A ia vlen dhe a duhet të jesh vegjetarian?

        Pavarësisht se si e konsideron veten, Njeriu bën pjesë në botën e kafshëve. Nga ana fiziologjike asgjë nuk ndryshon ndërmjet njeriut dhe vertebrorëve të tjerë. Por ka disa që megjithatë ngulin këmbë që Njeriu ndryshon nga kafshët se ka shpirt dhe ndërgjegje, se është në gjendje po ashtu të dallojë të mirën nga e keqja etj. Po sipas tyre, Njeriu, ndryshe nga kafshët, nuk zotërohet veç nga instiktet e mbijetesës, por dallohet edhe për një jetë artistike – kulturore, fillozofike dhe po aq edhe shpirtërore.

       Ai është i ndërgjegjshëm për ekzistencën e tij, për jetën dhe vdekjen, madje beson se pas kësaj jete duhet të ketë edhe një tjetër, e përjetshme. Prandaj që në kohët e lashta vendoste edhe ushqime apo pije në varret e të afërmëve, të mbretërve dhe faraonëve, që ata të kishin me se të ushqeheshin deri sa varkëtari Karon t’i kalonte në anën tjetër të lumit Stynx, ku gjendej, sipas mitologjisë helene edhe Ferri, Purgatori apo Parajsa.

       Por deri sa njerëzimi të fillonte të tregonte nga këto historira dhe legjenda, Njeriu sillej dhe vepronte si gjithë kafshët e egra. Ai shtegtonte nga një vend në tjetrin duke ndjekur dhe gjuajtur kafshë të ndryshme. Pasi mishi i tyre ishte i vetmi ushqim që e ngopte dhe i plotësonte atij nevojat e tij jetike. Pasi frutat e pemëve apo edhe rrënjët e bimëve nuk mund ta mbanin dot gjallë.  Prandaj mishi ka qënë ushqimi ynë kryesor përgjatë dhjetra mijëra vjetëve. Gjë që vazhdon edhe sot.

      Megjithatë një ndryshim i rëndësishëm ngjau 10 000 vjet para erës sonë.  Kjo epokë njihet edhe si fillimi i qytetërimit. Atëhere Njeriu  nuk bridhte më pas mamuthëve dhe kafshëve te tjera për t’i vrarë dhe ngrënë, por vendosi të ngulej përfundimisht në një vend, ku filloi të mbillte dhe të korrte si dhe të mbarështonte kafshë të ndryshme si  dele, lopë, qen, mace etj. 

       Ushqimi i tij ndryshoi dukshëm. Tani nuk ishte më vetëm mishi që ia mbushte barkun, por ai filloi të gatuante edhe bukën në magje dhe ta pasuronte ushqimin e tij edhe me qumësht, djathë, rrënjë dhe bimë.

       Ndryshimi i ushqimit solli njëkohësisht edhe ndryshime fizike dhe mendore. Kështu filloi edhe ndërtimi i barakave dhe shtëpive të para, pas së cilave u krijuan fshatrat dhe më vonë edhe qytetet. Disa prej të cilave që para 3 000 apo 4 000 vjetësh arritën të kenë deri afro 1 milion banorë!

       Faza e “ngujimit” dhe qytetërimit u pasua nga epoka e “ndriçimit”. Atëhere Njeriu nuk u mjaftua më veçse me mbushjen e barkut, por si një qënie superiore, filloi të mendonte dhe arsyetonte dhe po ashtu të merrej edhe me art, kulturë, shkencë dhe deri edhe me arkitekturë.

      Njëkohësisht ai filloi të punojë edhe hekurin dhe të krijojë edhe vegla dhe armë të ndryshme.  Le të kujtojmë këtu kopshtet e varura të Babilonisë apo ujësjellësit e famshëm të Romës antike. Apo qoftë edhe piramidat e ngritura në Egjipt, ato të Aztekëve në Amerikën Latine apo në Lindjen e Largme.

           Pastaj arriti epoka e artë e viteve 600 para erës sonë, që ra në sy edhe për lindjen e shumë filozofive dhe dijetarëve që përpiqeshin të kuptonin “pse”-në e ekzistencës së Njeriut mbi Dhé dhe të hidhnin vështrimin edhe drejt Kozmosit. 

         Aristoteli, Platoni, Sokrati, Epikyri, Diogjeni, Avicena, Buda, Konfuci, Averroes, Lao Tse etj etj shkruan në atë kohë vepra që mbeten të mrekullueshme edhe sot. Edhe shkenca po në atë kohë përparoi në mënyrë të paparë. Madje u mat pothuajse saktësisht edhe distance e Tokës me Diellin!

          Dhe pikërisht kur Njeriu siguroi deri në një farë mase jetesën, ai filloi të dyshojë se ndofta vrasja e kafshëve dhe ngrënia e mishit të tyre nuk ishte diçka e mirë. Dhe po ashtu që ky zakon mund të binte në kundërshtim edhe me udhëzimet e Zotit.

       Sepse njeriu është, çuditërisht njëlloj si ariu, omnivor. Që do të thotë se ai mund të hajë edhe mishin, por edhe fruta, perime etj. Madje mund të shijojë edhe mjaltin që gjendet nëpër zgavrat e pemëve të vjetra. Pra nuk është si ujku dhe kafshë të tjera që pa mish ngordhin.

       Por ka edhe kafshë që janë “krijuar” për tu ushqyer vetëm me bar si bagëtitë e imta, lopët, kau, kali, madje edhe kafsha më e madhe mbi Tokë, elefanti, jeton deri 100 vjet duke ngënë veç barishte! Shihet se ekziston një lloj qarkullimi që plotëson ciklin e jetës mbi Tokë!

     Ndryshe kuptohet fare qartë se Njeriu mund të jetojë si duke ngrëne vetëm mish, por po ashtu edhe vetëm me bimë! Kështu qënka krijuar ai dhe kjo është çudia e natyrës.

       Por kur filluan njerëzit, ose një pjesë prej tyre, të mos hanin mish?! Sipas studiuesve të Historisë Njerëzore, vegjetarizmi ka nisur afërsisht 2 600 vjet më parë. Në Indi. Ka qënë etnia “xhain” që së pari refuzuan të hanin mishin e kafshëve të vrara.  Dhe po ata vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mos e pranojnë në mënynë e tyre mishin e kafshëve të vrara. Apo të ngordhura!   

      Pastrimi i shpirtit, mosnjollosja e tij me gjak dhe mish të huaj – ishte njëra nga arsyet që ky popull ndaloi përgjithmonë  ngrënien e mishit. Xhainët ishin edhe kundër ofrimit të mishit të kafshëve Zotit, si një lloj sakrifice që vazhdon që nga koha e Adamit të Biblës deri më sot!

       “Përpiqu të jetosh pa i bërë keq askujt. Të hash mish do të thotë të vrasësh një qënie të gjallë që dëshiron, po aq sa ne, të jetojë” – kjo ishte dhe mbetet fillozofia e tyre. Pak nga pak praktika dhe teoria e fisit të xhainëve u përhap në pothuajse gjithë Indinë, ku edhe sot shumica e banorëve të këtij vendi nuk hajnë më mish.

      Dhe dihet se edhe lopa atje karakterizohet si një kafshë e shenjtë.  India, dhe çuditërisht edhe Brazili, mbeten sot vendet më vegjetariane në botë. Kështu psh numri i njerëzve që pohojnë se janë vegjetarianë në Brazil pothuajse dyfishohet çdo 6 vjet. 30 milionë prej tyre, afërsisht 14 % e gjithë brazilianëve kanë pohuar në vitin 2018 se ata janë vegjetarianë!

         Ndryshe nga India, në Europë ideja vegjetariane filloi të marrë forcë dhe të përhapet me lindjen e Krishtërimit. Thuhet se vetë Krishti ishte pothuajse vegjetarian dhe konsumonte veçse pak peshk.  Megjithatë edhe sot europianët, së bashku me amerikanët dhe hamburgerin e tyre, mbeten konsumues të mëdhenj të mishit.

         Por që para epokës së Krishtërimit, pati zëra që shpreheshin kundër vrasjes dhe ngrënies së kafshëve. Disa nga këta janë fillozofi Seneka,  matematikani Pitagora, Plutarku etj.

      Seneka psh ishte një fillozof i njohur i Romës antike. Ai njihej edhe si mentori (drejtuesi, mësuesi) i perandorit famëkeq Neron. Për Senekën, që ka jetuar në shekullin e parë të erës sonë, Njeriu përveç barkut, duhet të mendojë për të ushqyer edhe mëndjen si dhe shpirtin e tij. Dhe sipas tij, ky është edhe ndryshimi me i madh i tij me kafshët.

       Seneka duke qënë kundërshtar i vendosur i ngrënies së mishit nga njeriu ushqehej në kohën më të madhe me bukë dhe fiq: “Duhet t’i përkushtohemi urtësisë dhe shpirtit dhe mos ta lejmë veten të dominohemi nga instiktet” – shprehej ai.

        Përveç Senekës, një tjetër fillozof i shquar vegjetarian ishte edhe Plutarku. Në fund të shekullit të parë të erës sonë, Plutarku shprehej tejet i zëmëruar nga sjellja e njerëzve karshi kafshëve. Madje ai shkruajti edhe një traktat filozofik me temë “Ngrënia e mishit” ku shprehte keqardhjen e tij për kafshët. Ai i konsideronte ato si qënie me ndjenja, të cilave nuk u mungon zgjuarsia, prandaj edhe nuk duhen vrarë dhe ngrënë.

           Njëqind e pesëdhjetë vjet më vonë, është filozofi Porfiri i Tirit, i cili ngrihet me forcë kundër traditës së blatimit (kurbanit) të kafshëve ndaj Zotit. Një traditë kjo që vazhdon çuditërisht edhe sot!  “Si mund të nderohet Zoti duke kryer një krim, një vrasje? Nuk nderohen zotat duke vrarë bagëtinë që nuk na kanë bërë asgjë. Që kur ndyem tempujt me gjakun e pafajshëm të bagëtive, neve, njerëzve nuk na janë ndarë uria dhe luftërat. Se ne tashmë jemi mësuar me gjakun dhe krimin” – shkruante ai.

      “ Ne mund tu ofrojmë atyre (zotërave) në shenjë nderimi frytet e kësaj toke, pa qënë nevoja të përdorim dhunën” – theksonte fillozofi romak.

         Ndofta me kurbanin ndaj Zotit duket se njerêzit, si dhe fetë, duan ta bëjnë edhe Zotin si vetja. Meqë ata vrasin për veten e tyre, ata i ofrojnë edhe Zotit gjoja në shenjë respekti(!) mish të therur! 

        “Njeriu duhet të largohet nga vrasja, nga dhuna dhe gjaku. Dhe për këtë njerëzit më të mënçur nuk duhet të hanë mish bagêtish të therrura, sepse këto veprime e ulin edhe Njeriun në nivelin e shtazës” – mendonte Porphiri i Tirit.

          Megjithatë të gjitha këto qëndrime nuk ndryshuan pothuajse asgjë. Romakët, helenët dhe popujt e tjerë të Europës mbetën mishngrënës, megjithëse kisha e krishterë e ndaloi atëhere blatimin, sakrifikimin e kafshëve si një lloj nderimi ndaj Zotit.

       Studiuesit e historisë njerëzore theksojnë se edhe në Dhjatën e Vjetër “Parajsa e humbur, Edeni” është krejtësisht vegjetarian. Psh në librin e Gjenezës, (Fillimit) në dietën e Zotit ndaj krijesave të tij nuk përmendet fare ngrënia e mishit! Njerëzit duhet të ushqeheshin në këtë parajsë veçse me fruta, perime, rrënjë bimësh, duke filluar nga arrat, mollët, fiqtë, karrotat, mjalti etj etj.

      Por duke qënë se nuk iu bindën këtyre udhëzimeve, Zoti dëboi nga parajsa Adamin dhe Evën. Por edhe pasardhësit e tyre, sipas legjendave të Biblës, u sollën po aq keq, saqë Zoti nga zëmërimi e pêrmbyti gjithë tokën. Por la të shpëtonin vetëm Noen me familjen e tij dhe një çift shpezësh, kafshësh etj për çdo specie.

        Pas kësaj përmbytjeje, gjithmonë sipas Gjenezës, Zoti lejoi që njerëzit të ushqeheshin me gjithçka që ecên mbi tokë, që fluturon në ajër apo noton në ujë. Pra ai i dha një fuqi dhe liri të madhe Njeriut.

       Por kjo “liri” ka edhe kufizimet e saj. Të krishterët psh, ndryshe nga ebrenjtë, mund të hanin gjithçka, por jo gjithmonë dhe jo në çdo kohë.

      Edhe sot e kësaj dite të krishterët e kanë të ndaluar të hajnë mish gjatë Kreshmës, myslimanët gjatë Ramazanit dhe çifutët në mbarë botën gjatë festës së Yom Kippur-it.  Por ka edhe festa të tjera kur është e ndaluar ngrënia e mishit.

       Studiuesit kanë numëruar afro 150 ditë në vit, per çdonjërên nga të trija fetë monoteiste (fe që njohin vetëm një Zot), kur është e ndaluar vrasja dhe ngrënia e mishit.  

     Sepse sipas fesë mishi të nxit, të eksiton dhe të tundon ndër të tjera të biesh në mëkate të ndryshme. Pra në veprime seksuale të palejuara, në dëshirën për lluks dhe pêr tu dukur, dhe në veprime të tjera që bien ndesh me 10 udhëzimet që Zoti i përcolli Moisiut. Kështu me këto ndalime dhe rite fetare të pasurit dhe të varfërit barazoheshin: të gjithë do ushqeheshin thjesht me bereqetin e hambarëve të tyre. Duke përjashtuar këtu vetëm ngrënien e peshkut që konsiderohej si mish i ftohtë dhe pa gjak.

      Ideja që mbizotëron edhe sot është se vegjetarizmi i zbut njerëzit dhe i bën ata më të drejtë dhe më të ndershëm. Qënia vegjetarian pastron edhe gjakun edhe shpirtin – shprehen mbrojtësit e kësaj teorie.

        Dhe ndofta pikërisht për këto arsye vegjetarizmi ka pasur dhe ka një armik të madh. Që quhet virilizëm! Virilizëm do të thotë burrëri, forcë muskulore, forcë shpirtërore, (dmth të të mos të bëhet vonë nga vrasja apo vdekja e një qênie të gjallë, qoftë njeri qoftë bagëti) dhe po ashtu agresivitet i dukshëm.

        Gabimisht vegjetarianët mbahen për njerëz të dobêt, pothuajse delikatë sa si fizik, por po ashtu edhe në ndjenja. Njerëz qê i shmangen luftës dhe përplasjeve mashkullore.

        Megjithatë historia flet ndryshe. Saint Just i revolucionit francez  të vitit 1789 dhe Hitleri, megjithëse ishin vegjetarianë të vendosur, dalloheshin sa për mungesê ndjenjash njerëzore, aq edhe si shkaktarë vrasjesh të shumta.

        Një tjetër ide e përhapur ështê se vegjetarianët nuk jetojnë gjatë dhe sëmuren shpesh! E kundërta është e vërtetë. Vegjetarianët janë shumë rezistentë dhe jetojnë edhe më gjatë se mishngrënësit.

        Kështu psh shkencëtarët e Universitetit Mjekësor Loma Linda në Kaliforni kanë vërejtur se rreziku i vdekshmërisë te mishngrënësit në krahasim me vegjetarianët rritet me 12 pêr qind çdo 6 vjet!

       Përveç filozofëve të lashtë, ka pasur edhe disa figura të shquara gjatë Rilindjes europiane që janë shprehur me forcë kundêr vrasjes dhe ngrënies së bagëtisë. Njëri nga ata ka qënë edhe mendimtari i shquar francez, Volteri.

          “Atyre u mungon vetëm fuqia e të folurit; nëse do ta kishin, a do të guxonim ne t’i vrisnim dhe t’i hanim? A do të guxonim ne të kryenim një vëllavrasje të tillë? Cili barbar do të mund të piqte një qengj në hell, nëse ai qengj do të na lutej me fjalë të buta që të mos ishim njëkohësisht edhe vrasës dhe kanibalë? Është shumë e sigurt se kjo masakër e neveritshme, që shfaqet vazhdimisht në kasapët dhe kuzhinat tona, nuk na duket e keqe! Përkundrazi, ne e konsiderojmë këtë tmerr si një bekim nga Zoti, dhe madje kemi edhe lutje me të cilat e falënderojmë “Atë” për këto vrasje. Megjithatë, çfarë mund të jetë më e neveritshme sesa të ushqehesh vazhdimisht me kufoma?” – pyeste Volteri.

      Leonardo da Vinci është një tjetër vegjetarian i famshëm. Thuhet se ai blinte zogj të mbyllur në kafaze në tregje për t’i liruar! Njëlloj si Pitagora i famshëm.

      Pêr fat të keq nuk  ka mbetur asgjë nga shkrimet e matematikanit të njohur,  Pitagora, i cili jetoi në shekullin e 6-të para Krishtit. Por në veprën e tij “Metamorfoza”, botuar në shekullin e 1-rë, poeti latin Ovid, rrëfen mësimet e filozofit para-sokratik i njohur për teoremën e tij të famshme. Dhe ja, në veçanti, fjalimi i tij kundër ngrënësve të mishit:

         “Përmbahuni, o njerëz të vdekshëm, nga ndotja e trupave tuaj me ushqim të neveritshëm. […] toka, e pasur me thesaret e saj, ju furnizon me ushqime të shijshme; ju ofron pjata që nuk paguhen me vrasje dhe gjak. Janë egërsirat që e shuajnë urinë e tyre me mish, dhe edhe atëherë, jo të gjitha, sepse kuajt, delet dhe qetë ushqehen me bar. Vetëm kafshët me një natyrë mizore dhe të egër – tigrat e Armenisë, luanët gjithmonë të tërbuar, ujqërit, arinjtë – e duan ushqimin e përgjakur. Mjerisht! Çfarë krimi të futësh zorrët e bagëtive brenda zorrëve të tua, të shëndoshësh trupin tënd të pangopur me një trup me të cilin ngopesh dhe të mbash jetën brenda vetes tënde me vdekjen e një qenieje tjetër të gjallë! Çfarë është kjo? Në mes të kaq shumë pasurive të prodhuar nga toka, nëna më e mirë, ju gjeni kënaqësi vetëm duke gëlltitur mbetjet e shëmtuara të viktimave tuaja, me të cilat keni mbushur gojën tuaj, si të ishit Ciklopë!” – shkruan ai.

      Po ashtu edhe Louise Michel, një figurë e rëndësishme e Komunës së Parisit , në kujtimet e saj, botuar në vitin 1888 shkruajti:

     “Nga bretkosat që fshatarët i presin përgjysmë, duke e lënë gjysmën e sipërme të piqet në diell, me sytë e saj të fryrë tmerrësisht, krahët e saj të dridhur, duke kërkuar të varroset nën tokë, te pata, këmbët  e së cilës janë të gozhduara, te kali i rraskapitur,  kafshët vuajnë torturat e shkaktuara nga njeriu.

     Por pavarësisht të gjithave, vegjetarizmi duket se këto vitet e fundit po fuqizohet. Statistikat pohojnë psh se në vendet e Europës Perëndimore sasia e konsumit të mishit po bie çdo vit.

      Pa dyshim që këtu kanë ndikuar edhe sjelljet dhe qëndrimet e shumë figurave të shquara politike dhe artistike, që kanë pohuar se prej shumë vitesh ata janë kthyer në vegjetarianë!

      Ja dhe një listë jo e plotë e vegjetarianëve të sotëm të famshëm: Këngëtari “Bitëllsave” Paul McCartney; ish presidenti amerikan Bill Clinton; ish zëvendëspresidenti Al Gor, këngëtarët David Bowie, Morissey, Beyonse, Tobie McGuire (Spiderman), Ariana Grande, Samuel L. Xhekson…

       Shkrimtarët vegjetarianë si Milan Kundera, Marguerite Yourcenar, Isaac Bashevis Singer, Leon Tolstoi dhe shumë të tjerë gjatë jetës së tyre zgjodhën të mos hanin kafshë.

       Po ashtu si tenistet e njohura, motrat Venus dhe Serena Williams, Carl Lewis, Martina Navratilova dhe Chris Campbell janë gjithashtu vegjetarianë. 

         Në shekullin e 20-të, Albert Ajnshtajni ishte një avokat i zjarrtë për të drejtat e kafshëve. Sa i përket botanistit, astrofizikanit, gjeologut dhe humanistit të madh Théodore Monod, ai ishte një vegjetarian i përkushtuar.

       Nga Pitagora te Rousseau dhe nga Leonardo da Vinci te Volteri, shumë intelektualë të mëdhenj kanë mbajtur qëndrime të forta kundër konsumimit të mishit të kafshëve.  Madje thuhet se Leonardo da Vinci, “ashtu si hindutë, nuk hante asgjë që përmbante gjak”.

       Ndryshe nga bota, te ne rreth një vit më parë në median “Tema” u botua një shkrim me titullin:  “Nuk duhet të hamë mish. Kafshët janë kushurinjtë tanë”. Të qeshura dhe tallje pa fund u derdhën mbi autoren e shkrimit, që duket se kishte shkelur një “tabu”. Ndofta sepse kultura e vegjetarizmit ende nuk ka hyrë ndër shqiptarët!

    Si përfundim nuk duhet të harrojmë se 8 miliardë njerëzit mbi Tokë konsumojnë çdo vit rreth 100 miliardë kokë bagëtish të therrura .Disa edhe në mënyrë mizore.

    Atëhere a ia vlen dhe a duhet të jemi vegjetarianë?! Secili ka të drejtën e zgjedhjes së tij.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment