Kështu e kanë cilësuar Njeriun, ditëlindja së cilit festohet çdo fundviti nga mbi 2 miliardë të krishterët e kësaj bote.
Dhe nuk është i tepruar ky cilësim. Se me të vërtetë Jezu Krishti ishte i jashtëzakonshëm. Ishte i jashtëzakonshëm jo aq nga prejardhja e tij, apo nga vendi ku lindi, por nga mesazhi që i përcolli mbarë Njerëzimit: “Kush vret me shpatë, nga shpata do vdesë”. “Në qftëse ke dy këmishë, njërën falja atij që nuk ka”. “Më kollaj hyn deveja në vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri në mbretërinë e Zotit”, apo “Kur të godasin në një faqe, ktheji tjetërn”! Që do të thotë se e keqja nuk luftohet me të keqe. Diçka e padëgjuar në atë kohë dhe po ashtu sot.
A ishte vërtet Krishti biri i vetëm i Zotit, siç shkruhet në Ungjijtë e shumtë?! A e ktheu ai ujin në verë ?! A eci ai mbi ujë ?! Dhe Maria, nëna e tij, a e ngjizi atë me Zotin, apo me një ushtar romak, siç thonë kundërshtarët e tij?
Këto pikëpyetje për mua nuk kanë shumë rëndësi. Gjithmonë, sipas mendimit tim personal, Jezu Krishti ishte një Njeri i jashtëzakoshêm nga mesazhi që ai i përcolli Njerëzimit. Mesazh i dashurisë së Njeriut për Njeriun, mesazh i dhëmbshurisë dhe barazisë, mesazh kundër të keqes etj etj.
Ky është Jezu Krishti, të cilin shkrimtari i shquar britanik i romaneve fantastiko shkencorë, Herbert Uells, autor ndër të tjera i « Njeriut të padukshëm, « Luftës së botërave », « Skicë e historisë Njerëzore », « Makina e kohës » etj etj e ka cilësuar si revolucionarin e parë mbi Dhé.
Se ato që predikonte Krishti binin krejtësisht ndesh me dogmat zyrtare dhe zakonet e atyre kohëve. Një epokë kur njerëzit kënaqeshin kur gladiatorët vrisnin njërit tjetrin në amfiteatrat e antikitetit, kur tigrat dhe luanët i shqyenin ata në Kolozeun e Romës antike dhe plot mizorish të tjera të pafundme.
Krishti, si një njeri i paparë, si një revolucionar i vêrtetê, bëri thirrje pêr një botë më të drejtë, mê humane, më të barabartê dhe më të butê. Prandaj edhe e kryqëzuan. Se predikimet e tij kasta sunduese e asaj kohe i shihte si një rrezik të madh për sundimin e saj. «Të gjithë njerëzit të barabartë, të gjithë njerëzit vëllezër me njëri – tjetrin » ?! – O Zot ç’po na dëgjojnë veshët !
Prandaj Krishti duhej eleminuar, pa një, pa dy. Fjala e tij duhej mbytur. Por ngjau e kundërta. Fjala e tij u përhap anë e mbanë Dheut, shumë njerëz filluan t’i shkonin atij pas. Lindën kështu apostujt dhe profetët e parë të Krishtërimit, të cilët pranuan më parë të kryqëzoheshin apo të shqyeshin nga kafshêt e egra se sa tê hiqnin dorë nga mësimet e udhëheqêsit të tyre shpirtëror.
Romani « Quo Vadis » i shkrimtarit polak Henrik Siekeviç, e përshkruan me realizëm këtê pêrqafim të ideve dhe mësimeve tê Jezu Krishtit nga shoqëria e asaj kohe. Njerëz që vunë jetën e tyre në rrezik duke mbrojtur dhe përhapur këtê fe të re në kohên e perandorit romak, Neron.
Se Krishti ishte i pari në aradhën e njerëzve të shquar të asaj epoke që përcolli një mesazh sa njerëzor aq dhe të padëgjuar më parë.
Prandaj sot nuk ka rëndësi aq shumë prejardhja hyjnore apo jo e tij, sesa mesazhi që ai shpërndau me një guxim dhe mënçuri të paparë para më shumë se 2 000 vjetësh.
Por a është zbatuar mesazhi i Krishtit sot nga njerëzit e pasur dhe të varfër të kësaj bote?! E vërteta është se mësimet e Krishtit u shtrembëruan, ato u kthyen në një lloj dogme, që të pasurit e përdorën për të mposhtur jo vetëm popujt e tyre, por edhe popujt e tjerë të mbarë kontinenteve.
Në emër të Krishtit nisën kryqëzatat gjoja për të çliruan Varrin e Shenjtë në Jeruzalem. Në emër të tij u ngrit Inkuzicioni, që vrau, preu, dogji dhe torturoi ajkën e civilizimit të asaj kohe, nën akuzën e heretizmit. Me kryqin në duar klerikët e krishterë udhëhoqën po ashtu ushtritë pushtuese në Afrikë, Amerikën e Veriut dhe Jugut, në Azi dhe Australi, duke i detyruar me zor banorët e atyre trevave të ktheheshin në fenë e tyre.
Feja u kthye kështu në aleaten më të ngushtë tê pushtetarëve të kohës. Krejt ndryshe nga sa kishte predikuar Jezui i madh. U deformua kështu mesazhi i Krishtit, siç ishte deformuar më parë deri edhe vetë pamja e tij. Në të gjitha ikonat dhe pikturat e mëvonshme Krishti shfaqet si një fêmi ose si një i rritur me leshra të gjatë që i bien mbi supe, ndërsa nëna e tij, Shën Maria, duket si një suedeze me flokët e verdhë dhe sytë e kaltër. Kur dihet që Krishti për nga raca dhe vendlindja i ka ngjarë më shumë çifutëve dhe palestinezëve të sotêm !
Megjithatë Krishtërimi mbijetoi. Mbijetoi si ideal i barazisë, i dhembshurisë dhe dashurisë mes njerëzve. Sot shtëpitë e mbi 2 miliardë njerëzve janë zbukuruar si për festë. Në radio dhe televizion sheh dhe dêgjon me dhjetra filma dhe këngë që i kushtohen ditës kur lindi Njeriu më i Madh i të gjitha kohërave.
Dhe kështu do vazhdojë për jetë e mot.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment