Një “albaneze” që po ia nxin jetën Izraelit

        Ka disa vite që shqiptarë e të dy anëve të kufirit, kanë filluar të bëhen të njohur tashmë edhe në skenën ndërkombëtare. Mjafton të kujtojmë këtu Dua Lipan, Rita Orën, Mira Muratin, Lea Ypin dhe plot e plot të tjerë.  Por kohët e fundit, në po këtë skenë, kanë filluar të njihen edhe shumë e shumë shqiptarë tejet të vjetër, që quhen albanezë, arvanitas, arnautas, alavanos etj. etj. Një nga këta është padyshim edhe kryeministri i Australisë, Anton Albaneze. Por albanezi apo albanezja më e njohur e këtyre ditëve të fundit quhet Françeska Albaneze!

      Vetkuptohet se kjo, si dhe Antoni, janë pasardhës tejet të largët të arbëreshëve  që u larguan nga trojet e tyre në kohën e Skënderbeut, pak para se mortja osmane të pushtonte vendin tonë. Dhe merret me mend se këta protoshqiptarë sot nuk dinë asnjë fjalë shqip. Dhe kjo është normale. 500 vjet në një tokë tjetër do të thotë 20 breza!

      Françeska Albaneze, meqë ra llafi, punon ende edhe sot në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në orgnizatën e Kombeve të Bashkuara. Dhe kohët e fundit ajo është bërë e njohur veçanërisht për akuzat e ashpra që ajo i ka drejtuar shtetit izraelit. Akuza aq të drejtpërdrejta saqë tani ministrat e disa vendeve europiane po kërkojnë as më shumë dhe as më pak, por shkarkimin e saj nga posti që mban.

      Por pika e ujit që derdhi gotën ishte shprehja e saj, e supozuar apo e vërtetë, se “Njerëzimi ka një armik të përbashkët që është Izraeli”! Kjo frazë thuhet se u shqiptua nga e dërguara e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut gjatë një udhëtimi që ajo zhvilloi në Katar.

       Polemika mori hov pikërisht të martën e shkuar kur një grup anëtarësh të parlamentit francez i drejtuan një letër ministrit francez të punëve të jashme, në të cilën denoncoheshin vërejtjet “antisemite” të znj. Albaneze, e cila, sipas tyre, e kishte cilësuar “Izraelin si një armik të përbashkët të njerëzimit” gjatë një forumi të Al Jazeera-s. Ata kërkuan që Franca të “punojë” që asaj t’i “hiqen të gjitha mandatet e OKB-së”. Më pas, vetë ministri i jashtëm i Francës, z. Barrot, bëri thirrje për dorëheqjen e saj, duke përmendur deklaratat e saj “skandaloze dhe të dënueshme”.

      Edhe Gjermania iu bashkua këtë të enjte Francës, në thirrjen për dorëheqjen e Raportueses Speciale të OKB-së për territoret palestineze, për shkak të komenteve të fundit të saj mbi Izraelin. “Znj. Albanese ka bërë tashmë deklarata të shumta të papërshtatshme në të kaluarën. Unë i dënoj vërejtjet e saj të fundit në lidhje me Izraelin. Ajo nuk mund të qëndrojë më në pozicionin e saj”, deklaroi Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, duke i bërë jehonë homologut të tij francez, Jean-Noël Barrot.

        Italia po ashtu u distancua  nga deklaratat e raportueses speciale të OKB-së. “Qëndrimet e mbajtura nga Francesca Albanese në cilësinë e saj si Raportuese Speciale e OKB-së për Gazën nuk pasqyrojnë ato të qeverisë italiane. Sjellja, deklaratat dhe iniciativat e saj janë të papërshtatshme për pozicionin që ajo mban brenda një organizate që punon për paqen dhe sigurinë, siç janë Kombet e Bashkuara”, theksohet në deklaratën e ministrit të punëve të jashtme të Italisë, Antonio Tajani.

       Edhe ministri i Jashtëm austriak Beate Meinl-Reisinger dënoi gjithashtu deklaratat dykuptimshme të saj.  “Francesca Albanese e etiketon kategorikisht Izraelin si armik të njerëzimit. Kritika ndaj veprimeve të Izraelit është legjitime dhe Austria gjithmonë ka kërkuar respekt për të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë, znj. Albanese po përhap gjuhë urrejtjeje. Deklarata të tilla dëmtojnë standardet e paanshmërisë dhe integritetit të kërkuara nga një përfaqësues i OKB-së. Fatkeqësisht, znj. Albanese ka dështuar vazhdimisht të përmbushë këto kërkesa.” – pohoi zyrtari i lartë austriak.

       Po ashtu edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së,Antonio Guterres, ka shprehur rezervat e tij në lidhje me pohimet e Françeska Albanezes. “Ne nuk pajtohemi me një pjesë të madhe të asaj që thotë ajo”, reagoi zëdhënësi i tij Stéphane Dujarric.

       Nga ana e saj, e akuzuara pohon se :“Nuk ka thënë kurrë, kurrë, kurrë që ‘Izraeli është armiku i përbashkët i njerëzimit’”, kumtoi znj. Albanese të mërkurën në transmetimin e kanalit “France 24”.

       “Kam folur për krimet e Izraelit, për aparteidin, për gjenocidin dhe kam dënuar si armik të përbashkët sistemin që nuk lejon sjelljen para drejtësisë të fajtorëve dhe ndërprerjen e krimeve të Izraelit”, – saktësoi ajo.

        Dhe sipas një videoje të fjalimit të saj e gjendshme në një kanal të Al Jazeera-s në YouTube, ajo e përshkroi gjendjen në Gaza si një lloj “sfide” për shumë vende të botës, që “në vend që ta ndalonin Izraelin, e armatosin atë dhe i ofrojnë justifikime, si një ombrellë politike dhe mbështetje ekonomike dhe financiare.”  Më pas ajo i referohet në këtë kontekst një “armiku të përbashkët” të cilin nuk e identifikoi.

       Sipas zonjës Albaneze, e cila është e mandatuar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, por që nuk flet dot në emër të OKB-së, “gjenocidi i popullsisë palestineze duket se është një mjet që shërben për të arritur një qëllim: “dëbimin ose zhdukjen e plotë të palestinezëve nga toka me të cilën është e lidhur një pjesë kaq thelbësore e identitetit të tyre dhe e cila është e lakmuar në mënyrë të paligjshme dhe të hapur nga Izraeli”!

       “Gjenocidi në Gaza është historia e një tragjedie të paraajmëruar e cila rrezikon të shtrihet edhe te palestinezêt e tjerë qê jetojnë nën hyqmin e Izraelit“,” akuzon znj. Albanese, e cila beson se “ndjekja e objektivit të ‘Izraelit të Madh’ kërcënon të zhdukë popullsinë indigjene palestineze”.

       “Deklaratat dhe veprimet e udhëheqësve izraelitë pasqyrojnë një qëllim dhe rrjedhë veprimi gjenocidal; ata shpesh janë thirrur në rrëfimin biblik të Amalekut për të justifikuar shfarosjen e ‘gazaitëve’, duke zhdukur Gazën dhe duke zhvendosur me dhunë palestinezët”, thekson juristja italiane me origjinë arbëreshe në përfundimin e një prej raportimeve të saj.

      Francesca Albanese, që është  emëruar raportuese për Gazën që nga pranvera e vitit 2022 dhe së cilës i është ndaluar të vizitojë territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli, është objekt i kritikave të ashpra dhe të përsëritura nga zyrtarët izraelitë, të cilët e akuzojnë atë për antisemitizëm ose për minimizimin e sulmit të 7 tetorit. Por ajo i hedh poshtë këto akuza, duke deklaruar se “kritikimi i veprimeve dhe politikave të Izraelit nuk e bën dikë antisemit”.

        Kjo është historia e italiano/arbëreshes e cila siç duket nuk do qëndrojë edhe shumë kohë të tjera në postin që mban aktualisht. Kjo duket se ështê bota sot.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment