Nesër është 20 shkurt. Pikërisht si këtë ditë, 35 vjet më parë, në Tiranë u rrëzua dhe u tërhoq zvarrë shtatorja e diktatorit Enver Hoxha. Padyshim që Sali Berisha do të dalë nesër të përkujtojë këtë ditë të veçantë në historinë e popullit shqiptar. Dhe siç ka bërë gjithmonë, ai do të përpiqet edhe kësaj here t’ia veshë vetes lavdinë e kësaj ngjarjeje që nuk do të harrohet lehtë në historinë e kombit tonë.
Por Sali Berisha nuk ka asnjë meritë në rrëzimin e bustit. Pavarësisht se atë e rrëzuan ithtarët e Partisë Demokratike. Por ishte Ramiz Alia ai që lejoi rrëzimin e bustit. Madje në një farë mënyre e nxiti atë kur nxorri edhe një ligj të posaçëm për mosprekjen e busteve dhe monumenteve në vend!
Aq sa edhe Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit, u shpreh atë ditë me mllef në mbledhjen e kryesisë së Partisë së Punës se : si nuk u vra njeri kur u hodh poshtë statuja e udhëheqësit 40 vjeçar të vendit?
Atë ditë unë kam qënë në shesh për ta ndjekur këtë ngjarje. Se ishte bërë e ditur me kohë se Partia Demokratike kishte vendosur të rrëzonte shtatoren. Dhe pashë se kush ishin ata që praktikisht i hodhën kavon dhe e rrëzuan përmendoren e diktatorit.
Historiografia zyrtare sot thotë se ishte populli që e rrëzoi bustin e Enver Hoxhës. Po e vërteta është pak më ndryshe. Populli ishte mbledhur aty, rreth 2 – 3 mijë vetë, dhe po bënte “sehir”. Por ishin “fqinjët” e mi, ata që e rrëzuan përmendoren. Disa prej të cilëve ishin vërtet të hurit dhe litarit, dhe që kishin zbritur që nga Alliasi në sheshin Skënderbej. Ishin ata që i hodhën edhe kavon e çeliktë përmendores.
Gjithçka po shkonte sipas planit. Policët ishin aty, por silleshin rrotull sikur nuk e kishin mëndjen. Dikush nga sehirxhinjtë iu drejtua atë ditë shefit të policisë që ishte aty: “Ndërhyni. Çfarë po bëni kështu”. Dhe shefi duke u kthyer nga ne u përgjigj: “Pse çfarë kujtoni ju?! Se do vras njerëz unë për të mbrojtur Dullën?!”. Dulla ishte nofka fyese dhe përbuzëse që i ishte ngjitur ato kohë Enver Hoxhës.
Kjo ishte klima ditën që u rrëzua busti. Që u prit me mënyra të ndryshme në mjedisin e njerëzve. Disa u tronditën nga “shembja e Zeusit”, disa qanë nga gëzimi që ia arritën kësaj dite.
Ndryshe pasojat mund të ishin të rënda dhe të paparashikueshme. Se po atë ditë në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve filloi “gjurulldia”. Indoktrinimi i njerëzve aty ishte më i fortë se kudo. Dhe ushtarakët e Shkollës së Bashkuar u mblodhën pikërisht atë mbrëmje në sheshin e madh dhe u betuan se do të rivendosnin menjëherë në sheshin “Skënderbej” shtatoren e tyre të Enver Hoxhës. Se edhe në shkollën e oficerëve gjendej një shtatore e madhe e diktatorit.
Por lajmi se oficerët dhe kadetët e Shkollës së Bashkuar do të rivendosnin bustin, mori dhenë menjëherë. Të parët që u ngritën kundër rivendosjes së atij busti ishin përsëri banorët e Alliasit!
Atë kohë banonja pikërisht përballë Shkollë së Bashkuar, që gjendet sipër Alliasit, dhe ndiqnja me vëmendje çdo zhvillim të atyre ditëve. Dhe pashë një turmë të madhe njerëzish që ishin grumbulluar pranë fjetores së vajzave të fakultetit të mjekësisë dhe po lidhnin kavo çeliku nga një shtyllë elektrike betoni te tjetra për të penguar lëvizjen e trupave ushtarake.
Pikërisht atë ditë u perhaps edhe lajmi se këta ushtarakë kishin vrarë edhe 2 protestues paqësorë, aty ku dikur ishte “oxhaku”! Ana tjetër e Shkollës së Bashkuar. Situata ishte tejet e tensionuar. Ekzistonte një rrezik i madh I përplasjes midis ushtarakëve dhe protestuesve antikomunistë.
Por po aty dhe po atë ditë vërejta edhe diçka që nuk më pëlqeu fare. Ata që kishin dalë në krye për të zmbapsur forcat ushtarake ishin llumi i llumit të shoqërisë. Disa prej tyre ishin thjesht ish të burgosur ordinerë, të dënuar për vjedhje, mashtrime dhe përdhunime. Ishin ata që kishin dalë tani në krye.
E vërteta është se “përmbysjen” në Shqipëri e nisën intelektualët e shquar të vendit si Ylli Popa, Ismail Kadare, Sali Berisha etj etj. Ishin ata që flisnin edhe te “Zëri i Amerikës”, me lejen e Ramiz Alisë, duke kërkuar liri dhe demokraci. Ishin po ata që në atë kohë shkruanin edhe te “Zëri i Popullit”, që ishte rradhitur edhe ai asokohe në favor të demokratizmit të vendit. Epoka e Enver Hoxhës në atë kohë cilësohej si “e shkuara”. Dhe meqë ende ishte herët për të dalë hapur kundër sistemit diktatorial komunist, në gazetë përdorej rëndom shprehja: ”Pse me të shkuarën do vazhdojmë ne akoma?!”.
Atë kohë punonja te “Zëri i Popullit » dhe i ndjenja nga afër këto ndryshime. Po le të kthehemi te tema. Ngritja në këmbë në atë kohë e llumit të shoqërisë, jo vetëm në Tiranë por edhe në Kavajë, Shkodër etj etj nuk kaloi pa u vënë re. Në krye të tyre u vu Partia Demokratike me Azem Hajdarin. Sali Berisha ecte ende i maskuar.Thuhej se e mbante ende në xhep tesërën e Partisë së Punës!
Por llumi kërkonte atëhere haraçin e vet. Pikërisht në atë kohë Sali Berisha e kuptoi se ku duhej të mbështetej nëqoftëse dëshironte të merrte pushtetin. Dhe ai i la dorë të lirë lumpen – proletariatit të bënte çfarë të donte.
Atë kohë filloi edhe shkatërrimi i vendit. Edhe policia u tërhoq nga roli i saj. Njerëzit filluan ta ndjenin veten të demoralizuar, të hutuar dhe të trembur. Disa të tjerë, nga të dyja krahët, po bëheshin gati për luftë civile dhe shpagim. Vetë Ramiz Alia përdridhej atëhere si një pehlivan në majë të telit. Për fat përplasja u shmang.
Pavarësisht se po ato ditë u krijuar edhe organizata e “Vullnetarëve të Enverit”! Ramizi dhe Byroja na kanë tradhtuar. Ne “vullnetarët e Enverit” duhet t’i dalim për zot vendit dhe t’i vëjmë gjërat në vend. Kjo ishte ideja e tyre.
Por populli, ose të paktën shumica e tij dërrmuese, ishte i lodhur dhe i zhgënjyer nga komunizmi. Dhe me pak përjashtime, pothuajse askush nuk kishte nge tu shkonte pas fijes enveristëve. Të gjithë donin ndryshim. Donin liri dhe begati. Me dyqanet bosh, me rradhën e qumështit që në 3 të mëngjesit, pa folur për shtypjen dhe terrorin e Sigurimit të Shtetit, të gjithëve u kishte ardhur ai sistem në majë të hundës.
Prandaj orteku nuk mund të ndalej. Ishte koha që e kërkonte ndryshimin. Njëlloj si në vitin 1945 kur shumica e njerëzve të zvjerdhur nga sistemi i bejlerëve dhe çifligarëve kërkonte ndryshim.
Por koha ka treguar se shpesh herë rrëzimi i një busti, i një diktatori nuk do të thotë domosdoshmërisht lumturi apo çlirim. E hodhën bustin e Sadamit edhe irakianët, (me ndihmën e amerikanëve), por jeta e tyre nuk është se është përmirësuar kushedi se çfarë sot. Ngandonjëherë, sidomos te popujt e papërgatitur shpirtërisht dhe intelektualisht për demokracinë, diktatura zëvendësohet shpesh here nga anarshia.
Por Shqipëria duket se e ka lënë fatmirësisht dhe përfundimisht atë kohë prapa. Me siguri që më e keqja ka kaluar. Koha kur u shkatërrua gjithçka, koha e Sudes, Xhafferrit, Vefës dhe lloj lloj maskarenjve të tjerë, vitet e zeza 1997 – 1998, koha e vrasjeve në bulevard dhe e hedhjeve të njerëzve në erë në Gërdec.
Tani Shqipëria synon vërtet të ecë drejt demokracisë, drejt mirëqënies dhe lirisë. Ajo ëndërron që ose të hyjë vetë në Bashkimin Europian ose ta fusë Europën në Shqipëri. Koha ka dëshmuar se evolucionet me gjithë se të ngadalshme janë shumë më frytdhënëse se revolucionet, që u hanë kokën deri edhe bijve të tyre. Prandaj Sali Berisha nuk duhet të merret shumë seriozisht nesër. Madje duhet qeshur dhe gëzuar me budallalliqet që do të thotë.
Koha ka ndryshuar si nga 20 shkurti i vitit 1991, por po ashtu edhe nga 29 nëntori i vitit 1944. Sot jemi në një rrugë të re. Dhe siç ka thënë edhe Ismail Kadareja para 2 apo 3 vitesh, Shqipëria sot po jeton kohët e saj më të mira. Me shpresë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment