se janë të dërguarit e Zotit në Shqipëri, se nuk do të zbresin më kurrë nga kali ku kanë hipur.
A nuk ngjau kështu edhe me Berishën?! Edhe ai kujtonte andej nga fillimet e viteve ’90 të shekullit të kaluar, se tashti në emër të luftës kundër komunizmit, ai do mbetej përjetësisht në pushtet, se do i shkelte me këmbë kundërshtarët e tij politikë, se do ua bënte surratin më keq se sholla e këpucës etj etj.
Dhe ja ku është sot. Me një sy dhe një vesh nga SPAK-u se mos edhe atij i vjen mandata e arrestimit dhe dhënies llogari për mbrapështitë që ka bërë gjatë këtyre 35 viteve, kur ka qënë apo jo në pushtet.
Jeta është sa një mësuese e madhe, por po aq edhe një njerkë e pamëshirshme. Sidomos kur del nga rruga e drejtë, kur fillon të të pëlqejë vetja.
Rama është kthyer tani, dashur pa dashur, në një pjesë të historisë së këtij vendi. Por deri më tani askush nuk e di nëse ka hyrë në histori për mirë apo për keq. Se edhe atij po ia grumbullohen në kurriz shumë mëkate. Koha do ta tregojë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment