Të gjithë ne e dimë mirë se Shqipëria u shpall e pavarur nga Turqia më 28 Nëntor të vitit 1912. Kjo është plotësisht e vërtetë. Siç është po aq e vërtetë që shqiptarët, myslimanë apo të krishterë, luftuan të vetëm dhe me heroizëm për pavarësinë e vendit që në vitet 1910 – 1911. Kryengritje që u shtypën me forcë nga gjenerali turk Turgut Pasha.
Kryengritja e parë shqiptare filloi në vitin 1910. Qeveria osmane dërgoi atëhere Turgut Pashën me 16. 000 këmbësorë, disa mijëra kalorës dhe artileri për të shtypur kryengritjen shqiptare. Mizoritë e tij pashai turk i filloi pikërisht në Kosovê. Gjatë gjithë fushatës së tij ushtarake, Turgut Pasha i imponoi popullsisë masa të rrepta për ta çarmatosur dhe kontrolluar atë. Aq e ashpër dhe mizore ishte fushata e tij saqë më 10 prill, deputetët shqiptarë të mexhlisit (parlamentit) osman shprehën me forcë shqetësimet e tyre, duke i quajtur veprimet e pashait turk si një fushatë barbare.
Por qeveria turke e asaj kohe as u shqetësua ndaj mizoriva të ushtarakut të saj dhe deklaroi se nuk kishte nevojë të dërgohej një komision hetimor në Shqipëri. Si pasojë, Turgut Pasha u fuqizua edhe më shumë dhe shpalli “ligjin mbi bandat” në Shqipëri, dmth kundër kryengritësve.
Pas çarmatimit të Kosovës, pashai u nis drejt Shkodrës dhe gjatë udhëtimit u përlesh edhe me forcat katolike të zonës si dhe me forcat e Mehmet Shpendit dhe Isa Boletinit.
Më 26 korrik, Turgut Pasha mbërriti në Shkodër, ku dha urdhër që popullsia të dorëzonte armët dhe kërkoi kryerjen e një regjistrimi të popullsisë për t’i rekrutuar si zabitë ushtarak meshkujt vendas të moshës 18-26 vjeç. Masat e pashait turk u kunërshtuan nga banorët vendas prandai ai qëndroi në qytet deri më 22 gusht.
Përveç maleve veriperëndimore dhe veriore, ushtritë osmane të udhëhequra nga Turguti kontrollonin edhe Shqipërinë veriore. Më 22 gusht ai e konsideroi misionin e tij ushtarak si të përfunduar dhe u nis drejt Selanikut. Pas 5 muajsh fushate ndëshkuese në Shqipëri.
Duke udhëtuar nëpër Mirditë, Turgut Pasha i dha urdhër ushtarëve të tij të sulmonin edhe Dibrën dhe çarmatosni banorët e saj. I ndihmuar edhe nga një “fatva” (dekret) perandorak, Turguti i vazhdoi mizoritë e tij edhe në Shqipërinë qendrore dhe jugore ku mbylli edhe shkollat shqipe që sapo ishin hapur!
Por shqiptarët nuk u mposhtên dhe nuk e ulën kokën. Prandaj Turgut Pasha u nis për herë të dytë të mposhte “këta rebelë tê pabindur”!
Kryengritja shqiptare e vitit 1911 filloi në prill dhe pashai turk së bashku me 8,000 ushtarë u rikthye në këto treva rajon për të rivendosur “rregullin”. Më 11 maj 1911, Turgut Pasha shpalli në Shkodêr gjendjen e jashtëzakonshme dhe njëkohësisht shpalli edhe një ofertë amnistie për kryengritësit shqiptarë, nëse ata do linin armët dhe do ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Por nga kjo amnisti u përjashtuan të gjithë komandantët dhe krerët shqiptarë të kryengritjes së cilëve nuk iu ofrua falje dhe, si udhëheqës të kryengritjes, ata do të duhej të dilnin në gjyq nëpërmjet një gjykate ushtarake (Divani Harb).
Krerët shqiptarë iu përgjigjën pashës turk më 18 maj 1911. I nënshkruar nga 60 udhëheqës, mesazhi thoshte se në vitin 1910 ata u çarmatosën për shkak të premtimeve të tij për të drejta kushtetuese, por këto angazhime nuk u mbajtën pasi qeveria osmane mbylli shkollat shqipe, rriti taksat, burgosi dhe vrau njerëz dhe ndërmori masa të tjera të rënda. Krerët shqiptarë akuzuan gjithashtu qeverinë osmane për provokimin e konflikteve midis shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë
Turgut Pasha shpalli atëhere një tjetër dekret perandorak që u ofronte përsëri amnisti banorëve më 18 qershor 1911. Kushtet e tij kërkonin që kryengritësit të ktheheshin brenda dhjetë ditësh për të dorëzuar armët e tyre dhe po ashtu një dhuratë personale prej 10. 000 lirash që do të jepej nga sulltani si kompensim për dëmet.
Vetë Ismail Qemali u nis pêr të takuar krerët shqiptarë dhe të bisedonte me ta. Si rrjedhim ata nënshkruan bashkarisht një memorandum duke kërkuar autonomi për shqiptarët, të drejta etno-gjuhësore dhe masa të tjera. I nënshkruar nga delegatët shqiptarë, memorandumi i referohej gjithashtu shkatërrimeve të bëra nga Turguti në veri të Shqipërisë dhe dokumenti ishte një përgjigje ndaj dekretit të amnistisë së gjeneralit. Sulltan Mehmeti i 5-të nënshkroi atëhere një dekret amnistie më 3 korrik 1911 por kryengritësit refuzuan të ktheheshin dhe dorëzonin armët për sa kohë që Turgut Pasha ishte aty.
Se kryengritësit e mbanin Turgut Pashën si personalisht përgjegjës dhe jo qeverinë osmane për atë që ndodhi në Shqipëri. Atëhere qeveria osmane e thirri Turgutin në Stamboll.
Shqiptarët ishin të kënaqur me largimin e Turgutit, duke e konsideruar si poshtërim për ta dekorimin e pashait për fushatën e tij ushtarake kundër rebelimit shqiptar, nga sulltani dhe ambasadorët e huaj. Turguti u zëvendësua atëhere nga Abdullah Pasha.
Por ndërsa shqiptarët përballeshin me trupat e e gjeneralit turk, fqinjët punonin tinës. Si kundër Turqisë, por po ashtu edhe kundër Shqipërisë.
Ndryshe historia jonë ka harruar ta theksojë: se pavarësia jonê u shpall në një kohë kur Shqipëria nuk kishte më asnjë lidhje tokësore me Turqinë. Si rrjedhojë mbetej që ose të shpallej pavarësia ose Shqipëria do të copëtohej ndêrmjet vendeve fqinje të krishtera. Prandaj u bë tejet urgjente shpallja e pavarësisê. Me këtë zgjidhje ranë dakord edhe bejlerët dhe çifligarët myslimanë shqiptarë, që gjithmonê e kishin mbajtur një sy dhe një pjesë të zemrës nga Stambolli!
Gjithashtu duhet ditur dhe mbajtur mend se vitet 1912 – 1913 ishin nga më të trazuarat në historinë e Ballkanit. Boll të themi që gjatë këtyre viteve Bullgaria, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi luftuan dhe u pajtuan disa herë me njëra tjetrên. Sipas interesave të tyre!
Sidomos 3 fuqitë ballkanike ortodokse: Serbia,Bullgaria dhe Greqia formuan në maj të vitit 1912 edhe një Ligë Ballkanike që kishte si synim shkëputjen tërësore dhe të plotë nga Turqia. Si dhe përvetësimin dhe gllabërimin e territoreve që nuk kishin qënë asnjëherê nên zotërimin e tyre, siç ishin sidomos tokat shqiptare.
Kêto vite njihen edhe si vite të luftrave ndêrballkanike. Lufta e Parë Ballkanike (tetor 1912 – maj 1913) dhe Lufta e Dytë (nga 16 qershori deri në 18 korrik 1913). Gjatë këtyre luftrave kufijtë e vendeve ballkanike u ndryshuan disa herë me rradhë.
Ata që fituan ishin Serbia me Greqinë, që formuan edhe një aleancë sa për të gllabëruar tokat shqiptare, por po aq edhe për të luftuar kundër ambicjeve të Bullgarisë që mêtonte gjithë tokat e Maqedonisë së sotme deri në Selanik.
Po le të kthehemi pak prapa tani në vitin 1908. Ishte pikërisht atë vit që perandoria austro- hungareze vuri nën zotërimin e saj gjithë Bosnjë – Hercegovinën duke bërë që Serbia atëhere të përpiqej të pushtonte tokat e Shqipërisë së veriut deri në Tiranë. Synimi strategjik i saj ishte të dilte medoemos në Detin Adriatik.
Mali i Zi ishte vendi i parë që i shpalli luftë Turqisë më 8 tetor 1912, i ndjekur nga Bullgaria, Greqia dhe Serbia më 17 tetor 1912. Me ndihmën e Rusisë, Liga Ortodokse Ballkanike fitoi ndaj Turqisë që humbi pothuajse të gjitha zotërimet e saj në Ballkan. Dhe pasi mbaruan punë me Turqinë ato iu kthyen Shqipërisë. Sidomos Greqia, Serbia dhe Mali i Zi.
Së pari Greqia pushtoi Prevezën më 21 tetor dhe më pas edhe Janinën. Më 5 nëntor një trupë greke u nis drejt Himarës, Mê 3 nëntor flota greke bombardoi Vlorën, ndërsa më 27 shkurt Durrësin. Në ato kohë, 20 nëntor, ajo pushtoi edhe Korçën.
Por shtrirja e Greqisë në veri të Epirit nuk u pa me sy të mirë nga Austro-Hungaria dhe Italia. Sidoqoftë Greqia bëri gjithçka asokohe për ta penguar dhe izoluar qeverinë e Ismail Qemalit e formuar menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.
Në të njëjtën kohë trupat serbe bashkë me ato të Malit të Zi rrethuan Shkodrën, e cila ra në duart e tyre më 23 prill të 1913, falë tradhtisë së Esat Pashës!
Ndryshe më 30 maj 1913 u mbajt edhe Konferenca e Londrës. Por vetëm një ditë më pas, Greqia dhe Serbia nënshkruan një aleancë sekrete që kishte si qëllim t’i kundërvihej Austro- Hungarisë si dhe kërkesave territoriale të Bullgarisë.
Ushtria serbe në atë kohë përbëhej nga 348 000 trupa të gatshme për agresion, ndërsa Greqia kishte 142 000 trupa të gatshme në çdo kohë.
Si pasojë e agresioneve dhe pushtimeve, ndër të tjera edhe të tokave shqiptare, Greqia e dyfishoi sipërfaqen e saj. Serbia po ashtu e dyfishoi sipërfaqen e saj dhe popullsia nën sundimin e Beogradit kaloi nga 2.9 në 4.5 milionë banorë! Edhe Mali i Zi e dyfishoi sipërfaqen dhe popullsinë e tij, sigurisht vetëm duke aneksuar tokat shqiptare.
Por si pasojë e këmbênguljes së perandorisë austro-hungareze dhe Italisë, dhe po ashtu falë edhe përpjekjeve të popullit shqiptar, pavarësia e Shqipërisë u njoh gjatë Konferencës së Londrës dhe kufijtë e saj u njohën përfundimisht gjatë Traktatit të Firences më 13 dhjetor 1913.
Por fatkeqësisht populli shqiptar humbi gjysmat e tokave dhe popullsisë së tij. Dhe kështu mbeti i vetëm shtet në Europë i “rrethuar” nga bashkëkombasit e tij në Mal të Zi, Kosovë, Iliridë dhe Çamëri.
Nga Viron Gjymshana

Lini një koment