Paska qënë e thënë për Partinë Socialiste që ajo do t’i hapi rrugë gjithmonë Partisë Demokratike. Pavarësisht se shumica e popullit nuk e duron dot këtë parti dhe sidomos udhëheqësin e saj, që e shkatërroi vendin me themel gjatë viteve 1992 – 1997 dhe vrau edhe 4 të pafajshëm në bulevard.
Për fat të keq PS-ja dhe PD-ja duket se i kanë puqur “pipëzat » kaq mirë saqë asnjë lloj partie nuk ngre dot kokë. Pavarësisht se thuhet që kemi hyrë në demokraci dhe pluralizmin politik që nga viti 1991 ! Ndryshimi me të kaluarën është se pasi u qeverisëm nga një parti unike në pushtet prej 45 vjetësh, tani kemi 35 vjet që qeverisemi nga një dyshe partish, dmth PD dhe PS.
Pa dyshim që ndryshimet me të kaluarën janë si nata me ditën. Por jo gjithmonë për mirë. Ndofta kjo është edhe arsyeja që partia socialiste nga këto 35 vjet anarshi ka 22 vjet në pushtet. Një herë me « liderin historik » dhe sot me “liderin butaforik”.
Pikërisht sot opozita, e udhëhequr përjetësisht nga “plaku Mere”, ka planifikuar manifestimin e rradhës. Dhe ka shumë gjasa që kjo demonstrate të ketë më shumë pjesëmarrës sesa ato të kaluarat. Që ngjanin më shumë si mbledhje krushqish për të shkuar në një dasëm sesa si një tubim apo demonstrate politike!
Dhe kjo se Edi Ramës po i pëllcasin “bombat” në dorë njëra pas tjetrës. Pas Ballukut dhe akuzave të SPAK-ut ndaj saj për korrupsion me shifra që kapin miliona euro, sot ka dalë në skenë një emër tjetër. Një i ashtuquajtur Agasi.
Nuk dihet se nga doli ky njeri, që njëlloj si Balluku apo Ahmetaj, qarkullonte miliona euro! Dhe thuhet se ky person nuk paska pasur as zyra, as personel dhe asgjë. Përveç se paska disa njohje në nivel të lartë!
Nga dokumentet e SPAK-ut rezulton se kompania “EA Solution”, në pronësi të këtij Agasit, ka përfituar rreth 29 milionë euro nga fondet publike përmes AKSHI-t, (29 milionë euro!) dhe ajo që e bën këtë fakt edhe më tronditës është koha: këto miliona euro janë faturuar brenda vetëm disa muajsh, konkretisht në një periudhë rreth 9-mujore
Dhe sipas hetimit, këto para janë përfituar përmes faturave të dyshuara si fiktive, për shërbime që dyshohet se nuk janë kryer fare. Ndërkohë, kompania që faturonte miliona euro rezulton se nuk kishte as zyra funksionale, nuk kishte staf dhe nuk kishte kapacitete reale teknike për të justifikuar kontratat që fitonte. Me fjalë të thjeshta: një kompani “fantazmë”, pa strukturë dhe pa njerëz, ka thithur miliona euro nga buxheti i shtetit!
Kjo është për të vënë duart në kokë. Ku jemi këtu?! Ndërsa qytetarët përballen me taksa, çmime të larta dhe vështirësi të pashembullta, sipas dosjes hetimore, ky individ dhe rrethi i tij, bënte një jetë luksoze ekstreme, bëri të ditur sot analistja Migena Aleksi.
Sipas saj vetëm koleksioni i verërave të shtrenjta, sipas të dhënave të publikuara, kap vlera 3 deri në 4 milionë euro – një shifër që për shumicën e shqiptarëve përfaqëson punën e disa brezave.
Ky kontrast është edhe thelbi i skandalit: nga njëra anë, miliona euro të faturuara në pak muaj nga fondet publike; nga ana tjetër luks, shpenzime marramendëse dhe një stil jete që nuk përputhet në asnjë mënyrë me realitetin ekonomik të shumicës së qytetarëve.
Miliona euro! Sikur të jenë gurë lumi. Aq keq ka përfunduar Shqipëria saqë vjedhja dhe grabitja e milionave duket se nuk i bën askujt përshtypje. Shqiptarët sot janë mësuar me vjedhjen dhe korrupsionin, njëlloj siç ishin mësuar në kohën e diktaturës me shtypjen dhe mbylljen e gojës!
Me të drejtë SPAK dyshon se ky mekanizëm nuk mund të funksiononte pa bashkëpunimin dhe tolerimin nga zyrtarët e lartë publikë, ndaj edhe janë marrë masa sigurie që tani, përfshirë arrest me burg për Agasin (që thuhet se njëlloj si Ahmetaj është arratisur edhe ky) dhe bashkëpunëtorë të tij, si dhe arrest shtëpie për disa zyrtarë të AKSHI-t.
Por Edi Rama vazhdon të jetë i qetë. Dhe kjo është kryesorja. Vazhdon të qeverisë pa iu prishur gjaku fare. “Ç’më duhet mua se çfarë bëjnë ata pas kurrizit tim” – kjo është përgjigja e tij. Dhe njëkohësisht mospërgjegjësia e tij uluritëse si kryeministër i këtij vendi prej 12 vitesh pa ndërprerë. Ai e lë slitën të rrëshqasë nga të dojë. Aq i bën. Për vete ka hallin të duket sa më i bukur dhe modern.
Kështu ka ngjarë me partinë socialiste saktësisht edhe para 20 vitesh. Pikërisht në vitin 2005. Kur ajo e humbi pushtetin prej korrupsionit të pandalshëm dhe të paparë të Fatos Nanos!
Dhe të mendosh një çast se vetëm para 8 vitesh nga 2005-a,, në vitin 1997, njerëzit kishin marrë armët për të dëbuar kuçedrën Berisha. Por papërgjegjësia dhe zdërhallosja e kryetarit të saj të atëhershëm ua pruri njerëzve shpirtin në majë të hundës. Dhe ata votuan për atë që 8 vjet përpara donin ta piqnin të gjallë!
Kështu po ngjan edhe sot me Edi Ramën. I papërgjegjshëm deri aty ku nuk mban më, Ramës duket se nuk i bëhet vonë fare për opinionin e popullit. Aq më shumë që vetëm para pak muajsh fitoi bindshëm dhe një mandat tjetër 4 vjeçar!
Po çfarë të bëjnë shqiptarët e shkretë?! Ata rivotuan për herë të 4-rt PS-në si të keqen më të vogël. Dhe duket se nga kjo, pra nga e keqja më e vogël, fiton edhe Rama. Por jo përjetësisht. Njerëzve po u vjen në majë të hundës edhe me atë. Ashtu siç u erdhi dikur me Fatos Nanon.
E keqja është se nuk po del një parti tjetër në horizont. Me Llapajn, apo atë tjetrin Shehaj, më duket se e quajnë, Rama dhe Berisha tremben aq sa tremben qetë nga lepujt!
A do i mbylli Rama edhe 4 vjetët e ardhshme në pushtet?! Kjo është pyetja. Pak ditë më parë ai u përgjigj se as nuk i shkon ndermend të japë dorëheqjen. Gjasme se është i përkushtuar të fusë Shqipërinë në Bashkimin Europian!
Por asnjë garanci nuk ekziston se BE-ja do ta pranojë vendin tonë në gjirin e saj. Aq më shumë me këto skandale që po i plasin “Të Gjatit” njëra pas tjetrës. Jo se në BE nuk ka korrupsion, por se korrupsioni në Shqipëri i tejkalon të gjitha parashikimet.
Pastaj vetë BE-ja duket se ndodhet para një kthese të madhe. Ajo ose do të ndryshojë nga brenda ose do të shpërbëhet fare. Pasi forca të tjera po dalin në skenë. Parti nacionaliste, antimondialiste, antiemeigracion, anti LGBTQ, anti prindi 1 dhe 2 etj etj.
Këto janë parti që mbështeten te traditat, te familja, te e shkuara e krishterë e këtyre popujve, që dikur pushtuan botën. Sa me forcën e armëve, por po aq edhe me shkencën dhe kulturën e tyre të paparë për atë kohë. Ndërsa sot Europa është në zgrip, pranë një rënie të pandërprerë në të gjitha fushat. Hedonizmi, urrejtja ndaj autoritetit të shtetit, prindit, mësuesit dhe policit, së bashku me mondializmin po e shkatërrojnë nga brenda.
Prandaj edhe llafet dhe premtimet e Ramës nuk kanë asnjë vlerë. Ai bën mirë të përqëndrohet në problemet e vendit. Në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Grabitja, shitja dhe privatizimi i pasurive publike, futja e duarve apo dorovitja e “të afërmëve” me paratë e arkës së shtetit, kanë për t’iu kthyer një ditë në bumerang edhe atij.
Dhe në rast se Ramës nuk i mjaftuan 13 vite të dënonte Sali Berishën për krimet e tij, këtij të fundit nuk do t’i nevojiten më shumë se 13 javë për t’ia treguar vendin atij që e la kaqë gjatë pa pushtet.
Dhe pa asnjë dyshim do ta ketë hak burgun. Veçse në rast se vihet në jetë përsëri ajo shprehja e njohur popullore se “korbi korbit nuk ia nxjerr sytë”!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment