Edhe në Poloni si në Shqipëri: gjykatat kërkojnë të sundojnë vendin!

     Mos kujtoni se është vetëm SPAK-u në Shqipëri që kërkon të vëjë përfund të gjitha institucionet shqiptare të zgjedhura nga populli. Diçka e ngjashme po ngjan edhe në Poloni, Hungari, Sllovaki, Çeki etj. Kudo, nën dirigjimin e Bashkimit Europian, gjykatat kanë marrë revan dhe nuk duan t’ia dinë as për qeveri dhe as për Parlament!

      Aq sa presidenti nacionalist polak Karol Nawrocki këtë të enjte u detyrua të përdorte veton ndaj një projektligji të hartuar nga qeveria pro-evropiane, që synonte rivendosjen e kontrollit të Këshillit Kombëtar të Gjyqësorit (KRS) mbi gjithçka.

     Ky Këshill, i pazgjedhur nga askush, si në Shqipëri, ishte përgjegjës deri edhe për emërimin e kolegëve gjyqtarë dhe sigurimin e pavarësisë së tyre. Një pavarësi e tillë u “cungua”  nga partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi, e cila qeverisi Poloninë për 8 vjet, nga viti 2015 deri në vitin 2023.

      Gjyqtarët që përbënin këtë organ, më parë emëroheshin kryesisht nga gjyqtarë të tjerë, shokë dhe kolegë të tyre, por reforma e PiS e vendosi këtë prerogativë në duart e deputetëve që uleshin në Sejm, (dhoma e ulët e parlamentit polak).

      Kjo ndërhyrje provokoi asokohe  tensione të forta midis Varshavës dhe Komisionit Evropian. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian kanë theksuar vazhdimisht se kjo ndërhyrje minon pavarësinë e gjyqësorit polak. Sigurisht se ashtu do thonin. Se korbi korbit nuk ia nxjerr sytë!

       Ndryshe gjatë fushatës  për zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, të cilat i fitoi, udhëheqësi i tashëm i qendrës së djathtë, Donald Tusk, ai premtoi se do të përmbyste reformat e partisë për Ligj dhe Drejtësi, veçanërisht ato që kishin shkaktuar tensione me Bashkimin Evropian, siç ishte rasti mbi pavarësinë e gjyqësorit.

         Por kur Karol Nawrocki, një historian nacionalist, u zgjodh president në qershorin e kaluar, pikërisht me mbështetjen e partisë për Ligj dhe Drejtësi, kjo ua prishi planet si Donald Tusk-ut, por po ashtu edhe BE-së.

        Që atëherë, Nawrocki i ka penguar rregullisht “reformat” në drejtësi, që u jipnin gjyqtarëve një pushtet të pakufizuar dhe të pakontrolluar nga askush. Ai ka vënë veton edhe ndaj një numri  ligjesh të miratuara nga Parlamenti, të cilat koalicioni qeverisës i ka cilësuar si një lloj “sabotimi legjislativ”. 

        Po ashtu ai ka refuzuar edhe emërimet dhe ngritjet në detyrë të gjyqtarëve. Njëlloj si Rama që ka refuzuar vetëngritjen e rrogave të gjyqtarëve pa miratimin e qeverisë!

          Lidhur me reformën e këshillit kombëtar të gjyqësorit, të dyja palët në Varshavë akuzojnë tash njëra-tjetrën për manovra politike. Pasi në Poloni, kreu i shtetit, mandati i të cilit zgjat pesë vjet, dhe që tradicionalisht luan një rol kryesisht ceremonial, ndërkohë që ai megjithatë mund të ushtrojë një farë ndikimi edhe mbi politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes së qeverisë.

        Instrumenti i tij kryesor është vetoja legjislative, një mjet i fuqishëm  në rastet kur shumica parlamentare nuk ka 60% të votave të nevojshme për ta anashkaluar atë.

       A nuk do të ishte mirë që edhe në Shqipëri, një shumicë që ka mbi 60 për qind të votave ta tejkalonte fuqinë e drejtësisë së “pavarur”?! A nuk do të ishte më mirë që drejtësia, SPAK-u, Gjykata e Lartë etj të përgjigjeshin para parlamentit, si institucioni më i lartë në vend, i zgjedhur drejtpërdrejt me votën e popullit?!

     Kur ti i jep një fuqi të paparë dhe të pamerituar një organi që nuk është zgjedhur nga askush, ti dashur pa dashur, por me ndërgjegje të plotë, hedh në koshin e plehrave votën e zgjedhësve. Dhe kjo nuk është fare demokratike.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment