Fitorja e Albin Kurtit është sukses edhe për Kosovën

         Opozita dhe bashkë me të edhe të gjithë ata që shpresonin se me këto zgjedhje të parakohshme do e hiqnin qafe një herë e mirë Albin Kurtin, ngelën edhe një herë tjetër me gisht në gojë. Kurti fitoi përsëri, pothuajse si kishte fituar edhe në zgjedhjet e vitit 2021. Pra një fitore plebishitare që i mundëson atij ta formojë qeverinë pa pasur nevojë tu shtrijë dorën as PDK-së, as LDK-së dhe as AAK-së. Pak vota nga pakicat joserbe i mjaftojnë për të qeverisur edhe 4 vjet të tjera i patrazuar.

        Shumë vetë janë bërë keq nga kjo fitore. Sa në Prishtinë, po aq në Tiranë apo edhe në disa nga kryeqytetet perëndimore. Duhet t’ua qajmë hallin. Kështu psh kryeministri i Shqipërë i injoroi fare këto zgjedhje, sikur ato të ngjanin në Norvegji apo Zimbabve. Synimi ishte i qartë : Me këtë menefregizëm ai donte të tregonte largësinë që e ndan nga Albin Kurti. Dhe kështu ndofta ndikonte te zgjedhësit.

        Dhe vërtet që Rama me Kurtin janë si nata me ditën. Gjithçka i dallon dhe shumë pak gjëra i bëjnë bashkë. Kurti është nacionalist. Rama globalist. Kurti është i majtë në program dhe ideologji. Rama nuk e di as vetë se çfarë është! Me shumë gjasa një i djathtë që ka hyrë si kollovar te Paria Socialiste Shqiptare. Të cilën e ka deformuar dhe përçudnuar aq shumë, saqë as ajo nuk e di më nëse është e djathtë apo e majtë !   

        Kurti ka kurajo t’i kundërshtojë edhe ndërkombëtarët, kur ata vejnë interesat vendeve të tyre para atyre të Kosovës. Ndërsa Rama është lëpitkë para tyre. Kënaqësia e tij më e madhe janë takimet me të mëdhenjtë kësaj bote.

      Politika ekonomike e Ramës është po ashtu një katastrofë. Vendin e ka mbytur korrupsioni. Oligarkët bëjnë qef. Ndërsa Kurti  duket se mendon për popullin dhe vendin. Prandaj edhe në indeksin në luftën kundër korrupsionit, Kosova është përpara Shqipërisë.

       Dhe këtu nuk po flasim për mënyrën se si organizohen dhe mbahen zgjedhjet në Kosovë dhe Shqipëri. Në Kosovë zgjedhjet janë  gjithmonë « free and fair » ku humbësi uron fituesin. Në Shqipëri humbësi i përjetshëm veçse ankohet se i vodhën prapë zgjedhjet ! Në Kosovë rezultatet zyrtare paraprake duan veçse 2 – 3 orë të shpallen. Në Shqipëri duan disa javë !

          Të gjitha këto fakte flasin për një shtet të organizuar, që megjithëse nuk ka më shumë se 25 vjet jetë, ia kalon Shqipërisë që festoi 100 vjetorin e pavarësisë 13 vjet më parë !

         Në Kosovë asgjë nuk është prishur. Megjithëse kanë qënë nën zaptimin shekullor serb. Në Shqipëri, shqiptarët me duart e tyre e shkatërruan vendin në emër të luftës kundër komunizmit. Dhe e dogjën përfundimisht atë në vitin 1997. Sot i mbajnë sytë nga turizmi dhe emigracioni për të mbijetuar.

        Asnjë fabrikë apo punishte nuk është ngritur nga shteti këto 35 vjet anarshi. Por sikur të mos mjaftonte shkatërrimi i qindra uzinave, kombinateve dhe ndërmarrjeve, edhe pasuritë kombëtare të vendit janë privatizuar apo u janë dhënë me koncesione, praktikisht falas të huajve. Rasti i Bankers. Që ka fituar 7 – 8 miliardë euro nga nafta shqiptare duke mos hedhur asnjë lek në arkën e shtetit, madje meqë del gjithmonë me « humbje » kërkon të rembursehet nga shteti !

       Kjo është Shqipëria sot. Pêr më shumë me 2 zëvendës kryeministra që akuzohen dhe ndiqen për korrupsion në shifra dhjetra milion eurosh !

       Prandaj Kosova nuk ka asnjë arsye të bashkohet me Shqipërinë. Veçse në qoftë se do të njolloset edhe ajo. Dhe fare ndryshe nga Shqipëria, Kosova duket se është në rrugë të mbarë. Kjo u provua edhe në zgjedhjet e djeshme.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment