Kur ti shkel disa interesa të caktuara, ti duhet të presësh doemos edhe reagimin e atyre të cilëve këto interesa u janë prekur. Kështu po ngjan tani edhe me familjen e raportueses speciale të Kombeve të Bashkuara për Gazën, arbëreshen e largët Françeska Albaneze. Dy – tri javë më parë kam shkruar në këtë bllog një artikull me temë:” Një “albaneze” që po ia nxin jetën Izraelit”! Ja dhe reagimi tani i atyre të cilëve u janë prekur këto interesa dhe sinore.
Sapo u bë e ditur se burri dhe vajza e Francesca Albaneses kanë ngritur tani një padi kundër Trump-it, i cili po i ndalon ata të hyjnë madje edhe në shtëpinë e tyre dhe bile po e detyron zyrtaren e OKB-së të bëjë tani pagesa vetëm me para në dorë.
Prandaj edhe familja e Albanezes ka ngritur me këtë rast edhe një padi kundër qeverisë amerikane për shkak të këtyre sanksioneve të çmendura të vendosura ndaj saj nga Shtëpia e Bardhë!
Bashkëshorti dhe vajza e saj e mitur besojnë se këto masa, janë të lidhura ngushtësisht me kritikat e saj ndaj veprimeve izraelite në Rripin e Gazës, që sipas zyrtares së OKB-së, përbëjnë një shkelje flagrante të lirisë së saj të shprehjes.
Padia, e paraqitur të mërkurën në një gjykatë në Uashington, detajon pasojat e rënda të këtyre sanksioneve në jetën e përditshme dhe profesionale të kësaj familjeje.
Sepse Françeska Albanese është përjashtuar po ashtu edhe nga sistemi ndërkombëtar i pagesave, duke e detyruar atë të paguajë me para në dorë për çdo blerje të saj. Për më shumë familja nuk ka më qasje as në shtëpinë e tyre në kryeqytetin e SHBA-së!
Një avokat ka pohuar pak më parë se burri i Françeskës, një punonjës ky i Bankës Botërore, nuk lejohet më as t’i blejë asaj një kafe. Kjo duket pak si e çuditshme!
“Shprehja e mendimeve të Franceskës mbi faktet që ka vëzhguar në konfliktin izraelito-palestinez dhe mbi punën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale është një aktivitet thelbësor, i mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së”, theksohet në padinë e sapongritur.
Dokumenti gjithashtu ngre pyetjen thelbësore nëse administrata amerikane mund të sanksionojë një individ “sepse ai nuk është dakord me qëndrimet e qeverisë?!”.
Mësohet po ashtu se Departamenti Amerikan i Shtetit e ka hedhur poshtë këtë ankesë, duke e quajtur atë si një “betejë ligjore të pabazuar”. Uashingtoni këmbëngul se sanksionet kundër znj. Albanese janë “ligjore dhe të përshtatshme”!
Ekspertja italiane e të drejtave të njeriut, Francesca Albanese, është emëruar Raportuese Speciale për të drejtat e Njeriut në territoret palestineze që në vitin 2022, një mandat që iu zgjat përsëri vitin e kaluar.
Ndryshe ajo ishte edhe një nga zërat e parë ndërkombëtarë që akuzoi Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës. Njëkohësisht edhe disa organizata të tjera të të drejtave të njeriut si Shoqata Ndërkombëtare e Specialistëve të Gjenocidit dhe një Komitet i Posaçëm i OKB-së po përdorin gjithashtu termin gjenocid ndaj veprimeve të Izraelit në atë rajon. Ndërsa Izraeli dhe aleati i tij, Shtetet e Bashkuara, e refuzojnë me vendosmëri këtë cilësim.
Si do që të jetë kryeministrit izrelit Benjamin Netanyahut i është ndaluar hyrja në gjysmën e vendeve të Europës Perëndimore, ku ai rrezikon të arrestohet në rast se vë këmbën aty.
Por ndryshe nga ç’po ngjan në Uashingtoni, në Belgjikë pritet që znj. Albanese të nderohet duke marrë një doktoraturë nderi këtë 2 prill nga njëkohësisht tre universitete flamande, në njohje të “angazhimit të saj të jashtëzakonshëm ndaj të drejtave të Njeriut dhe të drejtësisë ndërkombëtare”.
Siç shihet demokracia është e mirë për sa kohë u shërben interesave të dikujt, ndryshe ajo përfundon në koshin e plehrave. Të presim të shohim si do përfundojë ky gjyq dhe nëse familja albaneze do të ketë të drejtë të hyjë më në fund në shtëpinë e saj në Uashington.
Çuditërisht e gjitha kjo histori po më ngjan si me një film fiction i prodhuar së fundmi në Hollivud.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment