Brënda më pak se 10 ditësh kryeministri Rama emëroi dy ish-figura të njohura të PD-së në poste të larta drejtuese të institucioneve shqiptare. Përkatësisht Dashnor Sulën dhe Selami Xhepën. Dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh. Edhe më parë ai ka ecur në këto lëndina të pashkelura. Që kur emëroi psh Arta Markun, një pinjolle e një familjeje të djathtë andej nga Fushë Arrëzi si prokurore, apo kur caktoi Ridvan Boden në bordin drejtues të Bankës së Shqipërisë etj etj.
Në fakt që kur mori pushtetin më 2013, ai deklaroi publikisht se nuk kishte ndërmend t’i hiqte anëtarët e PD-së nga punët dhe postet që mbanin. Dhe normalisht dhe llogjikisht ai nuk kishte pse të hiqte nga puna psh një nëpunës të thjeshtë të administratës, veç se se ai mbante tesërën e PD-së në xhep apo se votonte për këtë parti.
Por nëse do të donte të ndiqte një politikë të ndryshme nga ajo e PD-së, ai duhej të largonte nga puna të gjithë drejtuesit PD-istë, duke filluar nga drejtor dhe lart. Se ndryshe ata thjesht do ta sabotonin. Berisha psh i hoqi nga puna socialistët, ish komunistë si ai vetë, që në ditët e para kur mori pushtetin në vitin 1992. Dhe me fshesë të madhe.
Pa dyshim që Rama nuk kishte pse të vepronte si ai. Por edhe të mos lëviste gishtin dhe të linte në po të njëjtat poste ata me dy gishta lart, kjo nuk shkonte. Se tregonte një lloj tradhtie dhe përçmimi ndaj socialistëve që e kishin sjellë në pushtet!
Por Rama duket se mendon ndryshe. Ai ka bindjen se socialistët i ka në « xhep », prandaj i ka hedhur sytë në kampin përballë : te demokratët. Këto emërime tregojnë po ashtu edhe dy gjëra të tjera : Së pari arrogancën karakteristike të Ramës që nuk pyet për njeri dhe së dyti lidhjen e tij shpirtërore me të djathtën!
Siç dihet Rama ishte nga të parët që iu bashkua lëvizjes për demokratizimin e vendit. Fatkeqësisht për të, në kohën kur u formua PD-ja, ai ishte në Greqi dhe kështu ngeli jashtë loje. Më pas atë e dëboi nga PD-ja Gramoz Pashko, edhe ky një pinjoll komunisti i orëve të para.
Dhe po ta shikosh me vëmendje do të vëresh se në krye të PD-së në atë kohë dolën shumë komunistë apo bij komunistësh të shquar. Disa për arsye politike dhe disa të tjerë për karrierë.
Po le të kthehemi te Rama. Që kur ka ardhur në pushtet ai ka ndjekur të njëjtën linjë politike si dikur Berisha. Sdomos në ekonomi. Duke përjashtuar këtu shkatërrimin e vendit dhe rrafshimin e të gjitha ndërmarrjeve ekomomike. Sepse nuk kishte ngelur më gjë për të rrënuar.
Por edhe Rama ndoqi të njëjtën politikë të privatizimeve dhe koncesioneve të pasurive natyrore. Madje i premtoi edhe fqinjëve të përtej detit ujin e lumit të Shushicës, meqë ata i mundon thatësira ! Njëlloj si Berisha që lejoi kalimin e ujësjellësit të gazit »Tap » mes për mes Shqipërisë pa asnjë pagesë, me gjoja arsyetimin se ai e konsideronte tashmë Shqipërinë si anëtare të Bashkimit Europian ! Çmendurira bajraktarësh që e kanë konsideruar gjithmonë vendin si çifligun e tyre, me të cilin mund të bëjnë si të duan ! Po kështu për shitjen e detit Greqisë etj etj.
Pyetja është : A nuk ka Partia Socialiste në gjirin e saj figura dhe ekspertë të njohur për tu vendosur në ato poste ku Rama ka caktuar përfaqësues të PD-së ?!. Me siguri që po. Por Rama qëndron tejet larg fizikisht dhe shpirtërisht nga PS-ja. Dhe sidomos nga programi i saj i majtë.
Në fakt sot PS-ja nk është më një parti e majtë. Rama e ka kthyer atë si veten: përtej së majtës dhe së djathtës. Në PS gjen sot figura që nuk kanë asnjë lidhje me të. As shpirtërore dhe as programatike. Se vetë Rama është i djathtë nga koka te këmbët.
E majta dallohet në përpjekjet e saj për një shpërndarje të drejtë të pasurive dhe të të ardhurave. Si dhe në rolin vendimmmarrës të shtetit në ekonomi. Por këto parime nuk i hyjnë në vesh Ramës. Ai gjithë politikën e tij ekonomike e ka bazuar te oligarkët. Veçse për ata mendon. Asnjë investim shtetëror për të ngritur psh një kombinat për përpunimin e fruta – perimeve, siç ka pasur psh në kohën e komunizmit. Asnjë doganë për të mbrojtur prodhimin vendas nga konkurrenca e huaj. Jo gjithçka ai i aka lënë privatit. Dhe kështu Shqipëria është kthyer sot në një depo ilaçesh dhe ushqimesh të helmuara, të skaduara, apo dhe plot me pesticide.
Ndërkohë për publikun vazhdon “lufta vëllavrasëse” Rama – Berisha. Ky është thjesht një spektakël për galerinë. Se në fakt shumë pak gjëra i ndajnë sot Ramën me Berishën. Madje, madje, mund të thuhet se Berisha me formimin e tij 25 vjeçar si komunist I flaktë ka qënë dhe është edhe më i majtë se Rama. (Po të përjashtojmë këtu furinë e tij shkatërruese të viteve 1992 – 1997 me shpresën e “çekut të bardhë” dhe bindjen idiote se do vinin të huajt ta ndërtonin vendin si duhet për ne)! Ëndrra këto që sot janë harruar, por që në atë kohë i bënë një të keqe aq të madhe vendit.
Në fakt “përplasja” Rama – Berisha është diçka thjesht personale. Ata nuk “kacafyten” me njëri tjetrin për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, as nuk përleshen për shkaqe ideologjike apo platforma programatike, por thjesht për të qënë dhe mbetur në pushtet. Rama nuk ia harron Berishës dhëmbët e thyer në 26 maj të vitit 1996, kur edhe ngjau vjedhja e parë massive e votave në vend. Rama bashkë me profesor Pëllumbin, Erion Braçen etj etj u masakruan asokohe nga falangat e Berishës në mes të sheshit Skënderbej, në sytë edhe të shumë gazetarëve të huaj.
Ishte koha kur Berisha kishte marrë revan dhe mendonte se nuk do zbriste më kurrë nga kali. Ishte koha kur ai i shante me nënë dhe babë komunistët dhe komunizmin, duke harruar dhe shkelur me këmbë faktin se ai erdhi në mes të Tiranës, u bë mjek dhe u specializua deri në Paris të Francës, veçse falë atij sistemi. Se po të kishte qënë ndryshe do të ishte duke ruajtur dhitë edhe sot në bjeshkët e Viçidolit!
Sot Shqipëria është përgjysmuar edhe si popullsi. Sepse një pjesë e madhe janë larguar nga vendi dhe kanë gjetur “rehati” në një grup vendesh perëndimore. Kjo në vetvete nuk është edhe aq gjë e keqe. Sepse njerëzit kanë veçse nje jetë për të jetuar dhe nuk kanë pse ta sakrifikojnë atë si dhe fëmijët e tyre, duke u shërbyen bosëve mafiozë në Shqipërinë e sotme.
Por Rama edhe këtu e ka gjetur “zgjidhjen”. Largimin e shqiptarëve nga vendi dhe uljen e fuqisë punëtore, ai po e zëvendëson me emigrantë nga vendet e Azisë, si Filipine, Indonezi, Pakistan etj. Vetëm e vetëm që bosët e rinj të vendit të gjejnë fuqi punëtore me vlerë të ulët. Edhe këtu ai po vepron si i djathtë klasik.
Për të mirën e vendit dhe të njerëzve ai duhet t’ua mbyllte derën emigrantëve të huaj, me qëllim që padronët të detyroheshin të ngrinin pagat. Por jo ai nuk dëgjon nga ai vesh. Sepse jo më kot është i djathtë dhe kryetar i një partie pa asnjë ngjyrë politike, pa program dhe ideologji të majtë.
Ky ështe Edi Rama sot. Prandaj edhe emëron pa asnjë teklif figura të së djathtës në institucionet qëndrore të vendit. Dhe ka të drejtë ! Se në fakt edhe ata që ka në qeveri dhe në parlament nuk kanë asgjë për të majtë dhe socialistë. Janë të gjetur në rrugë apo të emëruar thjesht nga njohjet personale që kanë me kryetarin e qeverisë.
Në Shqipëri sot nuk ka të majtë apo të djathtë : Ka veçse dy klane që luftojnë për pushtet personal, për përfitime dhe miliona. Veshja e tyre si socialistë apo demokratë është thjesht maskim. Siç po maskohen njerëzit sot për karnavalet. Dhe Ramës nuk ia kalon njeri per maskim : një klloun i vërtetë, siç e ka cilësuar para pak kohësh edhe një gazetë turke.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment