Sidoqoftë duhet të jemi me Amerikën, në çdo rast

     Pas sulmit dhe arrestimit të presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro, bota është ndarë më dysh. Ka nga ata që e duartrokitën këtë ndërhyrje ndaj një diktatori. Ka disa të tjerë që e kritikuan, sepse ajo, sipas tyre, ishte një ndërhyrje që bie në kundërshtim me parimet e Kombeve të Bashkuara.

      Një ndarje e tillë është vënë re edhe mes shqiptarëve. Disa e cilësojnë këtë ndërhyrje si agresion të pastër, që ka si synim vënien në zotërim të rezervave të pafundme të gazit dhe naftës që ky vend zotëron.

      Dhe në fakt Venezuela është një vend tejet i pasur me burime natyrore. Para 20 vjetësh, Venezuela, nën udhëheqjen e Chavez-it, paraardhësit të Maduros, bëri « gabimin » që e nacionalizoi naftën dhe gazin vendas. Më parë ishin katër shumëkombëshe amerikane që i shfrytëzonin naftën dhe gazin venezuelian. Chavez ua hoqi nga goja këtë llokmë të majme.

     Prandaj edhe dje, presidenti amerikan, Trump, deklaroi se Venezuela ka vjedhur naftën e tyre! Është pak e çuditshme kjo shprehje. Nafta e Amerikës në Venezuelë ?!

     Pa dyshim që këto shumëkombëshe kishin nënshkruar kontrata me qeveritë paraardhëse që u jepnin të drejtë atyre të shfrytëzonin pasuritë e Venezuelës !

    Njëlloj afërsisht si kontrata që nënshkroi qeveria shqiptare e Berishës, andej nga viti 2012, me Bankersin, që i dha të drejtë këtij të fundit të shfrytëzonte naftën shqiptare. Deri më tani kjo firmë, një herë amerikanë, pastaj kineze etj, ka fituar rreth 7 – 8 miliardë dollarë nga shfrytëzimi i naftës sonë. Dhe nuk ka paguar një kacidhe në arkën e shtetit shqiptar. Se del gjithnjë me humbje !

     Ose të marrim rastin e kontratave që ish-mbreti Zog nënshkroi me firmën italiane AGIP, që ajo të shfrytëzonte naftën në Patos Marinëz etj etj. Por me ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet dhe me humbjen e Italisë së Duçes, këto kontrata u quajtën të pabaza dhe të paqëna. Kjo i tërboi disi fuqitë perëndimore të asaj kohe, prandaj edhe pranimi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në ato vite, u zvarris.

      Rasti më i fundit është i atij “investitorit” Italian Bechetit! Ai se ç’hapi një television në vend  dhe pati edhe disa interesa të tjera ekonomike. Edi Rama ia mbylli këto aktivitete dhe e dëboi Bechetin nga vendi. Por Becheti, si ujk i vjetër, e hodhi qeverinë shqiptare në gjyq ndërkombëtar për shkelje kontrate dhe dëmtim investimesh. Si pasojë Gjykata Ndërkombëtare e dënoi Shqipërinë t’i paguajë Bechetit 100 milionë euro !

     Dhe duket se e njëjta histori po përsëritet përsëri. SPAK, organi shqiptar i luftës kundër korrupsionit, ka hapur tashmë një hetim ndaj firmës « Bankers » me akuza se ajo po vjedh naftën shqiptare duke mashtruar me faturat !

       Por a ka prova SPAK-u për çfarë akuzon ?! Se në rast të kundërt ndonjë tjetër Gjykatë Ndërkombëtare(!) mund ta dënojë Shqipërinë, kësaj rradhe jo me 100 milionë euro, por ndofta me 500 milionë dhe më shumë! Kështu janë këto punë. Kur je i vogël, i paditur dhe udhëhiqesh nga kryeministra hajdutë dhe të korruptuar të gjithë përfitojnë nga pasuritë e vendit tënd.

       Duhet pranuar se për shumëkombëshet apo vendet e zhvilluara, është shumë e lehtë tu shkëpusin kontrata tejet të leverdisshme vendeve të vogla dhe të varfëra si Shqipëria. Ose si Venezuela! Mjafton t’i futësh disa miliona në xhep dhe qeveritarët e këtyre vendeve i mbyllin të dyja sytë.

      Kështu ka ngjarë kur ishte Berisha në pushtet, apo Fatos Nano dhe tani Edi Rama. Ky i fundit edhe nëse nuk ka vjedhur vetë, ka zgjedhur përkrah vetes, madje në poste të larta fare, njerëz hajdutë dhe të korruptuar. Siç ka qënë rasti me disa ministra dhe deputetë të tij, si dhe me zëvendëkryeministrat  Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku!

       Në rastin konkret, atë të Venezuelës, qeveritë si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, përkrahën dhe përshëndetën sulmin e Trump-it ndaj Venezuelës.

        Çuditërisht pati disa analistë që i kritikuan këto qëndrime dhe deklarata, sidomos për arsye ideologjike. Sipas tyre partitë dhe qeveritë e majta, duhet të silleshin si pothuajse partitë e majta në mbarë botën. Pra të kritikonin agresion amerikan ndaj Venezuelës.

       Këta njerëz, këta opinionistë apo analistë, duket se janë shumë të goditur në tru nga ideologjia. Kêtyre duhet t’i bëhet e qartë se para ideologjisë qëndron interesi kombëtar. Shqiptarët kanë pasur dhe kanë vetëm një aleat strategjik. Që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E ka treguar koha dhe faktet.

     Unë dhe ti mund të kemi mendimin tonë. Mund ta dënojmë këtë sulm. Por ne jemi askushi. Ndërsa qeveria, në Tiranë apo Prishtinë qoftë, duhet të mendojë për të mirën e populli dhe interesin e vendit.  Prandaj ato kanë bërë shumë mirë që janë rradhitur me Amerikën. Jo se Amerika ka nevojë për ne, por se neve kemi nevojë për Amerikën.

     Pastaj nuk duhet të harrojmë se Amerika e ka shkelur edhe një here tjetër ligjin ndërkombëtar kur sulmoi dhe bombardoi regjimin e Millosheviçit. Pa autorizimin e OKB-së! Por atëhere ne ishim të gjithë me Amerikën, proamerikanë të thekur!

     E pra kur ishim atëhere me Amerikën, duhet të jemi edhe sot. Madje edhe nesër. Edhe sikur ajo të sulmojë gjithë botën. Ndryshe dhe thjeshtë: Jemi të detyruar të jemi me Amerikën në çdo rast. Edhe kur ajo gabon.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment