Megjithë rënien, Bitcoin do mbetet mbreti i valutave

       Këtë muaj vlera e bitcoinit,  kësaj monedhe digjitale dhe elektronike, u ul përsëri. Nga 125 000 dollarë për një bitcoin sa ishte në fillim te muajit tetor,  këto ditë vlera e tij luhatet ndërmjet 80 0000 dhe 90 000 $. Por kjo rënie, e ngjashme me atë të Bursës, ku vlera e aksioneve herë ngrihet dhe herë zbret, ka trembur dhe dëshpëruar disa nga zotëruesit e saj, por jo gjithë botën.  Sepse ka pasur edhe disa që e kishin parashikuar se mbas “fryerjes” do të vinte edhe “çfryerja”.

        Me siguri që ju kujtohet, kur kemi qënë të vegjël dhe prindërit na blinin ndonjë tullumbace, e fryenim atë sa mundnim. Dhe shpesh herë ajo çahej papritur dhe na mbetej në dorë!  Edhe Bitcoin si dhe aksionet e bursës janë njëlloj si puna e tullumbaces. Pasi kanë arritur majën edhe ato shpërthejnë!

       Sot psh po flitet shumë për rrezikun e shpërthimit të aksioneve të Inteligjencës Artificiale.  Firma të mëdha dhe të njohura në këtë fushë si Microsoft, Google, Alphabet, Apple, Meta, Nvidia dhe Tesla (7 të madhërishmet) kanë investuar shumë në këtë degë të ekonomisë dhe shkencës.  Aksionet e tyre pothuajse kanë kapur qiellin. Dhe tani ekziston frika e plasjes edhe të kësaj  “flluske”. Siç ngjau në vitin 2 000 me aksionet e fushës së internetit. 

        Një nga këta që e kishte parashikuar se pas fryerjes së Bitcoin-it në verë të këtij viti, kjo flluskë do çahej është edhe “magjistari” holandez i kriptovalutave Didi Taihuttu, i cili është bërë multimilioner pikërisht falë Bitcoin-it.  Ai madje parashikon se në vitin 2026, çmimi mund të bjerë më tej, duke arritur midis 50,000 dhe 60,000 dollarëve. “E njëjta gjë ndodh çdo katër vjet” – vëren ai.

        “Për mua, ka një shans prej 70% që të kemi arritur kulmin”, pohon Didi Taihuttu. “Ndoshta çmimi do të qëndrojë i lartë deri në fund të vitit, por pastaj do të mbarojë. Mendoj se do të biem përsëri në rreth 50,000 deri në 60,000 dollarë.”

        Didi Taihuttu bleu bitcoin-et e tij të parë në vitin 2013 dhe bëri bujë në vitin 2016 kur shiti shtëpinë dhe sendet e tij personale, la punën dhe investoi të gjitha paratë e tij në kriptomonedha. Në atë kohë, monedha dixhitale nuk vlente as 600 euro.

        Ky vendim, që disa e quajtën çmënduri në atë kohë, e ka bërë atë sot shumë të pasur.  Jo vetëm sepse Bitcoin tani vlen shumë më tepër, por edhe sepse ai ka ditur gjithmonë kur duhej të shiste dhe kur duhej të blinte.

      Kështu psh që në fund të vitit 2020, Didi Taihuttu parashikoi se Bitcoin do t’i kalonte 60,000 dollarët në vitin 2021 ! Dhe vërtet në nëntor të vitit 2021, vlera e tij kishte vajtur në 64.400 dollarë. Ai gjithashtu parashikoi një rënie për vitin 2022. Përsëri, ai kishte të drejtë: Bitcoin ra në 17,000 dollarë!  Por ai vetë, si një spekullator i aftë i kishte shitur bitcoinat e tij në kulmin e tyre dhe i kishte blerë kur ato ishin në pikën më të ulët!

       Siç thamë Bitcoin-i arriti kulmin këtë vit me gati 125,000 dollarë për copë në fillim të tetorit dhe tani ra përsëri në 90,000 dollarë. Por “magjistari” e kishte parashikuar kulmin që do ngjante në fund të verës së 2025-sës. Dhe përsëri ai i kishte shitur pothuajse të gjithë bitcoinët e tij që gjatë verës, kur vlera e tyre rrotullohej midis 115,000 dhe 125,000 dollarëve

        “Ndodh gjithmonë shtatëmbëdhjetë muaj pas halvingut” – shprehet ai. Kështu ngjau edhe gjatë viteve 2017 dhe 2021. Halvingu (përgjysmimi në shqip) kësaj rradhe ngjau në prill të vitit 2024. Logjikisht, nëse njerëzit që (minojnë) prodhojnë bitcoina, papritmas fitojnë halvingun (gjysmën) e shumës së paraparë, çmimi duhet të dyfishohet që ata të dalin me fitimin e parashikuar.

            “Pikërisht në këtë kohë euforia bie, njerëzit ndalojnë së menduari:‘Do të bëhemi edhe më të pasur. Dhe atëherë ata shesin për të realizuar fitimet e tyre”, shpjegon holandezi.

              Dhe ka një shpjegim llogjik dhe praktik për këtë rënie. Një përgjysmim, i njohur edhe si “prerje në gjysmë”, është një ngjarje që ndodh çdo 210,000 blloqe (përafërsisht çdo 4 vjet) në zinxhirin e blloqeve Bitcoin (BTC).  Gjatë një përgjysmimi, shpërblimi BTC i dhënë për minimin e secilit bllok pjesëtohet me 2.

         Objektivi kryesor i këtij përgjysmimi është mbajtja nën kontroll e inflacionit duke zvogëluar numrin e bitcoin-eve të krijuara me kalimin e kohës. Kjo ngjarje është periodike dhe e njohur, dhe për këtë arsye jo e rastësishme – shprehen specialistët e kriptomonedhave.

         Historikisht, përgjysmimet kanë pasur gjithashtu një ndikim pozitiv në çmimin e Bitcoin, pasi ato zvogëlojnë furnizimin me BTC të reja të disponueshme në treg.

        Didi Taihuttu e njihte këtë teknikë. “Por ka edhe njerëz që e teprojnë me këtë. Ata janë të bindur se fitimet vetëm mund të rriten, por e kanë gabim. Dhe unë i këshilloj shpesh që të mos bien në këtê gabim elementar” – shpjegon ai.

      “Një grup VIP-ash,  blenë dikur  bitcoina me rreth 20,000 dollarë për copë dhe arritën t’i shisnin për rreth 100,000 dollarë.  Ky është një fitim gjigant në dy vjet e gjysmë,  që nuk mund ta fitosh atë askund tjetër” – pohoi më pas “magjistari”!

        Dhe ai shton se “rënia e kriptomonedhave megjithatë nuk do të jetë aq e rëndë sa në të kaluarën”.  Në vitet e fundit, diçka themelore ka ndryshuar. Bankat tradicionale po ofrojnë dhe po pranojnë edhe ato kriptomonedhat dhe investitorët institucionalë dhe qeveritë po përfshihen gjithashtu në Bitcoin. Pra nuk kemi të bëjmë më me një flluskë. Çmimi i bitcoin do të stabilizohet. Do të ketë rritje më të vogla, por dhe rënie më pak brutale.

           Bitcoin do të bëhet ari i këtij shekulli. Qeveritë po përshtaten me të dhe po e kuptojnë se bitcoin është një investim më i mirë sesa ari fizik, sasinë e saktë të të cilit askush nuk e di.

            Sepse sistemi i krijuar nga Satoshi Nakamato (për këtë gjeni të kriptomonedhave mund të lexoni një shkrim të hollësishëm të publikuar rreth 3 vite më parë në këtë blog)  lejon krijimin vetëm të një maksimumi prej 21 milionë bitcoin-ësh.  Aktualisht, ekzistojnë tashmë 19.9 milionë, dhe bitcoin-ë të rinj vazhdojnë të gjenerohen. Rreth vitit 2040, do të krijohet edhe bitcoin-i i fundit, duke i dhënë kështu fund ciklit të luhatjeve të mprehta që po ngjajnë çdo katër vjet.

         Si përfundim mund të themi se pavarësisht të gjithave, Bitcoin-i mbetet sot një vlerë më e sigurt se kurrë më parë.

Nga Viron Gjymshana

Lini një koment