Rama në prag të largimit ?!

       Rama duket se është i lodhur. I lodhur pas 13 vjet « mbretërimi » në vend. I lodhur nga skandalet që po i plasin njëra pas tjetrës. I lodhur nga njerëzit që ka rrotull. Që shohin veçse se si ta gënjejnë. Apo edhe si të pasurohen çdo ditë e më shumë…

       Dhe si njeri i lodhur ai ka filluar t’i japë shumë gojës. Sot, duke folur për situatën e përmbytjeve në vend, Rama ia vuri fajin edhe njerëzve, që hedhin shishe dhe qese plastike ku të mundin. Këto bllokojnë kanalizimet dhe hidrovoret. Prandaj megjithë milionat që kemi investuar ka çdo vit përmbytje, – pohoi ai.

         Pikërisht duke u shprehur  në podcastin e tij “Flasim”, kryeministri Rama theksoi se niveli i dëmeve gjatë përmbytjeve të fundit është sidoqoftë shumëfish më i vogël se ai i përmbytjeve që ndodhnin 10 vjet më parë dhe kjo në sajë të investimeve shumë të mëdha në infrastrukturë që ka bërë qeveria.

        Rama përpos kushteve atmosferike dhe infrastrukturës, bëri me faj dhe qytetarët që hedhin mbeturina plastike, të cilat sipas tij kanë një peshë të mirë të përgjegjësisë për përmbytjet.

       “Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve, edhe faktori njerëzor ka peshën e vet – tha ai, para se të shtonte: “Unë sinqerisht nuk e di fare se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës.

        Ne si qeveri dhe si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet. Ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike aty apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, krim”, – tha Rama.

       Dhe deri diku Rama ka të drejtë. Madje edhe qeveria e Kroacisë i ka dërguar disa nota proteste qeverisë shqiptare, për shkak të mbeturinave që nga lumenjtë dhe bregdeti shqiptar, po ndotin edhe plazhet e Kroacisë duke i pakësuar asaj deri edhe turizmin!

           Por me dashje apo pa dashje ai përdori sot edhe shprehjen « harbut ». Harbut në shqip dhe turqisht i thonë llumit, hajnit, banditit, njeriut të pabesë e me plot të këqija të tjera. E keqja më e madhe është se ai këtë cilësim nuk ia drejtoi një njeriu të vetëm, apo një grupi njerëzish sado i madh qoftë ai. Jo. Këtë cilësim ai e përdori për popullin mbarë: “Unë sinqerisht nuk e di fare se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull !”.

       Dhe kjo është e rëndë. Shumë e rëndë madje. Një kryeministër, një politikan, një deputet mund të mendojë shumë gjëra brenda vetes, por jo të gjitha sa ai mendon duhet t’i shprehë publikisht. Kjo është « abc-ja » e politikës.

      Dhe është e vërtetë që populli shqiptar, në shumicën dërrmuese të tij, është një popull « harbut ». I pacivilizuar, i prapambetur, dembel, i dhënë shumë pas krimit dhe pasurimit me të gjitha pislliqet… Dhe po e mbyll me kaq se po më duket sikur po ja fus me shpulla vetes.

      Por kur një kryeministër e quan popullin që e ka zgjedhur 4 herë në këtë post si « harbut » këtu ka diçka të madhe që nuk shkon. Rama duket jo vetëm i lodhur, por edhe i shkëputur nga realiteti. Pak ditë më parë ai pati një përplasje publike me një nga gazetarët dhe analistët më të njohur në vend, Blendi Fevziun.

       Fevziu mund të jetë kush të dojë. Mund t’i ketë bërë ato para duke iu përshpirtur herë njërit kryeministër dhe herë tjetrit. Duke e përdorur televizionin e tij si një kobure ose si mjet presioni, gjobash dhe xhvatjeje. Por këto janë punë të prokurorisë.

      Për më shumë Rama nuk u përplas me Fevziun për shkaqe financiare apo mediatike. Si psh se po e përdor median e tij për të sulmuar pa të drejtë qeverinë! Jo. Ai u përplas me Fevziu se kush udhëtonte më shumë me aeroplan!

          «Ti udhëton edhe më shumë se mua » – iu përgjegj Rama analistit të njohur. « Po, iu përgjigj Fevziu. Por unë udhëtoj me paratë e mija, ndërsa ti me paratë e taksapaguesve » ! Dhe kishte të drejtë.

          Fevziu është biznesmen. Ai ka televizionin e tij, por ka edhe prona të tundshme dhe të patundshme anë e mbanë vendit. Dhe me siguri disa milionë euro në ndonjë bankë off – shore. Por siç thamë kjo nuk është punë e Ramës.  

      Ky debat veç se dëshmoi se kryeminitri e ka humbur torruan. Ndryshe nuk do të bënte një gafë të tillë. Edhe një fëmijë e kupton se është ndryshe kur udhëton me paratë e tua dhe ndryshe me ato të arkës së shtetit !

      Përplasja me Fevziun dëshmon po ashtu se Rama as nuk po e kontrollon dot më veten. Për shumëkënd Rama i sotëm, nuk është më opozitari i 15 apo 20 viteve më parë. Se dihet: Mosha ndikon te kushdo.

      Kryeministri shqiptar ka edhe një problem tjetër që ia ka nxirë jetën. Gabimi që ai bëri para pak muajsh kur, së bashkë me presidentin francez Emanuel Macron, u tallën me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Sepse ky i fundit i kishte ngatërruar nja 2 – 3 herë Armeninë me Albaninë!

      Për këtë çështje mund të lexoni edhe shkrimin e botuar ato kohë në këtë blog me titullin: “Kur miu do të tallet me elefantin!”. Dhe Trump duket se nuk ia fali këtë shaka në kurriz të tij. Se ai nuk është nga ata që i fal këto gjëra. Se ka një ego dhe narçisizëm të pafund për veten e tij.

      Dhe duket, dhe këtë e kam dëgjuar me veshët e mi, në një televizion francez, se Trump paska deklaruar se ai nuk do të donte ta takonte më kurrë Edi Ramën ! Si të donte të thoshte se: nuk dua t’ia shoh më sytë!

     Dhe opozita afërmendsh përfitoi nga kjo e “çarë” e panevojshme, e shkaktuar veçse nga dëshira e Ramës për të rënë në sy. Sipas saj, Trump i paska kërkuar Ramës të largohet nga posti i kryeministrit! Se sa e vërtetë është kjo një Zot e di. Por nuk do të jetë fundi i botës sikur vërtet Trump ta ketë thënë këtë.

        Aq më shumë që tani duken sikur marrëdhëniet e Ramës me ambasadën amerikane në Tiranë janë ftohur dukshëm. Njëkohësisht SPAK, një krijesë amerikane, po ia merr shpirtin kryeministrit shqiptar, duke i akuzuar dhe burgosur një numër të pandalshëm ofiqarësh të PS-së. Aq sa Rama i ka kërkuar tani ndihmë ministrit francez të drejtësisë që të bëjë « zap » SPAK-un !

       Edhe sot, duke folur për situatën e jashtëzakonshme klimatike, Rama u shpreh se « drejtësia është e pavarur, (si rezultat i qëndrimit të tij ndaj saj), por nuk është e drejtë dhe e paanshme”. Akuzë kjo e drejtpërdrejtë. Që do të thotë se SPAK po punon kundër qeverisë. Me urdhër të kujt?!  Të opozitës apo të ambasadës që gjendet te rruga e Elbasanit?!

       Me një fjalë Ramës po i mblidhet laku. A do rezistojë dot ai vallë deri në fund të mandatit të 4-ët, që përfundon në pranverën e vitit 2029 apo do të dorëhiqet para kohe?! Kjo është pyetja?!

       Se duket se edhe njerëzit janë të lodhur dhe zhgënjyer nga ai. Rama është shumë më i mirë si qeveritar dhe njeri sesa mënxyra Sali Berisha. Po kjo nuk mjafton më.

        Kur ti rrethohesh apo zgjedh në poste me rëndësi kapitale veçse të paftë dhe hajdutë, siç është rasti me dy zëvendës kryeministrat e tij, Ahmetaj dhe Balluku, pa folur këtu për ministra, zv/ministra dhe deputetë, ti i zhgënjen rëndshëm zgjedhësit e tu.

       Dhe Rama duket se është i ndërgjegjshëm ndaj këtij zhgënjimi. Dhe në mos qoftë bëhet i ndërgjegjshëm nga nga mediat dhe komentet e njerëzve.

        Si përfundim a do të largohet Rama sot, nesër, pas 1 viti apo pas 2 vjetësh?! Kjo nuk dihet. Por një gjë është e sigurt. Ai nuk do ta mbyllë dot ciklin e 4-t si kryeministër.

       A do të zgjedhë Rama dikë që do ta zëvendësojë deri në zgjedhjet e ardhshme legjislative, siç ka shumë gjasa të ngjajë, apo largimi i tij do sjellë edhe zgjedhjet e parakohshme, me mundësinë e rikthimit në pushtet të atyre që e kanë djegur dhe shkatërruar nja 2 – 3 herë këtë vend gjatë këtyre 35 viteve të fundit!

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment