Pse ekziston Universi?! A nuk do të ishte më e thjeshtë të mos kishte asgjë?!

           Kjo është një pyetje që është bërë shpesh nga të gjithë popujt dhe në të gjitha kohërat. Dhe deri më sot, dhe me siguri edhe deri në pafundësi, askush nuk do t’i japë dot përgjigje. Kjo pyetje: “Nëse Zoti nuk ekziston, kush e krijoi botën?” u drejtohet kryesisht ateistëve.

             Dhe përgjigjet janë sa të shumta, aq edhe jo bindëse.  Dhe ajo që e trazon edhe më shumë llogjikën e njerëzve është “Bing-bangu”. Dmth një shpërthim i madh i ngjarë para 14 miliardë vjetësh. Një shpërthim si pasojë e të cilit u krijuan mbi 200 miliardë galaksitë e njohura deri më sot. Secila prej këtyre galaksive përmban mbi 100 miliardë sisteme diellore si i yni. Një llaf goje. Shumëzoni 200 miliardë me 100 miliardë dhe do keni një ide të pafundshmërisë së kësaj Gjithësie, që nuk ta rrok dot mendja.

              Dhe për më shumë ky Univers vazhdon të përhapet dhe shtrihet pa ndërprerje. Largësitë e një sistemi djellor me një tjetër maten po ashtu me vite drite. Një vit drite është baraz me afërsisht 9.5 miliardë kilometra, duke pasur parasysh se shpejtësia e dritës llogaritet në 300 000 kilometra në sekondë.

           Duhet ditur po ashtu se sistemi më i afërt diellor me ne, Alfa Centauri, gjëndet “vetëm” 4.2 vite dritë!  4.2 x 9.5 miliardë kilometra =… Po ua lëj juve ta nxirrni përfundimin! 

               Të gjitha këto shifra i hutojnë sot edhe më shumë si njerëzit e thjeshtë, por po ashtu edhe shkencëtarët. Ndryshe kur pyesim: “nëse Zoti nuk ekziston, kush e krijoi Gjithësinë”? – kjo pyetje supozon se bota qënka krijuar nga Bing Bangu dhe nuk paska ekzistuar që në jetë të jetëve.

          Kjo mbetet për t’u provuar. Edhe sepse ideja e krijimit nënkupton domosdoshmërisht një fillim. Se në fillim nuk kishte asgjë dhe pastaj nga një energji e papërshkrueshme e mbledhur në një kokë gjilpëre apo bizeleje u krijua papritmas gjithë Universi që njohim sot. Ide kjo që gjithsesi nuk pranohet nga të gjitha kulturat, madje as nga të gjitha teoritë filozofike apo shkencore.

         Së dyti krijimi i diçkaje kërkon domosdoshmërisht një krijues? Jo më kot Anshtajni është shprehur se çdo sahat ka sahatbërësin e tij! Kjo pyetje ngre gjithashtu problemin e regresionit të pafund. Nëse dikush pohon se Zoti krijoi universin, dikush menjëherë mund të pyesë: “Po Zotin kush e krijoi?” Përgjigja klasike është se Zoti nuk u krijua dhe se ai ka ekzistuar gjithmonë. Kjo do të thotë se një realitet, dikush, mund të ekzistoka në jetë të jetëve edhe pa pasur një fillim. Atëhere duhet ta rishikojmë idenë e Big Bangut dhe Crunch Bangut, shpërthimin dhe tkurrjen e Universit.

          Si përfundim mund të arrijmë në konkluzioni se është vetë Universi që nuk ka fillim, në vend që të postulojmë ekzistencën e një qenieje edhe më komplekse për të shpjeguar origjinën e saj.

          Në fakt kjo ka qënë teoria marksiste e lindjes së Gjithësisë: të gjallimit të një materieje që nuk ka fillim dhe as fund, por që ndryshon vazhdimisht.  

          Vetëkuptohet se qënia njerëzore njerëzore është padyshim e kushtëzuar “gjenetikisht” nga gjendja e saj, nga lindja dhe vdekja, e cila është gjithashtu kusht i mjedisit të saj natyror, të gjallë dhe material (gjithçka transformohet). Nga kjo perspektivë, është e vështirë të konceptohet për Njeriun, ose edhe thjesht të pranohet, një krijim pa një “krijues”.

             Për shumicën dërrmuese të njerëzve, besimi në ndërhyrjen e një krijuesi, të një “Zoti”, është edhe qetësues, sepse ky besim lejon shpresat për një mbijetesë ose ringjallje të mundshme pas vdekjes,  kur jeta e tashme mund të konsiderohet vetëm si një kalim.

          Ajo që dimë tani, përpara se të bëjmë disa krahasime të guximshme, është se të gjitha atomet që përbëjnë trupin (formën) tonë të gjallë nuk zhduken “përfundimisht”, veçse transformohen. (Lavuazier).

          Gjendemi para dijeve të paqarta dhe të pasakta për shumicën dërrmuese prej nesh, sepse eksplorimi i hapësirës po na përball me një përmbysje të plotë të besimeve tona të lashta, fetare apo fillozofike, të cilat ishin qetësuese, ndërsa realiteti i sotëm duket se nuk është gjë tjetër veçse një boshllëk akullnajor, dimensione të pamatshme, dhunë titanike dhe vetmi e plotë. Po a është vërtet kështu?!

         Sepse duket se po sillemi veçse rrotull vetes. Supozojmë se materia është e përjetshme, se Gjithësia tkurret dhe bymehet sipas ligjeve të Bing Bangut dhe Crunch Bangut. Por pyetja kryesore mbetet prapë se prapë pa përgjigje. Nga doli kjo materie?! A nuk do të ishte më e thjeshtë dhe më llogjike të mos kishte gjë fare?! Se çdo krijim kërkon mundim. Edhe një pikurë të bësh duhet të lodhesh.  Atëhere gjithë Universi?! Gjithë kjo materie?! Dhe nuk mjafton me kaq.

       Vetë shkencëtarët kanë zbuluar se ky Univers mbahet “në këmbë” nga disa konstante (koefiçientë) matematikë të pandryshueshëm. Dhe tmerrësisht të saktë. Janë rreth 20 të tillë duke filluar nga elektromanjetizmi, gravitacioni etj etj. Vetëm sikur të ndryshosh një shifër të këtyre koefiçentëve, psh pas pas shifrës së nëntë dhjetore, Universi dhe bashkë me të edhe ne, nuk do ekzistonim!

       Prapë te Anshtajni: ”Universi është plot me inteligjencë”! Atëhere si u krijua Gjithësia?! A nuk do tê ishte më e thjeshtê tê mos kishte asgjê?! Ku ishim? – Asgjëkundi.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment