Edhe pak orë dhe të krishterët në mbarë botën do të festojnë lindjen e Krishtit, « Njeriut më të madh të të gjitha kohëve », siç është shkruajtur në një artikull pak më poshtë. Por a është Krishti i biri i Zotit, apo ai ishte thjesht një njeri i jashtëzakonshëm që iu kundërvu rregullave të egra të asaj kohe ?! Kjo pyetje përbën edhe sot e kësaj dite një temë debati të skajshëm ndërmjet fetarëve dhe ateistëve. Madje debati nuk kufizohet veçse rreth rolit dhe statusit të Krishtit mbi Tokë, por ai përfshin deri edhe substancën e Zotit vetë.
A është Zoti një plak i vjetër me mjekër të bardhë që rri mbi re dhe na shikon neve gjithë ditën se çfarë bëjmë, apo është një qënie e papërshkrueshme, një entitet i pakapshëm nga arsyeja njerëzore ?!
Edhe këtu debatet janë të pafundme. Madje edhe ndërmjet shkencëtarëve më të njohur dhe të respektuar. Vetë Anshtajni ka pasë deklaruar mëse një herë se ai nuk beson te zoti i Biblës, por te Zoti i Spinozës! Po çfarë do te thotë kjo ?! Si spjegohet që Anshtajni, një nga mëndjet më të ndritura të shekullit të 20-të, besonte më shumë te Spinoza se te Bibla ?! Dhe në fund të fundit kush është ky Spinoza, çfarë ka bërë dhe çfarë ka shkruar ?!
Por le të ndalemi në fillim te qëndrimet e vetë Anshtajnit ndaj Zotit dhe feve. Në letrën e vitit 1954, të shkruar në gjermanisht për filozofin Eric Gutkind, Ajnshtajni, fizikani më i madh i shekullit XX, hedh poshtë të gjitha besimet fetare. “Fjala Zot nuk është për mua asgjë më shumë se shprehja dhe produkti i dobësive njerëzore, dhe Bibla një koleksion legjendash të nderuara, por megjithatë mjaft primitive”, shkruante studiuesi nga Universiteti Princeton i New Jersey, një vit para vdekjes së tij në prill 1955. Asnjë interpretim, sado delikat, nuk do të ndryshojë asgjë për mua,” shton ai në këtë mesazh një faqe e gjysmë për filozofin gjerman.
Në letrën e tij, autori i teorisë së relativitetit, i cili ka vdekur në moshën 76-vjeçare, nuk e kursen as fenë e vet: judaizmin.
“Për mua feja hebraike është, si të gjitha fetë e tjera, mishërimi i një bestytnie primitive,” shkruan ai. “Dhe populli hebre të cilit i përkas me krenari dhe në mentalitetin e të cilit ndihem thellësisht i ankoruar, nuk ka një formë dinjiteti të ndryshme nga popujt e tjerë.”
“Në përvojën time, ata (çifutët) nuk janë më të mirë se grupet e tjera njerëzore, edhe nëse mbrohen nga teprimet më të këqija nga mungesa e tyre e pushtetit. Përndryshe, unë nuk perceptoj asgjë të ‘zgjedhur’ ndër ta.”
Ndryshe Baruch Spinoza, emri i tij i plotë, mentori i Anshtajnit, ka qënë një fillozof me origjinë ebraike, që ka lindur dhe jetuar në Hollandën e viteve 1632 – 1677. Jeta e tij ka qënë shumë e turbullt sepse ai doli kundër dogmave fetare të asaj kohe. Sa që rrezikoi deri edhe Inkuzicionin !
Për Spinozën, Zoti është natyra vetë, është i gjithë Universi. Po si mundi ky gjeni të arsyetonte në këtë mënyrë, duke i rënë ndesh besimeve të asaj epoke ?! Dhe më kryesorja a kishte ai të drejtë apo jo ?!
Njëlloj si te Bibla dhe Ungjilli, edhe disa nga nga ndjekësit e Spinozës, pretendojnë se Zoti i tij i ka qortuar besimtarët për bestytnitë dhe besimin e tyre të verbër te ai, duke u shprehur me fjalitë e mëposhtme :
“Ndalo lutjet dhe rrahjen e gjoksit. Argëtohuni, dashuroni, këndoni dhe shijoni gjithçka që kjo botë mund t’ju japë.
Nuk dua që ju të vizitoni tempujt e ftohtë dhe të errët që ju thoni se janë shtëpia ime! Shtëpia ime nuk është në një tempull, por midis maleve, pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe detit. Aty është shtëpia ime dhe aty shpreh dashurinë time.
Mos u mashtroni nga tekstet e shkruara që flasin për mua: nëse doni të afroheni me mua, shikoni një peizazh të bukur, përpiquni të ndjeni erën dhe ngrohtësinë në lëkurën tuaj.
Mos më kërkoni asgjë; se unë nuk kam fuqinë të ndryshoj jetën tuaj, por ju po.
Mos kini frikë; unë nuk gjykoj ose kritikoj, nuk jap ndëshkime.
Mos i besoni ata që më thjeshtojnë në rregulla të thjeshta për t’u ndjekur: këto shërbejnë vetëm për t’ju bërë të ndiheni të papërshtatshëm dhe fajtorë për atë që bëni; ato shërbejnë vetëm për t’ju mbajtur nën kontroll.
Mos mendoni gjithmonë për botën pas vdekjes, ose mendoni se aty do të gjeni bukurinë e vërtetë: por kjo botë ka kaq shumë nga ajo bukuri për t’ju ofruar dhe varet nga ju ta zbuloni vetë.
Mos mendoni se kam vendosur rregulla për ju: ju jeni zoti i jetës suaj dhe ju duhet të vendosni se çfarë të bëni me të.
Askush nuk mund të thotë se çfarë fshihet përtej vdekjes, por jetojeni çdo ditë sikur të ishte shansi juaj i fundit për të dashur, për t’u gëzuar dhe për të bërë çfarë të doni dhe kjo do t’ju ndihmojë të jetoni më mirë.
Nuk dua që të besoni tek unë sepse disa njerëz besojnë fuqimisht se ekzistoj, por dua që të më ndjeni gjithmonë në veten tuaj dhe përreth jush ».
Këto thuhet se janë mendimet e Spinozës ndaj Zotit, që ai i vë në gojën e Tij, siç e sheh dhe e gjykon ai. Sidoqoftë kjo nuk do i pengojë fare të krishterët e gjithë botës të festojnë pas disa orësh ditëlindjen e Jezu Krishtit, Njeriut më të madh të të gjitha kohëve.
v.gj.

Lini një koment