Ramës i erdhi ftesa pikërisht në momentin e duhur

        Kryeministri I Shqipërisë i kishte punët pisk. Reputacioni i tij kishte ënë shumë poshtë. Për të nuk ndëgjonje dot një fjalë të mirë, jo vetëm nga kundërshtarët e tij politikë, por edhe nga miqtë dhe aleatët e tij.

      Skandale, abuzime dhe vjedhje hapur njëra pas tjetrës. Korrupsioni në kulm. Dhe të gjitha të shkaktuara nga « njerëzit e tij ». Nga ata që vetë ai i kishte zgjedhur një nga një për t’i vënë në krye të punëve. Balluku, Ahmetaj, Beqaj me kompani nën hetim dhe ndjekje nga SPAK-u. Pa folur këtu për plot ministra dhe deputetë të tjerë.

     Aq keq i kishin vajtur punët sa edhe opozita e telendisur dhe e nëpërkëmbur kishte filluar të tallej me të. « Do t’ia bëjnë, siç ia bënë Moduros. Do shkojnë ta kapin gjallë në Surrel » – thoshnin sa me qesëndi, por dhe plot hare gazetarët dhe analistët pranë saj.

      Vetë Rama ndjehej keq. Dhe nuk po dinte se çfarë të bënte. Saqë sikur të mos i mjaftonin grindjet dhe zënkat me gazetarët vendas, “kazani”, siç i cilësonte ai, filloi të kapej edhe me gazetarët e huaj.  « E mban veten si pasaradhës i Platonit dhe Aristotelit, por nuk je hiç i tillë” – iu çorr ai një gazetari grek.

      Ndërkohë që e gjithë bota e kishte marrë vesh se ai i kishte keq punët edhe me presidentin amerikan, Trump, pasi u tall një herë pas kurrizit të tij, së bashku me presidentin francez, Macron.

     Dhe ja kur askush nuk e priste, atij i arrin një ftesë personale dhe e paparashikuar fare, pikërisht nga vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump d.v.! Ku Shqipëria ftohej për të qënë vend themelues i një organizate ndërkombëtare të veçantë paqeje, që Donald Trump paska si synim ta formojë se shpejti.

      Ky forum ndërkombëtar do të kryesohet nga vetë presidenti Trump, por në gjirin e tij janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrja e Italisë, Meloni, Milei i Argjentinës,  presidenti i Brazilit, Lula, ai i Turqisë, Erdogan,  i Egjiptit El Sissi, kryeministri i Kanadasë mark Carney etj. Pra Shqipëria e vogël do të rradhitet kështu me më të mëdhenjtë e kësaj bote.

       Dhe thuhet se janë dy arsyet që e kanë nxitur presidentin amerikan të ndërmarrë këtë nismë. E para vënia në jetë e fazës së dytë të planit të paqes në Gaza. Dhe e dyta, dhe ndofta më e rëndësishmja,  sfidimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara!

       Siç dihet Trump nuk e duron dot këtë organizatë, në Këshillin e së cilës, që është edhe organi më i lartë ekzekutiv, bëjnë pjesë edhe Kina, Rusia, Franca, Anglia etj. Trump duket se dëshiron të krijojë një organizatë tjetër paralele me OKB-në, ku të jetë ai “vetë zot, vetë shkop”, siç thotë një shprehje e urtë e jona.

      Rama u ndje tejet i lumtur dhe i mikluar nga kjo ftesë. Dhe nuk vonoi një sekondë të shprehte gjithë kënaqësinë e tij.  Sepse kjo ftesë ishte njëkohësisht edhe si një shuplakë turinjve që i jepej opozitës. Që nuk pushonte së akuzuari Ramën, here me të drejtë dhe herë jo, për gjithë të këqijat në vend.

        Sa edhe kur kishte përmbytje, shira që nuk pushonin, opozita tregonte me gisht Ramën, sikur të ishte ai shkaktari i përmbytjeve. Duke harruar se pikërisht në kohën e sundimit të opozitës janë prishur dhe shkatërruar edhe të gjitha hidrovoret, argjinaturat dhe barrierat që i mbanin lumenjtë “zap”.

      Kjo ftesë nënkupton edhe disa vizita në Uashington, ku Rama kishte kohë që nuk kishte shkelur. Gjithashtu edhe takime, shtrëngime duarsh dhe foto me Trump- in dhe udhëheqës të tjerë të kësaj bote. Dhe rritje të popullaritetit të tij sa brenda, aq edhe jashtë vendit !

      Akulli u thye. Rama doli sipër. Por enigmë mbetet sidoqoftë  arsyeja e vënies së vendit tonë në këtë listë. Dhe jo prapa liste, si Lipe Shtogu, por në ballë fare ! Shkurt Rama fitoi edhe një herë tjetër. Dhe pikërisht atëhere kur dukej se po merrte të tatëpjetën!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment