Korrupsioni në Shqipëri duket se dita ditës po kap maja të reja. Ja tani doli edhe rasti i zëvendëskryeministres së dytë apo të tretë që dyshohet për mit-mrrje, për pagesa nën dorë me shifra astronomike. Bëhet fjalë as më shumë dhe as më pak, por për dhjetra milionë euro ?
Gjatë këtyre 35 viteve « demokraci » jo vetëm që Shqipëria u shit e tëra, (burimet e saj natyrale si kromi, bakri, hekuri, ishujt janë privatizuar apo po privatizohen), por tani që ato mbaruan u është hedhur syri bakshisheve të majme.
Rasti më tipik është ai i « Bankersit ». Që u ofrua si një kompani amerikane për të shfrytëzuar naftën e vendit, e zbuluar dhe e shfrytëzuar që në kohën e Zogut dhe italianëve të AGIP-it. Por pas 45 vjetësh “prerje duarsh”, investuesit u kthyen përsëri, siç kthehet vrasësi në skenën e krimit.
Por këta që në Shqipëri i quajnë me dobiçllik investues, në fakt meritojnë emrin grabitqarë. Investues është ai që hap në vend një njësi prodhuese, si psh fabrika të përpunimit të prodhimeve blegtorale, frutore, fabrika për përpunimin e lëkurëve, prodhimin e këpucëve, sapunit etj etj.
Por ai që vjen të të shfrytëzojë pasuritë e tua kombëtare, që në fakt nuk janë as të qeverisë, as të shtetit, por të mbarë popullit, nuk është investues, por thjesht kafshë grabitëse. Këto multinacionale kështu kanë vepruar prej shekujsh edhe në Afrikë, Amerikën latine, Azi etj. Dhe kështu po bëjnë sot edhe në Shqipëri, ku kanë gjetur shesh dhe bëjnë përshesh.
Ja psh “Bankers, që deri më sot është shitur dhe blerë nja 10 hera nga firmat e huaja, premtoi në fillim t’i ndante fitimet 50 përqind me 50 përqind me shtetin shqiptar. Ëndrra në beze. Sa për të gënjyer budallenjtë. Gjatë këtyre viteve thuhet që ajo ka fituar 6 miliardë euro nga nafta e vendit, por shpenzimet e saj llogariten në 7 miliardë euro! Pra shteti jo vetëm që nuk ka fituar nje kacidhe nga nafta e tij, por duhet të rimbursojë tani edhe “humbjet” e saj gjatë këtyre 20 viteve shfrytëzim!
Dhe është shumë e lehtë t’i ngresh shpenzimet në qiell. Atë makineri që e ke blerë ta zëmë 200 000 euro ti e deklaron sikur e ke blerë 2 milionë euro. Po ashtu ti i paguan me shifra disa milionëshe specialistët e huaj që ke sjellë në vend. Pra punohet me 2 lloj faturash. Një për t’ia treguar qeverisë dhe një reale që mbahet e mbyllur në kasafortë!
Të gjitha këto bëhen të mundshme falë korrupsionit që zjen në çdo zyrë të qeverisë. Deri në majat e saj më të larta. Vetëm gjatë këtyre 13 vieteve të fundit kryeministrit Rama i kanë dalë dy zëvendës të tij, nga më të rëndësishmit, si hajdutë dhe të korruptuar!
Siç ishte psh më parë rasti i zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. I arratisur tashmë jashtë shtetit, apo zv/ kryeministres ende në detyrë deri në këtë çast, Belinda Ballukut. Dhe këtu nuk po flasim për ish ministrin e brendshëm Tahiri që u dënua edhe me bug për allish-verishe.
Në një kohë që në vend ndodhin gjithë këto zullume dhe poshtërsi, vetëm kryeministri është i qetë! Pikërisht ai që i ka kapur me dorën e tij nga zverku këta persona pa asnjë vlerë dhe moral dhe i ka vënë në krye të vendit. Njëlloj sikur ndonjë bari budalla t’ia varë mëlçitë ujkut në qafë për t’ia ruajtur. Por natyra është më e fortë se të gjitha. Dhe ujku do i kollufisë mëlçitë, njëlloj si ministrat dhe zv/kryeministrat e Ramës që do i zgjatin duart aty ku valon leku.
Por Ramës duket se nuk i bëhet vonë. “Nuk është përgjegjësia ime për çfarë ata bëjnë pas kurrizit tim” – justifikohet ai. Në çdo vend të Perëndimit një kryeministër i akuzuar për vjedhje të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë do të kishte dhënë 1 000 herë dorëheqjen. Por Rama nuk dëgjon nga ai vesh.
Dhe siç ka shkruajtur edhe një analist i njohur në faqet e shtypit shqiptar, Rama dhe Berisha duan të sundojnë, jo të qeverisin! Që do të thotë se ata duan të gëzojnë të mirat e pushtetit, por jo të vuajnë dhe sakrifikojnë për të bërë shtet. Rama psh pret të përurojë së shpejti edhe udhëtimin e tij të 1 000 jashtë shtetit. Me dietat dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë!
Dhe në këtë shkrim jemi përqëndruar veçse te zullumet e së ashtuquajturës Parti Socialiste. Dhe nuk po flasim fare për krimet e partisë demokratike që e nxorri vendin nga themelet një herë e mirë gjatë viteve 1992 – 1997 dhe pastaj gjatë periudhës 2005 – 2013.
Me këtë parti nuk ia vlen të merresh fare. Është ajo që futi gjithë të zezat në vend; që nga korrupsioni deri te krimi i organizuar. Prandaj ajo kalon nga një humbje në tjetrën.
Ky është edhe shkaku kryesor i fitoreve të PS-së në këto 4 zgjedhjet e fundit legjislative. Se njerëzit votojnë kundër balozit të zi,Berisha dhe jo pro Ramës.
Por kjo lojë tashti është bërë bajate dhe duhet të marrë fund. Koha dëshmon se të dyja këto parti të formuara nga Rammiz Alia gjatë vitit 1990, janë bërë pengesë për vendin. Njerëzit nuk kanë më shpresë se Shqipëria do bëhet ndonjëherë. Prandaj ikin dhe duan të ikin edhe ata që kanë mbetur ende në vend.
Sipas një anketimi të botuar pak ditë më parë, ende 40 përqind e shqiptarëve duan të largohen nga vendi. Një pjesë e tyre për të mos u kthyer kurrë më. Aq të vështirë e shohin jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre në vend.
Këto shifra flasin dhe tregojnë shumë. Dëshmojnë se Shqipëria ka rënë në dorën e dy kuçedrave që duan t’i pijnë edhe pikën e fundit të gjakut. Në dorën e dy partive që mendojnë veçse për tendera.
Është e qartë dhe e sigurt se deri më 2029-tën, PS-ja do të vazhdojë të jetë në pushtet. Por pastaj ajo duhet dëbuar. Njëlloj siç po dëbon ajo shqiptarët nga vendi i tyre. Shumë parti në vendet perëndimore kanë lindur, shkëlqyer dhe pastaj janë harruar. Si psh partia demokristiane e Andreotit dhe De Gasperit në Itali, ajo socialiste e Kraksit etj. etj.
Edhe në Shqipëri PD-ja dhe PS-ja duhen detyruar me hir apo me pahir të dorëzojnë çelësat e pushtetit. Ato e kanë kryer tashmë rolin e tyre. Njëra e mbuluar nga turpi dhe tjetra nga babëzia.
Por ato nuk do largohen kurrë nga pushteti me të mirë. Duhet që populli të ndërgjegjësohet dhe të mendojë për të mirën e vendit dhe jo më për të mirën e kryetarëve të këtyre partive. A është e mundur që njerëzit në Shqipëri të arrijnë në këtë nivel saqë të braktisin bajraktarët Rama dhe Berisha! Shumë e vështirë. Aq më tepër që pjesa më e ngritur, më e zhvilluar e vendit, është larguar prej kohësh. Në vend kanë ngelur ose fatkeqët, që nuk kanë pasur mundësi të largohen, ose përfituesit siç janë politikanët, mjekët, gjykatësit dhe prokurorët. Me një fjalë njerëzit që kanë diçka në dorë ose ndonjë lloj prone.
Mërgimi në dhe të huaj është i rëndë. Sidomos sot kur askush nuk dëshiron më emigrantë të paftuar. Prandaj rilindasit kanë pasë pohuar dikur se “guri i rëndë në vend të vet”. Që do të thotë se vetëm në vendit tënd të dëgjohet fjala. Veçse aty je i barabartë.
Por kur njerëzit, pavarësisht këtyre paralajmërimeve, ikin nga sytë këmbët edhe sot e kësaj dite, 35 vjet pas rrëzimit të diktaturës komuniste, kjo tregon se sa e rëndë dhe e pa shpresë mbetet gjendja në Shqipëri!
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment