Veturat e vogla, të quajtura qytetëse apo “çitadine” janë duke u zhdukur dita ditës nga qarkullimi si në Shqipëri, por po ashtu edhe në qytetet europiane.
Dhjetë vjet më parë ato u mbaronin punë të gjithë atyre çifteve të reja që blenin makinën e tyre të parë ose të vjetërve për të bërë pazarin ose edhe ndonjë rrugëtim të “gjatë” psh deri në Durrës! Dhe si për të mirën, ashtu edhe për të keqen, kur ajo vjen – hapi derën, thotë një fjalë e urtë. Veturat e vogla jo vetëm që po zhduken nga qarkullimi, por edhe ato që ngelin po e rrisin çmimin deri në 50 përqind!
Po kush quhet makinë e vogël?! Të gjitha ato që kanë një gjatësi më pak se 4 metra. Zakonisht këto kanë edhe një motor të vogël me benzinë që shkon nga 0.900 cm³ deri maksimumi 1.400 cm³ ose nga 90 kuaj fuqi në 1400.
Shumë ekspertë të automobilave po shpjegojnë sot arsyet se pse shumica dërrmuese e markave e kanë braktisur plotësisht këtë lloj makine, e ashtuquajtur e “segmentit A”.
Kur më parë flisnim për makina ‘nën 15,000 €, tani duhet të themi: ‘Kjo kushton më pak se 25,000 €’.” – pohojnë ata.
Në të gjithë Evropën psh gjatë këtyre 10 viteve të fundit shitjet kanë rënë ndjeshëm nga një milion në vit, në pothuajse 100.000 njësi të shitura deri në vitin 2025.
A spjegohet kjo dukuri nga një humbje e papritur dhe dramatike e interesit të konsumatorëve? Aspak. Arsyeja qëndron diku tjetër. Ato thjesht nuk ekzistojnë më. Ose pothuajse.
Dhjetë vjet më parë, pothuajse çdo markë ofronte një makinë të vogël, 3.6 deri në 3.9 metra të gjatë, madhësia tipike për modelet që i përkasin segmentit (më të vogël) A.
Sot, ato mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Fiat 500 ose Toyota Aygo X, Hyundai i10 gjithashtu. Por lista e modeleve të zhdukura është shumë më e gjatë. Peugeot 108, Citroën C1, Volkswagen Up!, Seat Mii, Opel Karl dhe shumë të tjerë.
Tani edhe marka koreane Hyundai po e braktis edhe ajo modelin e saj më të vogël, i10. Çmimi i i10 për modelin bazë është 16,199 €, por në raste të veçanta këtë veturë mund ta gjeni me një çmim edhe më të ulët.
Por pse prodhuesit po i braktisin këto makina të vogla dhe të përballueshme për njerëzit që nuk kanë shumë para?! Carlos Tavares, ish-drejtori i përgjithshëm i Stellantis (Peugeot, Citroën, Opel etj), e shpjegoi këtë dukuri me shumë sinqeritet pesë vite më parë kur pohoi: “Makinat qytetëse (urbane) po zhduken plotësisht nga rrugët e Europës sepse ne nuk po nxjerrim pothuajse asnjë fitim prej tyre.”
Me fjalë të tjera, këto makina janë bërë shumë të shtrenjta për t’u prodhuar, duke pasur pothuajse një përputhje midis kostos së prodhimit dhe çmimit të shitjes!
Arsyeja është Europa. Së pari sepse rregulloret mbi emetimet e CO2 dhe nënproduktet e tjera të djegies nga motorët me benzinë po bëhen gjithnjë e më të rrepta. Vitet e fundit psh, kjo i ka detyruar prodhuesit të investojnë në teknologjinë e motorëve. Por ata që investojnë duhet të jenë në gjendje t’i nxjerrin këto para. Si zgjidhje e vetme mbetet kalimi i këtyre shpenzimeve shtesë në çmimin e shitjes së automjetit.
Një shembull: Aygo X, makina qytetëse e Toyota-s, për të përmbushur standardet e konsumit të karburantit dhe emetimeve të gazrave, tani është pajisur me një motor hibrid të gjeneratës së fundit. Natyrisht, kjo e rriti çmimin duke nisur nga 22. 710 €. Me fjalë të tjera, përsa i përket madhësisë, Aygo X mbetet një “makinë e vogël e përballueshme”, por jo përsa i përket çmimit.
Dhjetë vjet më parë, “e vogël dhe e përballueshme” nënkuptonte vazhdimisht midis më pak se 10,000 € dhe 15.000 eurosh si çmimi maksimal. Por midis viteve 2019 dhe 2023, ky çmim u rrit me gati 50%, duke u vajtur nga një mesatare prej 12.750 € deri në 18.400 €.
Një faktor tjetër që rrit koston e këtyre makinave është furia rregullatore e Evropës në lidhje me të ashtuquajturat sisteme të “ndihmës për shoferin”. Shumë nga këto sisteme janë të dobishme, sigurisht, por të tjerat janë larg të qenit thelbësore. Si psh bip-et dhe sinjalet e shumta të cilat, sipas studimeve, i bezdisin 95% të shoferëve dhe i shpërqendrojnë ata, më shumë sesa i ndihmojnë të përqendrohen në rrugë.
Dhe sipas një parashkimi të kohëve të fundit, tani pritet që makinave tu shtohen edhe 120 sisteme të reja, që do të jenë të detyrueshme deri në vitin 2030. Kjo do t’i bëjë përsëri makinat edhe më të shtrenjta për t’u prodhuar. Kur dihet se sisteme të tilla shtesë kushtojnë po aq shumë për një makinë të vogël sa edhe për një limuzinë. Prandaj të gjithë ne po gjendemi përpara një rritjeje absolute të çmimit, të cilën konsumatorët me një buxhet të kufizuar e ndiejnë veçanërisht shumë shpejt në kurriz!
Çmimet janë rritur po ashtu edhe nga “elektrifikimi” i veturave. Po kalojmë një periudhë tranzicioni drejt elektromobilitetit dhe, për të ashtuquajturin “segment A”, ky tranzicion është jashtëzakonisht i ngadaltë dhe i kushtueshëm.
Ja edhe shembulli i Dacia-s Spring (3.7 metra), shumë e përhapur në Europë, e cila ka vite që është hedhur në treg. Çmimi i saj fillon tani nga 16.990 euro, edhe pse marka simotër e Renault njihej deri më sot për çmimet e saj konkurruese.
Dhjetë vjet më parë, shumë modele veturash kishin një çmim fillestar pak më të ulët ose më të lartë se 10.000 euro. Sot, pragu rrotullohet te rreth 18.000 – 20.000 euro. Megjithatë Dacia Spring-un mund ta gjesh ende për afro 13 000 euro. Edhe për sa kohë?!
Një shembull tjetër. Renault (Rëno) do të lançojë vitin e ardhshëm një Twingo të ri, tërësisht elektrik dhe dimensionet e të cilit (3.8 metra) i japin statusin e një makine të vogël qyteti. Dhe këtu, çmimi fillestar është 19.500 euro!
Si pasojë janë ngjallur përsêri shpresat se prodhuesit e mëdhenj evropianë mund ta kthejnë përsëri vëmendjen e tyre te segmenti A, te veturat qytetëse, dhe se më shumë makina të vogla qyteti do të rishfaqen në treg. Por kjo do të ketë me siguri një çmim. Një çmim që tani do të jetë 50 deri 100 për qind më i shtrenjtë se 10 vjet më parë!
Siç shihet vetura po rikthehet përsëri në një lloj lluksi, siç ishte edhe 70 vjet më parë.

Lini një koment