Sa larg apo sa afër është lufta Europë – Rusi ?!

      Pak javë më parë ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, pohoi se vera e kaluar « ishte vera e fundit pa luftë në Europë » !  Po ashtu edhe politikanë të tjerë kanë pohuar dhe vazhdojnë edhe sot të jenë të bindur se lufta me Rusinë është vetëm çështje kohe !

      Prandaj pothuajse të gjitha vendet e Europësi i kanë rritur sot, si kurrë ndonjëherë më parë, të paktën që nga rënia e Murit të Berlinit, shpenzimet ushtarake.

      Ndërkohë pak ditë më parë një zyrtar tejet i lartë i Aleancës Atlantike, dhe saktësisht shefi i shtamadhorisë së saj, vajti edhe më larg kur foli për goditje paraprake ndaj Rusisë. Që do të thotë ta godasim ne të parët, para se të na godasë ajo.

       Pyetja shtrohet : Çfarë dinë ata që nuk e dimë ne ?! Ndryshe, as që mund të llogaritet numri i gjeneralëve që këto kohë po bëjnë thirrje që Europa të përgatitet një orë e më parë ushtarakisht.

       Këtyre deklaratave iu përgjigj pak ditë më parë presidenti i Rusisë, Putin : » Ne nuk kemi si synim të sulmojmë Europën, por nëse ajo dëshiron, jemi gati që tani » – kumtoi njeriu që afro 4 vjet më parë sulmoi Ukrainën.

      Dhe jo më larg se dje, e mërkurë 3 dhjetor, kësaj deklarate i dha përgjigje kancelari gjerman Fridrich Merz : « Rusia po përgatitet ushtarakisht për luftë me Perëndimin, duke kërcënuar kështu lirinë dhe sigurinë në Europë. Prandaj duhet t’i dërgojmë një sinjal të qartë Moskës » – nënvizoi kryeministri i Gjermanisë.

      Situata bëhet edhe më shqetësuese kur vëren se edhe emisarët e dërguar të martën nga Uashingtoni në Kremlin u kthyen duarbosh në Uashington. Për më shumë Amerika e Trumpit duket se po tërhiqet nga një përballje e mundshme ushtarake ndërmjet Rusisë dhe Europës.

       Dhe ndofta ka të drejtë : Amerika 2 herë është « vrarë » për Europën. Gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore ku ka humbur me qindra mijëra ushtarë. Por pa Amerikën, as NATO dhe as Europa nuk mund të llogariten si fuqi të rêndësishme ushtarake.

       Ekspertët pohojnë se Amerika përbën sot 75 për qind të fuqisë ushtarake të Aleancës Atlantike sot.  Europa si dhe Ukraina, pa teknologjinë dhe forcën e SHBA-ve, ndjehet tejet e dobët.

      Dhe siç duken “bathët” kjo luftë do të vazhdojë edhe vitet e ardhshme. Sepse asnjë palë nuk dëshiron të tërhiqet. Rusia ka venë si kusht të ndalimit të luftimeve, dhënien asaj të 4 provincave të Donbasit, të cilat ajo i ka pushtuar deri në 70 për qind të tyre, por me humbje të stërmëdha njerëzore dhe materiale.

      Zhelenski, nga ana e tij, nuk pranon kurrsesi t’i dhurojë në tepsi Putinit edhe 30 përqind të territorit ukrainas, që Rusia nuk ka arritur deri sot ta pushtojë me forcën e armëve.

     Ndryshe pse u bë gjithë kjo luftë? Pse u vranë dhe u plagosën me dhjetra mijëra ukrainas dhe u shkatërrua pothuajse totalisht 1/3 e vendit?!  Asnjë shenjë paqeje nuk duket në horizont. Europa vetë po e mbështet me të gjitha mjetet financiare dhe ushtarake Ukrainën.

     Dhe bëhet fjalë deri më tani për afro 165 miliardë euro si ndihmë e gjithanshme ofruar Ukrainës, që ajo të mund të përballojë agresionin rus. Por këto para dhe armatime duket se janë drejt përfundimit. Prandaj Europa po shikon mundësitë të gjejë burime të reja shtesë për të ndihmuar Ukrainën.

     Dhe një nga këto burime gjendet në Bruksel, në një institucion ndërkombëtar, kur Rusia ka depozituar, që para luftës, afro 180 miliardë euro. Janë këto para që i mundësojnë një shteti të blejë dhe të shesë në sekondë, falë edhe rrjetit Swift, gjithçka që i nevojitet. Por njëkohësisht këto para, dhënë me interes, sjellin edhe fitime për vendin që i ka depozituar.

       Këto miliarda ka 4 vjet që janë bllokuar në Bruksel. Si pjesë e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, pas sulmit të saj ndaj Ukrainës.

      Por tani Europa në tërësi dhe Bashkimi Europian në veçanti po synojnë që këto para t’i zhvendosin nga Belgjika drejt Ukrainës, si formë pagimi reparacionesh lufte nga ana e Rusisë.

     Vetëkuptohet që Rusia është krejtësisht kundër. Madje, pikërisht sot, zëvendëskryetari i këshillit të mbrojtjes së Rusisë, Medvev, pohoi se kjo “grabitje” parash mund të përbëjë një “casus belli”, dmth një shkak për luftë me Europën, nëqoftëse i rrëmbehen këto para.

     “Në rast të kundërt këto fonde Europa do detyrohet të ia ktheje Rusisë si në natyrë, po ashtu në para të thata”, – theksoi zëvendësi i Putinit, duke lënë të kuptohet për fillimin e një konflikti ushtarak, nga i cili vendet europiane do dalin të mundura.

      Vetë Belgjika, ku gjendet edhe institucioni i ruajtjes së këtyre fondeve, mendon se transferimi i parave nga Brukseli drejt Kievit bie ndesh edhe me normat ndërkombëtare. Edhe sepse Belgjika nuk do që të konsiderohet si përgjegjëse ndaj Rusisë për humbjen apo grabitjen e afro 180 miliardë eurove. Paratë janë depozituar në Belgjikë dhe sot apo nesër Rusia do ia kërkojë ato Belgjikës.

      Por kur Europa kërkon këto 180 miliardë, kjo dëshmon se ajo parashikon po ashtu se kjo luftë mund të zgjasë edhe disa vite të tjera. Dhe se Ukraina ka nevojë urgjente për këto para edhe për të mbajtur frontin.

      Siç shihet lufta nuk ka ndermend të ndalet.  Ndryshe vetë 51 për qind e europianëve mendojnë sot se një luftë me Rusinë është e mundshme, ndërsa 69 për qind  kanë bindjen se nuk janë ende të aftë për tu mbrojtur ndaj një agresioni të mundshëm.

     Po ashtu, sipas anketimeve publike, 70 për qind e europianëve deklarohen se ata janë totalisht kundër dhe nuk dëshirojnë kurrsesi një luftë me Rusinë!

     Dhe pikërisht këtu rreh çekani. Para se të nisë lufta, popujt europianë duhet të binden se armiku i tyre është Rusia dhe duhet të fillojnë ta urrejnë atë vend. Ndryshe çdo luftë është e humbur kur psh francezët, gjermanët apo italianët nuk janë të gatshëm të vriten për Ukrainën, Moldavinë apo vendet balltike.

      Prandaj ndofta Rama ka plotësisht të drejtë kur i kërkon Europës të bisedojë me Rusinë dhe të mendojë më shumë për paqen se për luftën.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment