Mollahët e Iranit dhe komunistët e Shqipërisë !

    Po çfarë mund t’i lidhën mollahët shitë me komunistët e pafe ?! – mund të pyesë dikush pasi lexon titullin. Në fakt mollahët dhe komunistët i lidhin po aq gjëra sa edhe i ndajnë.

      Në rradhë të parë pasja nën kontroll e vendit. Si mollahët, ashtu edhe komunistët, ushtronin një pushtet të pakufizuar në vend. Asgjë nuk mund të ndërmerrej pa lejen e tyre.

     Njëra palë sundonte vendin në emër të Marksit, tjetra në emër të Aliut, dhëndërrit të Muhametit. Njëra kishte rrëzuar Shahun nga pushteti, tjetra nuk pranonte kthimin në vend të mbretit Zog !

     Mollahët, njëlloj si komunistët, kontrollonin jo vetëm se çfarë njerëzit thoshin, por edhe se si visheshin. Në Iran ndalohet psh për gratë që të zbulojnë flokët, në Shqipëri meshkujt nuk lejoheshin të mbanin flokë apo favorite (baseta) të gjata.

     Të dy kishin armiq të përbashkët: imperializmin amerikan dhe sionizmin izraelit. Dhe në emër të luftës kundër armikut të jashtëm ushtronin një dhunë dhe terror të paparë në opinionin e brendshëm.

      Çmenduria e këtyre vendeve diktatoriale është se ata nuk e dëgjojnë kurrë popullin, ndryshe nga sa predikojnë, por e shtypin. Gjithmonë ekziston vetëm një parti në pushtet. Dhe të mos i bindesh kësaj partie vë jetën në rrezik.

    Kur erdhën komunistët në pushtet më 1994-ën, ata nuk pyetën shumë nëse populli apo një pjesë e tij donte të jetonte nën komunizëm apo nën një regjim demokratik. Nëse ai donte koperativën apo pronën personale. Për më shumë po të shprehnje një fjalë kundër asaj partie që kontrollonte çdo cm² të vendit rrezikonje të të ikte koka. E njëjta gjë edhe në Iran.

    Duke u mbështetur te sherjaja ata u ndalojnë femrave mundësinë të shprehin kërkesat e tyre. Duke i mbuluar nga koka te këmbët sikur të jenë sorra të zeza !

       Më kujtohet se rreth vitit 1980 një delegacion iranian erdhi në Shqipëri. Ndër të tjera ai vizitoi edhe redaksinë e gazetës « Zëri i Popullit ». E para gjë që kërkuan ishte që kafja të mos u shërbehej kurrsesi nga një grua e pambuluar nga koka te këmbët. Ndryshe mund ta shërbenin vetë.

      Pikërisht për këto shkaqe kryeministri i atëhershëm i vendit Mehmet Shehu, që ishte po aq kriminel sa Enver Hoxha, por sidoqoftë më me këmbë në tokë, kishte pohuar se revolucioni islamik në Iran i udhëhequr nga Khomeini ishte një lëvizje reaksionare. Ndryshe dogmatiku Hoxha e përshëndeti atë revolucion veçse se ai përfaqësonte një lëvizje antiimperialiste dhe antiamerikane !

     Sidoqoftë, si njerëzit në Shqipëri, si ata në Iran, vjen një kohë dhe u vjen në majë të hundës nga sundimi i një partie të vetme, dhe shpesh herë edhe nga sundimi i një personi të vetëm, që rri në pushtet deri sa jep shpirt ! Siç thamë, dikush në emër të marksizëm leninizmit dhe tjetri në emër të Muhamet – Aliut.

    Tani që Irani po zien,  tani që rinia duket se është derdhur rrugëve, njëlloj si rinia shqiptare në vitin 1990, ende nuk dihet nëse Amerika dhe Izraeli do të ndërhyjnë apo jo ushtarakisht. Por dihet që ato po i ndjekin zhvillimet atje me një vëmendje të paparë.

    Bindja është se për sa kohë që pushteti i mollahëve në Iran po tronditet, Amerika dhe Izraeli do të qëndrojnë « mënjanë »  duke ndezur urat, por në rast se revolta e këtyre ditëve dëshmon ndonjë shprehje dobësimi, atëhere Amerika dhe Izraeli me siguri që do ndërhyjnë ushtarakisht. Ose me lloj komandosh siç Amerika veproi në Venezuela, ose me bombardime.

     Izraeli do jetë veçanërisht shumë i lumtur në një rast të tillë. Irani dhe Turqia mbeten të vetmet shtete kundërshtare të tij në atë rajon. Dhe në rast se regjimi i mollahëve përmbyset kjo është një fitore e madhe për Izraelin. Nga mbi 10 vende armike sa kishte para disa vitesh, tani izraelit i mbetet të merret vetëm me Turqinë e Erdoganit.

     Iraku, Libia, Siria, Gaza, Egjipti i Morsit ishin deri para pak vitesh armiq të betuar të Izraelit. Të gjitha këto vende janë tashmë shkatërruar. Me përjashtim të Egjiptit, ku me një grusht shteti u përmbys drejtuesi i zgjedhur në mënyrë demokratike, Morsi, duke u zëvendësuar nga gjenerali puçist El Sissi !

      Sidooftë shihet se askush nuk do derdhi lot sot për regjimin islamist dhe diktatorial të Teheranit. E vetmja pikëpyetje mbetet se cila do të jetë e ardhmja e popullit të lashtë persian?! Shembujt fatkeqësisht nuk janë shumë premtues.

     Gjendja në Libi është sot shumë më keq se në kohën e Kadafit. Po ashtu në Irakun e Sadamit me sot. Këto vende janë bërë copa copa. Aq sa duket se ngandonjëherë liria dhe demokracia i gjen popujt të papërgatitur. Zgjidhja më e mirë do të ishte pa asnjë dyshim që situata në Iran të zgjidhej nga vetë populli i saj pa ndërhyrje të armatosur nga jashtë. Populli Iranian ka vuajtur boll gjatë këtyre 46 viteve. Çuditërisht edhe populli shqiptar duroi dhe vuajti po aq, 45 vjet nën diktaturën komuniste.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment