Edhe një herë tjetër për ballistët dhe partizanët

       

  81 vjet bëhen sot nga dita e çlirimit të Shqipërisë nga forcat pushtuese italo/gjermane. Një jetë njeriu. Aq sa mund të thuash se shumë pak, jo më shumë se një dyzinë, mund të kenë mbetur ende gjallë nga ata që morën armët për çlirimin e vatanit.

        Dhe megjithëse kanë kaluar kaq vite dhe bota ka ndryshuar rrënjësisht në krahasim me atë kohë, shqiptarët ende vazhdojnë të grinden edhe sot e kësaj dite  rreth rolit të partizanëve dhe ballistëve gjatë asaj kohe.

        Për të kuptuar se kush ka të drejtë dhe kush gënjen duhet të heqim në fillim një vijë ndarëse ndërmjet Luftës Nacional Çlirimtare me sundimin komunist 45-vjeçar që filloi pikërisht pas 29 Nëntorit të vitit 1944.

      Së pari duhet pranuar se Duçja e pushtoi Shqipërinë, siç kishte ngjarë më parë me Abisininë, Tunizinë dhe Libinë, jo se i dhimbsej populli shqiptar, por për synimet aneksioniste të mbretërisë italine. Musolini kishte planifikuar madje të sillte në Shqipëri rreth 5 milionë kolonë italianë.

      Shqipëria ishte vend i varfër dhe i prapambetur, por ajo ishte e pasur me pasuri natyrore si naftë, krom, bakër, burime ujore, të cilat Italisë i mungonin. Pra kishim të bënim me një pushtim të pastër, njëlloj si ai i romakëve dikur kundër ilirëve. Pastaj erdhi “gjermani”. Armik i sllavëve, që do të thoshte indirekt mik i shqiptarëve.

        Ndërkohë forcat partizane kishin filluar luftimet kundër pushtuesit italian që nga viti 1942. Në fillim si forca nacionaliste dhe pak nga pak si forca të kontrolluara dhe të udhëhequra nga Partia Komuniste. E formuar në Tiranë më 8 nëntor 1941 nën drejtimin edhe të ngarkuarve serbë të dërguar nga Kominterni.

        Në anën tjetër gjendeshin ballistët dhe legalistët. Këta e konsideronin veten si forca nacionaliste. Politika e tyre ishte “prit të shohim”! Se kush do ta fitojë luftën dhe pastaj bëhemi me të.

        Ndër forcat e Ballit Kombëtar gjendej edhe palca e kombit. Shumë nga ata që ishin në krye të saj ishin nga firmëtarët e pavarësisë së vendit. Kishte nga ata që kishin marrë pjesë edhe në Kongresin e Manastirit ku është vendosur edhe alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe. Pra ishin njerëz me kulturë dhe të shkuar të qartë patriotike. Shqipëria etnike ishte ëndrra e tyre.

       Në vështrim të parë strategjia e tyre e pritjes si dhe ajo e bashkimit me Kosovën nuk ishte fare e gabuar. Por kohët kishin ndryshuar dhe po ndryshonin me shpejtësi.  Komunizmi kishte marrë hov si ideologji. Pothuajse në mbarë botën. Dhe ata që u lidhën me partinë komuniste shqiptare nuk pritën gjatë.

     Ata, siç thamë, e kishin nisur luftën që kur Shqipëria rrezikonte të zhdukej dhe tjetërsohej nga Italia e Musolinit. Njëlloj siç kishte ngjarë me shumë vende të Afrikës dhe Azisë Juglindore që gjendeshin të pushtuara atë kohë nga Franca dhe Anglia.

     Luftën e filluar kundër italianëve, partizanët e vazhduan edhe me gjermanët. Hitleri në atë kohë luftonte si kundër Francës dhe Anglisë, por i kishte shpallur luftë edhe ish-Bashkimit Sovjetik të udhëhequr nga Stalini. Të deleguarit e Kominternit dhe të Titos në Shqipëri bënin çfarë ishte e mundur asokohe që të nxisnin forcat partizane në luftë kundër Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. Aq më shumë që këto fuqi e kishin bashkuar për herë të parë Shqipërinë me Kosovën.

      Dhe siç dihet lufta përfundoi me fitoren e Bashkimit Sovjetik, Amerikës dhe Anglisë, të cilat vendosën se asnjë ndryshim kufijsh i vendosur nga forcat e “boshtit” – Gjermani, Itali, Japoni nuk do njihej.

      Të supozojmë një çast tani sikur edhe forcat partizane të mos kishin luftuar. Çfarë do kishte ngjarë?! Me siguri që grekët që luftuan “derrçe” kundër italianit dhe gjermanit, (të parin madje e mundën) do kishin aneksuar Vorio Epirin. Se Shqipëria do ishte konsideruar si vend i mundur meqë nuk kishte luftuar kundër forcave nazi/fashiste.Madje kishte pritur të krijonte me ndihmën e tyre edhe “Shqipërinë e Madhe”.

         Kjo duket se ishte edhe arsyeja që Enver Hoxha në Konferencën e Parisit që u mbajt menjëherë pas luftë deklaroi se:”nuk kam ardhur për të dhënë llogari, por për të kërkuar llogari”! Dihet se edhe sot e kësaj dite Greqia mban ende ligjin e luftës me Shqipërinë pasi 2 batalione shqiptare, sëbashku me forcat e Duçes, sulmuan Greqinë. Por Shqipëria ishte atëhere një vend i pushtuar nga Italia!

          Po ballistët në të gjithë këtë mesele? E vërteta ështe se edhe ata i hodhën disa pushkë kundër pushtuesit italian. Por me vonesë. Ndryshe ata u bashkuan me forcat gjermane për të luftuar kundër forcave partizane.

        Dhe ka shumë fakte dhe dokumenta historike që dëshmojnë se Balli Kombëtar nuk luftoi kundër pushtuesit gjerman. Janë oficerët britanikë, si Devis, Smajlli dhe Rexhinald Hibert me librin e tij “Fitorja e hidhur” të parët që e pohojnë këtë fakt si dhe bashkëpunimin e ballistëve me nazistët. Madje edhe në parullën e tyre ata thonin:”Shqipëri e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”! Kush ishin tradhtarët?! Sigurisht partizanët!

       Por siç shkruajta edhe në fillim të shkrimit, pavarësisht të gjithave, duhet hequr një vijë e qartë ndarëse ndërmjet Luftës Nacional –Çlirimtare dhe sundimit komunist 45 vjeçar. Ky sundim ishte aq i fortë dhe aq i rëndë, (me një parti unike në pushtet dhe një drejtues të saj që ishte bërë si Zeusi) saqë mund të thuhet se që nga 1945 deri më 1990-tën Shqipëria, në kuptimin figurativ, ishte e pushtuar nga komunistët. Ata dhe partia e tyre kishin në dorë dhe kontrollonin gjithçka.

Nga 17 Nëntori më 29 Nëntor

 (Shkruajtur në nëntor 2024)

       Deri para 35 vjetësh kryeqyteti i Shqipërisë ka pasur një skuadër tejet të njohur futbolli që quhej pikërisht “17 Nëntori”, në përkujtim të ditës së çlirimit të Tiranës.

      Në atë kohë, pra në nëntor të vitit 1944, forcat hitleriane ishin duke u tërhequr nga Ballkani, për të mbrojtur Gjermaninë, e cila po sulmohej furishëm nga trupat sovjetike si dhe ato amerikano/angleze.

     Por në Greqi kishin mbetur ende disa batalione dhe regjimente gjermane që nuk ishin tërhequr dot në kohë. Dhe rruga e « kthimit » të tyre kalonte nëpër Tiranë. Prandaj edhe trupat gjermane u detyruan të organizonin një rezistencë të fortë disaditore, para se të gjitha forcat e tyre të ishin tërhequr.

     Për këtë luftë ka shkruajtur edhe « komandanti legjendar » apo « multi-agjenti » Mehmet Shehu ! Në atë libër ai përshkruan me vërtetësi dhe pathos luftën dhe sakrificat e partizanën për të vënë nën kontrollin e tyre, kryeqytetin e vendit, por pa harruar të përshkruajë edhe rezistencën e fortë të trupave hitleriane.

    Në fakt ishte vetë Mehmet Shehu që udhëhoqi këtë betejë disa ditore. Tirana, ishte pothuajse i vetmi qytet i Shqipërisë që u çlirua me forcën e armëve dhe pas një beteje të stërzgjatur dhe gjakderdhëse.

 Por « lulet » i takuan  Enver Hoxhës. Në foton e hyrjes së batalioneve partizane në Tiranë, pikërisht më 17 nëntor 1944, në rradhë të parë shihet Enver Hoxha me buzëqeshjen e tij djallëzore dhe pas tij, andej nga rreshti i tretë duket edhe Mehmet Shehu ! Dhe siç dihet 12 ditë më pas, më 29 Nëntor, trupat gjermane u larguan përfundimisht nga Shqipëria.

      80 vjet më pas kësaj ngjarjeje, gjithkush ka të drejtë të hedhë shikimin pas dhe të përpiqet të kuptojë historinë e Shqipërisë së asaj kohe. Aq më shumë që gjërat tani janë bërë « çorap ».

     Shumëkush i lidh dhe i barazon 17 dhe 29 Nëntorin me sundimin tiranik të të partisë së punës së Shqipërisë që nga 1945 deri më 1990-tën. Madje disa të tjerë duan ta kthejnë historinë me kokë poshtë, duke dashur t’i kthejnë bashkëpunëtorët e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste në heronj të lirisë dhe demokracisë !

        Por për të njohur të vërtetën, nuk mjafton t’i referohesh historiografisë komuniste të asaj kohe, që e ka ndryshuar dhe përshtatur atë si i donte qejfi. Por një rol të madh dokumentar dhe faktik lozin këtu edhe arshivat e mbretërisë britanike si dhe kujtimet e vetë oficerëve gjermanë.

        Siç dihet në atë kohë, Britania e Madhe dërgoi në vendin tonë  disa oficerë të saj, që kishin për mision të nxisnin edhe më shumë luftën kundër armikut të tyre, Gjermanisë naziste.

      Njëri prej tyre ishte edhe lordi Rexhinald Hibert. Ai madje ka shkruar edhe një libër për misionin e tij në Shqipëri gjatë viteve 1943 – 1944, “Fitorja e hidhur” si dhe rolin që kanë luajtur gjatë kësaj beteje forcat komuniste, balliste, apo kolaboracioniste. Dhe aty ai i vë pikat mbi “i”. Ishin partizanët ata që luftuan me heroizëm dhe pa kompromis kundër gjermanëve, ndërsa ballistët bënin sikur po luftonin! Deri sa të hidheshin krejtëisht në anën e pushtuesit!

      Sepse në atë epokë në Shqipëri ekzistonin tri forca politike të ndara qartas njëra nga tjetra. Forca e parë për nga rëndësia paraqitej nacional-çlirimtarja e udhëhequr nga Partia Komuniste, e themeluar më 8 nëntor të vitit 1941. Forca e dytë, Balli Kombëtar, i themeluar një vit më pas, nëntor 1942, përbëhej nga nacionalistë të vjetër si dhe intelektualë. Në forcën e tretë përfshiheshin thjesht kolaboracionistët e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. 

         Këta të fundit nuk kishin asnjë lloj parimi apo ndjenje kombëtare. Shumica e tyre përbëhej nga intelektualë nga zonat katolike të vendit, që e konsideronin pushtimin fashist, si”shpëtim” për ta dhe vëllazërim me Vatikanin. Por po aty bënin pjesë edhe shumë njerëz me prejardhje ortodokse apo myslimane.

         Një njeri i afërt i imi, profesori i gramatikave shqipe, Petër Elezi, që e ka pasë jetuar atë kohë, më ka treguar se ato ditë, pra në prill të vitit 1939, Lalë Krosi, një  oborrtari i njohur i mbretit Zog, dilte ato ditë rrugëve të Tiranës dhe thërriste: “Rrofsh o Duçe që na shpëtove nga tirani Zog”!

        Tek ky grupim bënin pjesë edhe bejlurçinat e kohës dhe sidomos ata që shpallën dhe duartrokitën formimin e “Asamblesë Kombëtare” që shpalli bashkimin e pandashëm të Italisë fashiste me Shqipërinë.

        Ishte po ky soj njerëzish që nxituan t’i ofronin mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit, kurorën e Skënderbeut. Sigurisht që kjo farë tradhtarësh nuk shkrehu asnjë pushkë kundër pushtuesit. Përkundrazi ata bashkëpunuan, sidomos me regjimin e Duçes, duke marrë dhe poste kryeministrash apo ministrash. Gjithë lufta e tyre u përqëndrua ndaj nacional-çlirimtares.

        Historia e ballit Kombëtar është disi më e koklavitur. Pasi ndenjën në heshtje përgjatë tre viteve të okupacionit fashist dhe kur e panë se nacional – çlirimtarja po rritej dhe forcohej çdo ditë dhe Italia fashiste po merrte rrokullimën, ballistët e panë të udhës të dilnin nga përgjumja dhe të hidhnin edhe ata nja dy a tre pushkë kundër italianit.

      Politikën e „Ballit Kombëtar“ të asaj kohe e ka përshkruar në një mënyrë të papërsëritshme Shefqet Musarai në poemën e tij satirike „Epopeja e Ballit Kombëtar“!

       Themelimi i „Ballit Kombëtar“ ishte i lidhur edhe me frikën e kastës të vjetër se mos komunistët merrnin pushtetin. Por udhëheqja e „Ballit“ përbëhej nga njerëz të zgjuar dhe me shkollë. Strategjia e tyre në atë kohë ishte:“Të mos vritet rinia kot për interesat e Fuqive të Mëdha. Të ruajmë forcat për më vonë“!

       Ballistët, shumë prej të cilëve ishin pasardhës të figurave të njohura që kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia më 1912-tën, ishin ithtarë të përbetuar të Shqipërisë natyrale, me Kosovë dhe Çamëri brenda.

        Por Duçja nga ana e tij kishte plane të tjera, pavarësisht se shpalli gjoja „Shqipërinë e Madhe“. Shqipëria ishte e pasur me naftë dhe minerale që Italisë i mungonin dukshëm. Prandaj plani tij i vërtetë ishte italianizimi i vendit. Për të realizuar këtë synim ai kishte parashikuar edhe vendosjen e 5 milionë kolonëve italianë në vendin tonë.

       Por “Balli” gaboi rëndshëm sidomos kur forcat gjermane pushtuan vendin. Edhe ata shpallën dhe njohën Shqipërinë etnike në kufijtë e saj natyralë. Pikërisht në atë kohë dhe lufta partizane kishte marrë hov të paparë. Dihej se partia komuniste shqiptare u formua me ndihmën e emisarëve nga Beogradi. Partizanët e Titos po zhvillonin në atë kohë një luftë titanike me ushtrinë gjermane. Thuhej se partizanët jugosllavë numëroheshin deri në 1 million veta !

       Gjermanët në atë kohë thuhej se nuk kishin interesa në Shqipëri dhe ndodheshin aty « në kalim », për të mos lejuar vendosjen e forcave amerikano/ britanike.

      Por si pasojë e goditjeve të parreshtura të forcave partizane, gjermani nuk mund t’i linte ballistët të rrinin si vëzhgues të paanshëm. Aq më shumë që edhe ata në atë kohë kishin krijuar « Regjencën » e tyre me shumë figura nacionaliste në krye të saj.

      Prandaj udhëheqësit e Verhmatit gjerman u kumtuan troç ballistëve se ata nuk mund të rrinin në dy karrige : Ose me ne, ose kundër nesh » – ishte ultimatumi gjerman.

       Krerët e « Ballit » vunë re në atë kohë se « inglizi » po i ndihmonte si shumë forcat partizane me armë, ushqime dhe veshje. Ndërkohë, që ndryshe nga Britania, Gjermania njihte dhe pranonte ëndrrën e tyre për Shqipërinë etnike.

      Të vënë para këtij ultimatumi apo kësaj zgjedhjeje të detyruar, « Balli » vendosi bashkëpunimin me gjermanët. Si mund të bashkohej ai me Partinë Komuniste e udhëhequr nga serbët ?!

       Por Gjermania e humbi luftën dhe bashkë me të edhe « Balli » dhe përkrahësit e tij. Dhe pikërisht si sot 80 vjet më parë forcat partizane filluan një raprezalje të paparë në Tiranë ndaj të gjithë përkrahësve dhe bashkëpunëtorëve të Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. E cila mund të krahasohet vetëm me atë të Xhaferr Devës më 4 shkurt.

       Duke « djegur shpesh herë edhe të njomin me të thatin » ! U vranë dhe u ekzekutuan edhe patriotë dhe nacionalistë që nuk kishin bashkëpunuar fare me pushtuesin, por thjesht se njiheshin si antikomunistë!

       Dhe kështu vazhdoi deri më 1990-tën. Për më shumë pasi kishte vrarë të gjithë “armiqtë”, Enver Hoxha nuk ngurroi tu priste kokat edhe bashkëluftëtarëve të tij. Duke filluar nga Koçi Xoxe deri te Beqir Balluku, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe dhjetëra të tjerë. Aq sa thuhet se gjatë sundimit të tij 40 vjeçar ai vrau dhe persekutoi më shumë komunistë se antikomunistë!

        Sidoqoftë ata që luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e vatanit si Margarita Tutulani, Vojo Kushi, Qemal Stafa, Vasil Shanto etj etj, afërsisht 28 000 dëshmorë, nuk luftuan dhe u vranë për Enver Hoxhën, por për Shqipërinë. 

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment