Këtë javë, njëlloj si dhe vjet, Kreshma për katolikët dhe Ramazani për myslimanët, ranë pothuajse në një kohë. Ndërsa ortodoksët shqiptarë dhe ata në mbarë botën do e fillojnë periudhën e agjërimit, nesër, e hënë 23 shkurt.
Por çfarë përfaqësojnë kreshma dhe ramazani dhe cilat janë të mirat e agjërimit? Dhe çfarë thotë shkenca për këto praktika shekullore?!
Është e provuar prej kohësh se Kreshma dhe Ramazani ndikojnë për mirë në shëndetin e Njeriut. Ato shërbejnë si një periudhë “pastrimi” dhe jo vetëm fizik, por edhe shpirtëror. Prandaj këto dy festa janë të lidhura edhe me praktikën e ashtuquajtur të “lëmoshës”! Pra e të bërit “sevap”, siç thirret në gjuhët orientale.
Si për të krishterët, por po ashtu edhe për myslimanët kjo periudhë e veçantë ndërtohet e bazuar në tre shtylla, të cilat janë: lutja, agjërimi dhe siç thamë edhe më lart edhe lëmosha.
Njeriu gjatë kësaj periudhe duhet të shkëputet nga hallet dhe zakonet e përditshme dhe duhet ta hedhë vështrimin më larg, drejt shpirtërores dhe së mistershmes, me një fjalë rreth misterit të jetës.
Prandaj është vërejtur se praktika e agjërimit dhe meditimit përmirëson jo vetëm gjendjen fizike, por nxit edhe për më shumë kthjelltësi mendore si dhe ndihmon në marrjen e vendimeve që më parë ishin të vështira, deri të pamundura.
Kohët e fundit klerikët e vendeve perëndimore, sidomos në Europë, janë të çuditur. Ata po vërejnë me habi dhe gëzim edhe një kthim të rinisë së vendeve të tyre ndaj praktikave fetare, që dikur ishin braktisur.
Dhe kjo po ngjan në të dyja fetë. Të rinjtë myslimanë prej kohësh i ndiqnin me ngulm ritet e fesë së tyre, por këto 4 – 5 vitet e fundit në këtë rrugë po ecin edhe të rinjtë e krishterë të vendeve të Europës Perëndimore. Saqë duket se periudha e materializmit apo edhe e ateizmit ka filluar të dobësohet!
Thuhet dhe është e provuar shkencërisht se lutja dhe meditimi mund t’i ndihmojnë besimtarët edhe në mbajtjen nën kontroll të ankthit dhe frikës si dhe në uljen e stresit kronik dhe depresionit. Pra shihet se agjërimi ndihmon edhe anën psikologjike dhe shpirtërore te njeriu.
Duke e privuar veten nga gjërat jo thelbësore (ekranet, rrjetet sociale, ngrënia e tepërt, blerja e veshjeve të panevojshme apo edhe kujdesi i tepruar për dukjen e jashtme), njerëzit i lejnë vetes vend që të vështrojnë më larg dhe të “dalin” disi edhe jashtë vetes së tyre, jashtë guackës fizike që i mban të lidhur me nevojat e përditshme, ose me instiktet e zotërimit, forcës, sundimit etj etj.
Agjërimi përbën po ashtu një kohë tejet të përshtatshme edhe për të kultivuar durimin, përulësinë dhe dhembshurinë ndaj atyre që janë në nevojë.
Siç kemi shkruajtur edhe para pak muajsh mbi dobinë e vegjetarizmit në organizëm, mosngrënia e migjit gjatë periudhës së agjërimit, ndikon që trupi ripërtërihet dhe pastrohet edhe nga helmet dhe toksinat. Një dietë më e lehtë i mundëson po ashtu organizmit të pushojë dhe të pastrojë vetveten.
Agjërimi me ndërprerje ose pakësimi i marrjes së kalorive mund të ndihmojë edhe në humbjen e peshës si dhe rregullimin e kolesterolit dhe sheqerit në gjak.
Pra nga çdo anë që ta rrotullosh “muhabetin”, del që agjërimi shkakton veçse të mira. Privimi vullnetar i vetes nga ushqimi ndihmon po ashtu edhe në kuptimin e ndjenjave të vërteta të urisë apo të ngopjes duke larguar kështu edhe instiktin e tejngrënies.
Shkurt nëpërmjet tri shtyllave të agjërimit njeriu pastrohet dhe pasurohet: Lutjet e ndihmojnë atë për të kultivuar një marrëdhënie të veçantë me të padukshmen, shpirtëroren. Ndërsa kufizimi i ngrënies e detyron trupin të përfshihet në një proces dobësimi dhe ripërtëritjeje të qelizave, kurse lëmosha (sevapi) të ndihmon të hapesh ndaj të tjerëve dhe të praktikosh një solidaritet të vërtetë dhe konkret.
Të privosh veten nga disa të mira me të cilat je mësuar, do të thotë, ndër të tjera, që të heqësh dorë vullnetarisht dhe përkohësisht nga disa gjëra të nevojshme ose të këndëshme, në mënyrë që t’i japësh vetes kohë të rizbulojë atë që është më thelbësore. Është e vërtetë se njerëzit kanë nevojë të pamohueshme të ushqehen se ndryshe do të vdesin nga uria, por agjërimi i mëson ata që të kenë edhe më shumë respekt për bukën, të mos ta shpërdorojnë atë dhe të mendojnë edhe për ata që nuk e kanë në sasi të mjaftueshme.
Gjithashtu agjërimi na lejon të kuptojmë më mirë edhe se çfarë gjallon në të vërtetë brenda nesh. Se si jemi të mbruajtur. Nëse instiktet na zotërojnë tërësisht apo jo! Nëse e keqja, egoizmi etj etj mbulojnë dhe e mbytin të mirën tek ne apo jo! Sa është vlera jonë! Cilat janë dëshirat tona më të thella?
Se agjërimi nuk përbën thjesht një gjest pendese, për mëkatet tona, por ai është edhe një privim vullnetar edhe nga ato kurthe të frikshme të jetës siç janë dëshira për tu pasuruar me vepra të pista dhe të paligjshme, nga dëshira për të vënë poshtë të tjerët, nga imoraliteti, alkoli etj etj. Ndryshe gjithçka që e vë jetën tonë nën tiraninë e zakonit dhe nevojës.
Në një kuptim tjetër agjërimi, megjithëse konsiderohet si një lloj sakrifice, nuk duhet kuptuar dhe marrë si një kohë për trishtim, për mungesa dhe vuajtje. Përkundrazi!. Ai duhet të kryhet me bindje dhe dëshirë. Njëlloj siç kryen një i sëmurë operacionin e apendesitit. Pra si një shpëtim, si një largim nga ngasjet e përditshme.
Të bëhemi të vetëdijshëm për sa me fat jemi që mund të hamë sa të duam kur ka të tjerë në botë që janë të uritur dhe të gjejmë kohën për të falënderuar (ky është kuptimi i lutjes së Benediktit, një lutje që thuhet para se të ulesh për të ngrënë).
Agjërimi fetar, i praktikuar për shekuj me radhë në fe dhe tradita të ndryshme, mund të ketë gjithashtu efekte pozitive deri edhe në shëndetin kardiovaskular, sipas një studimi të kohëve të fundit të udhëhequr nga Duane Mellor, një ekspert në të ushqyerit dhe mjekësinë e bazuar në prova në Universitetin Aston të Birmingham-it. Ky studim ka shqyrtuar efektet e agjërimit të Ramazanit dhe të Kreshmëve në trupin e njeriut.
Ramazani, i ndjekur nga myslimanët, përfshin abstinencë të plotë nga ushqimi dhe pijet midis agimit dhe muzgut. Vaktet hahen vetëm para lindjes së diellit (syfyr) dhe pas perëndimit të diellit (iftar). Agjërimi i krishterë, nga ana tjetër, përqendrohet në një dietë të rreptë vegjetariane, duke përjashtuar produktet shtazore dhe ushqimet me shumë yndyrë, për disa javë. Këto dy praktika, ndonëse të ndryshme, ndajnë një dimension shpirtëror të përbashkët dhe një disiplinë dietike që ndikon dukshëm edhe në metabolizmin e njeriut.
Ja dhe rezultatet kryesore të këtij studimi:
Ramazani ndikon në uljen e presionit të gjakut dhe në humbjen e peshës. Heqja dorë nga ushqimi dhe pijet gjatë ditës zvogëlon po ashtu edhe prodhimin e insulinës, e cila ka një efekt pozitiv në sistemin nervor simpatik, një rregullator ky i presionit të gjakut.
Kreshma ndikon edhe ajo në uljen e kolesterolit. Një dietë e pasur me fruta, perime dhe fibra dhe e kombinuar edhe me mungesën e yndyrnave shtazore, rezulton në një rënie të ndjeshme të niveleve të kolesterolit dhe përmirësimin e lipideve në gjak. Ky ndryshim i përkohshëm në dietë mund të ndihmojë gjithashtu edhe në rregullimin e sheqerit në gjak.
Megjithatë Duane Mellor thekson se përfitimet e agjërimit fetar varen edhe nga zakonet e të ngrënit jashtë kësaj periudhe. Një agjërim i ndjekur nga një dëndje e tepërt e ushqimeve të përpunuara ose me shumë yndyrë mund të anulojë efektet pozitive.
Ky studim nxjerr në pah disa ndikime pozitive. Se praktikat kulturore dhe fetare mund të kenë ndikim në shëndet. Nëse ndiqni Ramazanin ose Kreshmën, ky informacion mund t’ju inkurajojë të ndiqni një qasje më të kujdesshme edhe ndaj zgjedhjeve tuaja ushqimore gjatë gjithë vitit.
Por askush nuk duhet të detyrojë askënd të ndjekë me detyrim agjërimin. Ai mbahet veçse kur vetë njeriu e ka kuptuar dobinë e tij në jetën fizike dhe shpirtërore të organizmit.
Vetë autori i këtyre rradhëve nuk agjëron rregullisht. Por ndryshe ai është vegjetarian prej afro 10 vitesh pa ndërprerje. Dhe kjo praktikë, mosngrënia e kafshëve të vrara, e ka përmirësuar ndjeshëm shëndetin e tij.
Sidoqoftë agjërim të lehtë e të mbarë të gjithë atyre që e ndjekin. Se siç shkruam edhe më sipër agjërimi i herë pas hershëm veçse të bën mirë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment