Pas vizitës së saj të shumëpërfolur në Shqipëri, Lea Ypi doli mbrëmë, e mërkurë 11 shkurt, edhe në emisionin e shumëndjekur « 28 minuta » të stacionit televiziv franko/ gjerman «Arte».
Arsyeja ishte botimi në frëngjisht i romanit të saj “Indignité”. (Poshtërim). Pas botimit të tij në anglisht dhe shqip. Si përherë u fol për jetën e autores, të kaluarën e saj nën regjimin komunist, prejardhjen aristokratke otomane etj etj.
E vërteta është se Lea Ypi ka ditur t’i bëjë vend vetes edhe në Europë. Dhe kjo nuk është pak. Përkundrazi. Ajo duket se po ecën kështu në gjurmët e Kadaresë. Por ndërsa Kadareja vlerësohej si shkrimtar i talentuar, kaleidoskopi i Lea Ypit është disi më i ngatërruar. Ai përfshin si publicistikën, por edhe politikën dhe fillozofinë.
Lea Ypi në librat dhe esetë e saj nuk mjaftohet të përshkruajë historinë e Shqipërisë, por ajo shtrihet dhe shqyrton edhe atë të Europës dhe më gjërë. Globalizmi, emigracioni, nacionalizmi, pabarazitë shoqërore kalojnë të gjitha nën lupën e saj.
Çuditërisht dhe ndryshe nga ç’mund të pritej autorja shqiptare nuk mjaftohet veçse të kritikojë diktaturën e përgjakshme të Enver Hoxhës, por ajo nuk ngurron t’i vëjë pikat mbi « i » edhe ndaj mungesave dhe gabimeve të sistemit kapitalist !
Si pasojë, duke filluar nga sot dhe për 6 muaj me rradhë ajo do të jetë pjesë përbërëse edhe e Collège de France, një institucion paneuropian ky, ku gjallojnë figura të shquara të politikës së sotme dhe të ardhme franceze dhe europiane, në të cilin ajo do të ketë mundësi të përpunojë dhe shpalosë edhe tezat e saj mbi Europën dhe problemet me të cilat ndeshet Perëndimi sot.
Në emisionin e mbrëmshëm u shfaq edhe një filmim i kryer në Shqipëri nga radiotelevizioni francez andej nga viti 1992 ku Lea e vogël fliste një frëngjishte të rrjedhshme, e mësuar, siç tha ajo vetë, nga gjyshja e saj.
Lea Ypi duket se e ka ndërtuar sot jetën e saj në Perëndim. Dhe ia ka arritur që të bëhet e njohur atje edhe në rrethet intelektuale dhe arsimore. Por sidoqoftë Shqipëria mbetet për të një burim temash dhe idesh sociale dhe fillozofike që ajo nuk i gjente dot kurrsesi në Angli, ku ajo jeton sot.
Ndryshe ajo mund të konsiderohet sot pa frikë edhe si një ambasadore e mirë e vendit tonë në botën e jashtme. Me siguri shumë më e vlefshme dhe efikase se ato dhjetra ambasada të mbushura me dhëndurrë, kushërinj dhe farefis të oligarkisë politiko/ekonomike shqiptare.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment