Gjatë jetës së saj aq të shumëpërfolur, Brixhid Bardo, e cila ndërroi jetë dje, e dielë 28 dhjetor, ka dhënë shumë intervista. Madje ka publikuar edhe 2 libra autobiografikë. Ish seks – simboli i Francës i viteve ’60 të shekullit të kaluar ka pasur vërtet një jetë të jashtëzakonshme. Ajo e nisi karrierën si aktore filmash, (ka luajtur në rreth 50 filma përgjatë viteve 1953 – 1973), e vazhdoi si këngëtare dhe e përmbylli si mbrojtëse dhe adhuruese e kafshëve.
Për vdekjen e saj në moshën 91 vjeçare, kanë shkruar dhe folur dje dhe sot të gjitha mediat perëndimore dhe botërore. Shumëkush e krahason edhe sot e kësaj dite aktoren e famshme franceze me bashkëkohësen dhe rivalen e saj amerikane, Merilin Monroe. Dhe askush deri më sot nuk e ka ndarë me thikë se kush ka qënë më e bukur, apo më e adhuruar nga publiku mashkullor.
Brixhid Bardo ishte e njohur edhe në Shqipëri që në kohën e diktaturës. Që kur ishte shfaqur filmi “Babeta shkon në luftë” si dhe disa filma të tjerë. Një shokut tim të afërt nuk e di si i kishin rënë në dorë nja 2 fotografi të saj me poza provokuese. Dhe nuk e kuptova se për çfarë arsyesh ai ia tregoi ato një “shoqeje” tonë të klasës. Ajo sa i pa u ndez në fytyrë dhe i grisi pa një pa dy. “Ti je edhe anëtar i organizatës së rinisë dhe mban fotografi të tilla?” iu drejtua ajo shokut tim.
Duhet thënë se kjo bashkënxënëse njihej edhe si një vajzë me qëndrim jo të mirë moral. Me normat e asaj kohe! Dhe ndofta ato foto i grisi ose nga xhelozia femërore, apo siç flitej, se për shkak të sjelljeve të saj imorale, ajo ishte e rekrutuar nga sigurimi famëkeq i shtetit!
Por sikur të mos i mjaftonte fama e saj si aktore e njohur, si mbrojtëse dhe adhuruese e kafshëve, Brixhid Bardo, nuk ngurronte të merrte pjesë edhe në jetën politike të Francës. E mësuar të ishte çapraz nga goja ajo nuk hezitonte një sekondë të thoshte me zë të lartë ato gjëra që shumëkush i mendonte, por nuk kishin guxim t’i shprehte me zë të lartë. Bëhet fjalë për fillimvitet 2 000, kur ajo shprehej me forcë qê atë kohê kundër emigracionit, kundër myslimanëve, që sipas saj po përmbytnin Francën si dhe kundër homoseksualëve. Prandaj edhe cilësohej si përkrahëse e ekstremit të djathtë francez. Dhe në fakt ashtu ishte.
Ajo vajti aq larg në bindjet e saj ekstremiste saqë e quajti epideminë e “Covid-it” si diçka të mirë, pasi kjo epidemi do të pakësonte popullsinë botërore, që sipas saj, ishte shtuar mbi të gjitha parashikimet! Për këtë qëndrim të sajin mund të lexoni edhe shkrimin e publikuar para 3 vitesh në po këtë blog me titullin:”Habit aktorja e njohur. Covidi – diçka e mirë!”.
Ndryshe të gjithë e përdorim tashmë shprehjen e njohur: “ Që kur kam filluar të njoh njerëzit, kam filluar t’i dua më shumë kafshët”! Por Brigitte Bardot edhe këtu kaloi në ekstrem. Gjatë një interviste televizive dhënë në fillim të viteve 2 000, por edhe në 2 autobiografitë e saj, ajo shprehet tejet e zhgënjyer nga Njeriu si qënie e gjallë!
Jo aq nga njerëzit që ajo ka pasë rrotull, por nga Njeriu në përgjithësi, që sipas saj është kafsha më e keqe që populluar ndonjëherë këtë planet.” Dihet që kafshët mishngrënëse gjuajnë dhe vrasin për të mbijetuar. Por Njeriu është një kafshë e tillë që vret edhe thjesht për kënaqësi” – është shprehur disa herë aktorja e njohur botërisht. Duke pohuar hapur se ajo i urren pa masë gjuetarët.
Por ajo e ka shprehur shpesh herë urrejtjen e saj edhe për kurbanët që myslimanët praktikojnë gjatë festës së Bajrramit. Ku sipas sj therren në mënyrën më mizore me qindar mijëra kafshë që nuk na kanë bërë asgjë të keqe! Inatin kryesor duket se e kishte me therrjen “hallall” apo “kasher”. Pra me derdhjen e gjakut deri sa trupi i kafshës të « pastrohet » !
A ishte ajo vegjetariane? Me shumë gjasa po. Megjithatë ajo nuk duhej të harronte se kafshët therren në të gjithë botën, nga të gjithë njerëzit, pavarësisht fesë së tyre. Në rast se pêrjashtojmë disa popullsi në Hindi. (Rreth nevojës apo dobisë së të qënurit vegjetarian, mund të lexoni edhe një shkrim të hollësishëm botuar muajin e kaluar në këtë blog).
Megjithatë me kaq po e mbyllim këtë shkrim kushtuar njërës prej artisteve më të njohura në botë. Dhe si gjithë njerëzit e tjerë edhe ajo, pa asnjë dyshim, ka pasur të mirat dhe të këqijat e saj, vese dhe virtyte.
Por një gjë nuk mund t’i mohohet: ajo ishte mbrojtësja numër një e kafshëve në botë.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment