Siç dihet presidenti amerikan, Donald Trump, themeloi dje në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të ashtuquajturin “Këshillin e Paqes”. Fillimisht i menduar për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ky këshill synon tani të luajë një rol edhe më të gjerë në zgjidhjen e shumë konflikteve ndërkombëtare. Thuhet se anëtarësimi në të kushton një miliard dollarë për vendet që dëshirojnë të qëndrojnë anëtare për më shumë se tre vjet. Shumë analistë vërejnë se ky institucion është krijuar të dobësojë OKB-në, edhe pse Trump këmbëngul se nuk ka ndërmend t’i zëvendësojë Kombet e Bashkuara.
“Ky këshill ka mundësinë të kthehet në një nga organet më me ndikim të krijuara ndonjëherë”, – deklaroi Trump të enjten në Davos. Analistët e zhvillimeve ndërkombëtare argumentojnë se statuti i këshillit nuk e përmend drejtpërdrejt Gazën dhe duket se ky këshill i ofron presidentit amerikan një mandat më të gjerë për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare. Prandaj gjallon edhe frika se Donald Trump në të vërtetë dëshiron të krijojë një lloj “OKB-je paralele” mbi të cilën ai do të kishte kontroll të plotë.
Si kryetar i ardhshëm i Këshillit të Paqes, Donald Trump ka ftuar tashmë dhjetëra shtete të bashkohen, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas tij, vendet që dëshirojnë të marrin një vend të përhershëm do të duhet të paguajnë një miliard dollarë, gjë që përfaqëson një burim shtesë tensioni për disa shtete, veçanërisht për ato tradicionalisht aleate me Shtetet e Bashkuara.
Franca, Norvegjia, Suedia dhe Finlanda janë shprehur se nuk do marrin pjesë në të. Franca u dallua veçanërisht duke refuzuar menjëherë ftesën e Uashingtonit. “Karta shkon përtej çështjes së Gazës dhe ngre pikëpyetje të mëdha, veçanërisht në lidhje me respektimin e parimeve dhe strukturës së Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk mund të vihen në dyshim në asnjë rrethanë”, deklaroi një burim pranë presidentit francez, Emmanuel Macron.
Ky refuzim i qartë dhe pa ekuivoke e shtyu Trumpin të kërcënonte Parisin me tarifa prej 200% për verërat dhe shampanjat franceze. Edhe Norvegjia, Suedia dhe Finlanda më pas njoftuan se edhe ato refuzuan të bashkoheshin me Këshillin e Paqes.
Pavarësisht marrëdhënieve të mira me Trumpin, kryeministrja e ekstremit të djathtë e Italisë, Giorgia Meloni, po shqyrton gjithashtu mundësinë e refuzimit, sipas mediave italiane.
Megjithatë, ajo deklaroi të mërkurën se i duhej më shumë kohë për të “vlerësuar” propozimin. Koalicioni i saj qeverisës është me të vërtetë i ndarë për këtë çështje. Figura të shquara në partinë e qendrës së djathtë Forza Italia po bëjnë thirrje publikisht për refuzimin e Këshillit, ndërsa partia e ekstremit të djathtë dhe pro-ruse Lega e Matteo Salvinit mban qëndrim të kundërt. Disa analistë besojnë gjithashtu se ky organ i ri mbikombëtar mund të shkelë Kushtetutën italiane.
Po ashtu Britania e Madhe ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë tash për tash, por ende po shqyrton kushtet. Një zëdhënës i qeverisë britanike shprehu gjithashtu shqetësime në lidhje me pjesëmarrjen e Vladimir Putin-it dhe udhëheqësit bjellorus Aleksandër Lukashenko atje. Kina, e cila gjithashtu është ftuar, nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen e saj.
Me këtë rast duket se Putini dëshiron të përdorë asetet e ngrira në Shtetet e Bashkuara si tarifa pjesëmarrjeje në këtë këshill.
Rusia pohoi se se ishte e ftuar, por kishte nevojë për kohë për të shqyrtuar propozimin, megjithëse Trump pretendoi se rusët kishin rënë tashmë dakord. Të enjten, rusët shtuan se donin të përdornin asetet ruse të mbajtura në Shtetet e Bashkuara për të siguruar anëtarësim të përhershëm duke paguar 1 miliard dollarët e kërkuar nga presidenti i SHBA-së. Kjo ide thuhet se ishte diskutuar tashmë edhe me Shtetet e Bashkuara.
Por ftesa që iu drejtua presidentit rus Vladimir Putin duket se është një çështje e ndjeshme në Evropë. I ftuar për t’u bashkuar me Këshillin, Kievi deklaroi se ishte “shumë e vështirë të imagjinohej Ukraina dhe Rusia të uleshin së bashku në një këshill paqeje”. Ky propozimi ka ngjallur kritika edhe në Poloni, megjithëse presidenti i ekstremit të djathtë, Karol Nawrocki, nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar.
Megjithatë, sipas Shtëpisë së Bardhë, deri më tani 35 vende kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në këtë Këshill. Ndërmjet tyre Shqipëria dhe Kosova janë treguar shumë entuziaste. Por edhe Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Turqia dhe Bjellorusija. Si dhe Hungaria, Kazakistani dhe Vietnami.
Dhe ashtu siç pritej, Izraeli, një nga aleatët më të vendosur të administratës Trump, konfirmoi pjesëmarrjen e tij. Duke pasur parasysh se objektivi i deklaruar i Këshillit të Paqes është zgjidhja e konfliktit në Gaza, shteti hebre as nuk mund të refuzonte. Ndërkohë, armëpushimi në Gaza, i arritur në tetor, mbetet i brishtë, me Izraelin dhe Hamasin që akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të përsëritura.
Izraeli pohon se Hamasi po e vonon qëllimisht riatdhesimin e trupit të pengut të fundit të ndjerë, ndërsa Hamasi pohon se Izraeli vazhdon të kufizojë ndihmën humanitare për Gazën, pavarësisht nevojave urgjente të enklavës palestineze. Faza tjetër e armëpushimit pritet të adresojë çështje të ndjeshme si çarmatimi i Hamasit, administrimi i Rripit të Gazës dhe një tërheqje e mundshme e Izraelit.
Të enjten, pra dje, në ceremoninë e Këshillit të Paqes në Davos, Trump përëriti angazhimin e tij për demilitarizimin e Gazës dhe “rindërtimin e saj në një mënyrë shembullore”. Forcat politike palestineze shprehën mbështetjen e tyre për planin e Trump dhe ranë dakord për krijimin e një komiteti kalimtar për të qeverisur Rripin e Gazës nën mbikëqyrjen e këtij këshilli.
Por pavarësisht të gjithave, profesori i politikave evropiane, Hendrik Vos i Universiteti të Gentit në Belgjikë, e sheh formimin e këtij këshilli thjesht si një përpjekje për të anashkaluar Kombet e Bashkuara. “Tani nuk ka asnjë dyshim: Trump po synon dominimin e botës.” – pohon ai.
I pyetur se çfarë mendon ai rreth rezultateve pozitive që mund të sjellë ky këshill në marrëdhëniet ndërkombëtare, profesori belg pohon se ky Këshill i Paqes, fillimisht kishte për qëllim mbikëqyrjen e qeverisjes dhe rindërtimit të Rripit të Gazës gjatë një faze kalimtare. Ai u krijua që në nëntor, me mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Por ai shton se Karta e Këshillit të Paqes, e publikuar në The Times of Israel, dëshmon se Trump e parasheh këtë nismë si një ndërmarrje politike globale.
Misioni i Këshillit të Paqes është të promovojë stabilitetin në botë dhe të kërkojë paqe në zonat e konfliktit: pikërisht ajo që përshkruhet edhe në Kartën e OKB-së si misioni i Këshillit të Sigurimit – vë në dukje Hendrik Vos: “Kjo është një përpjekje për të lënë mënjanë Kombet e Bashkuara. Donald Trump po dërgon mesazhin e mëposhtëm: Amerika do të sundojë botën nën udhëheqjen time – thotë ai. Dhe Trump synon ta arrijë këtë me anë të një grupi diktatorësh, njerëz që e shpërfillin ligjin ndërkombëtar! Të vendosësh një grup diktatorësh në krye të botës? Kjo është çmenduri!
Po pse Trump dëshiron të sulmojë Kombet e Bashkuara?
Trump dhe Kombet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie të mira. Presidenti amerikan e ka të vështirë të pranojë që Shtetet e Bashkuara të financojnë një të pestën e buxhetit të OKB-së. Gjatë mandatit të tij të parë, ai i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një numër organizatash të OKB-së, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, UNESCO-n, Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Kornizë për Ndryshimet Klimatike.
Prandaj Hendrik Vos shton: “Trump dëshiron t’i kundërvihet OKB-së sepse nuk ka kontroll të plotë mbi këtë organizatë. Për shembull, ai nuk ishte aspak i kënaqur kur OKB-ja e shpalli Izraelin fajtor për gjenocid në Gaza. Ai nuk pajtohet po ashtu me qëndrimet dhe analizat e OKB-së për problemet globale. OKB-ja e merr seriozisht çështjen e klimës, por Trump jo. Në realitet, Trump dëshiron të krijojë diçka të re që Shtetet e Bashkuara mund ta kontrollojnë plotësisht. Kjo është politikë e forcës brutale.
Kombet e Bashkuara duhet të kundërpërgjigjen duke ruajtur qetësinë dhe duke vazhduar punën e tyre, jo duke e sabotuar projektin e Trump-it. Vendet e ftuara për të marrë pjesë në Këshillin e Paqes të Trump nuk janë të detyruara ta bëjnë këtë.
A do ta pranojë Putini ftesën e Trumpit?
Hendrik Vos: “Mendoj se Rusia mund t’i bashkohet projektit. Kjo nuk do të thotë që rusët do të largohen nga Kombet e Bashkuara; nuk do të jetë gjithçka ose asgjë. Nuk mendoj se ndonjë vend do të largohet nga OKB-ja. Por nëse rusët e shohin Këshillin e Paqes të Trump si një platformë që mund të transformojë situatën botërore, ata mund të shohin një avantazh në të.”
Sa i besueshëm është Trump si një “paqebërës” i vetëshpallur?
Trump e riemërtoi Departamentin e tij të Mbrojtjes në “Departamentin e Luftës”. Këtë javë, ai i dërgoi një mesazh kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, duke i deklaruar se, meqenëse nuk fitoi Çmimin Nobel për Paqen, nuk ndihet më i detyruar të mendojë për paqen.
Hendrik Vos: Tani nuk ekziston më as dyshimi më i vogël: “Trump nuk synon asgjë më pak se sa dominimin e botës.”

Lini një koment