Grusht shteti pa ushtarë!

        Ja pra që paska edhe grushte shteti ku nuk përdoret ushtria. Grushte shteti pa tanke, aviona dhe ushtarë. Grushte shteti pa Pinoçet dhe Al Sissi! Por sidoqoftë grusht shteti. Që kërkon të përmbysë një qeveri të zgjedhur nga votat e popullit. Në emër të një drejtësie që vetëm drejtësi nuk është.  Një drejtësi që ngurron të ngrejë akuzë ndaj atij që ka vrarë 4 të pafajshëm në bulevard. Një drejtësi që nuk prek ata që hodhën 36 njerëz të pafajshëm në Gërdec. Por një drejtësi që pezullon nga detyra një zv/kryeministre, jo se ka vjedhur, por se thuhet se ka treguar njëanshmëri në përcaktimin e fituesit të një tenderi.

         Që të jemi të qartë. Kur shpallet nga qeveria një projekt, ligji kërkon që të organizohet një lloj konkursi ku të marrin pjesë firma të specializuara dhe me eksperiencë, që mund ta realizojnë këtë projekt. Si psh kur është fjala për ndërtimin e një rruge apo hapjen e një tuneli.

       Me këtë rast ngrihet edhe një komision i posaçëm që studion kërkesat dhe aftësitë e kandidatëve. Kush nuk ka eksperiencë në këtë punë eleminohet. Apo edhe kush nuk ka mjetet e nevojshme,  apo edhe finacat e duhura për ta përballuar këtë projekt.

      Dhe pasi ky komision ka përcaktuar dhe aprovuar “tenderistët” askush nuk ka më të drejtë të ndërhyjë në procesin e shpalljes së fitimtarit?! A është ndjekur kjo praktikë në Shqipëri?! Askush nuk di gjë. Se edhe SPAK-u dhe të tjerët veprojnë në fshehtësi dhe bëjnë të njohura vetëm faktet dhe provat që u shërbejnë atyre. Kështu është vepruar deri më tani edhe për Veliajn, edhe për Ilir Metën etj etj.

     Pra po veprohet si dikur në komunizëm. I pari i partisë caktonte me gisht fajtorin dhe pastaj drejtësia grumbullonte “provat”!  Kjo praktikë duhet ndaluar urgjentisht. Me ligje të aprovuara nga parlamenti. Dhe ata që kanë vepruar në këtë mënyrë duhen arrestuar. Qofshin kryeprokurorë apo kryegjykatës.

        Sepse drejtësia nuk ka asnjë tagër të pezullojë një ministër apo zv/kryeministër. Kushdo qoftë ai apo ajo. Ndryshe drejtësia detyrimisht duhet t’i kërkojë kryeministrit të zgjedhur nga populli, pezullimin apo shkarkimin e një ministri, duke paraqitur edhe shkaqet dhe arsyet për këtë.      

        Drejtësia po ashtu duhet t’i kërkojë Parlamentit dhe kryetar/it/es së saj heqjen e imunitetit për një deputet. Por ajo kurrsesi nuk ka tagër që t’ia heqë vetë këtë imunitet. Rama duhet t’i bëjë të qarta këto gjëra me ligjin e ri. Ndryshe bëhet bishti më i rëndë se sqepari dhe një Spak apo kushdo tjetër, i pazgjedhur nga askush, merr kompetenca të papara dhe të padëgjuara. Ky është në fakt një grusht shteti ndaj demokracisë. Por i ndërmarrë jo nga ushtarakët, por nga gjykatës dhe prokurorë që kanë marrë revan.

         A është Berisha pas këtyre trukeve?! A ka hequr dorë ai nga tritoli dhe “çunat e Mamurrasit” dhe po përdor sot “djemtë” e drejtësisë?! Dumanin, Llallën, Dadon e kompani?! Askush nuk e di.

       Por ajo që duhet ditur dhe bërë është tu vihet kufiri te thana këtyre kryeprokurorëve apo kryegjykatësve. Me çdo kusht dhe me çdo çmim. Për shembull një ligj që mund të aprovojë parlamenti duhet të jetë ai që pamundëson mbajtjen e dikujt në paraburgim, pa e njohur me akuzën  më shumë se 30 ditë. Dhe ka shumë e shumë ligje që mund të aprovojë parlamenti.

       Por fatkeqësisht duhet pranuar se ky parlament për nga niveli i deputetëve të tij është edhe poshtë zeros absolute. I paaftë, pa figura me reputacion,  pa dinjitet, kulturë, guxim dhe pavarësi. Me një fjalë një tufë kllounësh të zgjedhur me dorën e tij nga kryekllouni, siç e cilësoi para pak ditësh edhe gazeta turke.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment